Të predikojmë lajmin e mirë me bindje të fortë
1 Kohë përpara në shekullin e parë, Jezu Krishti u ngarkoi ithtarëve të tij detyrën për të predikuar lajmin e mirë të Mbretërisë dhe për të ‘bërë dishepuj nga të gjithë popujt’. (Mat. 24:14; 28:19, 20) Dëshmitarët e Jehovait e kanë marrë seriozisht këtë udhëzim, kështu që nga fundi i shekullit të 20, vëllazëria jonë e krishterë u rrit në numër dhe arriti në më shumë se 5.900.000 dishepuj në 234 vende. Çfarë britme e madhe lëvdimi për Atin tonë qiellor!
2 Tani kemi hyrë në shekullin e 21-t. Kundërshtari ynë përpiqet në mënyrë tinzare që ta pengojë veprën tonë kryesore të predikimit të Mbretërisë dhe të bërjes së dishepujve. Ai përdor presionet e këtij sistemi, në përpjekje për të na shpërqendruar, për të na bërë që ta harxhojmë kohën kot dhe për të na i shterur energjitë, duke na bërë që të kujdesemi dhe të interesohemi për shumë gjëra jo thelbësore. Në vend që ta lejojmë këtë sistem të na diktojë se çfarë është e rëndësishme në jetë, ne i provojmë vetes me anë të Fjalës së Perëndisë atë që qëndron më lart se gjithçka, pra, bërjen e vullnetit të Jehovait. (Rom. 12:2) Kjo gjë kërkon t’i bindemi nxitjes që jep Bibla për ‘të predikuar fjalën në periudha të favorshme e në periudha me telashe, si dhe për të kryer plotësisht shërbimin tonë’.—2. Tim. 4:2, 5, BR.
3 Të zhvillojmë një bindje të patundur: Të krishterët duhet «të qëndrojnë të plotë dhe me bindje të patundur në të gjithë vullnetin e Perëndisë». (Kolos. 4:12, BR) Fjala «bindje» përcaktohet si «siguri ose besim i fortë; gjendja e të qënit i bindur.» Si të krishterë, duhet të jemi të bindur që fjala profetike e Perëndisë është vërtetuar dhe se tani gjendemi të zhytur thellë në kohën e fundit. Ne duhet të kemi një besim po aq të fortë sa ai i apostullit Pavël, i cili tha se lajmi i mirë «është fuqia e Perëndisë për shpëtimin e cilitdo që beson».—Rom. 1:16.
4 Djalli përdor njerëzit e ligj dhe mashtruesit, që vetë janë të mashtruar, me qëllim që të ndikojnë te të tjerët dhe t’i mashtrojnë ata. (2. Tim. 3:13) Të paralajmëruar që më parë për këtë, ne ndërmarrim hapa për të forcuar bindjen tonë se kemi të vërtetën. Në vend që të lejojmë ankthet e jetës ta mbytin zellin tonë, ne vazhdojmë të mbajmë në vend të parë interesat e Mbretërisë. (Mat. 6:33, 34) As nuk duam të humbasim nga pamja urgjencën e kohës, ndoshta duke menduar se fundi i këtij sistemi është ende larg. Në fakt, ai po afrohet gjithnjë e më shumë. (1. Pjet. 4:7) Edhe pse mund të mendojmë që me gjithë dëshminë e dhënë lajmi i mirë nuk ka pasur dhe aq ndikim në disa vende, vepra e paralajmërimit duhet të vazhdojë.—Ezek. 33:7-9.
5 Disa pyetje kyçe në këtë kohë të fundit janë: ‘A e marr seriozisht detyrën e dhënë nga Jezui për të bërë dishepuj? Kur predikoj lajmin e mirë, a shfaq një bindje të fortë se Mbretëria është reale? A jam i vendosur të marr pjesë sa më shumë që është e mundur në këtë shërbim jetëshpëtues?’ Duke ditur se sa thellë jemi zhytur në kohën e fundit, duhet t’i kushtojmë vëmendje vetes dhe detyrës që na është dhënë për të predikuar dhe mësuar. Ndërsa e bëjmë këtë do të shpëtojmë si veten, ashtu edhe ata që na dëgjojnë. (1. Tim. 4:16) Si mund ta forcojë secili nga ne bindjen si shërbëtor?
