Të jetojmë në përputhje me lutjen model Pjesa I
«U shenjtëroftë emri yt.»—MAT. 6:9.
1. Si e përdorim në predikim lutjen që gjejmë te Mateu 6:9-13?
SHUMË veta e thonë përmendsh Lutjen e Zotërisë. Ne e përmendim shpesh këtë lutje kur predikojmë që t’i ndihmojmë njerëzit të kuptojnë se Mbretëria e Perëndisë është qeveri e vërtetë, e cila do të sjellë ndryshime të mrekullueshme në tokë. Ose ndoshta nxjerrim në pah kërkesën e parë të lutjes për të treguar se Perëndia ka një emër që duhet shenjtëruar, ose që duhet parë si i shenjtë.—Mat. 6:9.
2. Nga e dimë se Jezui nuk donte që të përdorim të njëjtat fjalë sa herë që lutemi?
2 A donte Jezui që kjo lutje të përsëritet fjalë për fjalë sa herë që lutemi, siç bëhet në shumë kisha? Jo. Para se të na mësonte këtë lutje, ai tha: «Kur të lutesh, mos thuaj gjithnjë të njëjtat gjëra.» (Mat. 6:7) Në një rast tjetër, ai e tha prapë këtë lutje, por me fjalë të ndryshme. (Luka 11:1-4) Kështu Jezui na ndihmoi të kuptojmë ç’lloj gjërash duhet të kërkojmë dhe cilat janë më të rëndësishme. Prandaj quhet me të drejtë lutja model.
3. Për cilat pyetje mund të meditojmë teksa shqyrtojmë lutjen model?
3 Në këtë artikull e në atë vijues do të shqyrtojmë përmbajtjen e lutjes model. Teksa bëjmë këtë, pyet veten: «Si më ndihmon ky model t’i përmirësoj lutjet?» Dhe, ç’është më e rëndësishmja: «A po jetoj në përputhje me këtë lutje?»
«ATI YNË QË JE NË QIEJ»
4. Çfarë na kujton shprehja «Ati ynë», dhe në ç’kuptim Jehovai është «Atë» për ata që kanë shpresën të jetojnë në tokë?
4 Shprehja «Ati ynë» dhe jo «Ati im» na kujton se i përkasim ‘një vëllazërie’ ku e duam fort njëri-tjetrin. (1 Pjet. 2:17) Sa privilegj i çmuar! Të krishterët e mirosur e quajnë Jehovain «Atë» në kuptimin e mirëfilltë ngaqë janë birësuar si bij të Perëndisë të cilët presin jetën qiellore. (Rom. 8:15-17) Edhe ata që shpresojnë të jetojnë përgjithmonë në tokë i drejtohen Jehovait si «Atë». Ai është Jetëdhënësi i tyre dhe plotëson me dashuri nevojat e gjithë adhuruesve të vërtetë. Ata me shpresë tokësore do të bëhen fëmijë të Perëndisë në kuptim të mirëfilltë pasi të bëhen të përsosur e të kenë qëndruar besnikë në sprovën e fundit.—Rom. 8:21; Zbul. 20:7, 8.
5, 6. Çfarë dhurate të bukur mund t’u japin prindërit fëmijëve, dhe ç’duhet të bëjë çdo fëmijë me këtë dhuratë? (Shih figurën hapëse.)
5 Prindërit u japin fëmijëve një dhuratë të vyer kur i mësojnë të luten e ta shohin Jehovain si një Atë të dashur qiellor. Një vëlla, që tani shërben si mbikëqyrës qarkor në Afrikën e Jugut, sjell ndër mend: «Që kur lindën vajzat, lutesha me to çdo natë përveç rasteve kur s’isha në shtëpi. Vajzat thonë shpesh se nuk i mbajnë mend fjalë për fjalë ato lutje. Ama kujtojnë një atmosferë plot paqe e siguri, si edhe sa i shenjtë ishte komunikimi me Atin tonë, Jehovain. Kur pashë se mund të shpreheshin vetë, i nxita të luteshin me zë që të dëgjoja si mendonin e si ndiheshin për Jehovain. Kjo ishte një mundësi fantastike që të dalloja paksa çfarë kishin në zemër. Më pas mund t’i mësoja me lezet që të përfshinin elemente të rëndësishme nga lutja model që lutjet e tyre të kishin një themel domethënës.»
