A është ndërgjegjja jote busull e besueshme?
«Qëllimi i këtij urdhri është dashuria nga një zemër e pastër, nga një ndërgjegje e pastër.»—1 TIM. 1:5.
1, 2. Kush na e dha ndërgjegjen, dhe pse mund të jemi mirënjohës për këtë busull të brendshme?
PERËNDIA JEHOVA na krijoi me vullnet të lirë, pra me lirinë që të zgjedhim një gjë a një tjetër. Ai i pajisi burrin e gruan e parë, si edhe pasardhësit e tyre, me një udhërrëfyese të vyer—me ndërgjegjen, një ndjenjë e brendshme për të drejtën dhe për të gabuarën. Po të përdoret siç duhet, ajo mund të na ndihmojë të bëjmë të mirën e të shmangim të keqen. Kështu, ndërgjegjja është një provë se Jehovai na do dhe dëshiron që njerëzimi si një i tërë të bëjë të mirën.
2 Sot njerëzit e kanë ende këtë busull të brendshme. (Lexo Romakëve 2:14, 15.) Ndonëse mjaft veta janë larguar tepër nga normat e sjelljes që përmban Bibla, ka nga ata që shpesh bëjnë të mirën dhe urrejnë të keqen. Ndërgjegjja i frenon shumë veta të mos kryejnë ligësi të tmerrshme. Përfytyro sa më skandaloze do të ishin kushtet e botës sikur asnjeri të mos kishte ndërgjegje! Do të dëgjonim akoma më tepër poshtërsi nga ç’na dëgjojnë veshët sot. Sa mirënjohës jemi që Perëndia i pajisi njerëzit me ndërgjegje!
3. Ç’dobi ka një ndërgjegje e stërvitur siç duhet?
3 Ndryshe nga të tjerët, shërbëtorët e Jehovait duan ta stërvitin ndërgjegjen. Duan që sinjalet e saj të jenë sipas normave të pasqyruara në Fjalën e Perëndisë për të drejtën e të gabuarën, për të mirën e të keqen. Kush ka një ndërgjegje të stërvitur siç duhet ndikon goxha mirë në kongregacion. Megjithatë, stërvitja dhe përdorimi i ndërgjegjes së krishterë nuk është thjesht një ushtrim mendor. Bibla e lidh ndërgjegjen e mirë me besimin dhe dashurinë. Pavli shkroi: «Qëllimi i këtij urdhri është dashuria nga një zemër e pastër, nga një ndërgjegje e pastër [e mirë] dhe nga besimi pa hipokrizi.» (1 Tim. 1:5) Ndërsa e stërvitim ndërgjegjen dhe dëgjojmë zërin e saj, do të na thellohet dashuria për Jehovain dhe do të na forcohet besimi. Në fakt, mënyra se si e përdorim ndërgjegjen nxjerr në pah sa e fortë është lidhja jonë me Perëndinë, si jemi në skutat e thella të zemrës dhe sa e zjarrtë është dëshira jonë për t’i pëlqyer Jehovait. E pra, ky zë i brendshëm tregon kush jemi në të vërtetë.
4. Si mund ta stërvitim ndërgjegjen?
4 Por si mund ta stërvitim ndërgjegjen? Mënyrat kryesore janë: ta studiojmë rregullisht Biblën duke iu drejtuar Jehovait në lutje, të meditojmë dhe pastaj t’i zbatojmë gjërat që mësojmë. S’diskutohet, kjo nuk përfshin vetëm të grumbullojmë fakte e të mësojmë rregulla. Falë studimit të Biblës, dalëngadalë duhet të shohim një tablo gjithnjë e më të qartë të Jehovait, të personalitetit, të cilësive të tij dhe se çfarë i pëlqen e çfarë jo. Kështu, ndërgjegjja jonë bëhet më e ndjeshme ndaj udhëve të Perëndisë Jehova. Kjo duhet të na prekë e të na zgjojë në zemër dëshirën që t’i ngjajmë gjithnjë e më shumë.
5. Ç’do të shqyrtojmë në këtë artikull?
