A ke provuar të japësh dëshmi në mbrëmje?
1 Gjithkush prej nesh gjen kënaqësi kur është i efektshëm në veprën që bën. Nga ana tjetër, kur nuk mund të shohim rezultate pozitive, vepra mund të bëhet e mërzitshme dhe e papërfunduar. Puna me rendiment na sjell kënaqësi dhe është një bekim. (Krahaso Eklisiastiun 3:10-13.) Mund ta zbatojmë këtë parim në veprën tonë të predikimit. E dimë nga përvoja se kur shkojmë nga shtëpia në shtëpi dhe na jepet mundësia për të biseduar me njerëzit për Biblën, kthehemi në shtëpi të freskuar frymësisht. Ndiejmë se vërtet kemi bërë diçka.
2 Në disa zona është bërë shumë e vështirë të gjenden njerëz në shtëpi gjatë disa orëve të ditës. Raportet tregojnë se në shumë vende më shumë se 50 për qind e njerëzve nuk janë në shtëpi, kur vizitohen gjatë orëve të para të ditës. Shumë kongregacione e kanë zgjidhur këtë problem, duke marrë masa për të dhënë dëshmi gjatë mbrëmjes dhe kanë pasur rezultate të mira. Lajmëtarët raportojnë se kur i vizitojnë njerëzit në orët e vona të ditës, ka më shumë persona në shtëpi dhe në përgjithësi ata janë më të çlodhur dhe më të prirur për të dëgjuar mesazhin e Mbretërisë. A ke provuar të japësh dëshmi gjatë mbrëmjes në territorin tënd?—Krahaso Markun 1:32-34.
3 Pleqtë organizojnë dhënien e dëshmisë në mbrëmje: Në disa zona, mbledhjet për shërbimin në fushë pasdite vonë ose herët në mbrëmje janë mbështetur mirë. Duhen marrë parasysh edhe lajmëtarët e rinj, të cilët e mbarojnë shkollën pasdite dhe të rriturit që e lënë punën vonë. Për disa lajmëtarë që nuk kanë mundësi të bëjnë shërbim në fushë gjatë fundjavëve, dëshmia në mbrëmje gjatë javës është për ta një mënyrë praktike, që të kenë një pjesëmarrje të rregullt në veprën e predikimit.
4 Gjatë dhënies së dëshmisë në mbrëmje, mund të bëhen aktivitete të ndryshme. Mund të japësh dëshmi nga shtëpia në shtëpi me revista ose me ofertën e literaturës për muajin. Mbrëmja është një kohë e përshtatshme për të vizituar njerëzit, që nuk kanë qenë në shtëpi, kur lajmëtarët kanë bërë vizita më herët gjatë ditës apo gjatë fundjavëve. Një territor i mirë do të ishte edhe dëshmia në rrugë, pasi të jep mundësi të takosh njerëz që kthehen nga puna në shtëpi. Shumë kanë parë se mbrëmja është koha më e mirë për t’u bërë rivizita atyre që kanë treguar interes.
5 Ji i kujdesshëm dhe i matur: Dalja gjatë muzgut apo pasi të jetë errësuar, mund të jetë e rrezikshme në disa zona. Do të ishte e mençur të dilje me një tjetër ose në grup në rrugët e ndriçuara mirë dhe të vizitoje shtëpi apo apartamente vetëm aty ku është e sigurt se s’do të kesh problem. Kur troket në derë, qëndro në një pozicion që mund të shihesh dhe prezantohu qartë. Përdor aftësinë shquese. Kur e sheh se ke shkuar në një kohë të papërshtatshme, si p.sh., kur familja është duke ngrënë, thuaj se do t’i vizitosh një herë tjetër. Zakonisht është më mirë ta kufizosh dhënien e dëshmisë deri në orët e para të mbrëmjes dhe të mos bësh vizita të vona, kur njerëzit e shtëpisë mund të jenë duke u bërë gati për të shkuar në shtrat.
6 Mbrëmjet e gjata të verës janë veçanërisht të përshtatshme për dëshminë në mbrëmje. Ndërsa i bëjmë Perëndisë «shërbim të shenjtë ditë e natë», Jehovai me siguri do t’i bekojë përpjekjet tona.—Zbul. 7:15.