6 S’është çudi që këto vogëlushe përparuan shkëlqyeshëm frymësisht. Tani gëzojnë martesë të lumtur dhe, bashkë me burrat, po shërbejnë në kohë të plotë duke bërë vullnetin e Perëndisë. S’ka dhuratë më të bukur nga prindërit sesa kur i ndihmojnë fëmijët të ndërtojnë një marrëdhënie të ngrohtë e të ngushtë me Jehovain. Natyrisht është përgjegjësi e secilit ta ruajë këtë marrëdhënie të çmuar dhe kjo përfshin ta duam emrin e Perëndisë, pra ta respektojmë thellësisht.—Psal. 5:11, 12; 91:14.
«U SHENJTËROFTË EMRI YT»
7. Çfarë privilegji kemi ne si popull i Perëndisë, por ç’kërkohet nga secili prej nesh?
7 Çfarë privilegji të madh kemi që jo vetëm ta dimë emrin e Zotit, por edhe të identifikohemi me të si «një popull për emrin e tij»! (Vep. 15:14; Isa. 43:10) I lutemi me gjithë zemër Atit tonë qiellor: «U shenjtëroftë emri yt.» Nëse lutesh kështu, po i kërkon Jehovait të të ndihmojë të mos bësh a të mos thuash diçka që do ta ç’nderonte emrin e tij të shenjtë. S’duam të jemi si disa në shekullin e parë që ndryshe flitnin, ndryshe vepronin. Apostulli Pavël shkroi për ta: «Për shkakun tuaj, emri i Perëndisë blasfemohet mes kombeve.»—Rom. 2:21-24.
8, 9. Trego një shembull si i bekon Jehovai ata që kanë merak për shenjtërimin e emrit të tij.
8 Ne duam ta shenjtërojmë emrin e Perëndisë. Pas vdekjes së parakohshme të të shoqit, një motër në Norvegji mbeti e vetme me djalin dyvjeçar. Ajo shpjegon: «Ishte periudhë shumë e vështirë. Lutesha çdo ditë, pothuaj çdo orë, për forcë që të mbaja ekuilibrin emocional, e kështu të mos i jepja shkas Satanait të sfidonte Jehovain si pasojë e ndonjë vendimi të pamend ose e jobesnikërisë sime. Doja të shenjtëroja emrin e Jehovait dhe që djali të shihte sërish babin e tij në Parajsë.»—Prov. 27:11.
9 A iu përgjigj Jehovai këtyre lutjeve joegoiste? Po. Ajo motër gjeti mbështetje falë shoqërisë me bashkëbesimtarë zemërmirë. Pesë vjet më vonë u martua me një plak kongregacioni. I biri, tani 20 vjeç, është pagëzuar. Ajo thotë: «Jam kaq e lumtur që burri më ndihmoi ta rritja.»
10. Çfarë nevojitet që emri i Jehovait të shenjtërohet një herë e mirë?
10 Çfarë nevojitet që emri i Perëndisë të shenjtërohet një herë e mirë e të pastrohet nga çdo sharje? Që të ndodhë kjo, Jehovai duhet të zhdukë të gjithë ata që me dashje e hedhin poshtë sovranitetin e tij. (Lexo Ezekielin 38:22, 23.) Dalëngadalë njerëzimi do të arrijë përsosmërinë. Mezi presim kohën kur gjithë engjëjt dhe njerëzit do të tregojnë se emri i Jehovait është i shenjtë! Atëherë, më në fund, Ati ynë i dashur qiellor ‘do të jetë gjithçka për të gjithë’.—1 Kor. 15:28.
