Të marrim vendime me mençuri
«Beso te Jehovai me gjithë zemër dhe mos u mbështet në kuptueshmërinë tënde.»—PROV. 3:5.
1, 2. A të pëlqen të marrësh vendime, dhe si të duken disa vendime që ke marrë?
VENDIME! Vendime! Çdo ditë duhet të marrim shumë prej tyre. Si i sheh vendimet e përditshme? Disa kanë qejf të vendosin vetë për çdo gjë. Këmbëngulin me forcë se kanë të drejtë të vendosin vetë, madje kanë inat kur dikush tjetër merr vendime për ta. Por, ka të tjerë që i zë paniku kur duhet të marrin vendime për gjëra që nuk janë të përditshme. Disa u drejtohen librave udhëzues ose këshilluesve dhe mbase harxhojnë një thes me para për të siguruar këshilla që mendojnë se u duhen.
2 Mjaft prej nesh janë diku në mes. E dimë se disa gjëra s’i kemi në dorë dhe s’mund të bëjmë asgjë për këtë. Sidoqoftë, e kuptojmë se për shumë aspekte të jetës mund të vendosim sipas qejfit. (Gal. 6:5) Prapëseprapë, duhet ta pranojmë se jo të gjitha vendimet që marrim janë të mençura ose të dobishme.
3. Ç’drejtim kemi kur na duhet të marrim vendime, por, çfarë sfidash hasim?
3 Si shërbëtorë të Jehovait jemi të kënaqur që na ka dhënë drejtim të qartë për shumë çështje me peshë të jetës. E dimë se, nëse ndjekim udhëzimet e tij, mund të marrim vendime që do t’i sjellin kënaqësi Jehovait, por edhe dobi neve. Gjithsesi, mund të përballemi me çështje dhe rrethana për të cilat nuk flitet drejtpërdrejt në Fjalën e Perëndisë. Çfarë të bëjmë në këto raste? Për shembull, e dimë se s’duhet të vjedhim. (Efes. 4:28) Por, çfarë përfshin vërtet vjedhja? A përcaktohet nga vlera e gjësë që marrim, nga motivi apo nga diçka tjetër? Si vendosim për çështjet që, sipas disave, nuk kemi asgjë të shkruar bardhë e zi? Çfarë do të na orientojë?
TË MARRIM VENDIME ME MENDJE TË SHËNDOSHË
4. Çfarë këshille marrim nganjëherë kur duhet të vendosim për ndonjë gjë?
4 Kur i themi një të bashkëkrishteri se duhet të marrim një vendim të rëndësishëm, mbase mund të na thotë se duhet të veprojmë me maturi. Patjetër, kjo është këshillë me vend. Bibla na paralajmëron të mos veprojmë rrëmbimthi: «Kush është i nxituar, me siguri shkon drejt skamjes.» (Prov. 21:5) Por, a mjafton kjo për të marrë një vendim të mençur? A mjafton thjesht ta marrim me nge, të mendojmë gjerë e gjatë, të jemi të arsyeshëm dhe të tregojmë gjykim të mirë? Të gjithë këta faktorë na ndihmojnë të marrim vendime të duhura. Megjithatë, Bibla thotë se duhet të përdorim «mendje të shëndoshë». (Rom. 12:3; 1 Pjet. 4:7) Ç’do të thotë kjo?
5. Pse nuk kemi një mendje krejtësisht të shëndoshë?
5 Duhet pranuar se askush nuk ka lindur me një mendje krejtësisht të shëndoshë. Pse kështu? Ngaqë të gjithë kemi lindur mëkatarë dhe të papërsosur e aspak me trup e mendje plotësisht të shëndoshë. (Psal. 51:5; Rom. 3:23) Përveç kësaj, shumë prej nesh dikur ishim ‘të verbuar’ mendërisht nga Satanai; nuk njihnim as Jehovain, as standardet e tij të drejta. (2 Kor. 4:4; Titit 3:3) Prandaj, po të marrim vendime të bazuara vetëm në atë që na duket e mirë dhe e arsyeshme, mund të mashtrohemi, pavarësisht nga sa i bluajmë në mendje.—Prov. 14:12.
6. Çfarë mund të na ndihmojë të zhvillojmë mendje të shëndoshë?