6 Të imitojmë selanikasit: Apostulli Pavël, duke kujtuar punën e palodhur të vëllezërve në Selanik, u tha atyre: «Ungjilli ynë nuk erdhi deri te ju vetëm me fjalë, por edhe me fuqi, me Frymë të Shenjtë dhe me shumë bindje [bindje të fortë, BR]; ju e dini se si jemi sjellë në mes tuaj për hirin tuaj. Dhe ju u bëtë imituesit tanë dhe të Zotit, duke e pranuar fjalën në mes të një pikëllimi [mjerimi, BR] të madh, me gëzimin e Frymës së Shenjtë.» (1. Sel. 1:5, 6) Po, Pavli e lavdëroi kongregacionin e Selanikut, sepse megjithë mjerimin e madh, ata predikuan me zell dhe bindje të fortë. Çfarë u dha mundësi për ta bërë këtë? Në një masë të madhe, tek ata ndikuan pozitivisht zelli dhe bindja që vunë re te apostulli Pavël dhe te bashkëpunëtorët e tij. Si ndodhi kjo?
7 Vetë jeta e Pavlit dhe e atyre që e shoqëruan gjatë udhëtimeve të tij, qe një dëshmi se fryma e Perëndisë ishte me ta dhe se besonin me gjithë shpirt në atë që po predikonin. Përpara se të vinin në Selanik, Pavli dhe Sila ishin trajtuar në mënyrë fyese në Filipi. Pa u gjykuar, ishin rrahur, burgosur dhe ua kishin shtrënguar këmbët në dru. Megjithatë, kjo përvojë e rëndë nuk ua shuajti zellin që kishin për lajmin e mirë. Ndërhyrja hyjnore solli lirimin e tyre, çoi në kthimin në besim të rojës së burgut e të familjes së tij dhe përgatiti udhën që këta vëllezër të vazhdonin në shërbimin e tyre.—Vep. 16:19-34.
8 I forcuar nga fryma e Perëndisë, Pavli erdhi në Selanik. Këtu ai punonte për të siguruar mjetet e nevojshme të jetesës dhe më pas i kushtohej plotësisht mësimit të së vërtetës selanikasve. Ai shfrytëzonte çdo rast që i jepej për të shpallur lajmin e mirë. (1. Sel. 2:9) Predikimi i Pavlit me bindje të fortë, pati një ndikim kaq të fuqishëm ndër vendasit, saqë disa prej tyre e braktisën adhurimin e mëparshëm idhujtar dhe u bënë shërbëtorë të Perëndisë së vërtetë Jehova.—1. Sel. 1:8-10.
9 Persekutimi nuk i pengoi ata që sapo ishin bërë besimtarë, të predikonin lajmin e mirë. Të shtyrë nga besimi i tyre i sapogjetur dhe plotësisht të bindur për bekimet e përhershme që i pritnin, selanikasit u nxitën të shpallnin të vërtetën që e kishin përqafuar me mjaft entuziazëm. Kongregacioni u bë kaq aktiv, saqë lajmi për besimin dhe zellin e tyre u përhap edhe në pjesë të tjera të Maqedonisë, madje deri në Akai. Kështu, kur Pavli u shkroi letrën e tij të parë selanikasve, veprat e tyre të mira tashmë ishin mjaft të njohura. (1. Sel. 1:7) Ç’shembull i shkëlqyer!
10 Të motivuar nga dashuria për Perëndinë dhe për njerëzit: Ngjashëm selanikasve, si mund të mbajmë edhe ne një bindje të fortë personale, ndërsa predikojmë sot lajmin e mirë? Në lidhje me ta Pavli shkroi: «Ne mbajmë vazhdimisht në mend veprën tuaj të besimit dhe përpjekjen tuaj të fortë për hir të dashurisë.» (1. Sel. 1:3, shënimi, BR) Është e dukshme se ata patën një dashuri të thellë e të përzemërt për Perëndinë Jehova dhe për personat të cilëve u predikuan. Ishte po kjo dashuri që motivoi Pavlin dhe bashkëpunëtorët e tij që t’u jepnin selanikasve ‘jo vetëm lajmin e mirë të Perëndisë, por edhe vetë shpirtrat e tyre’.—1. Sel. 2:8, BR.
