Pyetje nga lexuesit
Si u qartësua ajo që besojmë për emrin dhe sovranitetin e Jehovait në artikullin «U shenjtëroftë emri yt» te Kulla e Rojës e qershorit 2020?
Në atë artikull mësuam se të gjithë engjëjt dhe njerëzit përballen vetëm me një çështje jetësore: shenjtërimi i emrit të madh të Jehovait. Çështja e sovranitetit—pra nëse mënyra si qeveris Jehovai është më e mira—është një aspekt i kësaj çështjeje jetësore. Një aspekt tjetër i saj është çështja e integritetit të njerëzve.
Pse tani theksojmë se emri i Jehovait dhe shenjtërimi i tij është çështja më e rëndësishme? Le të shqyrtojmë tri arsye.
Së pari, në kopshtin e Edenit Satanai sulmoi emrin e Jehovait, ose reputacionin e tij. Me pyetjen dinake që i bëri Evës, la të kuptohej se Jehovai ishte një Perëndi koprrac që u vinte kufizime të paarsyeshme nënshtetasve të Tij. Pastaj Satanai bëri një sulm të hapur duke thënë krejt të kundërtën e asaj që kishte thënë Jehovai. Pra, në thelb e quajti Perëndinë gënjeshtar. Kështu ai shpifi për emrin e Jehovait dhe u bë «Djall», që do të thotë «shpifës». (Gjoni 8:44) Ngaqë u zuri besë gënjeshtrave të Satanait, Eva nuk iu bind Perëndisë, e kështu u rebelua kundër sovranitetit të Tij. (Zan. 3:1-6) Satanai vazhdon të shpifë sot e kësaj dite për emrin e Perëndisë, duke përhapur gënjeshtra për Jehovain si Person. Kur i besojnë gënjeshtra të tilla, njerëzit shpesh zgjedhin të mos i binden Jehovait. Prandaj për popullin e Perëndisë, shpifja kundër emrit të shenjtë të Jehovait është padrejtësia më e rëndë. Ky është shkaku rrënjësor i tërë vuajtjeve dhe ligësisë në botë.
Së dyti, për të mirën e gjithë krijimit, Jehovai është i vendosur ta shfajësojë emrin e tij duke e pastruar nga çdo sharje. Kjo është gjëja më e rëndësishme për Jehovain. Ja pse ai thotë: «Unë kam për ta shenjtëruar emrin tim të madh.» (Ezek. 36:23) Gjithashtu, Jezui e bëri të qartë cila duhet të jetë gjëja kryesore në lutjet e të gjithë shërbëtorëve besnikë të Jehovait, kur tha: «U shenjtëroftë emri yt!» (Mat. 6:9) Në Bibël theksohet shumë herë sa rëndësi ka t’i japim lavdi emrit të Jehovait. Ja disa shembuj: «Jepini Jehovait lavdinë që meriton emri i tij!» (1 Kron. 16:29; Psal. 96:8) «Këndojini lavde emrit të tij të madhërishëm!» (Psal. 66:2) «Përjetë emrit tënd do t’i jap lavdi.» (Psal. 86:12) Një nga rastet kur vetë Jehovai foli nga qielli ishte në tempullin e Jerusalemit, ku Jezui tha: «O Atë, jepi lavdi emrit tënd!» Jehovai ia ktheu: «I kam dhënë lavdi dhe do t’i jap lavdi përsëri.»—Gjoni 12:28.a
Së treti, qëllimi afatgjatë i Jehovait lidhet me emrin e tij, ose reputacionin. Mendo për këtë: cila do të jetë situata pas provës përfundimtare në fund të Mbretërimit Mijëvjeçar të Krishtit? A do të vazhdojnë të jenë të përçara krijesat me aftësi për të arsyetuar në lidhje me çështjen jetësore, shenjtërimin e emrit të Jehovait? Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, le të kujtojmë cilat janë dy aspektet e kësaj çështjeje—integriteti i njerëzve dhe sovraniteti universal. A do të vazhdojë të sprovohet integriteti i njerëzve që kanë qëndruar besnikë deri në fund? Jo. Ata do të jenë të përsosur dhe do të jenë sprovuar plotësisht. Këta besnikë do të kenë perspektivën të jetojnë përgjithmonë. A do të vazhdojë të jetë çështja e sovranitetit universal objekt debatesh, ose edhe përçarjesh, mes krijesave me aftësi për të arsyetuar? Jo. Atëherë do të jetë provuar një herë e mirë se Jehovai ka të drejtën të jetë Sovrani dhe se mënyra si qeveris ai është më e mira. Pra, ç’të themi për emrin e Jehovait?
Në atë kohë, emri i Jehovait do të jetë shenjtëruar plotësisht, domethënë do të jetë pastruar krejtësisht nga çdo sharje. Ama, emri i tij do të vazhdojë të jetë qendra e vëmendjes së të gjitha krijesave besnike në qiell e në tokë. Pse? Sepse do të shohin gjërat e mahnitshme që do të vazhdojë të bëjë Jehovai. Mendo për këtë: pasi Jezui t’i dorëzojë me përulësi Mbretërinë, Jehovai do të jetë «kreu i të gjithëve». (1 Kor. 15:28) Pas kësaj, njerëzit në tokë do të gëzojnë «lirinë e lavdishme të fëmijëve të Perëndisë». (Rom. 8:21) E Jehovai do ta realizojë plotësisht qëllimin e tij afatgjatë për t’i mbledhur të gjitha krijesat në qiell e në tokë si një familje e madhe e bashkuar.—Efes. 1:10.
Si do të ndikojnë këto ngjarje te familja e Jehovait në qiell dhe në tokë? Pa dyshim që do të duam nga thellësia e zemrës ta lëvdojmë pareshtur emrin e bukur të Jehovait. Nën frymëzim, psalmisti David shkroi: «Lëvduar qoftë Perëndia Jehova . . . Lëvduar qoftë emri i tij i lavdishëm në jetë të jetëve!» (Psal. 72:18, 19) Gjatë gjithë përjetësisë do të vazhdojmë të gjejmë arsye të reja dhe entuziazmuese për ta bërë këtë.
Emri i Jehovait përfaqëson çdo gjë që ka të bëjë me të. Prandaj, mbi të gjitha, emri i Jehovait na sjell ndër mend dashurinë e tij. (1 Gjon. 4:8) Gjithmonë do të kujtojmë se dashuria e motivoi Jehovain të na krijonte, se dashuria e shtyu të siguronte flijimin shpërblyes dhe se me dashuri na tregoi se mënyra si qeveris është e drejtë. Por edhe do të vazhdojmë të shohim si do ta mbulojë me dashuri Jehovai krijimin e tij. Gjithë përjetësinë, zemra do të na shtyjë të afrohemi përherë e më shumë me Atin tonë dhe t’i thurim lavde emrit të tij të madhërishëm.—Psal. 73:28.