6 Edhe pse ne nuk kemi trup dhe mendje aspak të përsosur, Jehovai, Ati ynë qiellor, është i përsosur në çdo aspekt. (Ligj. 32:4) Lumturisht, ai na ka dhënë mundësi të përtërijmë mendjen dhe të zhvillojmë mendje të shëndoshë. (Lexo 2 Timoteut 1:7.) Si të krishterë, duam të mendojmë e të arsyetojmë me maturi dhe të veprojmë kështu. Duhet të frenojmë, ose të mbajmë nën kontroll, mendimet e ndjenjat tona dhe të imitojmë mënyrën si mendon, ndien dhe vepron Jehovai.
7, 8. Trego një përvojë si mund të merret një vendim i mirë përkundër presionit dhe vështirësive.
7 Të shqyrtojmë një shembull. Për disa emigrantë është normale t’ua dërgojnë foshnjat të afërmve në vendin e tyre që t’i rritin, ndërsa prindërit vazhdojnë punën për të bërë pará.a Një emigrante lindi një çun bukurosh. Ndërkohë, filloi të studionte Biblën dhe bëri goxha përparim frymor. Miqtë dhe të afërmit i bënë presion asaj dhe të shoqit të kthenin fëmijën në vendin e tyre, te gjyshërit. Megjithatë, falë studimit, gruaja kuptoi se përgjegjësinë për të rritur fëmijën Perëndia ia kishte besuar asaj, prindit. (Psal. 127:3; Efes. 6:4) A duhej të vepronte sipas asaj që shumica e shihte si normale dhe të arsyeshme? Apo duhej të zbatonte atë që po mësonte nga Bibla dhe të rrezikonte të zihej ngushtë për pará dhe të duronte përbuzjen e të tjerëve? Çfarë do të bëje ti po të ishe në vend të saj?
8 Me ankth dhe nën presion, gruaja ia zbrazi zemrën Jehovait dhe kërkoi drejtimin e tij. Pasi foli për këtë me mësuesen e saj të Biblës dhe me të tjerë në kongregacion, filloi të dallonte si mendon Jehovai për këtë çështje. Gjithashtu, peshoi dëmin emocional që mund të pësojnë të vegjlit që ndahen nga prindërit kur janë në moshë të njomë. Pasi e shqyrtoi situatën nën dritën e Shkrimeve, arriti në përfundimin se nuk do të bënte mirë ta largonte fëmijën nga vetja. Kur i shoqi pa sa shumë i ndihmuan pjesëtarët e kongregacionit dhe sa e lumtur dhe e shëndetshme ishte bebja, pranoi një studim biblik dhe filloi të ndiqte mbledhjet me të shoqen.
9, 10. Çfarë do të thotë të përdorësh mendje të shëndoshë dhe si ta bësh këtë?
9 Ky është vetëm një rast, por tregon se të marrim vendime me mendje të shëndoshë nuk do të thotë thjesht të bëjmë atë që është e arsyeshme ose e volitshme sipas nesh apo të tjerëve. Mendja dhe zemra jonë e papërsosur mund të krahasohen me një orë që ecën ose tepër shpejt ose tepër ngadalë. Po t’i besojmë asaj, do të na gjejë belaja vërtet. (Jer. 17:9) Kemi nevojë të ndreqim mendjen dhe zemrën sipas standardeve të besueshme të Perëndisë.—Lexo Isainë 55:8, 9.
10 Jo më kot Bibla na këshillon: «Beso te Jehovai me gjithë zemër dhe mos u mbështet në kuptueshmërinë tënde. Kushtoji vëmendje në të gjitha udhët e tua, dhe ai vetë do t’i drejtojë shtigjet e tua.» (Prov. 3:5, 6) Vëreni shprehjen «mos u mbështet në kuptueshmërinë tënde». Pastaj thuhet «kushtoji vëmendje [Jehovait]». Ai ka mendje vërtet të shëndoshë. Kështu, kurdo që të jemi para një vendimi, duhet t’i drejtohemi Biblës për të kuptuar pikëpamjen e Perëndisë. Atëherë, duhet ta marrim vendimin sipas saj. Kjo do të thotë të përdorim mendje të shëndoshë, pra, të mendojmë si mendon Jehovai.
