ARTIKULLI I STUDIMIT 42
Çfarë do të shkaktojë Jehovai të bëhesh?
«Perëndia ju fuqizon duke ju dhënë si dëshirën, edhe fuqinë që të veproni.»—FILIP. 2:13, nwt.
KËNGA 104 Fryma e shenjtë: Dhuratë e Perëndisë
PËRMBLEDHJEa
1. Çfarë mund të bëjë Jehovai për të përmbushur qëllimin e tij?
JEHOVAI mund të bëhet çfarëdo të jetë e nevojshme për të përmbushur qëllimin e tij. Për shembull, Jehovai është bërë Mësues, Ngushëllues dhe Ungjillëzues, vetëm sa për të përmendur disa nga rolet e tij të shumta. (Isa. 48:17; 2 Kor. 7:6; Gal. 3:8) Gjithsesi, ai shpesh përdor njerëz për të përmbushur qëllimet e tij. (Mat. 24:14; 28:19, 20; 2 Kor. 1:3, 4) Veç kësaj, Jehovai mund t’i japë secilit nga ne mençurinë e fuqinë që na nevojitet, që të bëhemi çfarëdo të jetë e nevojshme për të plotësuar vullnetin e tij. E gjithë kjo përfshihet në kuptimin e emrit të Jehovait, siç sugjerojnë mjaft studiues.
2. (a) Pse mund të dyshojmë ndonjëherë nëse Jehovai po na përdor? (b) Çfarë do të shohim në këtë artikull?
2 Të gjithë ne duam të jemi të dobishëm për Jehovain, por disa mund të dyshojnë nëse Jehovai po i përdor. Pse? Sepse ndihen të kufizuar nga mosha, rrethanat ose aftësitë. Të tjerë janë goxha të kënaqur me aq sa po bëjnë dhe nuk u duket e nevojshme të bëjnë më tepër në shërbim. Në këtë artikull, do të shqyrtojmë si mund ta pajisë Jehovai secilin prej nesh për të përmbushur qëllimin e tij. Pastaj do të ndalemi te disa ngjarje nga Bibla, ku tregohet se Jehovai u dha shërbëtorëve të tij, burra a gra qofshin, si dëshirën, edhe fuqinë për të vepruar. Në fund do të shohim si mund ta lejojmë Jehovain të na përdorë.
SI NA PAJIS JEHOVAI
3. Në përputhje me Filipianëve 2:13, si mund të na japë Jehovai dëshirën për të vepruar?
3 Lexo Filipianëve 2:13.b Jehovai mund të na japë dëshirën për të vepruar. Si mund ta bëjë këtë? Mbase marrim vesh se në kongregacion ka lindur një nevojë e veçantë. Ose pleqtë lexojnë një letër nga zyra e degës ku thuhet se nevojitet ndihmë në një kongregacion tjetër. Prandaj mund të pyesim veten: «Çfarë mund të bëj që të jap një dorë?» Ose ndoshta na kanë ofruar një caktim të vështirë, por vrasim mendjen nëse jemi në lartësinë e duhur. Ose pasi kemi lexuar një fragment nga Fjala e Perëndisë, mund të pyesim veten: «Si mund ta përdor këtë varg nga Bibla për t’i ndihmuar të tjerët?» Jehovai s’ka për të na detyruar të bëjmë diçka. Ama kur sheh se jemi të gatshëm të shqyrtojmë ç’mund të bëjmë, Jehovai mund të na japë dëshirën që të veprojmë.
4. Si mund të na japë Jehovai fuqinë për të vepruar?
4 Jehovai mund të na japë edhe fuqinë për të vepruar. (Isa. 40:29) Me anë të frymës së tij të shenjtë, ai mund të na i përmirësojë aftësitë e lindura. (Eks. 35:30-35) E nëpërmjet organizatës së tij, Jehovai mund të na mësojë si t’i kryejmë disa caktime. Nëse je ndonjëherë i pasigurt si ta kryesh një caktim, kërko ndihmë. Gjithashtu, mos ngurro t’i kërkosh Atit tonë bujar ‘fuqinë përtej asaj që është normale’. (2 Kor. 4:7; Luka 11:13) Në Bibël gjejmë mjaft shembuj ku tregohet si i pajisi Jehovai disa burra e gra, duke u dhënë dëshirën dhe fuqinë për të vepruar. Ndërsa shqyrtojmë disa nga këto tregime, përpiqu të gjesh mënyra si mund të të përdorë Jehovai si ata.
ÇFARË U BËNË FALË JEHOVAIT DISA BURRA
5. Çfarë mësojmë nga koha dhe mënyra si e përdori Jehovai Moisiun për të çliruar popullin e Tij?
