Ai i donte njerëzit
‘I kisha për zemër bijtë e njerëzve.’—PROV. 8:31.
1, 2. Si e ka treguar Jezui se i do fort njerëzit?
BIRI i parëlindur i Perëndisë ishte kryevepra e parë ku u pasqyrua mençuria e pahulumtueshme e Jehovait. Ai ishte personifikimi i mençurisë, «një kryemjeshtër» përkrah të Atit. Vetëm sa mund ta imagjinojmë harenë dhe kënaqësinë që provonte teksa i Ati ‘përgatiste qiejt’ dhe ‘vendoste themelet e tokës’. Gjithsesi, ndonëse kënaqej me krijimin e pajetë, Biri i parëlindur i Perëndisë ‘i kishte për zemër bijtë e njerëzve’. (Prov. 8:22-31) Vërtet, Jezui i do fort njerëzit, ose i ka për zemër, ndjenja që i ka pasur para se të vinte në tokë si njeri.
2 Më vonë, si provë e besnikërisë dhe e dashurisë për të Atin, si edhe nga dashuria e thellë për «bijtë e njerëzve», i Parëlinduri i Perëndisë «e zbrazi veten» me dëshirë duke u bërë ngjashëm njerëzve. Këtë e bëri që të siguronte një «shpërblesë për shumë njerëz». (Filip. 2:5-8; Mat. 20:28) Sa fort që e do ai familjen njerëzore! Ndërsa Jezui ishte në tokë, Perëndia i dha fuqi të kryente disa mrekulli që nxorën në pah dashurinë e madhe për njerëzit. Kështu Jezui tregoi se çfarë gjërash të mrekullueshme do të ndodhin së shpejti në mbarë tokën.
3. Çfarë do të shqyrtojmë tani?
3 Një arsye tjetër pse Jezui erdhi në tokë, ishte që ‘të shpallte lajmin e mirë për Mbretërinë e Perëndisë’. (Luka 4:43) Jezui e dinte se kjo Mbretëri do të ishte mjeti për të shenjtëruar emrin e Atit të tij dhe do të ishte zgjidhja e përhershme për të gjitha hallet e njerëzve. S’është çudi që gjatë të gjitha udhëtimeve të predikimit të Jezuit spikaste gjithnjë meraku për familjen njerëzore. Pse duhet të na interesojë kjo? Sepse mësimet që nxjerrim do të na japin siguri dhe shpresë për të ardhmen. Le të shqyrtojmë katër nga mrekullitë e Jezuit.
‘FUQIA ISHTE ME TË, QË TË BËNTE SHËRIME’
4. Përshkruaj skenën kur Jezui pa një të lebrosur.
4 Tashmë Jezui kishte kohë që predikonte, dhe aktivitetin e radhës po e zhvillonte në Galile. Në një nga qytetet atje, Jezui pa dikë në gjendje të mjerueshme. (Mar. 1:39, 40) Përball tij ndodhej një burrë me sëmundje të llahtarshme, me lebër. Mjeku Lukë thotë se ai ishte «një burrë plot lebër», duke dëshmuar kështu sa të përparuar e kishte sëmundjen. (Luka 5:12) «Kur vuri re Jezuin, ai [i lebrosuri] ra me fytyrë përtokë dhe iu lut: ‘Zotëri, po të duash, ti mund të më pastrosh.’» Ai s’dyshonte fare se Jezui kishte fuqi ta shëronte, por meraku i tij ishte nëse Jezui dëshironte ta shëronte. Si do t’i përgjigjej Jezui kësaj kërkese të ndier? Ç’mendonte ai tek shihte atë burrë, ndoshta të shpërfytyruar? A do të ishte Jezui si farisenjtë, që kishin zhvilluar një qëndrim zemërgur për njerëzit me këtë sëmundje? Po ti, ç’do të kishe bërë?
5. Çfarë e shtyu Jezuin të thoshte «dua» kur shëroi të lebrosurin?