11 Ngjashëm, dashuria jonë e thellë për Jehovain dhe për të afërmin, na nxit që të dëshirojmë të marrim pjesë plotësisht në veprën e predikimit që na ka caktuar Perëndia. Me një dashuri të tillë, pranojmë se kemi një përgjegjësi personale që na është dhënë nga Perëndia, për të përhapur lajmin e mirë. Duke medituar në mënyrë pozitive dhe me ç’mueshmëri për gjithçka që Jehovai ka bërë për ne, —për të na çuar drejt «jetës së vërtetë»,—nxitemi që t’u tregojmë të tjerëve të njëjtat të vërteta të mrekullueshme që i besojmë me gjithë zemër.—1. Tim. 6:19, BR.
12 Ndërsa vazhdojmë të qëndrojmë të zënë në veprën e predikimit, dashuria jonë për Jehovain dhe për njerëzit duhet të vazhdojë të rritet. Nëse kjo ndodh, do të nxitemi që ta shtojmë pjesëmarrjen tonë në shërbimin shtëpi më shtëpi, si edhe do të ndjekim të gjitha format e tjera të dhënies së dëshmisë, sipas rasteve që krijohen. Do të përfitojmë nga mundësitë që krijohen për t’u dhënë dëshmi joformale, të afërmve, fqinjëve dhe të njohurve tanë. Ndonëse shumica e njerëzve mund të mos e pranojnë lajmin e mirë që u ofrojmë dhe disa do të përpiqen madje ta pengojnë shpalljen e Mbretërisë, ne prapëseprapë përjetojmë një gëzim të brendshëm. Përse? Sepse e dimë që kemi bërë më të mirën tonën për të dëshmuar në lidhje me Mbretërinë dhe për të ndihmuar njerëzit që të arrijnë shpëtimin. Gjithashtu, Jehovai do t’i bekojë përpjekjet tona për të gjetur personat me zemër të drejtë. Edhe kur na rrethojnë presionet e jetës dhe Satanai kërkon që të na minojë gëzimin, ne mund ta ruajmë bindjen tonë të fortë dhe zellin në veprën e dëshmisë. Kur të gjithë bëjmë pjesën tonë, formohen si rezultat kongregacione të forta e të zellshme, si ai i Selanikut.
13 Të mos dorëzohemi kurrë nën sprovë: Bindja është e nevojshme edhe kur hasim sprova të ndryshme. (1. Pjet. 1:6, 7) Jezui ua bëri të qartë dishepujve të tij se nëse e ndiqnin, do të ishin «objekt urrejtjeje nga të gjitha kombet». (Mat. 24:9, BR) Pavli dhe Sila e përjetuan këtë kur ishin në Filipi. Tregimi në kapitullin 16 të Veprave thotë se Pavlin dhe Silën i futën në pjesën më të brendshme të burgut dhe ua shtrënguan këmbët në dru. Në përgjithësi, burgu kryesor ishte një lloj sheshi ose verandë para oborrit, përreth të cilit ishin vendosur qelitë, përparësia e të cilave ishte se kishin dritë dhe ajër. Ndërsa për pjesën më të brendshme të burgut, nuk ishin marrë masa që të kishte dritë dhe kishte një qarkullim të pakët të ajrit. Pavlit dhe Silës iu desh të përballonin errësirën, të nxehtit dhe erën kutërbuese të këtij vendi të pistë ku i kishin mbyllur. A mund ta imagjinojmë dhimbjen që duhet të kenë ndierë me këmbët të shtrënguara në dru për orë të tëra, me shpinën të bërë copë dhe që u kullonte gjak nga rrahjet me kamxhik?
