Të imitojmë Atë që premton jetën e përhershme
‘Bëhuni imitues të Perëndisë, si bij të dashur.’—EFES. 5:1.
1. Cila aftësi mund të na ndihmojë të imitojmë cilësitë e Perëndisë?
JEHOVAI na ka dhuruar aftësinë që ta vëmë veten në vend të tjetrit. Deri diku mund ta përfytyrojmë një situatë që nuk e kemi përjetuar. (Lexo Efesianëve 5:1, 2.) Si mund ta përdorim me mençuri këtë dhuratë nga Zoti? Si të sigurohemi që kjo dhuratë të mos kthehet në dëmin tonë?
2. Si ndihet Jehovai kur ne vuajmë?
2 Pa dyshim, gëzohemi që Perëndia u ka premtuar të mirosurve besnikë pavdekësinë në qiell dhe ‘deleve të tjera’ besnike të Jezuit jetën e përhershme në tokë. (Gjoni 10:16; 17:3; 1 Kor. 15:53) Natyrisht, vuajtjet që janë të zakonshme sot, nuk do të cenojnë më as jetën e pavdekshme në qiell, as jetën e përhershme në tokë. Jehovai e njeh mirë dhimbjen tonë, tamam siç i njihte vuajtjet e izraelitëve kur ishin skllevër në Egjipt. Vërtet, «Ai vuajti për të gjitha vuajtjet e tyre». (Isa. 63:9) Shekuj më vonë judenjtë u frikësoheshin armiqve që i kundërviheshin rindërtimit të tempullit, por Perëndia tha: «Kush ju prek ju, prek bebëzën e syrit tim.» (Zak. 2:8) Ashtu si një nëne i dhimbset foshnja, edhe Jehovait i vjen natyrshëm të veprojë me dashuri në dobi të popullit të tij. (Isa. 49:15) Në njëfarë kuptimi, Jehovai e vë veten në vend të të tjerëve, e këtë aftësi na e ka dhuruar edhe neve.—Psal. 103:13, 14.
SI E PASQYROI JEZUI DASHURINË E PERËNDISË
3. Nga duket se Jezui ishte i dhembshur?
3 Jezui e ndiente dhimbjen e të tjerëve, edhe nëse nuk i kishte përjetuar kurrë rrethanat e tyre. Për shembull, njerëzit e thjeshtë i kishin tmerr udhëheqësit fetarë, të cilët i mashtronin e i ngarkonin me ligje të pafundme të sajuara nga njerëzit. (Mat. 23:4; Mar. 7:1-5; Gjoni 7:13) Jezui kurrë nuk u frikësua dhe nuk u mashtrua, ama i kuptonte situatat që s’i kishte kaluar vetë. Prandaj, «kur pa turmën, ai ndjeu keqardhje për ta, sepse ishin të keqtrajtuar e të hallakatur si dele pa bari». (Mat. 9:36) Ashtu si i Ati, Jezui ishte i dashur e i dhembshur.—Psal. 103:8.
4. Si ndihej Jezui kur shihte vuajtjen e të tjerëve?
4 Kur i shihte njerëzit që vuanin, Jezuit i vinte natyrshëm t’u tregonte dashuri. Kështu pasqyroi në mënyrë të përsosur dashurinë e të Atit. Një herë, pasi i kishin rënë vendit cep më cep duke predikuar, Jezui me apostujt po bëheshin gati të shkonin në një vend të veçuar që të pushonin pak. Mirëpo, i shtyrë nga keqardhja për turmën aty pranë, ai gjeti kohë ‘t’i mësonte shumë gjëra’.—Mar. 6:30, 31, 34.
SI TA IMITOJMË DASHURINË E JEHOVAIT
5, 6. Si duhet t’i trajtojmë të tjerët nëse duam të imitojmë dashurinë e Perëndisë? Ilustrojeni. (Shih figurën hapëse.)
5 Mund ta imitojmë dashurinë e Perëndisë me mënyrën si i trajtojmë të tjerët. Ta ilustrojmë: ta zëmë se një vëlla i ri në moshë, që do ta quajmë Ledio, po mendon për një vëlla të moshuar që mezi lexon nga shikimi i dobët. Gjithashtu e ka të vështirë të ecë kur predikon shtëpi më shtëpi. Ledio sjell ndër mend fjalët e Jezuit: «Ashtu si dëshironi të bëjnë të tjerët për ju, njësoj bëni edhe ju për ta.» (Luka 6:31) Kështu ai pyet veten: «Çfarë do të doja që të tjerët të bënin për mua?» Ai thotë me çiltërsi: «Të loznin futboll.» Por vëllai i moshuar nuk luan dot futboll, apo jo? Këshilla e Jezuit nënkupton se pyetja që duhet t’i bëjmë vetes është kjo: «Çfarë do të doja që dikush të bënte për mua po të isha në rrethanat e tij?»