5 Por mund të pyesim: «Si na ndihmon një ndërgjegje e stërvitur mirë kur duhet të marrim vendime? Si mund ta respektojmë vendimin që merr një bashkëbesimtar sipas ndërgjegjes së vet? Si mund të na nxitë ndërgjegjja të bëjmë edhe më shumë vepra të zellshme?» Me këto pyetje në mendje, le të ndalemi te tri fusha ku ndërgjegjja mund të ketë ndikim pozitiv: (1) kujdesi shëndetësor, (2) zbavitja dhe (3) shërbimi.
JI I ARSYESHËM
6. Cila është një fushë ku lindin pyetje e duhen marrë vendime?
6 Bibla na nxit të shmangim praktikat e dëmshme dhe të jemi të matur në zakonet tona, si për shembull të hamë e të pimë me karar. (Prov. 23:20; 2 Kor. 7:1) Zbatimi i parimeve biblike na ndihmon ta ruajmë deri në njëfarë pike shëndetin, edhe pse ende plakemi e sëmuremi. Në disa vende ka në dispozicion edhe shërbim mjekësor, edhe një sërë trajtimesh alternative. Zyrat e degëve marrin rregullisht letra nga vëllezër e motra që duhet të zgjedhin një trajtim a një tjetër. Shumë pyesin: «A mund ta pranojë një shërbëtor i Jehovait iks trajtim?»
7. Si të marrim vendime për trajtimet mjekësore?
7 As zyra e degës, as pleqtë e kongregacionit nuk janë të autorizuar të marrin vendime rreth kujdesit shëndetësor për një Dëshmitar, edhe nëse ai i pyet se ç’të bëjë. (Gal. 6:5) Natyrisht, mund t’ia drejtojnë vëmendjen te diçka që ka thënë Jehovai e që mund të ketë lidhje me vendimin. Për shembull, një vëlla a motër duhet të mbajë parasysh urdhrin biblik: «Vazhdoni të rrini larg nga . . . gjaku.» (Vep. 15:29) S’diskutohet, kjo do të përjashtonte ato trajtime mjekësore që përfshijnë të marrësh gjak komplet ose ndonjë nga katër përbërësit e tij kryesorë. Ky informacion mund të ndikojë në ndërgjegjen e një të krishteri edhe kur merr vendime personale për fraksionet e vogla që nxirren nga këta katër përbërës.a Por çfarë këshillash të tjera nga Bibla mund të na udhëheqin kur duhet të zgjedhim trajtime mjekësore?
8. Si mund të na ndihmojë Filipianëve 4:5 në lidhje me kujdesin shëndetësor?
8 Proverbat 14:15 thotë: «Kush është pa përvojë, i beson çdo fjale, por kush është mendjehollë, i shqyrton hapat e tij.» Për disa sëmundje s’është gjetur ende një kurë. Prandaj, kur është fjala për trajtime që bëjnë premtime të bujshme, por që bazohen vetëm te pohimet e njerëzve, bëjmë mirë të hapim sytë. Nën frymëzim Pavli shkroi: «Arsyetueshmërinë tuaj le ta njohin të gjithë njerëzit.» (Filip. 4:5) Arsyetueshmëria na frenon edhe të mos i kushtojmë aq shumë kohë kujdesit shëndetësor, sa gjërat frymore të ngelen në hije. Po të lejojmë që kujdesi shëndetësor të bëhet qendra e jetës sonë, ka rrezik të bëhemi egoistë. (Filip. 2:4) Gjërat më të rëndësishme janë ato frymore, dhe kur është fjala për shëndetin duhet të jemi të arsyeshëm në atë që presim.—Lexo Filipianëve 1:10.
9. Si lidhet Romakëve 14:13, 19 me vendimet që marrim për shëndetin, dhe si mund të vihet në rrezik uniteti ynë?
9 Një i krishterë i arsyeshëm nuk ua imponon të tjerëve pikëpamjet e veta. Në një vend evropian, një çift reklamonte me zjarr disa plotësues ushqimorë dhe një dietë. Ua mbushën mendjen disa vëllezërve që t’i përdornin, kurse të tjerë vendosën të mos i merrnin. Me kalimin e kohës, rezultatet qenë zhgënjyese, dhe kjo ngjalli goxha pakënaqësi e konflikte. Çifti kishte të drejtën të zgjidhte për vete nëse do të mbante një dietë të veçantë e nëse do të merrte plotësues ushqimorë. Por a ishte e arsyeshme të vinte në rrezik unitetin e kongregacionit për çështje shëndetësore? Për njëfarë kohe, të krishterët në Romën e lashtë kishin pikëpamje të ndryshme nëse duhej t’i hanin disa ushqime e të kremtonin disa ditë të veçanta. Çfarë këshille u dha Pavli për këtë të fundit? Ai tha: «Dikush e gjykon një ditë më të mirë se një tjetër, kurse dikush tjetër e gjykon një ditë si gjithë të tjerat. Gjithkush të jetë plotësisht i bindur në mendjen e vet.» Ajo që kish rëndësi ishte të mos vinin para të tjerëve ndonjë gur pengese.—Lexo Romakëve 14:5, 13, 15, 19, 20.
