Falëndero Jehovain dhe shijo bekimet
«Falënderoni Jehovain, se ai është i mirë.»—PSAL. 106:1.
1. Pse Jehovai e meriton ta falënderojmë?
S’DISKUTOHET që Jehovai, Dhënësi i ‘çdo dhurate të mirë dhe i çdo gjëje të përsosur’, e meriton ta falënderojmë. (Jak. 1:17) Si Bariu ynë i dashur, kujdeset me butësi e me merak për gjithë nevojat tona fizike dhe frymore. (Psal. 23:1-3) Ka treguar se është «strehë dhe forcë për ne», sidomos në momente të vështira. (Psal. 46:1) Sigurisht, kemi arsye të pafundme të bashkohemi me gjithë zemër me fjalët e psalmistit: «Falënderoni Jehovain, se ai është i mirë dhe dashamirësia e tij zgjat në jetë të jetëve.»—Psal. 106:1.
Shkrimi i vitit për 2015-n: «Falënderoni Jehovain, se ai është i mirë.»—Psalmi 106:1
2, 3. (a) Çfarë rreziqesh ka nëse i shohim si të zakonshme bekimet tona? (b) Cilat pyetje do të shqyrtojmë në këtë artikull?
2 Pse ia vlen t’i kushtojmë vëmendje nevojës për të qenë mirënjohës? Sepse, siç ishte parathënë, në këto ditë të fundit njerëzit po bëhen gjithnjë e më mosmirënjohës. (2 Tim. 3:2) Shumë i shohin si të zakonshme të mirat a bekimet që gëzojnë. Miliona veta, të ndikuar nga bota e tregtisë dhe nga reklamat, robtohen që si e si të marrin sa më tepër, në vend që të kënaqen me ato që kanë. Kjo frymë mosmirënjohëse mund të na ngjitet edhe neve. Ashtu si izraelitët e lashtë, mund të bëhemi mosmirënjohës dhe të na shuhet çmueshmëria për marrëdhënien e vyer me Jehovain e për bekimet që ka derdhur mbi ne.—Psal. 106:7, 11-13.
3 Të mendojmë edhe ç’mund të na ndodhë kur hasim sprova të vështira. Në raste të tilla, mund të na mbytin problemet aq sa t’i humbim nga sytë bekimet. (Psal. 116:3) Prandaj, si mund të zhvillojmë e të mbajmë një zemër mirënjohëse? Ç’do të na ndihmojë të mbetemi pozitivë edhe kur kalojmë sprova të rënda? Le ta shohim.
‘TI KE BËRË SHUMË GJËRA, O JEHOVA’
4. Si mund të mbajmë një zemër mirënjohëse?
4 Ç’të bëjmë që të zhvillojmë dhe të mbajmë një zemër mirënjohëse? Duhet t’i dallojmë bekimet që kemi nga Jehovai e të meditojmë me çmueshmëri për to, si edhe të bluajmë në mend si tregon dashuri besnike ai. Pasi veproi kështu, psalmisti mbeti gojëhapur nga gjërat e panumërta të mrekullueshme që kishte bërë Jehovai.—Lexo Psalmet 40:5; 107:43.
5. Si mësojmë të kultivojmë mirënjohje nga shembulli i apostullit Pavël?
5 Mund të mësojmë shumë nga apostulli Pavël si të kultivojmë mirënjohje. Duket qartë se ai meditonte për bekimet që gëzonte, sepse falënderonte shpesh nga zemra. Pavli nuk e harronte kurrë se kishte qenë «blasfemues, përndjekës dhe i pacipë». Prandaj shprehte mirënjohje që Perëndia dhe Krishti i kishin treguar mëshirë dhe i kishin besuar një shërbim, pavarësisht nga e kaluara e tij mëkatare. (Lexo 1 Timoteut 1:12-14.) Pavli ishte thellësisht mirënjohës edhe për bashkëbesimtarët dhe e falënderonte shpesh Jehovain për cilësitë e tyre të bukura e për shërbimin besnik. (Filip. 1:3-5, 7; 1 Sel. 1:2, 3) Pastaj, kur kalonte situata të vështira, nuk ngurronte ta falënderonte Jehovain për mbështetjen në kohën e duhur nga vëllezërit në besim. (Vep. 28:15; 2 Kor. 7:5-7) Pra s’është çudi që Pavli na nxit në letrat e tij: «Tregohuni mirënjohës. . . . Këshilloni njëri-tjetrin [jepini zemër njëri-tjetrit] me psalme, lavde dhe këngë frymore me hir.»—Kolos. 3:15-17.