5 Falë Jehovait, Moisiu u bë çlirimtar për izraelitët. Por, kur e përdori Jehovai? Mos ndoshta kur Moisiu ndihej i kualifikuar pasi ‘kishte mësuar gjithë mençurinë e egjiptianëve’? (Vep. 7:22-25) Jo. Jehovai e përdori Moisiun vetëm pasi e kishte stërvitur të bëhej i përulur e zemërbutë. (Vep. 7:30, 34-36) Jehovai i dha Moisiut guximin të dilte para sundimtarit më të fuqishëm në Egjipt. (Eks. 9:13-19) Çfarë mësojmë nga koha dhe mënyra si e përdori Jehovai Moisiun? Jehovai përdor ata që pasqyrojnë cilësitë e tij dhe që mbështeten tek ai për forcë.—Filip. 4:13.
6. Çfarë mësojmë nga mënyra si e përdori Jehovai Barzilain që të ndihmonte mbretin David?
6 Shekuj më vonë, Jehovai përdori Barzilain për të ndihmuar mbretin David. Davidi dhe njerëzit e tij ‘ishin të uritur, të lodhur e të etur’ ndërsa ia mbathnin nga Absalomi, djali i Davidit. Bashkë me të tjerë, Barzilai, që në atë kohë ishte i moshuar, vuri jetën në rrezik që t’i siguronte Davidit dhe njerëzve të tij gjërat e nevojshme. Barzilai nuk arriti në përfundimin se nuk ishte më i dobishëm për Jehovain për shkak të moshës së shkuar. Përkundrazi, me bujari përdori ato që kishte për të ndihmuar shërbëtorët e Perëndisë që ishin në hall. (2 Sam. 17:27-29) Çfarë mësojmë nga kjo? Pavarësisht nga mosha, Jehovai mund të na përdorë për të plotësuar nevojat e vëllezërve e të motrave që nuk kanë gjërat bazë, qoftë në vendin tonë a në vende të tjera. (Prov. 3:27, 28; 19:17) Edhe nëse nuk kujdesemi dot personalisht, mund të kontribuojmë për veprën mbarëbotërore, që të disponohen fonde për të ndihmuar kur e ku të lindë nevoja.—2 Kor. 8:14, 15; 9:11.
7. Si e përdori Jehovai Simeonin, dhe pse na inkurajon kjo?
7 Jehovai i premtoi Simeonit, një të moshuari besnik në Jerusalem, se nuk do të vdiste para se të shihte Mesinë. Sa shumë duhet ta ketë inkurajuar Simeonin ai premtim, pasi e kishte pritur Mesinë për vite të tëra! Besimi dhe qëndrueshmëria e tij u shpërblyen. «I shtyrë nga fryma», një ditë ai shkoi në tempull dhe atje pa foshnjën Jezu. Jehovai e përdori Simeonin të thoshte një profeci për atë fëmijë që do të bëhej Krishti. (Luka 2:25-35) Ka të ngjarë që Simeoni nuk jetoi aq sa të shihte Jezuin të kryente caktimin e tij në tokë, prapëseprapë ishte mirënjohës për privilegjin që pati. E në të ardhmen e pret një shpërblim edhe më i madh! Në botën e re, ai besnik do të shohë se mbretërimi i Jezuit do t’u sjellë bekime gjithë familjeve të tokës. (Zan. 12:3) Edhe ne mund të jemi mirënjohës për çdo privilegj që na jep Jehovai në shërbim të tij.
8. Si mund të na përdorë Jehovai si Barnabën?
8 Në shekullin e parë të e.s., një njeri bujar që quhej Jozef, ishte i gatshëm që Jehovai ta përdorte. (Vep. 4:36, 37) Apostujt e quajtën Barnaba, që do të thotë «bir i ngushëllimit», siç duket ngaqë ishte shumë i zoti t’i ngushëllonte të tjerët. Për shembull, pasi Sauli u bë i krishterë, shumë vëllezër kishin frikë t’i afroheshin ngaqë i kishte persekutuar kongregacionet. Gjithsesi, Barnaba ishte shumë i dashur, ndaj i vajti në ndihmë Saulit, dhe Sauli duhet të ketë qenë shumë mirënjohës që u tregua zemërmirë me të. (Vep. 9:21, 26-28) Më vonë, pleqtë në Jerusalem e panë të nevojshme të inkurajonin vëllezërit që jetonin larg, në Antioki të Sirisë. Kë dërguan? Barnabën! E kjo ishte një zgjedhje shumë e mirë! Në Shkrime thuhet se Barnaba «filloi t’i inkurajonte të gjithë që t’i qëndronin besnikë Zotërisë me gjithë zemër». (Vep. 11:22-24, nwt) Po njësoj sot, Jehovai mund të na ndihmojë të bëhemi ‘bir ngushëllimi’ për vëllezërit e motrat. Për shembull, mund të na përdorë për t’u sjellë ngushëllim atyre që u ka vdekur një njeri i dashur. Ose mund të na nxitë t’i shkojmë për vizitë a t’i bëjmë një telefonatë dikujt që është i sëmurë a që vuan nga depresioni, për t’i thënë ndonjë fjalë të mirë. A do ta lejosh Jehovain të të përdorë si Barnabën?—1 Sel. 5:14.