5 Me sa duket, ky i lebrosur nuk thirri «i papastër! I papastër!», siç kërkonte Ligji i Moisiut. Por, Jezui nuk e hapi fare atë argument. Përkundrazi, u shqetësua për atë burrë dhe për nevojat e tij. (Lev. 13:43-46) Nuk e dimë me saktësi çfarë i kaloi në mendje Jezuit, ama e dimë ç’kishte në zemër. Plot me dhembshuri, Jezui bëri atë që as imagjinohej. Shtriu dorën, e preku të lebrosurin dhe me një zë që tregon si forcë, edhe butësi, i tha: «Dua. Pastrohu.» Menjëherë «lebra iu zhduk». (Luka 5:13) Pa dyshim këtu shohim fuqinë e Jehovait—jo vetëm që i dha fuqi Jezuit të kryente mrekulli të tilla, por edhe të tregonte sa shumë i donte njerëzit.—Luka 5:17.
6. Çfarë spikat te mrekullitë e Jezuit, dhe ç’tregojnë ato?
6 Fuqia e Perëndisë i dha mundësi Jezu Krishtit të bënte lloj-lloj mrekullish që të linin pa fjalë. Ai nuk shëroi vetëm të lebrosur, por edhe njerëz me çdo lloj sëmundjeje a gjymtimi. Tregimi i frymëzuar na thotë: «Turma u mahnit tek shihte të pagojët të flitnin, të çalët të ecnin e të verbrit të shihnin.» (Mat. 15:31) Që të kryente vepra të tilla të dhembshura, Jezui s’kishte pse të bënte ndonjë transplant organesh. Ai shëroi pikërisht ato organe a pjesë të trupit që ishin të prekura nga sëmundjet. Madje i shëronte njerëzit në çast, ndonjëherë edhe nga larg. (Gjoni 4:46-54) Ç’tregojnë këta shembuj mahnitës? Që Jezui, i cili tani ndodhet në fron si Mbret qiellor, s’ka vetëm fuqinë, por edhe dëshirën që t’i shërojë njerëzit njëherë e mirë. Kur mësojmë si i trajtonte Jezui njerëzit, kjo na siguron se në botën e re do të përmbushet profecia biblike: «Atij do t’i dhimbset i përvuajturi dhe i varfri.» (Psal. 72:13) Po, atëherë Jezui do të plotësojë dëshirën e tij të zjarrtë për të ndihmuar gjithë të munduarit.
«NGRIHU, MERR VIGUN DHE EC»
7, 8. Përshkruaj rrethanat në të cilat Jezui pa një të sëmurë në pellgun e Betzatasë.
7 Kaluan disa muaj që kur Jezui shëroi të lebrosurin në Galile. Ai udhëtoi nga Galilea në Jude që të predikonte e të shpallte lajmin e mirë për Mbretërinë e Perëndisë. Mijëra veta u prekën nga mesazhi dhe sjellja e tij. S’ka dyshim që dëshironte t’u shpallte lajmin e mirë të varfërve, t’u shpallte lirinë atyre që janë në robëri e t’u lidhte plagën zemërvrarëve.—Isa. 61:1, 2; Luka 4:18-21.
8 S’kaloi shumë e erdhi muaji i nisanit. Jezui iu bind urdhrit të Jehovait dhe mori udhën për në Jerusalem që të kremtonte Pashkën. Qyteti gumëzhinte teksa njerëzit mbërrinin për këtë festë të shenjtë. Pikërisht në veri të tempullit ishte një pellg i njohur me emrin Betzata, ku Jezui pa një të sëmurë.
9, 10. (a) Pse shkonin njerëzit në pellgun e Betzatasë? (b) Çfarë bëri Jezui në atë pellg, dhe ç’na mëson kjo? (Shih figurën hapëse.)
9 Në Betzata vinin shumë e shumë njerëz të sëmurë e shëndetligë. Pse vallë? Për arsye që nuk dihen, besonin se një i sëmurë do të shërohej si me mrekulli po të futej në pellg kur ujërat ishin të trazuara. Merre me mend atmosferën që mbizotëronte atje. Pa dyshim që ai vend plot me njerëz zemërlëshuar, në ankth e të pashpresë, të krijonte një ndjesi të zymtë. Por çfarë e shtyu një njeri të përsosur si Jezui, pa asnjë defekt fizik, të shkonte atje? Ai ndiente mëshirë për njerëzit. Prandaj iu afrua një burri që vuante nga sëmundja qysh para se Jezui të lindte në tokë.—Lexo Gjonin 5:5-9.