MEDITIMI DHE LUTJA: ÇELËSA QË TË MOS VENITET MIRËNJOHJA
6. Për çfarë gjëje në veçanti i je mirënjohës Jehovait?
6 Si mund të na ndihmojë shembulli i shkëlqyer i Pavlit që të kultivojmë dhe të shprehim mirënjohje? Njësoj si ai, duhet të meditojmë se çfarë ka bërë Jehovai për ne personalisht. (Psal. 116:12) Si do të përgjigjeshe po të të pyetnin: «Për cilat bekime nga Jehovai je mirënjohës?» A do të përmendje marrëdhënien e vyer me Jehovain? Ose faktin që, falë besimit te flijimi shpërblyes i Krishtit, të falen shkeljet? A do të radhitje emrat e vëllezërve dhe të motrave që t’u gjendën pranë në lloj-lloj vështirësish? Patjetër që s’do të harroje edhe bashkëshortin e dashur ose fëmijët e shtrenjtë. Nëse lë kohë të bluash në mend bekime të bukura si këto nga Jehovai, Ati yt i dashur, zemra do të të gufojë nga mirënjohja e do të të vijë natyrshëm ta falënderosh çdo ditë.—Lexo Psalmin 92:1, 2.
7. (a) Pse duhet të bëjmë lutje falënderimi? (b) Si nxjerr dobi kur shpreh mirënjohje në lutje?
7 Kur i kemi të ngulitura në mendje e në zemër bekimet që gëzojmë, na lind dëshira t’i lutemi Jehovait dhe ta falënderojmë. (Psal. 95:2; 100:4, 5) Shumë veta e shohin lutjen thjesht si një mënyrë për t’i kërkuar ndonjë gjë Zotit. Ama ne e dimë mirë se Jehovait i kënaqet shpirti kur e falënderojmë për gjithçka kemi. Në Bibël gjejmë sa e sa lutje falënderimi prekëse, siç janë lutjet e Hanës dhe të Hezekisë. (1 Sam. 2:1-10; Isa. 38:9-20) Pse të mos i imitosh këta besnikë që shfaqën frymë mirënjohëse dhe ta falënderosh Jehovain në lutje për bekimet që gëzon? (1 Sel. 5:17, 18) Ke për të nxjerrë plot dobi nga kjo. Do të të lehtësohet zemra, do të të rritet dashuria për Jehovain dhe do t’i afrohesh gjithnjë e më shumë.—Jak. 4:8.
8. Pse mund ta humbim vlerësimin për gjithë sa ka bërë Jehovai për ne?
8 Pse s’duhet ta flemë mendjen sikur s’ka rrezik të bëhemi mosmirënjohës për mirësinë e Jehovait? Sepse e kemi të trashëguar këtë prirje. Mendo pak: Jehovai i vuri në një kopsht parajsor prindërit tanë të parë, Adamin e Evën, dhe u siguroi gjithçka të nevojshme. Kishin edhe perspektivën të jetonin përgjithmonë në paqe. (Zan. 1:28) Por nuk i vlerësuan bekimet e tyre. Lakmuan më shumë, e si pasojë, humbën çdo gjë. (Zan. 3:6, 7, 17-19) Të rrethuar siç jemi nga një botë mosmirënjohëse, edhe ne dalëngadalë mund t’i harrojmë gjithë të mirat që ka bërë Jehovai në dobinë tonë. Mund të fillojmë ta shohim si të zakonshme miqësinë me të. Mund të mos e vlerësojmë më privilegjin që jemi pjesë e një vëllazërie mbarëbotërore. Ka rrezik të zhytemi kokë e këmbë në gjërat e kësaj bote që është buzë greminës. (1 Gjon. 2:15-17) Që të mos na përpijë kjo vorbull, le të meditojmë për bekimet tona dhe ta kemi shprehi të falënderojmë Jehovain për privilegjin që jemi populli i tij.—Lexo Psalmin 27:4.