14 Me gjithë këto sprova, Pavli dhe Sila qëndruan besnikë. Ata treguan bindje nga zemra, gjë që i forcoi t’i shërbenin Jehovait, pavarësisht nga sprova që hasën. Bindja e tyre theksohet në vargun 25 të kapitullit 16, ku thuhet se Pavli dhe Sila «po luteshin e po lëvdonin Perëndinë me këngë». (BR) Në fakt, edhe pse gjendeshin në pjesën më të brendshme të burgut, ishin kaq të sigurt për faktin që gëzonin miratimin e Perëndisë, saqë kënduan me zë mjaft të lartë, aq sa të dëgjoheshin edhe nga të burgosurit e tjerë. Sot duhet të kemi të njëjtën bindje kur ndeshim sprovat e besimit tonë.
15 Sprovat që na shkakton Satanai janë të shumta. Për disa mund të jetë persekutimi familjar. Shumë nga vëllezërit tanë hasin sfida ligjore. Mund të ndeshim kundërshtimin e apostatëve. Detyrimet financiare dhe ankthi i sigurimit të mjeteve të jetesës, mund të jenë një tjetër sprovë. Të rinjtë përballojnë presionin e bashkëmoshatarëve në shkollë. Si mund t’i përballojmë me sukses këto sprova? Çfarë nevojitet për të treguar bindje?
16 Së pari dhe ajo që është më kryesorja, duhet të mbajmë një marrëdhënie të ngushtë personale me Jehovain. Kur Pavli dhe Sila ishin në pjesën më të brendshme të burgut, nuk e kaluan atë kohë duke u ankuar për situatën e tyre ose duke mëshiruar veten. Ata iu drejtuan menjëherë Perëndisë në lutje dhe e lëvduan atë me këngë. Përse? Sepse kishin një marrëdhënie të ngushtë personale me Atin e tyre qiellor. Ata e kuptonin se po vuanin për hir të drejtësisë dhe se shpëtimi i tyre ishte në dorë të Jehovait.—Psal. 3:8.
17 Edhe ne sot, kur hasim sprova duhet t’i drejtohemi Jehovait. Pavli na inkurajon si të krishterë që ‘t’ia parashtrojmë kërkesat tona Perëndisë. Dhe paqja e Perëndisë, që ia tejkalon çdo zgjuarsie, do të ruajë zemrat dhe mendjet tona’. (Filip. 4:6, 7) Sa ngushëlluese është të dimë se Jehovai nuk do të na lërë t’i kalojmë të vetëm sprovat! (Isa. 41:10) Ai është gjithmonë me ne, për sa kohë i shërbejmë me bindje të vërtetë.—Psal. 46:7.
18 Një tjetër ndihmë jetësore për të shfaqur bindje është të qëndrojmë të zënë me shërbimin e Jehovait. (1. Kor. 15:58) Pavli dhe Sila u futën në burg sepse kishin qëndruar të zënë me predikimin e lajmit të mirë. A e ndërprenë predikimin për shkak të sprovave që patën? Jo, vazhduan të predikonin edhe kur ishin në burg, dhe pasi u liruan, udhëtuan për në Selanik. Atje shkuan në sinagogën e judenjve për ‘të arsyetuar me ta rreth Shkrimeve’. (Vep. 17:1-3, BR) Kur kemi siguri ose besim të fortë te Jehovai dhe kur jemi të bindur se kemi të vërtetën, asgjë «nuk do të mund të na ndajë nga dashuria e Perëndisë që është në Jezu Krishtin, Zotin tonë».—Rom. 8:35-39.
19 Shembuj modern të një bindjeje të fortë: Ka shumë shembuj të shkëlqyer të personave në kohën tonë, që ngjashëm Pavlit dhe Silës kanë treguar bindje të fortë. Një motër që mbijetoi nga kampi i përqendrimit në Aushvic, duke treguar për besimin dhe bindjen e palëkundur që shfaqën vëllezërit dhe motrat atje, thotë: «Një herë, kur ishim marrë në pyetje, një oficer erdhi drejt meje duke shtrënguar grushtat. ‘Çfarë të bëjmë me ju?—bërtiti ai.—Nëse ju arrestojmë, s’pyetni shumë. Nëse ju futim në burg, nuk doni t’ia dini. Nëse ju dërgojmë në kampe përqendrimi, as që bëheni merak. Kur ju dënojmë me vdekje, thjesht qëndroni mëse të qetë. Çfarë të bëjmë me ju?’» Sa na forcohet besimi kur shohim besimin që patën vëllezërit tanë nën rrethana të tilla kaq të vështira! Ata kërkuan vazhdimisht ndihmën e Jehovait për të qëndruar.