TË STËRVITIM AFTËSITË PERCEPTUESE
11. Si mund të mësojmë të marrim vendime të mençura?
11 Të mësosh të marrësh vendime të mençura dhe t’i çosh deri në fund s’është kollaj. Kjo mund të jetë një sfidë sidomos për ata që janë të rinj në të vërtetën ose që sapo kanë filluar të bëjnë përparim drejt pjekurisë frymore. Megjithatë, këto foshnja frymore, siç i quan Bibla, mund të përparojnë vërtet. Mendoni si mëson të ecë pa u rrëzuar një foshnjë. Zakonisht ia del mbanë duke bërë hapa të veckël dhe të përsëritur. Njësoj është edhe me foshnjat frymore kur bëhet fjalë për të marrë vendime të mençura. Kujtoni se apostulli Pavël i përshkroi njerëzit e pjekur si ata «që nëpërmjet përdorimit i kanë aftësitë perceptuese të stërvitura për të shquar si të drejtën, ashtu edhe të gabuarën». Fjalët «nëpërmjet përdorimit» dhe «të stërvitura» nënkuptojnë përpjekje të vazhdueshme e të përsëritura, e pikërisht për këtë kanë nevojë të rinjtë në të vërtetën.—Lexo Hebrenjve 5:13, 14.
12. Si mund të zhvillojmë aftësi për të marrë vendime të mençura?
12 Siç u përmend në fillim, çdo ditë duhet të marrim vendime të shumta, të mëdha a të vogla qofshin. Sipas një studimi, mbi 40 për qind të veprimeve tona bazohen në zakone të rrënjosura thellë e jo sepse i kemi menduar gjatë. Për shembull, çdo mëngjes duhet të vendosim si të vishemi. Mund të na duket gjë e vogël dhe marrim një vendim pa i kushtuar shumë vëmendje, veçanërisht nëse e kemi me ngut. Por, është e rëndësishme të mendojmë nëse ajo që veshim na hijeshon si shërbëtorë të Jehovait. (2 Kor. 6:3, 4) Kur duam të blejmë rroba, mbase na shkon mendja te stili e moda, mirëpo, ç’të themi për modestinë dhe çmimin? Po të marrim vendime të duhura në çështje të tilla, stërvitim aftësitë perceptuese dhe kjo mund të na ndihmojë të marrim vendimet e duhura në çështje më të rëndësishme.—Luka 16:10; 1 Kor. 10:31.
TË KEMI VULLNET PËR TË BËRË ATË QË ËSHTË E DREJTË
13. Si mund të sigurohemi se po i çojmë deri në fund vendimet që kemi marrë?
13 E dimë mirë se të marrim një vendim të drejtë është një gjë, kurse ta zbatojmë dhe ta çojmë deri në fund është një gjë krejt tjetër. Për shembull, disa që duan të lënë duhanin dështojnë ngaqë u mungon motivi mjaft i fortë. Duhet këmbëngulje për të ndjekur rrugën e nisur. Mendohet se vullneti ngjan me një muskul. Sa më shumë që e përdorim, aq më i fortë bëhet. Ndërsa, kur e përdorim rrallë, do të dobësohet dhe do të rrëgjohet. Atëherë, si mund ta zhvillojmë ose ta forcojmë vullnetin që ta zbatojmë dhe ta çojmë deri në fund atë që kemi vendosur? Po t’i drejtohemi Jehovait, do të marrim ndihmë.—Lexo Filipianëve 2:13.
14. Pse Pavli pati forcë të bënte atë që e dinte se duhej bërë?
14 Pavli e dinte këtë nga përvoja. Një herë tha me keqardhje: «Aftësia për të dashur është brenda meje, kurse aftësia për të bërë atë që është e shkëlqyer, nuk është.» E dinte se çfarë donte të bënte ose çfarë duhej të bënte, por nganjëherë e pengonte diçka. Ai rrëfeu: «Në të vërtetë, njeriu që jam përbrenda, kënaqet me ligjin e Perëndisë, kurse në gjymtyrët e mia shoh një tjetër ligj, që lufton kundër ligjit të mendjes sime e më bën rob të ligjit të mëkatit, që është në gjymtyrët e mia.» A ishte e pashpresë situata e tij? Aspak. Ai tha: «Faleminderit Perëndisë nëpërmjet Jezu Krishtit, Zotërisë tonë!» (Rom. 7:18, 22-25) Diku tjetër shkroi: «Për çdo gjë kam forcë falë atij që më jep fuqi.»—Filip. 4:13.