6 Ledio nuk është i plakur, por ka aftësi të konceptojë situata që s’i ka provuar. Ai e vëzhgon dhe e dëgjon gjithë merak vëllanë e moshuar. Avash-avash e kupton ç’do të thotë të jesh i moshuar që mezi e lexon Biblën ose mezi ecën për të predikuar shtëpi më shtëpi. Kur Ledio e ndien vuajtjen e vëllait të moshuar, e kupton për çfarë ka nevojë dhe dëshiron ta ndihmojë. Kështu mund të bëjmë edhe ne. Pra, që të imitojmë dashurinë e Perëndisë, duhet ta vëmë veten në vend të vëllezërve tanë.—1 Kor. 12:26.
7. Si të arrijmë t’i njohim të tjerët aq sa ta ndiejmë dhimbjen e tyre?
7 S’është gjithmonë kollaj të kuptojmë dhimbjen e tjetrit. Shumë veta hasin vështirësi që as ia kemi idenë. Disa vuajnë fizikisht për shkak të ndonjë aksidenti, të një sëmundjeje ose të plakjes. Të tjerë përballen me probleme emocionale për shkak të depresionit, të krizave të panikut ose të pasojave të abuzimit. Të tjerë akoma jetojnë me jobesimtarë ose në familje me një prind. S’ka njeri pa halle, dhe shpesh të tjerët kalojnë probleme që ne vetë s’i kemi përjetuar. Në raste të tilla, si ta imitojmë dashurinë e Perëndisë? Duke dëgjuar me vëmendje derisa të kuptojmë ndjenjat e tjetrit, të paktën deri diku. Kështu do të na vijë natyrshëm të imitojmë dashurinë e Jehovait duke vepruar sipas nevojës së tjetrit. Secili ka nevoja të ndryshme, por mund t’ia ngremë zemrën peshë një bashkëbesimtari me ndonjë mendim frymor e t’i japim ndonjë ndihmë tjetër praktike.—Lexo Romakëve 12:15; 1 Pjetrit 3:8.
TË IMITOJMË MIRËDASHJEN E JEHOVAIT
8. Çfarë e ndihmoi Jezuin të ishte mirëdashës?
8 Biri i Perëndisë tha: ‘Më i Larti është mirëdashës edhe me mosmirënjohësit dhe me të ligjtë.’ (Luka 6:35) Vetë Jezui e imitoi mirëdashjen e Perëndisë. Çfarë e ndihmoi të bënte kështu? I trajtonte njerëzit me dashamirësi duke menduar që më përpara si do të ndikonin te ndjenjat e tyre fjalët dhe veprimet e tij. Për shembull, Jezuit iu afrua një grua e njohur si mëkatare, e cila qau dhe ia lagu këmbët me lot. Ai e dalloi se ishte e penduar dhe e dinte se do t’i bëhej zemra copë po ta largonte pa pikë mirëdashjeje. Në vend të kësaj, e lavdëroi dhe e fali. Kur një farise rrudhi buzët për atë që ndodhi, Jezui i foli edhe atij dashamirësisht.—Luka 7:36-48.
9. Çfarë do të na ndihmojë të imitojmë mirëdashjen e Perëndisë? Jepni një shembull.
9 Si ta imitojmë mirëdashjen e Perëndisë? Apostulli Pavël shkroi: «Skllavi i Zotërisë nuk duhet të luftojë, por duhet të jetë i ëmbël [ose të tregojë takt] me të gjithë.» (2 Tim. 2:24) Ata që tregojnë takt e kuptojnë si të veprojnë në situata delikate pa i lënduar të tjerët. Të mendojmë si të jemi mirëdashës në situatat vijuese: shefi ynë nuk po e bën mirë punën. Si do të reagojmë? Një vëlla vjen në mbledhje pasi ka munguar për shumë muaj. Ç’do t’i themi? Në shërbim dikush na thotë: «Nuk kam kohë tani.» A do t’i respektojmë ndjenjat e tij? Në shtëpi bashkëshorti na pyet: «Si s’më tregove ç’plane kishe bërë për të shtunën?!» A do t’i përgjigjemi dashamirësisht? Po ta vëmë veten në vend të tjetrit dhe po ta marrim me mend si do të ndikojnë fjalët e veprimet tona, do të dimë si të flasim e të veprojmë në atë mënyrë që pasqyron mirëdashjen e Jehovait.—Lexo Proverbat 15:28.