9. Çfarë mësojmë nga mënyra si e ndihmoi Jehovai Vasilin të bëhej bari i mirë?
9 Jehovai e ndihmoi një vëlla me emrin Vasil që të bëhej bari i mirë për vëllezërit. Kur u emërua plak kongregacioni në moshën 26-vjeçare, Vasili kishte frikë se nuk ishte i kualifikuar për të ndihmuar vëllezërit e motrat, sidomos ata që po kalonin kohë të vështira. Megjithatë, mori stërvitje të vlefshme nga pleq me përvojë e nga Shkolla e Shërbimit të Mbretërisë. Vasili punoi fort që të përmirësonte. Për shembull, bëri një listë me synime të vogla. Sa herë që arrinte një synim, pak nga pak e kapërcente frikën. Tani ai thotë: «Ajo që më frikësonte dikur, më sjell shumë gëzim sot. Ndiej kënaqësi të thellë kur Jehovai më ndihmon të gjej shkrimin e duhur për të ngushëlluar ndonjë vëlla a motër në kongregacion.» Vëllezër, nëse jeni të gatshëm si Vasili që Jehovai t’ju përdorë, ai mund t’ju aftësojë që të kujdeseni për përgjegjësi më të mëdha në kongregacion.
ÇFARË U BËNË FALË JEHOVAIT DISA GRA
10. Çfarë bëri Abigaila, dhe çfarë mëson nga shembulli i saj?
10 Davidin me njerëzit e tij po i ndiqte mbreti Saul dhe kishin nevojë për ndihmë. Njerëzit e Davidit i kërkuan pak ushqim një izraeliti të pasur me emrin Nabal, çfarëdo që t’i ndodhej. U ndien të lirë t’i kërkonin meqë kishin mbrojtur dhentë e tij në shkretëtirë. Por Nabali egoist nuk pranoi t’u jepte as edhe një gjë. Davidi u xhindos dhe donte ta shfaroste Nabalin e çdo mashkull në shtëpinë e tij. (1 Sam. 25:3-13, 22) Mirëpo gruaja e Nabalit, Abigaila, ishte po aq e matur sa e bukur. Plot guxim, i ra në gjunjë Davidit dhe e nxiti të mos bëhej me faj gjaku duke u hakmarrë. Me takt e këshilloi t’i linte gjërat në duart e Jehovait. Fjalët e përulura dhe veprimet e matura të Abigailës e prekën në zemër Davidin. Ai e kuptoi fare mirë se e kishte dërguar Jehovai. (1 Sam. 25:23-28, 32-34) Abigaila kishte zhvilluar cilësi që e bënë të dobishme për Jehovain. Po njësoj, Jehovai mund t’i përdorë motrat që zhvillojnë aftësi dalluese dhe takt për të forcuar familjen dhe të tjerë në kongregacion.—Prov. 24:3; Titit 2:3-5.
11. Çfarë bënë bijat e Shalumit, dhe kush po i imiton sot?
11 Shekuj më vonë, bijat e Shalumit ishin ndër njerëzit që Jehovai i përdori për të meremetuar muret e Jerusalemit. (Neh. 2:20; 3:12) Edhe pse babai i tyre ishte princ, bijat e Shalumit ishin të gatshme të bënin punë të rëndë e të rrezikshme. (Neh. 4:15-18) Ç’kontrast me parinë e tekoitëve, që «nuk pranoi ta ulte veten» për të punuar! (Neh. 3:5, nwt) Imagjino gëzimin që ndien bijat e Shalumit kur projekti përfundoi në vetëm 52 ditë! (Neh. 6:15) Sot motra të papërtuara ndihmojnë me gëzim në një formë speciale të shërbimit të shenjtë—ndërtimi dhe mirëmbajtja e godinave që i janë kushtuar Jehovait. Aftësitë, entuziazmi dhe besnikëria e tyre janë thelbësore për suksesin e kësaj vepre.
12. Si mund të na përdorë Jehovai si Tabitën?
12 Jehovai e motivoi Tabitën ‘të bënte plot vepra të mira dhe të jepte me bollëk dhurata për të varfrit’, sidomos për vejushat. (Vep. 9:36, nwt) Ngaqë ishte jashtë mase bujare dhe zemërmirë, shumë veta vajtuan për vdekjen e Tabitës. Ama s’i mbante vendi nga gëzimi kur apostulli Pjetër e ringjalli. (Vep. 9:39-41) Çfarë mësojmë nga Tabita? Qofshim të rinj a të moshuar, burra a gra, të gjithë mund të bëjmë diçka praktike për të ndihmuar vëllezërit e motrat.—Hebr. 13:16.