KUR KALOJMË SPROVA
9. Kur na bien të zeza, pse duhet t’i dallojmë bekimet tona dhe të mendojmë për to?
9 Një zemër mirënjohëse na ndihmon t’u bëjmë ballë të zezave që na bien. Mund të ndihemi të dërrmuar nëse befas ndodh diçka që na ndryshon jetën, si: tradhtia e bashkëshortit, një sëmundje vdekjeprurëse, vdekja e një njeriu të dashur ose pasojat e tmerrshme të një katastrofe natyrore. Në momente të tilla do të marrim zemër dhe forcë nëse i dallojmë bekimet tona e mendojmë për to. Të shohim disa përvoja reale.
10. Si nxori dobi Irina ngaqë u përqendrua te bekimet e saj?
10 Irinaa, një pionere e rregullt në Amerikën e Veriut, ishte e martuar me një plak kongregacioni, i cili e tradhtoi dhe i braktisi atë e fëmijët. Çfarë e ndihmoi Irinën të vazhdonte t’i shërbente besnikërisht Jehovait? Ajo shprehet: «Jam mirënjohëse kur mendoj se si është kujdesur Jehovai për mua personalisht. Ngaqë kam vënë si synim të përqendrohem çdo ditë te bekimet e mia, arrij ta dalloj çfarë privilegji është që Mbrojtësi dhe Ati ynë qiellor më njeh dhe më do. E di mirë se ai nuk do të më braktisë kurrën e kurrës.» Edhe pse Irina ka hequr shumë të zeza në jetë, fryma e gëzuar i jep forcë të qëndrojë dhe e bën burim inkurajimi për të tjerët.
11. Çfarë e ka ndihmuar Kjung-sukun t’i bëjë ballë një sëmundjeje vdekjeprurëse?
11 Kjung-suku, e cila jeton në Azi, shërbeu si pionere bashkë me të shoqin për më shumë se 20 vjet. Befas, e diagnostikuan me kancer të përparuar në mushkëri dhe i thanë se i mbeteshin tre deri në gjashtë muaj jetë. Ajo dhe i shoqi kishin kaluar mjaft sprova, të mëdha e të vogla, por kishin gëzuar gjithnjë shëndet të mirë. Ajo tregon: «Ky problem shëndetësor më ra si bombë. Ndihesha sikur kisha humbur gjithçka dhe isha e tmerruar.» Çfarë e ka ndihmuar Kjung-sukun t’i bëjë ballë? Ja ç’thotë: «Çdo natë para se të fle, shkoj në tarracë dhe lutem me zë për pesë gjëra të asaj dite që jam mirënjohëse. Kjo ma ngroh zemrën, dhe më vjen t’i them Jehovait sa e dua.» Si ka nxjerrë dobi Kjung-suku nga këto lutje të përnatshme? Ajo shprehet: «Kam kuptuar se Jehovai na mban fort gjatë vështirësive dhe se bekimet tona janë ku e ku më të shumta se sprovat.»
12. Si u ngushëllua Xhejsoni pasi i vdiq e shoqja?
12 Xhejsoni, që shërben në një zyrë dege në Afrikë, ka mbi 30 vjet në shërbim të plotkohor. Ai thotë: «Para shtatë vjetësh më vdiq gruaja, dhe ka momente kur dhembja është e papërballueshme. Nëse rri e stërmendoj çfarë hoqi ajo kur po luftonte me kancerin, më këputet shpirti.» Çfarë e ka ndihmuar Xhejsonin? Ai tregon: «Një herë më erdhi në mend një moment i bukur që kisha kaluar me gruan, dhe në lutje e falënderova Jehovain për atë kujtim. U ndjeva jashtë mase i lehtësuar dhe pas kësaj e bëra shprehi ta falënderoja Jehovain për kujtime të këndshme si ky. Mirënjohja ka ndikuar tej mase te mënyra si e shoh jetën. Akoma e ndiej dhimbjen e humbjes. Por, ndërsa e falënderoj Jehovain që kam pasur një martesë të mirë dhe privilegjin t’i shërbeja përkrah dikujt që e donte me gjithë shpirt, i shoh gjërat me sy më pozitiv.»