TË IMITOJMË MENÇURINË E PERËNDISË
10, 11. Çfarë mund të na ndihmojë të imitojmë mençurinë e Perëndisë? Jepni një shembull.
10 Aftësia për të përfytyruar situata që nuk i kemi përjetuar, na ndihmon edhe të imitojmë mençurinë e Jehovait e të shohim që më përpara pasojat e veprimeve tona. Mençuria është një nga cilësitë kryesore të Jehovait dhe ai mund të parashohë me hollësi rezultatet e ndonjë veprimi, nëse zgjedh ta bëjë këtë. Edhe pse nuk e kemi këtë aftësi aq sa Ai, bëjmë mirë të mendojmë që më përpara ç’pasoja mund të kenë veprimet tona. Izraelitët nuk i morën parasysh pasojat e mundshme të mosbindjes ndaj Perëndisë. Pavarësisht nga gjithë sa Jehovai kishte bërë për ta, Moisiu e dinte se do të bënin atë që ishte e keqe në sytë e Tij. Ndërsa i gjithë kongregacioni i Izraelit dëgjonte, ai recitoi këtë këngë: «Izraeli është një komb që i mungon gjykimi dhe mes tyre asnjeri nuk kupton. Ah, sikur të ishin të mençur! Do ta kishin bluar në mendje këtë gjë. Do ta kishin marrë parasysh fundin që i priste.»—Ligj. 31:29, 30; 32:28, 29.
11 Që të imitojmë mençurinë e Perëndisë, edhe ne bëjmë mirë të marrim me mend ose të përfytyrojmë pasojat e mundshme të veprimeve tona. Për shembull, nëse po njihemi me dikë, duhet të pranojmë se tërheqja seksuale është shumë e fortë. Kurrë nuk do të planifikonim a të bënim diçka që mund ta vinte në rrezik marrëdhënien tonë të vyer me Jehovain! Përkundrazi, le të veprojmë në përputhje me këto fjalë të frymëzuara: «Mendjehollë është ai që e sheh të keqen dhe fshihet, kurse i papërvoji shkon tutje dhe vuan pasojat.»—Prov. 22:3.
TË MOS BLUAJMË NË MENDJE GJËRA TË DËMSHME
12. Kur mund të na dëmtojnë gjërat që bluajmë në mendje?
12 Një njeri mendjehollë e kupton se ajo që bluajmë në mendje mund të krahasohet me zjarrin. Nëse e përdorim siç duhet, zjarri na hyn në punë, si për shembull kur gatuajmë. Por, ai është vdekjeprurës nëse nuk mbahet nën kontroll, duke shkrumbuar një shtëpi bashkë me banorët e saj. Po ashtu, kur e mbajmë nën kontroll atë që bluajmë në mendje, kjo na ndihmon të imitojmë Jehovain. Sidoqoftë, mund të jetë e dëmshme nëse bluajmë mendime që ushqejnë dëshira imorale. Për shembull, nëse e bëjmë zakon të mendojmë për veprime që shkelin parimet e Jehovait, mund të ndodhë që këto fantazi t’i vëmë në praktikë. Vërtet, nëse i lëmë shteg të lirë fantazisë për gjëra imorale, kjo mund të jetë fatale për gjendjen frymore.—Lexo Jakovin 1:14, 15.
13. Ç’lloj jete mund të ketë ëndërruar Eva?
13 Të shohim se si gruaja e parë, Eva, ushqeu dëshirën që të hante frutin e ndaluar të ‘pemës së njohjes të së mirës dhe të së keqes’. (Zan. 2:16, 17) Gjarpri i tha: «Ju s’keni për të vdekur aspak. Por Perëndia e di se, po atë ditë që do të hani, sytë tuaj do të hapen e ju do të jeni si Perëndi, dhe do të njihni të mirën dhe të keqen.» Eva «pa që fryti i pemës ishte i mirë si ushqim dhe i lakmueshëm për sytë». Me ç’pasoja? «Ajo mori nga fryti i pemës dhe hëngri. Më pas, kur ishin bashkë, i dha edhe burrit, e kështu hëngri edhe ai.» (Zan. 3:1-6) Me sa duket Evës i pëlqeu ideja që i futi në mendje Satanai. Në vend që të linte Jehovain t’i tregonte çfarë ishte e mirë dhe e keqe, ajo zgjodhi të vendoste vetë për këtë. Sa katastrofik ishte ky ëndërrim! Nëpërmjet burrit të saj mëkatar, Adamit, ‘mëkati hyri në botë dhe vdekja nëpërmjet mëkatit’.—Rom. 5:12.
