Kutia e pyetjes
◼ Nëse një çift dëshiron të përdorë Sallën e Mbretërisë për ceremoninë e martesës, për çfarë duhet të bisedojnë me pleqtë e kongregacionit?
Ceremonitë e martesës që bëhen në përputhje me parimet e Biblës, nderojnë Jehovain. Kjo është e vërtetë sidomos në rastin kur ceremonia zhvillohet në Sallën e Mbretërisë, pasi njerëzit përreth e shohin programin që mbahet atje si pasqyrim të organizatës sonë. Prandaj, që ‘çdo gjë të ndodhë si ka hije dhe me rregull’, është e përshtatshme që çifti të flasë me pleqtë e kongregacionit kur bën kërkesë për të përdorur Sallën e Mbretërisë.—1 Kor. 14:40.
Çifti që dëshiron të përdorë Sallën e Mbretërisë për ceremoninë e martesës, duhet t’i bëjë një kërkesë me shkrim komitetit të shërbimit të një kongregacioni që i mban mbledhjet në atë sallë. Letrën duhet ta dërgojnë kohë më përpara e duhet të shkruajnë në të datën dhe orën kur dëshirojnë ta përdorin sallën. Duhet të kenë parasysh që pleqtë nuk do të ndryshojnë orarin e mbledhjes vetëm për t’i bërë vend ceremonisë së martesës. Përveç këtyre, nusja dhe dhëndri duhet të kenë një qëndrim të mirë, të jetojnë në përputhje me parimet e Biblës dhe normat e drejta të Jehovait.
Për t’u siguruar që dasma të jetë një pasqyrim i qartë i dinjitetit të Perëndisë, çifti duhet të flasë me komitetin e shërbimit para se të marrë vendime në lidhje me organizimin e dasmës. Edhe pse pleqtë nuk duhet t’i imponojnë parapëlqimet e tyre personale, nëse planifikohet diçka e diskutueshme, çifti duhet t’u përmbahet kërkesave të pleqve dhe të bëjë ndryshimet e nevojshme. Muzika mund të zgjidhet vetëm nga Meloditë e Mbretërisë ose nga ajo që kemi në librin tonë të këngëve. Edhe për zbukurimet e Sallës së Mbretërisë apo për ndryshimin e karrigeve duhet të kërkohet leje. Nëse do të bëhen fotografi ose filmime, ato nuk duhet të bëhen shkak për uljen e dinjitetit të rastit. Pleqtë mund të lejojnë që të bëhen prova në sallë për aq sa kjo nuk krijon problem me punët e tjera të kongregacionit. Ftesat nuk duhet të vendosen në tabelën e informacionit. Por, pleqtë mund të njoftojnë shkurtimisht kongregacionin gjatë Mbledhjes së Shërbimit për ceremoninë e dasmës që do të bëhet së afërmi në Sallën e Mbretërisë.
Në disa kultura, është zakon që nusja ose dhëndri të kenë shoqërues të veçantë, të cilët marrin pjesë aktive gjatë ceremonisë së martesës. Edhe pse nuk kërkohet që të gjithë këta të jenë të pagëzuar, nuk do të ishte e përshtatshme që në këtë grup të kishte edhe persona që bëjnë një jetë krejtësisht në kundërshtim me parimet e Biblës ose sjellja e të cilëve nuk do të ndikonte për mirë te të pranishmit. Fjalimin e martesës duhet ta mbajë një plak i emëruar, nëse është e mundur. Pleqtë janë mësues të kualifikuar të Fjalës së Perëndisë, prandaj janë më të kualifikuarit për të theksuar parimet biblike që lidhen me këtë rast të rëndësishëm.—1 Tim. 3:2.
Meqenëse ceremonia ndikon edhe në emrin e mirë të plakut që do të mbajë fjalimin, edhe ai duhet të informohet që më përpara për hollësitë e organizimit të ceremonisë. Ai duhet të bisedojë me çiftin dhe t’i pyesë për sjelljen e tyre morale gjatë periudhës së njohjes dhe fejesës; sigurisht çifti duhet të tregohet i hapur dhe i sinqertë me të. Nëse nusja ose dhëndri ka qenë i martuar më përpara, ajo ose ai duhet të provojë që është i lirë për t’u martuar si nga pikëpamja biblike ashtu edhe ajo ligjore. (Mat. 19:9) Ndër të tjera, duhet t’i tregojë plakut një vendim gjykate të divorcit.
Nëse çifti flet hapur dhe bashkëpunon plotësisht me pleqtë, atëherë dasma do të jetë një rast i gëzueshëm për të gjithë.—Prov. 15:22; Hebr. 13:17.