13. Si e përdori Jehovai Ruthën, një motër të ndrojtur, dhe për çfarë ishte e bindur ajo?
13 Një motër e ndrojtur me emrin Rutha donte të bëhej misionare. Kur ishte e vogël, vraponte plot zell nga një shtëpi në tjetrën duke shpërndarë fletushka. Ajo thotë: «Më pëlqente vërtet kjo vepër.» Por, të fliste nëpër dyer e t’u tregonte personalisht të tjerëve për Mbretërinë e Perëndisë, ishte shumë e vështirë për të. Ndonëse e ndrojtur, Rutha u bë pioniere e rregullt në moshën 18-vjeçare. Më 1946, ndoqi Shkollën Watchtower të Galadit dhe më vonë shërbeu në Havai dhe Japoni. Jehovai e përdori fuqishëm për të predikuar lajmin e mirë në ato vende. Pas gati 80 vjetësh në shërbim, Rutha tha: «Jehovai ka qenë burim force për mua. Ai më ka ndihmuar të mposht ndrojtjen. Jam plotësisht e bindur se Jehovai mund të përdorë këdo që tregon besim tek ai.»
LEJOJE JEHOVAIN TË TË PËRDORË
14. Sipas Kolosianëve 1:29, çfarë duhet të bëjmë që Jehovai të na përdorë?
14 Gjatë gjithë historisë, Jehovai ka shkaktuar që shërbëtorët e tij të përmbushin role nga më të ndryshmet. Çfarë do të shkaktojë Jehovai të bëhesh ti? Shumë varet nga gatishmëria jote për t’u përpjekur me të gjitha forcat. (Lexo Kolosianëve 1:29) Nëse je i gatshëm ta lejosh Jehovain të të përdorë, ai mund të të ndihmojë të bëhesh ungjillëzues i zellshëm, mësues i efektshëm, ngushëllues i aftë, punëtor i zoti, mik i mirë a çfarëdo tjetër që nevojitet për të kryer vullnetin e tij.
15. Sipas 1 Timoteut 4:12, 15, për çfarë duhet t’i luten me zjarr vëllezërit e rinj sot Jehovait?
15 Po ju vëllezër të rinj që pas pak do të jeni në moshë madhore? Ka jashtë mase nevojë për burra plot energji, që të marrin përsipër përgjegjësi të tjera si shërbëtor kongregacioni. Në shumë kongregacione ka më tepër pleq se shërbëtorë. A mund të ushqesh dëshirën për të mbajtur përgjegjësi të tjera në kongregacion? Ndonjëherë disa vëllezër thonë: «Jam i kënaqur të shërbej thjesht si lajmëtar.» Nëse ndihesh kështu, lutju me zjarr Jehovait që të të ndihmojë të ushqesh dëshirën për t’u kualifikuar si shërbëtor kongregacioni dhe të të japë fuqi të bësh më të mirën teksa i shërben me dashuri. (Ekl. 12:1) Kemi nevojë për ndihmën tënde!—Lexo 1 Timoteut 4:12, 15.
16. Çfarë duhet t’i kërkojmë Jehovait, dhe pse?
16 Jehovai mund të të ndihmojë të bëhesh çfarëdo që nevojitet për të kryer vullnetin e tij. Prandaj kërkoji të të japë dëshirën për të kryer veprën e tij, e më pas fuqinë që ke nevojë. I ri a e re qofsh, përdore kohën, energjinë dhe gjithçka ke për të nderuar Jehovain tani! (Ekl. 9:10) Mos lejo kurrë që të humbësh mundësi të çmuara për të bërë më të mirën në shërbim të Jehovait ngaqë ke frikë a nuk ndihesh i zoti. Ç’privilegj kemi të gjithë të luajmë një rol sado të vogël për t’i sjellë nderimin që i takon Atit tonë të dashur!
KËNGA 127 Ç’lloj personi duhet të jem?
a A do që të bësh më shumë në shërbim të Jehovait, por ndihesh i kufizuar? A pyet veten nëse je ende i dobishëm për të? Apo nuk të duket e nevojshme të bësh më shumë për t’i shërbyer Jehovait sido që të dojë ai? Në këtë artikull do të shohim disa mënyra si mund të të japë Jehovai dëshirën dhe fuqinë që të bëhesh çfarëdo të jetë e nevojshme për të përmbushur qëllimin e tij.
b Ndonëse Pavli ua shkroi letrën të krishterëve të shekullit të parë, në parim fjalët e tij zbatohen për të gjithë shërbëtorët e Jehovait.