14. Si na ndihmon Bibla të shmangim sjelljen e gabuar?
14 Mëkati i Evës në kopshtin e Edenit nuk kishte të bënte me imoralitetin seksual. Gjithsesi, Jezui na paralajmëroi që të mos kënaqemi duke fantazuar skena imorale. Ai tha: «Kushdo që vazhdon ta shikojë një grua aq sa ta dëshirojë, tashmë ka kryer kurorëshkelje me të në zemrën e vet.» (Mat. 5:28) Veç kësaj, Pavli paralajmëroi: «Mos bëni që më përpara plane për dëshirat e mishit.»—Rom. 13:14.
15. Ç’thesare duhet të grumbullojmë, dhe pse?
15 Një fantazi tjetër e rrezikshme është të imagjinojmë sikur bëhemi tejet të pasur, ndërsa i kushtojmë fare pak vëmendje Perëndisë. Realiteti është se pasuria e dikujt ‘është si një mur mbrojtës në imagjinatën e tij’. (Prov. 18:11) Jezui tregoi një histori për të ilustruar gjendjen e mjerë të dikujt «që grumbullon thesare për vete, por nuk është i pasur në sytë e Perëndisë». (Luka 12:16-21) Jehovai gëzohet kur bëjmë gjëra që e kënaqin. (Prov. 27:11) Sa të lumtur ndihemi kur gëzojmë miratimin e tij ngaqë kemi grumbulluar «thesare në qiell»! (Mat. 6:20) Pa diskutim që një marrëdhënie e mirë me Jehovain është thesari më i çmuar që mund të kemi.
T’U VËMË FRE MENDIMEVE QË NA FUTIN ANKTH
16. Në cilën mënyrë mund ta mbajmë nën fre ankthin?
16 Imagjino sa ankth do të provonim nëse s’do të bënim gjë tjetër veçse të robtoheshim për të grumbulluar «thesare në tokë». (Mat. 6:19) Jezui bëri një ilustrim për të treguar se «ankthet e kësaj bote dhe fuqia mashtruese e pasurisë» mund ta mbytin fjalën e Mbretërisë. (Mat. 13:18, 19, 22) Gjithsesi, disave u rri mendja te gjithë të zezat që mund të ndodhin, pavarësisht nëse janë të shqetësuar për paratë ose jo. Megjithatë, nëse nuk u vëmë fre mendimeve të ankthshme, mund të dëmtohemi si fizikisht, edhe frymësisht. Le të mbështetemi te Jehovai e të mos harrojmë se «nga ankthi i zemrës njeriu kërruset, kurse fjalët e mira e gëzojnë». (Prov. 12:25) Fjalët inkurajuese të dikujt që na kupton, na bëjnë me krahë. Kur u zbrazim zemrën prindërve, bashkëshortit ose një miku të besuar që i sheh gjërat si Perëndia, mund të na lehtësohet ankthi.
17. Si na ndihmon Jehovai të përballojmë ankthin?
17 Askush nuk na i kupton shqetësimet më mirë se Jehovai. Pavli shkroi: «Mos jini në ankth për asgjë, por për çdo gjë, bëjani të njohura Perëndisë kërkesat tuaja me lutje, përgjërime dhe falënderime. Kështu paqja e Perëndisë, që kapërcen çdo mendim, do të ruajë zemrën dhe fuqitë tuaja mendore me anë të Krishtit Jezu.» (Filip. 4:6, 7) Mendo për ata që përpiqen të na mbrojnë nga dëmi frymor: bashkëbesimtarët, pleqtë, skllavi i besueshëm, engjëjt, Jezui dhe vetë Jehovai.
18. Si mund të na ndihmojë ajo që bluajmë në mendje?
18 Siç e kemi parë, ajo që bluajmë në mendje mund të na ndihmojë të imitojmë cilësitë e Perëndisë, si dashuria. (1 Tim. 1:11; 1 Gjon. 4:8) Do të jemi të lumtur nëse tregojmë dashuri të sinqertë, mendojmë për pasojat e veprimeve tona dhe shmangim ankthin që na vjedh gëzimin. Pra, le ta përdorim mirë dhuratën e Perëndisë për të përfytyruar shpresën tonë dhe për të imituar dashurinë, mirëdashjen, mençurinë dhe gëzimin e Jehovait.—Rom. 12:12.