10 A e përfytyron dot dëshpërimin në sytë e atij burri kur Jezui e pyeti nëse donte që të shërohej? Ai iu përgjigj në çast. Donte të shërohej, por nuk dinte se si, pasi s’kishte njeri që ta ndihmonte të futej në pellg. Jezui e urdhëroi të bënte diçka që dukej e pamundur—të merrte vigun e të ecte. Ai i besoi Jezuit, mori vigun e filloi të ecte. Sa na e ngroh zemrën kjo pamje paraprake e asaj që do të bëjë Jezui në botën e re! Në këtë mrekulli shohim edhe sa i dhembshur është Jezui. Ai kërkonte nevojtarët. Shembulli i tij duhet të na nxitë të kërkojmë pareshtur në territor njerëzit e dëshpëruar nga gjërat e tmerrshme që ndodhin në këtë botë.
«KUSH M’I PREKU RROBAT?»
11. Si e thekson Marku 5:25-34 dhembshurinë e Jezuit për ata që vuajnë nga ndonjë sëmundje?
11 Lexo Markun 5:25-34. Një grua kishte jetuar gjithë turp për 12 vjet. Sëmundja i ndikonte në çdo aspekt të jetës, edhe në adhurim. Ndonëse «kishte vuajtur së tepërmi nga shumë mjekë dhe kishte harxhuar gjithë pasurinë e saj», ishte bërë më keq. Por një ditë, i lindi një ide tjetër për t’u shëruar. Ajo gjeti mënyrën për t’iu afruar burrit me emrin Jezu. Hyri në mes të një turme dhe preku rrobën e tij. (Lev. 15:19, 25) Jezui e ndjeu se nga ai doli njëfarë fuqie, prandaj pyeti kush e preku. Gruaja, ‘e trembur dhe duke u dridhur, erdhi e ra përmbys para tij e i tregoi gjithë të vërtetën’. Ai e kuptoi se atë grua e kishte shëruar Ati i tij, Jehovai, prandaj e trajtoi me dashamirësi e i tha: «Bijë, besimi yt të shëroi. Shko në paqe dhe qofsh shëndoshë, sepse sëmundja jote e rëndë kaloi!»
12. (a) Nga ajo që kemi parë deri tani, si do ta përshkruaje Jezuin? (b) Çfarë shembulli na la Jezui?
12 Sa i mirë është Jezui! Kuptojmë se atij i pikon në zemër për të sëmurët. Satanai do që të na mbushë mendjen se askush nuk na do dhe se nuk kemi pikë vlere. Mirëpo, Jezui tregoi qartë me anë të mrekullive se merakoset vërtet për ne dhe për problemet tona. Sa Mbret dhe Kryeprift të dhembshur që kemi! (Hebr. 4:15) Ndoshta është e vështirë të kuptojmë ndjenjat e atyre që vuajnë nga një sëmundje kronike, sidomos nëse nuk e kemi përjetuar vetë. Megjithatë, të mos harrojmë se Jezui tregoi ndjenja të përbashkëta me të sëmurët, ndonëse nuk u sëmur asnjëherë. Le të na nxitë shembulli i Jezuit të bëjmë si ai, me aq sa mundemi.—1 Pjet. 3:8.
«JEZUI NUK I MBAJTI DOT LOTËT»
13. Çfarë tregon ringjallja e Lazarit për personalitetin e Jezuit?
13 Jezuit i bëhej zemra copë kur shihte dhimbjen e të tjerëve. I prekur thellë nga reagimi i të pranishmëve ndaj vdekjes së mikut të tij, Lazarit, Jezui «rënkoi» dhe «u trazua». U ndie kështu ndonëse e dinte se pas pak do ta kthente në jetë Lazarin. (Lexo Gjonin 11:33-36.) Jezuit nuk i vinte turp të shfaqte ndjenja të forta. Të pranishmit mund ta vinin re sa për zemër i kishte Lazarin dhe familjen e tij. Sa dhembshuri që shfaqi Jezui duke përdorur fuqinë nga Perëndia për të kthyer në jetë mikun e tij!—Gjoni 11:43, 44.
14, 15. (a) Nga e kuptojmë se Jehovai dëshiron fort të zhdukë vuajtjet e njerëzve? (b) Çfarë na tregon shprehja «varr që shërben për të kujtuar të vdekurit»?