10. Pse duhet t’i respektojmë vendimet personale të të tjerëve? (Shih figurën hapëse.)
10 Nëse nuk e kuptojmë vendimin që ka marrë një bashkëbesimtar sipas ndërgjegjes së vet për një çështje personale, nuk duhet të ngutemi ta gjykojmë e as të mendojmë se duhet t’i bëjmë presion që të ndërrojë mendje. Ndoshta ndërgjegjja e tij është akoma ‘e dobët’ dhe i duhet ta stërvitë më tej, ose është tepër e ndjeshme për disa gjëra. (1 Kor. 8:11, 12) Nga ana tjetër ndoshta duhet të shqyrtojmë ndërgjegjen tonë, se mbase duhet stërvitur akoma sipas parimeve hyjnore. Për çështje si kujdesi shëndetësor, secili prej nesh duhet të jetë gati të marrë vendime personale dhe të pranojë përgjegjësinë që sjell kjo.
SHIJO ZBAVITJE TË SHËNDETSHME
11, 12. Cilin paralajmërim biblik duhet të mbajmë ndër mend kur zgjedhim zbavitjet?
11 Jehovai i krijoi njerëzit në një mënyrë që t’i shijojnë zbavitjet e të nxjerrin dobi prej tyre. Solomoni shkroi se ka «një kohë për të qeshur» dhe «një kohë për të kërcyer». (Ekl. 3:4) Ama jo çdo aktivitet i kohës së lirë është i dobishëm, çlodhës dhe freskues; as nuk është mirë të jepemi tepër pas tyre ose të zbavitemi pa karar. Si mund të na ndihmojë ndërgjegjja të shijojmë zbavitje të shëndetshme e të nxjerrim dobi prej tyre?
12 Shkrimet na paralajmërojnë për disa sjellje që quhen «veprat e mishit». Këtu përfshihen «kurvëria, ndyrësia, sjellja e shthurur, idhujtaria, marrja me spiritizëm, armiqësitë, konflikti, xhelozia, shpërthimet e zemërimit, grindjet, përçarjet, sektet, zilitë, dehjet, ahengjet e shfrenuara dhe gjëra si këto». Pavli shkroi se «ata që praktikojnë gjëra të tilla, nuk do ta trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë». (Gal. 5:19-21) Prandaj mund të pyesim veten: «A më nxit ndërgjegjja të shmang sportet agresive, konkurruese, nacionaliste ose të dhunshme? A më paralajmëron zëri i brendshëm kur tundohem të shoh një film që ka skena pornografike ose që i paraqet si të pranueshme imoralitetin, dehjen a spiritizmin?»
13. Si mund të na ndihmojnë këshillat që gjejmë te 1 Timoteut 4:8 dhe Proverbat 13:20 lidhur me zbavitjet?
13 Në Bibël gjejmë edhe parime që na ndihmojnë ta brumosim ndërgjegjen kur është fjala për zbavitjet. Një parim është: «Stërvitja e trupit është e dobishme për pak gjë.» (1 Tim. 4:8) Shumë veta kanë kuptuar se ushtrimet e rregullta dhe me masë na bëjnë mirë për shëndetin e na përtërijnë trupin e mendjen. Po nëse duam të bëjmë ushtrime bashkë me një grup, a duhet të ushtrohemi me këdo qoftë? Te Proverbat 13:20 lexojmë: «Kush ecën me të mençurit, do të bëhet i mençur, por atij që shoqërohet me budallenjtë, do t’i shkojë keq.» A nuk tregon kjo se duhet t’i zgjedhim me kujdes zbavitjet, të udhëhequr nga ndërgjegjja e stërvitur sipas Biblës?
