Të plotësojmë betimin tonë ditë për ditë
1 Psalmisti David u ndie i nxitur për t’iu shprehur Jehovait me këto fjalë: «Do t’i thur melodi emrit tënd përjetë, që të mund t’i shlyej betimet e mia ditë për ditë.» (Psal. 61:8, BR) Davidi e dinte se bërja e një betimi nuk është aspak një gjë e detyrueshme. Por ama, ai vlerësonte, gjithashtu, faktin që nëse bënte një betim, ishte i detyruar ta plotësonte. Prapëseprapë, ai lavdëroi Jehovain për mundësinë që i kishte dhënë për të plotësuar betimet e tij ditë për ditë.
2 Kur kemi bërë dedikimin tonë ndaj Jehovait, ne me gatishmëri u betuam se do të bënim vullnetin e tij. Mohuam veten dhe e bëmë shërbimin ndaj Jehovait synimin tonë kryesor në jetë. (Luka 9:23) Për këtë arsye, edhe ne duhet të shlyejmë ditë për ditë betimin që kemi bërë. (Ekl. 5:4-6) Shpallja publike që kemi bërë në kohën e pagëzimit në ujë duhet të pasqyrohet në të gjithë modelin tonë të jetesës, duke qenë se ne e dimë që një person «bën me gojë shpallje publike për shpëtim». (Rom. 10:10, BR) Kjo gjë përfshin predikimin e lajmit të mirë. (Hebr. 13:15) Rrethanat personale ndryshojnë në një masë të madhe, por secili prej nesh mund të përqendrohet ditë për ditë në rëndësinë e ndarjes së lajmit të mirë të tjerëve.
3 Krijo mundësi për të predikuar çdo ditë: Dhënia e lajmit të mirë një tjetri, është një përvojë e gëzueshme. Për ta bërë ditë për ditë këtë gjë, duhet të krijojmë mundësi për të predikuar kurdoherë që na lejojnë rrethanat. Ata që kanë marrë iniciativën për të dhënë dëshmi joformale në punë, në shkollë, fqinjëve apo personave të tjerë që takojnë çdo ditë, kanë pasur shumë përvoja të gëzuara. Edhe letrat apo telefonatat mund të përbëjnë mënyra për t’u dëshmuar të tjerëve. Duke shfrytëzuar të gjitha këto mënyra, si dhe duke lënë rregullisht mënjanë kohë për dëshminë nga dera në derë dhe duke bërë rivizita, mund të marrim gëzimin e veçantë që vjen nga drejtimi i një studimi biblik në shtëpi. Po, çdo ditë mund të krijojmë mundësi për të predikuar.
4 Një motër filloi të lexonte Të shqyrtojmë Shkrimet çdo ditë gjatë kohës së pushimit në punë. Ajo ftoi një kolege që të lexonte bashkë me të tekstin e ditës dhe pa kaluar shumë kohë, kjo gjë çoi në një studim biblik me të. Për pesë ditë në javë, ato studionin nga një gjysmë ore çdo ditë. Studimi i tyre i përditshëm i ra në sy një kolegu tjetër. Së fundi, ai e prezantoi veten si një vëlla joaktiv. I nxitur nga zelli i motrës, ai u takua me një plak për t’u riaktivizuar përsëri. Kjo motër pati një ndikim pozitiv mbi dy njerëz të tjerë, pasi vazhdoi të plotësonte me ngulm ditë për ditë betimin e saj.
5 Kur nxitemi nga një zemër që gufon nga çmueshmëria për të gjitha gjërat e mira që Jehovai ka bërë për ne, duke plotësuar çdo ditë dedikimin tonë sa më mirë që të jetë e mundur, kemi gëzim dhe kënaqësi. Ashtu si psalmisti, ne mund të shpallim: «Unë do të të lëvdoj, o Zot, Perëndia im, me gjithë zemër dhe do ta përlëvdoj emrin tënd përjetë.»—Psal. 86:12.