ARTIKULLI I STUDIMIT 26
A mund t’i ndihmosh të tjerët të bëhen dishepuj?
«Perëndia ju fuqizon duke ju dhënë si dëshirën, edhe fuqinë që të veproni.»—FILIP. 2:13.
KËNGA 64 Bashkëpunojmë me gëzim në korrje
PËRMBLEDHJEa
1. Çfarë ka bërë Jehovai për ty?
E KUJTON si u bëre Dëshmitar i Jehovait? Së pari, dëgjove ‘lajmin e mirë’—ndoshta nga prindërit, nga një shok pune a shkolle ose kur një Dëshmitar trokiti në derën tënde. (Mar. 13:10) Pastaj dikush harxhoi shumë kohë dhe bëri goxha përpjekje që të studionte Biblën me ty. Gjatë studimit t’u rrit në zemër dashuria për Jehovain dhe mësove se ai të do. Jehovai të tërhoqi tek e vërteta dhe tani, si dishepull i Jezu Krishtit, ke perspektivën të jetosh përgjithmonë. (Gjoni 6:44) Pa dyshim i je mirënjohës Jehovait që motivoi dikë të të mësonte të vërtetën dhe që të pranoi si një nga shërbëtorët e Tij.
2. Çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull?
2 Tani që njohim të vërtetën, kemi privilegjin t’i ndihmojmë të tjerët të bashkohen me ne në rrugën e jetës. Mund të mos e kemi të vështirë të predikojmë shtëpi më shtëpi, por mbase na duket një sfidë të ofrojmë dhe të drejtojmë studime. A ndihesh edhe ti kështu? Nëse po, mund të të vijnë në ndihmë disa nga sugjerimet e këtij artikulli. Do të shqyrtojmë çfarë na motivon t’i ndihmojmë njerëzit të bëhen dishepuj. Do të shohim edhe si t’i kapërcejmë disa vështirësi që ndoshta na pengojnë të drejtojmë një studim. Në radhë të parë, të shqyrtojmë pse duhet jo vetëm të predikojmë, por edhe t’u mësojmë të tjerëve lajmin e mirë.
JEZUI NA KA URDHËRUAR TË PREDIKOJMË DHE TË MËSOJMË
3. Pse predikojmë?
3 Kur ishte në tokë, Jezui u ngarkoi dy detyra dishepujve të tij. Së pari, i urdhëroi të predikonin lajmin e mirë për Mbretërinë dhe u tregoi si ta bënin këtë. (Mat. 10:7; Luka 8:1) Ndër të tjera, Jezui i stërviti dishepujt si të vepronin qoftë kur të tjerët e mirëpritnin mesazhin për Mbretërinë, qoftë kur nuk e dëgjonin. (Luka 9:2-5) Gjithashtu paratha deri ku do të shtrihej vepra e predikimit; në fakt, Jezui tha se dishepujt e tij do t’u jepnin ‘dëshmi të gjitha kombeve’. (Mat. 24:14; Vep. 1:8) Sido që të reagonin njerëzit, dishepujt duhej t’u flitnin të tjerëve për Mbretërinë e Perëndisë dhe për gjërat që do të realizonte.
4. Përveçse të predikojmë për Mbretërinë, çfarë duhet të bëjmë tjetër sipas Mateut 28:18-20?
4 Cila ishte detyra e dytë që u ngarkoi Jezui dishepujve të tij? T’i mësonin të tjerët të zbatonin të gjitha gjërat që u kishte urdhëruar. Por, a do të kryhej vepra e predikimit dhe e mësimdhënies vetëm gjatë shekullit të parë, siç pohojnë disa? Jo, Jezui e bëri të qartë se kjo vepër jetësore do të vazhdonte edhe gjatë kohës sonë, «deri në përfundimin e sistemit». (Lexo Mateun 28:18-20.) Ka shumë të ngjarë që urdhrin për të bërë dishepuj, Jezui e dha kur iu shfaq më shumë se 500 dishepujve të tij. (1 Kor. 15:6) Gjithashtu, te zbulesa që i dha Gjonit, Jezui tregoi qartë se nga të gjithë dishepujt e tij pritet t’i ndihmojnë njerëzit të mësojnë për Jehovain.—Zbul. 22:17.
5. Çfarë ilustrimi përdori Pavli te 1 Korintasve 3:6-9 për të treguar lidhjen mes predikimit dhe mësimdhënies?
5 Apostulli Pavël e krahasoi veprën e bërjes së dishepujve me punën për kultivimin e bimëve dhe theksoi se nuk mjafton thjesht të mbjellim ca fara. Ai u tha korintasve: «Unë mbolla, Apoli ujiti . . . Ju jeni ara e Perëndisë.» (Lexo 1 Korintasve 3:6-9.) Si punëtorë në ‘arën e Perëndisë’, ne jo vetëm mbjellim fara, por edhe i ujitim e kontrollojmë rregullisht nëse po rriten. (Gjoni 4:35) Në të njëjtën kohë e dimë se ai që e rrit farën është Perëndia.