14. Si i përdori një familje parimet te Romakëve 14:2-4?
14 Kristiani dhe Daniela kanë dy vajza adoleshente. Kristiani tregon: «Gjatë Adhurimit Familjar folëm për zbavitjet. Ishim në një mendje se disa aktivitete argëtuese janë të pranueshme, kurse të tjera jo. Cilët mund të quhen shoqëri e mirë? Njëra nga vajzat u ankua se gjatë pushimit në shkollë, disa të rinj Dëshmitarë silleshin në një mënyrë që i dukej e pavend dhe ndihej nën presion të sillej si ata. Arsyetuam se çdonjëri prej nesh ka ndërgjegje dhe duhet të ndjekim atë kur zgjedhim se ç’do të bëjmë dhe me kë.»—Lexo Romakëve 14:2-4.
15. Si mund të na ndihmojë meditimi rreth Mateut 6:33 kur planifikojmë zbavitjet?
15 Pastaj duhet të shqyrtosh edhe në cilat momente zbavitesh. A i planifikon zbavitjet në ato momente kur nuk ke aktivitete teokratike, si mbledhje, shërbim dhe studim personal? Apo përpiqesh t’i bësh këto të fundit në hapësirën që mbetet mes aktiviteteve të kohës së lirë? Çfarë ka përparësi për ty? Jezui tha: «Vazhdoni të kërkoni në radhë të parë mbretërinë dhe drejtësinë e Perëndisë, dhe të gjitha këto gjëra të tjera do t’ju shtohen.» (Mat. 6:33) A të nxit ndërgjegjja t’i vësh përparësitë në përputhje me udhëzimin e Jezuit?
MOTIVOHU PËR VEPRA TË ZELLSHME
16. Si mund të ndikojë ndërgjegjja te predikimi ynë?
16 Ndërgjegjja e mirë jo vetëm na paralajmëron të mos veprojmë keq, por edhe na nxit të bëjmë vepra të mira. Më e rëndësishmja ndër to është predikimi shtëpi më shtëpi dhe shfrytëzimi i rasteve për të dhënë dëshmi joformale. Ndërgjegjja e motivoi Pavlin të bënte tamam kështu. Ai shkroi: «Është një nevojë që më është ngarkuar. Në të vërtetë, mjerë unë, po të mos e shpall lajmin e mirë!» (1 Kor. 9:16) Teksa imitojmë Pavlin, zëri i ndërgjegjes na siguron se po bëjmë atë që duhet. Gjithashtu kur u predikojmë lajmin e mirë të tjerëve, i bëjmë thirrje ndërgjegjes së tyre. Pavli tha: «Ndërsa e shfaqim të vërtetën, ia rekomandojmë veten tonë në sytë e Perëndisë çdo ndërgjegjeje njerëzore.»—2 Kor. 4:2.
17. Si ia vuri veshin zërit të ndërgjegjes një motër e re?
17 Kur ishte 16 vjeçe, Zhaklina studionte biologji në shkollë. Teoria e evolucionit shtjellohej me hollësi. Ajo tregon: «Ndërgjegjja nuk më linte të merrja pjesë si zakonisht në orën e mësimit. Nuk mund ta përkrahja teorinë e evolucionit. Vajta te mësuesi dhe i shpjegova qëndrimin tim. Për çudi, ishte goxha miqësor e më dha mundësi t’i flisja gjithë klasës për temën e krijimit.» Zhaklina ndjeu kënaqësi të madhe që e dëgjoi ndërgjegjen e stërvitur sipas Biblës dhe veproi në përputhje me të. A të motivon edhe ty ndërgjegjja të bësh atë që është e drejtë?
18. Pse duam të kemi një ndërgjegje të mirë e të besueshme?
18 Sa gjë e bukur kur vëmë si synim që jeta jonë të përputhet gjithnjë e më shumë me normat e udhët e Jehovait! Ndërgjegjja mund të jetë një ndihmë e vyer për të arritur këtë. Kur zhytemi rregullisht në Fjalën e Perëndisë dhe meditojmë për atë që mësojmë, e pastaj përpiqemi ta zbatojmë, ndërgjegjja jonë stërvitet. Kështu ajo do të jetë një pasuri e madhe në jetën tonë si shërbëtorë të Jehovait.
a Shih «Pyetje nga lexuesit» në Kullën e Rojës të 15 qershorit 2004, f. 29-31.