20 Sigurisht, ne kujtojmë bindjen e shumë prej vëllezërve tanë përballë urrejtjes etnike që është shfaqur këto vitet e fundit. Edhe pse gjenden në situata të rrezikshme, vëllezërit përgjegjës përqendrohen të shohin nëse vëllezërit dhe motrat e tyre janë duke u ushqyer frymësisht. Të gjithë vazhdojnë besnikë me bindje të plotë se ‘asnjë armë e sajuar kundër tyre nuk do të ketë sukses’.—Isa. 54:17.
21 Shumë nga vëllezërit dhe motrat me bashkëshortë jobesimtarë janë duke treguar, gjithashtu, besim dhe një qëndrueshmëri të fortë. Një vëlla në Guadalupë, ndeshi kundërshtimin e fortë të gruas së tij jobesimtare. Për ta shkurajuar dhe për ta penguar që të ndiqte mbledhjet e krishtere, ajo nuk i përgatiste për të ngrënë, nuk ia lante rrobat, as ia hekuroste dhe arnonte. Për një kohë të gjatë, nuk i foli me gojë. Por duke shfaqur bindje nga zemra në shërbimin ndaj Jehovait dhe duke iu drejtuar atij për ndihmë në lutje, vëllai mundi që ta përballonte të gjithë këtë situatë. Për sa kohë? Për gati 20 vjet, derisa zemra e gruas së tij filloi gradualisht të ndryshonte. Më në fund, mundi me të vërtetë të gëzohej, sepse ajo e pranoi shpresën e Mbretërisë së Perëndisë.
22 Së fundi, nuk duhet të harrojmë bindjen e fortë të vëllezërve tanë të rinj dhe të motrave tona të reja që shkojnë çdo ditë në shkollë dhe përballojnë presionin e bashkëmoshatarëve, si edhe sfida të tjera. Në lidhje me presionin që i bëhej për t’iu përshtatur të tjerëve në shkollë, një e re Dëshmitare pohoi: «Kur je në shkollë, të gjithë të inkurajojnë vazhdimisht për të qenë ca rebele. Të rinjtë e tjerë të respektojnë më shumë nëse bën diçka të parregullt.» Çfarë presioni përballojnë të rinjtë tanë! Ata duhet të jenë patundshmërisht të bindur në mendje dhe në zemër për t’i rezistuar çdo tundimi.
23 Shumë nga të rinjtë tanë janë duke vepruar mirë për të ruajtur integritetin përballë sprovave. Një shembull për t’u përmendur është ai i një motre të re që jeton në Francë. Një ditë pasdreke, disa djem u përpoqën ta detyronin që t’i puthte, por ajo u lut dhe rezistoi me forcë, kështu që djemtë u larguan duke e lënë rehat. Më vonë, njëri prej tyre u kthye dhe i tha se e admironte për guximin e saj. Ajo mundi t’i jepte një dëshmi të mirë rreth Mbretërisë, duke i shpjeguar standardet e larta që vë Jehovai për të gjithë ata që duan të kenë bekimet e tij. Gjatë vitit shkollor, ajo ia shpjegoi edhe klasës bindjet e saj.
24 Ç’privilegj të çmuar kemi që të përfshihemi midis atyre që Jehovait i pëlqen t’i përdorë për të folur me bindje të patundur rreth vullnetit të tij! (Kolos. 4:12) Përveç kësaj, kemi mundësinë e shkëlqyer për të provuar integritetin tonë kur jemi nën sulmin e kundërshtarit tonë, ngjashëm një luani, Satana Djallit. (1. Pjet. 5:8, 9) Kurrë të mos harrojmë se Jehovai po e përdor mesazhin e Mbretërisë për të na shpëtuar si ne që e predikojmë atë, ashtu edhe ata që e dëgjojnë. Provofshim me vendimet që marrim dhe me mënyrën tonë të përditshme të të jetuarit, se po vëmë në vend të parë interesat e Mbretërisë! Le të vazhdojmë të predikojmë lajmin e mirë me bindje të fortë!