«ARDHTË MBRETËRIA JOTE»
11, 12. Me ndihmën e Jehovait, çfarë kuptuan të krishterët e vërtetë nga fundi i shekullit të 19-të?
11 Para se Jezui të ngjitej në qiell, apostujt e pyetën: «Zotëri, në këtë kohë do ta rivendosësh mbretërinë e Izraelit?» Përgjigjja e Jezuit tregoi se s’ishte koha që ata ta dinin kur do të niste qeverisjen Mbretëria e Perëndisë. Ai u tha dishepujve të përqendroheshin te vepra e rëndësishme e predikimit që kishin përpara. (Lexo Veprat 1:6-8.) Megjithatë, Jezui i mësoi dishepujt ta pritnin me padurim Mbretërinë e Perëndisë. Ndaj, që nga ditët e apostujve, të krishterët janë lutur që ajo të vijë.
12 Kur u afrua koha që Mbretëria e Perëndisë në duart e Jezu Krishtit të fillonte qeverisjen nga qielli, Jehovai e ndihmoi popullin e tij të kuptonte radhën e ngjarjeve. Në vitin 1876, në një revistë (Bible Examiner) u botua një artikull nga Çarls Tejz Rasëlli. Ky artikull, që titullohej «Kohët e johebrenjve: Kur përfundojnë?», tregonte se 1914-a do të ishte vit domethënës. Artikulli i lidhte ‘shtatë kohët’ e profecisë së Danielit me «kohët e caktuara të kombeve» për të cilat foli Jezui.a—Dan. 4:16; Luka 21:24.
13. Çfarë ndodhi në vitin 1914, dhe ç’vërtetojnë ngjarjet botërore që nga ajo kohë?
13 Më 1914 mes kombeve të Evropës shpërtheu lufta, e cila u përhap e mbërtheu gjithë botën. Kur lufta mbaroi në vitin 1918, tashmë njerëzit kishin përjetuar zi buke të tmerrshme dhe përveç kësaj ra një epidemi gripi që mori më shumë jetë sesa vetë lufta. Kështu filloi të përmbushej «shenja» që kishte dhënë Jezui për të dalluar praninë e tij të padukshme si Mbreti i ri i tokës. (Mat. 24:3-8; Luka 21:10, 11) Dëshmi të bollshme tregojnë se viti 1914 ishte koha kur Zotërisë Jezu Krisht «iu dha një kurorë». Ai «doli fitimtar për të plotësuar fitoren e tij». (Zbul. 6:2) Në luftën kundër Satanait dhe demonëve të tij ai pastroi qiejt dhe i flaku ata tej në afërsi të tokës. Që nga ajo kohë njerëzimi ka parë me sytë e vet sa të vërteta janë këto fjalë të frymëzuara: «Mjerë ti tokë e ti det, sepse Djalli zbriti ndër ju me zemërim të madh, ngaqë e di se ka një periudhë kohe të shkurtër!»—Zbul. 12:7-12.
14. (a) Pse është ende e rëndësishme të lutemi që Mbretëria e Perëndisë të vijë? (b) Çfarë privilegji kemi?
14 Profecia e dokumentuar te Zbulesa 12:7-12 shpjegon pse lindja e Mbretërisë së Perëndisë në thelb përkon me fillimin e ngjarjeve katastrofike që vazhdojnë ta mundojnë njerëzimin. Jezui, Mbreti i Mbretërisë së Perëndisë, nisi të qeveriste mes armiqve. Ne do të vazhdojmë të lutemi që Mbretëria e Perëndisë të vijë, derisa fitorja e Jezuit të jetë e plotë dhe ai të ketë zhdukur ligësinë nga toka. Ndërkohë, duhet të jetojmë në përputhje me këto lutje duke marrë pjesë në përmbushjen e aspektit më mahnitës ‘të shenjës’. Jezui paratha: «Ky lajm i mirë për mbretërinë do të predikohet në gjithë tokën e banuar si dëshmi për të gjitha kombet, dhe atëherë do të vijë fundi.»—Mat. 24:14.