15. Si ndikon veprimi me vendosmëri ose jo tek ata që përfshihen në një çështje?
15 Është e qartë, që t’i pëlqejmë Perëndisë, duhet të veprojmë me vendosmëri. Kujtoni çfarë u tha Elija adhuruesve të Baalit dhe izraelitëve apostatë në malin Karmel: «Deri kur do të lëkundeni mes dy mendimeve? Në qoftë Jehovai Perëndia i vërtetë, ndiqeni, por në qoftë Baali, ndiqni atë.» (1 Mbret. 18:21) Bijtë e Izraelit e dinin ç’duhej të bënin, por u ‘lëkundën’ nga pavendosmëria. Krejt ndryshe nga ata, vite më parë, Josiu la një shembull të shkëlqyer kur u tha izraelitëve: «E në qoftë gjë e keqe në sytë tuaj t’i shërbeni Jehovait, zgjidhni sot kujt do t’i shërbeni . . . Por sa për mua dhe për shtëpinë time, ne do t’i shërbejmë Jehovait.» (Jos. 24:15) Çfarë erdhi si rezultat i vendosmërisë së tij? Josiu dhe ata që morën anën e tij u bekuan, pra, u vendosën në Tokën e Premtuar, «një vend ku rrjedh qumësht e mjaltë».—Jos. 5:6.
LE TË MARRIM VENDIME TË MENÇURA DHE DO TË BEKOHEMI
16, 17. Ilustroni ç’bekime vijnë kur marrim vendime në përputhje me vullnetin e Perëndisë.
16 Të mendojmë për një situatë të ditëve tona. Një vëlla i sapopagëzuar është i martuar dhe kanë tre fëmijë të vegjël. Një ditë, një koleg pune i sugjeroi që të dy të shkonin në një kompani tjetër ku rrogat ishin më të larta dhe jepeshin më shumë shpërblime. Vëllai e mendoi mirë dhe u lut për këtë çështje. E kishte zgjedhur punën ku ishte që të kishte fundjavët e lira që të ndiqte mbledhjet e të dilte në shërbim me familjen, jo sepse rroga ishte kushedi çfarë. Ai arsyetoi se nuk do të kishte një program të tillë po të pranonte punën e re, të paktën jo menjëherë. Çfarë do të bëje ti?
17 Duke menduar për dobitë frymore karshi një rroge më të mirë, vëllai nuk e pranoi punën tjetër. A mendoni se u bë pishman? Fare. Për të, bekimet frymore që gëzonte ai dhe familja as që krahasoheshin me një rrogë më të madhe. Atij dhe gruas iu bë zemra mal kur vajza më e madhe, dhjetë vjeçe, u tha se i donte shumë ata, vëllezërit dhe motrat e Jehovain. Tha se donte t’ia kushtonte jetën Jehovait dhe të pagëzohej. Sa shumë duhet ta ketë vlerësuar shembullin e shkëlqyer të të atit që vuri adhurimin e Jehovait në vend të parë në jetën e tij!
18. Pse është e rëndësishme që çdo ditë të marrim vendime të mençura?
18 Për dekada me radhë, Moisiu më i Madh, Jezu Krishti, u ka prirë adhuruesve të vërtetë të Jehovait nëpër shkretëtirën e botës së Satanait. Si Josiu më i Madh, Jezui rri gati që të shembë sistemin e korruptuar dhe t’u prijë dishepujve drejt botës së re të premtuar të drejtësisë. (2 Pjet. 3:13) Prandaj, nuk është momenti t’u kthehemi mendimeve, zakoneve, vlerave dhe synimeve të mëparshme. Është koha të dallojmë edhe më qartë cili është vullneti i Perëndisë për ne. (Rom. 12:2; 2 Kor. 13:5) Vendimet dhe zgjedhjet e ditëpërditshme pasqyrofshin llojin e personave të denjë për bekimet e përhershme të Perëndisë!—Lexo Hebrenjve 10:38, 39.
a Një arsye tjetër pse veprojnë kështu, është se gjyshërit duan të mburren para miqve dhe të afërmve për nipat dhe mbesat.