«Sa mirënjohëse jam që Jehovai është Perëndia im!»—Sherila
13. Çfarë e ndihmoi Sherilën të përballonte humbjen e pjesës më të madhe të familjes?
13 Kur supertajfuni Haijan goditi Filipinet Qendrore nga fundi i 2013-s, Sherila, që atëherë ishte vetëm 13 vjeçe, humbi thuajse çdo gjë. Ajo tregon: «Humba shtëpinë, humba pjesën më të madhe të familjes.» I ati, e ëma, një vëlla e dy motra, vdiqën nga dallgët e fuqishme gjigante. Çfarë e ndihmoi Sherilën ta përballonte këtë tragjedi pa u mbushur me vrer? Ajo ka një zemër mirënjohëse dhe i mban sytë te bekimet që gëzon ende. Ja si shprehet: «Pashë sa shumë bënë vëllezërit dhe motrat për t’i lehtësuar dhe për t’i inkurajuar ata që kishin nevojë për ndihmë. E dija se vëllezërit anembanë botës po luteshin për mua.» Pastaj shton: «Sa mirënjohëse jam që Jehovai është Perëndia im! Ai na jep gjithmonë çfarë na duhet.» E pra, kur mbajmë parasysh bekimet, kemi një ilaç të fortë që të mos na përpijë hidhërimi. Një zemër mirënjohëse na ndihmon të ecim para, me gjithë hallet që mund të na bien.—Efes. 5:20; lexo Filipianëve 4:6, 7.
«UNË PËR VETE DO TË NGAZËLLOJ FALË JEHOVAIT»
14. Cila e ardhme drithëruese na pret? (Shih figurën hapëse.)
14 Gjatë gjithë historisë, populli i Jehovait ka gëzuar për bekimet që ka shijuar. Për shembull, pasi shpëtuan nga faraoni dhe ushtria e tij në Detin e Kuq, izraelitët e shprehën gëzimin me këngë lëvdimi dhe falënderimi. (Dal. 15:1-21) Sot, ndër bekimet më të çmuara që kemi, është shpresa e sigurt se do të çlirohemi nga çdo gjë që na sjell dhembje e vuajtje. (Psal. 37:9-11; Isa. 25:8; 33:24) Imagjino si do të ndihemi kur Jehovai t’i dërrmojë gjithë armiqtë e tij dhe të na thotë ‘urdhëroni në botën e re plot paqe e drejtësi’! Si do të vërshojnë atë ditë falënderimet!—Zbul. 20:1-3; 21:3, 4.
15. Çfarë je i vendosur të bësh gjatë gjithë vitit 2015?
15 Mezi i presim bekimet e panumërta frymore që do të derdhë mbi ne Jehovai gjatë vitit 2015. Kuptohet, mund të kemi edhe ca sprova. Çfarëdo që të ndodhë, jemi të sigurt se Jehovai nuk do të na braktisë kurrën e kurrës. (Ligj. 31:8; Psal. 9:9, 10) Ai do të vazhdojë të na sigurojë gjithçka që na duhet për t’i shërbyer besnikërisht. Prandaj, qofshim të vendosur të kemi po atë qëndrim që mbajti Habakuku! Ai tha: «Ndonëse fiku mund të mos lulëzojë dhe hardhitë të mos japin prodhim; ndonëse punimi i ullirit mund të dështojë dhe brezaret të mos japin fare ushqim; ndonëse kopeja mund të shkëputet nga vatha dhe të mos ketë asnjë tufë brenda gardhit, unë për vete do të ngazëlloj falë Jehovait, do të gëzohem falë Perëndisë së shpëtimit tim.» (Hab. 3:17, 18) E pra, gjatë gjithë këtij viti, le të mendojmë plot gëzim për bekimet tona dhe le të na shtyjë zemra të veprojmë siç këshillon shkrimi i vitit 2015: «Falënderoni Jehovain, se ai është i mirë.»—Psal. 106:1.
a Disa emra në këtë artikull janë ndryshuar.