14 Bibla e përshkruan Jezuin si «paraqitja e saktë e vetë qenies së [Krijuesit]». (Hebr. 1:3) Pra, me anë të mrekullive, Jezui vërtetoi se ai dhe i Ati kanë dëshirë ta fashitin krejt dhimbjen që sjellin sëmundjet e vdekja. Në Bibël janë dokumentuar vetëm pak ringjallje, por ata duan të ringjallin edhe shumë e shumë të tjerë. Jezui tha: «Po vjen ora, kur të gjithë ata që janë në varre, . . . do të dalin.»—Gjoni 5:28, 29.
15 Ai përdori një shprehje që fjalë për fjalë do të thotë «varr që shërben për të kujtuar të vdekurit».a Kjo shprehje është me vend, sepse lidhet me kujtesën e Perëndisë. Perëndia i Plotfuqishëm, Krijuesi i universit të paanë, mund të kujtojë fije për pe çdo detaj të të gjithë njerëzve tanë të dashur që kanë vdekur, përfshirë tiparet e lindura dhe të fituara. (Isa. 40:26) Dhe jo vetëm që mund t’i kujtojë, por ai dhe i Biri dëshirojnë t’i kujtojnë. Ringjallja e Lazarit dhe e të tjerëve që përmenden në Bibël tregojnë ç’do të ndodhë në shkallë globale në botën e re.
MREKULLITË E JEZUIT DHE TI
16. Ç’privilegj do të kenë shumë të krishterë të kohëve tona që vazhdojnë të mbajnë integritetin?
16 Po të mbajmë integritetin si të krishterë, fare mirë mund të jemi dëshmitarë të një prej mrekullive më të mëdha—mbijetesa jonë gjatë shtrëngimit të madh. Fill pas luftës së Harmagedonit do të ndodhin edhe më shumë mrekulli, falë së cilave njerëzit do të gëzojnë sërish shëndet të mirë. (Isa. 33:24; 35:5, 6; Zbul. 21:4) Përfytyro tek sheh njerëz që i flakin tej syzet, bastunët, patericat, karrocat e invalidëve, aparatet e dëgjimit e kështu me radhë. Jehovai ka arsye të fortë pse do t’ua rikthejë shëndetin e mirë të mbijetuarve të Harmagedonit. Ata do të kenë goxha punë për të bërë. Plot gjallëri, do t’i futen punës që ta kthejnë planetin tonë, këtë dhuratë nga Perëndia, në një parajsë globale.—Psal. 115:16.
17, 18. (a) Pse bëri mrekulli Jezui? (b) Pse duhet të bësh çmos të jesh në botën e re të Perëndisë?
17 Shërimet e Jezuit në të kaluarën u japin zemër pjesëtarëve të ‘shumicës së madhe’ sot, duke ua forcuar shpresën e bukur se do të shërohen nga të gjitha sëmundjet. (Zbul. 7:9) Ato shërime pasqyruan ndjenjat e thella të Birit të parëlindur të Perëndisë dhe treguan sa shumë i do njerëzit. (Gjoni 10:11; 15:12, 13) Dhembshuria e Jezuit na jep një portretizim prekës të merakut të Jehovait për secilin nga shërbëtorët e tij.—Gjoni 5:19.
18 Njerëzit rënkojnë plot dhimbje dhe vdesin. (Rom. 8:22) Sa nevojë që kemi për botën e re të Perëndisë, ku do të ndodhë shërimi i plotë fizik siç na ka premtuar ai! Malakia 4:2 na jep arsye të besojmë se të shëruarit ‘do të rrahin dheun me thundra si viça të majmë’, entuziastë dhe të kënaqur që janë liruar nga prangat e papërsosmërisë. Le të na nxitë mirënjohja nga zemra ndaj Perëndisë, bashkë me besimin e fortë te premtimet e tij, të bëjmë çmos që të kualifikohemi për jetën në botën e re. Sa na ngrohet zemra kur dimë se mrekullitë që kreu Jezui në tokë ishin pamje paraprake e lehtësimit të përhershëm që do të përjetojë së shpejti njerëzimi nën mbretërimin e tij mesianik!
a Shih shënimin te Gjoni 5:28.