6. Çfarë përfshin puna jonë si mësues?
6 Ne kërkojmë ata që janë «të prirur për jetën e përhershme». (Vep. 13:48) Që të bëhen dishepuj, duhet t’i ndihmojmë (1) të kuptojnë, (2) të pranojnë dhe (3) të vënë në praktikë gjërat që mësojnë nga Bibla. (Gjoni 17:3; Kolos. 2:6, 7; 1 Sel. 2:13) Të gjithë në kongregacion mund t’i ndihmojnë studentët e Biblës me shembullin e tyre duke u treguar dashuri dhe duke i mirëpritur kur ndjekin mbledhjet. (Gjoni 13:35) Atij që drejton studimin, mund t’i duhet edhe të harxhojë shumë kohë dhe energji për ta ndihmuar studentin të lërë zakone e bindje «të fortifikuara mirë». (2 Kor. 10:4, 5) Mund të duhen muaj të tërë për ta drejtuar studentin që t’i hedhë këta hapa e të arrijë në fund synimin e pagëzimit. Por ia vlen çdo përpjekje për ta ndihmuar.
DASHURIA NA MOTIVON TË BËJMË DISHEPUJ
7. Çfarë na motivon t’u predikojmë të tjerëve dhe t’u mësojmë lajmin e mirë?
7 Pse marrim pjesë në veprën e predikimit dhe të bërjes së dishepujve? Së pari, nga dashuria për Jehovain. Kur bën çmos t’i bindesh urdhrit që të predikosh e të bësh dishepuj, po tregon dashuri për Perëndinë. (1 Gjon. 5:3) Mendo pak: dashuria për Jehovain të ka nxitur të predikosh shtëpi më shtëpi. A ishte e lehtë t’i bindeshe këtij urdhri? Ndoshta jo. A ishe në ankth herën e parë kur trokite në një derë për të predikuar? Patjetër. Por e dije se Jezui do që ta bësh këtë vepër, dhe ti iu binde urdhrit të tij. Me kohë, ka shumë të ngjarë të jetë bërë më e lehtë të predikosh lajmin e mirë. Po kur vjen fjala për të drejtuar një studim? A ndihesh në ankth edhe vetëm kur mendon për këtë? Mbase. Megjithatë, kur i kërkon ndihmë Jehovait që ta mposhtësh ankthin dhe të marrësh kurajën të ofrosh një studim, ai mund të të japë guximin e dëshirën për të bërë dishepuj.
8. Sipas Markut 6:34, çfarë tjetër na motivon që t’i mësojmë njerëzit?
8 Së dyti, dashuria për njerëzit na motivon t’u mësojmë të vërtetën. Në një rast, Jezui dhe dishepujt e tij ishin të sfilitur pas një fushate të vrullshme predikimi. Kishin nevojë të shkonin diku për të pushuar, por një turmë njerëzish vajti atje para tyre. Jezui ndjeu keqardhje për ta, prandaj nisi t’u mësonte «shumë gjëra». (Lexo Markun 6:34.) Ai dha pa u kursyer nga vetja, ndonëse ishte i lodhur. Pse? Jezui e vuri veten në vend të atyre njerëzve. Kuptoi sa shumë po vuanin—e sa nevojë kishin për një shpresë—dhe donte t’i ndihmonte. Njerëzit sot janë në të njëjtën gjendje. Mos u gënje thjesht prej asaj që duken nga jashtë. Ata janë si dele të humbura, pa një bari që t’u prijë rrugën. Apostulli Pavël tha se këta njerëz janë pa Perëndi në botë dhe nuk kanë asnjë shpresë. (Efes. 2:12) Ata po ecin në ‘rrugën që çon në shkatërrim’. (Mat. 7:13) Kur mendojmë sa shumë nevojë kanë njerëzit në territorin tonë ta njohin Perëndinë, dashuria e dhembshuria na shtyjnë t’i ndihmojmë. Dhe mënyra më e mirë për t’i ndihmuar është të tregohemi të gatshëm të studiojmë Biblën me ta.
9. Sipas Filipianëve 2:13, si mund të të ndihmojë Jehovai?
9 Ndoshta ngurron të ofrosh një studim, ngaqë e di sa kohë kërkon përgatitja dhe drejtimi i tij. Nëse është kështu, tregoji hapur Jehovait si ndihesh. Kërkoji të të ndihmojë të kesh dëshirë që të gjesh e të drejtosh një studim. (Lexo Filipianëve 2:13.) Apostulli Gjon na siguron se Perëndia u përgjigjet lutjeve që janë në harmoni me vullnetin e Tij. (1 Gjon. 5:14, 15) Prandaj ji i sigurt se Jehovai do të të ndihmojë të kesh dëshirë që t’u mësosh të tjerëve të vërtetën.