‘U BËFTË VULLNETI YT NË TOKË’
15, 16. Si të jetojmë në përputhje me kërkesën që vullneti i Perëndisë të bëhet në tokë?
15 Rreth 6.000 vjet më parë vullneti i Perëndisë po kryhej në mënyrë të përsosur në tokë. Ja pse kur Jehovai pa fillimin e shkëlqyer të njerëzimit, tha: «Ishte shumë mirë.» (Zan. 1:31) Më pas Satanai u rebelua, e qysh atëherë vetëm pak veta e kanë bërë vullnetin e Perëndisë në tokë. Mirëpo sot kemi privilegjin të jemi gjallë në një kohë kur rreth tetë milionë Dëshmitarë jo vetëm luten që vullneti i Perëndisë të bëhet në tokë, por edhe përpiqen fort të jetojnë në përputhje me këtë lutje. Këtë e bëjnë me mënyrën si jetojnë e duke i mësuar me zell të tjerët për Mbretërinë.
16 Për shembull, një motër, që është pagëzuar në vitin 1948 dhe që shërbeu si misionare në Afrikë, thotë: «Në përputhje me këtë pjesë të lutjes model, lutem shpesh që t’i gjejmë të gjithë njerëzit me natyrë të butë si delet që ta njohin Jehovain para se të jetë tepër vonë. Po ashtu, para se t’i dëshmoj dikujt, kërkoj mençuri që t’i prek zemrën. Dhe, sa për ata që tashmë janë gjetur, i lutem Jehovait të na i bekojë përpjekjet tek kujdesemi për ta.» S’habitemi që shërbimi i kësaj motre 80-vjeçare shkon mbarë dhe, me mbështetjen e të tjerëve, ka ndihmuar mjaft veta të bëhen Dëshmitarë të Jehovait. Pa dyshim, edhe ti mund të mendosh për të tjerë të cilët sakrifikojnë shumë që të bëjnë vullnetin e Perëndisë pavarësisht nga kufizimet e moshës.—Lexo Filipianëve 2:17.
17. Si ndihesh për atë që do të bëjë Jehovai në të ardhmen për njerëzit e për tokën?
17 Do të lutemi pareshtur që vullneti i Perëndisë të bëhet, derisa armiqtë e tij të shfarosen nga toka. Pastaj do të shohim vullnetin e Perëndisë të kryhet në një masë edhe më të plotë ndërsa miliarda veta ringjallen në një tokë parajsore. Jezui tha: «Mos u mrekulloni për këtë, sepse po vjen ora, kur të gjithë ata që janë në varre, do ta dëgjojnë zërin [tim] dhe do të dalin.» (Gjoni 5:28, 29) Sa e mrekullueshme do të jetë t’i mirëpresim krahëhapur njerëzit tanë të dashur tek kthehen në jetë! Perëndia «do të fshijë çdo lot nga sytë [tanë]». (Zbul. 21:4) Shumica e të ringjallurve do të jenë «të padrejtët» që jetuan e vdiqën pa e mësuar të vërtetën për Perëndinë Jehova e për Birin e tij. Çfarë privilegji i madh t’i ndihmojmë të ringjallurit të njohin vullnetin e qëllimin e Perëndisë, që të kualifikohen për «jetën e përhershme»!—Vep. 24:15; Gjoni 17:3.
18. Cilat janë nevojat më të mëdha të njerëzimit?
18 Paqja dhe harmonia universale varen nga shenjtërimi i emrit të Jehovait me anë të Mbretërisë së tij. Ndaj përgjigjja e plotë e tri kërkesave të para të lutjes model do të plotësojë nevojat më të mëdha të njerëzimit. Ndërkohë, kemi edhe nevoja të tjera jetësore që përmenden në katër kërkesat e mëtejshme në lutjen model të Jezuit. Këto do t’i shqyrtojmë në artikullin tjetër.
a Për të kuptuar si kjo profeci u përmbush në vitin 1914, vit kur lindi Mbretëria mesianike e Perëndisë, shih librin Çfarë mëson vërtet Bibla?, faqet 215-218.