SI TË KAPËRCESH VËSHTIRËSI TË TJERA
10-11. Pse mund të ngurrojmë të drejtojmë një studim?
10 Në këtë vepër ndoshta hasim vështirësi që na pengojnë të bëjmë aq sa do të donim. Por për ne është shumë e rëndësishme t’i bindemi urdhrit për t’i mësuar njerëzit edhe në raste të tilla. Le të ndalemi te disa nga këto vështirësi dhe të shohim si mund t’i kapërcejmë.
11 Mund të ndihemi të kufizuar nga rrethanat. Për shembull, disa lajmëtarë janë të moshuar ose kanë shëndet të dobët. A ndodhesh edhe ti në këtë situatë? Nëse po, mendo për një mësim që kemi nxjerrë nga pandemia e COVID-19. Kemi kuptuar se mund të drejtojmë studime të efektshme me anë të telefonit a pajisjeve të tjera elektronike. Kështu mund të nisësh e të drejtosh një studim ndërsa je rehat në shtëpinë tënde. Ka edhe një avantazh tjetër. Disa kanë dëshirë ta studiojnë Biblën, por nuk janë të lirë në ato orare që predikojmë zakonisht. Ama në mëngjes herët ose në mbrëmje vonë mund të jenë të lirë. A mund të studiosh me dikë që është i lirë vetëm në këto orare? Jezui, për shembull, e mësoi Nikodemin natën, meqë atëherë preferonte Nikodemi.—Gjoni 3:1, 2.
12. Çfarë na jep siguri se mund të jemi mësues të aftë?
12 Mund të ndihemi të paaftë të drejtojmë një studim. Ndoshta mendojmë se, para se të studiojmë me dikë, duhet të kemi më shumë njohuri ose duhet të jemi mësues më të aftë. Nëse ndihesh kështu, medito për tri gjëra që mund të të japin siguri. Së pari, Jehovai të konsideron të kualifikuar për t’i mësuar të tjerët. (2 Kor. 3:5) Së dyti, Jezui që ka «çdo autoritet në qiell dhe në tokë», të ka autorizuar t’i mësosh njerëzit. (Mat. 28:18) Dhe së treti, mund të mbështetesh për ndihmë te Jehovai dhe te vëllezërit. Ngaqë mbështetej tek Ati i tij, Jezui dinte ç’të thoshte në shërbim. Të jesh i sigurt se Jehovai do të të ndihmojë edhe ty! (Gjoni 8:28; 12:49) Veç kësaj, mund t’i kërkosh mbikëqyrësit të grupit të shërbimit, një pionieri të zotë ose një lajmëtari me përvojë të të ndihmojë të fillosh dhe të drejtosh një studim. Një mënyrë si të fitosh siguri është të shoqërosh një nga këta lajmëtarë ndërsa drejton një studim.
13. Pse duhet të përshtatemi me metodat e reja të mësimdhënies?
13 Mund të na duket e vështirë të përshtatemi me metodat dhe mjetet e reja. Mënyra si i drejtojmë studimet ka ndryshuar. Botimi kryesor për studim, Gëzoje jetën përgjithmonë!, kërkon të përgatitemi dhe ta drejtojmë studimin ndryshe nga ç’bënim në të kaluarën. Lexojmë më pak paragrafë dhe bisedojmë më shumë me studentin. Kur mësojmë, përdorim më shumë video dhe materiale nga siti ynë dhe nga JW Library®. Nëse nuk di si t’i përdorësh këto mjete, fol me dikë që mund të të ndihmojë. Ne njerëzit shpesh i bëjmë gjërat nga forca e zakonit. Ja pse mund të mos e kemi kollaj të mësohemi me metoda të reja. Por me ndihmën e Jehovait dhe të të tjerëve, do ta kesh më të lehtë të përshtatesh, e madje do të provosh më shumë gëzim ndërsa drejton një studim. Siç tha një pionier, «edhe studenti, edhe mësuesi kënaqen» kur përdorin këtë metodë studimi.
14. Çfarë duhet të kujtojmë kur predikojmë në një territor të vështirë, dhe si na jep zemër 1 Korintasve 3:6, 7?
14 Mund të kemi një territor ku është e vështirë të fillojmë studime. Njerëzit ndoshta duken indiferentë ose armiqësorë ndaj mesazhit tonë. Ç’mund të na ndihmojë të mbajmë qëndrim optimist në një territor të tillë? Mos harro se rrethanat e njerëzve mund të ndryshojnë sa hap e mbyll sytë në këtë botë të trazuar. Prandaj, dikush që ishte indiferent, mund ta kuptojë se ka nevojë për drejtimin e Perëndisë në jetë. (Mat. 5:3) Për shembull, disa që e refuzonin literaturën tonë në të kaluarën, më vonë pranuan ta studionin Biblën. Gjithashtu, e dimë mirë se Zotëria i të korrave është Jehovai. (Mat. 9:38) Ati ynë dëshiron të vazhdojmë të mbjellim e të ujitim, por përgjegjës për rritjen është Ai. (1 Kor. 3:6, 7) E sa shumë marrim zemër kur kujtojmë që edhe nëse për momentin nuk po drejtojmë një studim, Jehovai na shpërblen për shkak të përpjekjeve, jo për shkak të rezultateve!b
PROVO GËZIMIN QË VJEN KUR BËN DISHEPUJ
15. Si ndihet Jehovai kur dikush pranon të studiojë Biblën dhe e zbaton atë që mëson?
15 Jehovai gëzon kur dikush pranon të vërtetën dhe u flet të tjerëve për ato që ka mësuar nga Bibla. (Prov. 23:15, 16) Patjetër që Jehovait i gufon zemra nga gëzimi kur sheh çfarë po ndodh sot! Për shembull, me gjithë pandeminë globale, gjatë vitit të shërbimit 2020 u drejtuan 7.705.765 studime, e falë kësaj 241.994 veta ia kushtuan jetën Jehovait dhe u pagëzuan. E këta dishepuj të rinj do të drejtojnë studime dhe do të bëjnë dishepuj të tjerë. (Luka 6:40) S’ka pikë dyshimi se kur i ndihmojmë njerëzit të bëhen dishepuj, ia gëzojmë zemrën Jehovait!
16. Cili është një synim i bukur që mund të vëmë?
16 Kërkohen përpjekje të palodhura për të bërë dishepuj, ama me ndihmën e Jehovait edhe ne mund të bëjmë pjesën tonë për t’i mësuar të tjerët ta duan Atin tonë qiellor. A mund të vëmë si synim të fillojmë e të drejtojmë të paktën një studim? Pse të mos shfrytëzojmë çdo rast të përshtatshëm për t’i pyetur ata që takojmë nëse kanë qejf të studiojnë me ne? Mund të na surprizojë ajo që do të ndodhë! Të jemi të sigurt se Jehovai do t’i bekojë përpjekjet tona.
17. Si do të ndihemi nëse drejtojmë një studim?
17 Çfarë privilegji kemi—të predikojmë dhe t’u mësojmë të tjerëve të vërtetën! Kur marrim pjesë në këtë vepër, ndihemi vërtet të lumtur. Apostulli Pavël, që ndihmoi shumë veta në Selanik të bëheshin dishepuj, e shprehu si ndihej me këto fjalë: «A nuk jeni ju shpresa, gëzimi e kurora jonë e ngazëllimit para Zotërisë tonë Jezu gjatë pranisë së tij? Po, ju jeni pa dyshim lavdia dhe gëzimi ynë.» (1 Sel. 2:19, 20; Vep. 17:1-4) Njësoj ndihen edhe shumë veta sot. Stefania, një motër që bashkë me të shoqin ka ndihmuar shumë veta të përparojnë drejt pagëzimit, thotë: «Nuk ka gëzim më të madh se ta ndihmosh dikë t’ia kushtojë jetën Jehovait!»
KËNGA 57 Predikojmë me zemrën hapur, me paanësi
a Jehovai na ka dhënë privilegjin të predikojmë lajmin e mirë dhe t’i mësojmë njerëzit të zbatojnë të gjitha gjërat që na ka urdhëruar Jezui. Çfarë na motivon t’i mësojmë? Cilat vështirësi hasim kur predikojmë dhe i ndihmojmë të tjerët të bëhen dishepuj? Si mund t’i kapërcejmë këto vështirësi? Ky artikull do t’u japë përgjigje këtyre pyetjeve.
b Për të mësuar më shumë si mund të ndihmojë secili në kongregacion për të bërë dishepuj, shih artikullin «T’i ndihmojmë së bashku studentët të përparojnë drejt pagëzimit», botuar në Kullën e Rojës të marsit 2021.
c PËRSHKRIMI I FIGURAVE: Mendo si ia ndryshon jetën dikujt studimi i Biblës: në fillim këtij burri i duket bosh jeta e vet, dhe nuk e njeh Jehovain. Më pas, Dëshmitarët e takojnë ndërsa predikojnë, dhe ai pranon të studiojë Biblën. Ajo që mëson e nxit t’ia kushtojë jetën Jehovait dhe të pagëzohet. Pastaj, edhe ai ndihmon të tjerë të bëhen dishepuj. E në fund, të gjithë gëzojnë së bashku jetën në Parajsë.