INDONEZIA
Një zyrë dege në qiell
Në vitin 2008 Indonezia arriti një maksimum prej 21.699 lajmëtarësh. Godinat e degës ishin mbushur përtej kapacitetit. Përveç kësaj ndodheshin në një vend të izoluar ngaqë ishin ndërtuar gjatë ndalimit. Prandaj nevojitej një degë më e madhe më afër Xhakartës.
Rreth dy vjet më vonë vëllezërit blenë një pronë që ndryshonte shumë nga ajo e para. Blenë gjithë katin e 31-të të një grataçele zyrash supermoderne 42-katëshe që ndodhej afër qendrës së Xhakartës. Pastaj blenë 12 kate në një ndërtesë të lartë aty afër që të strehoheshin 80 a më shumë bethelitë. Morën edhe një godinë pesëkatëshe për të strehuar ata të repartet e Shtëpisë Bethel.
Një skuadër me shërbëtorë ndërtimi nga vende të ndryshme punuan së bashku me kontraktuesit vendës që të rimodelonin zyrat e apartamentet. Mbikëqyrësi i ndërtimit, Daren Bergu, thotë: «Jehovai na ndihmonte vazhdimisht me problemet që dukeshin të pazgjidhshme. Për shembull, donim të instalonim një sistem për trajtimin e ujërave të zeza, që ishte fjala e fundit e teknologjisë, por autoritetet nuk e njihnin këtë teknologji dhe nuk e miratuan. Atëherë një Dëshmitar vendës që është inxhinier ia paraqiti çështjen një zyrtari të lartë. Ai e miratoi menjëherë kërkesën dhe tha se u besonte plotësisht sugjerimeve të vëllait tonë.»
«Nuk fshihemi më. Tani njerëzit i shohin Dëshmitarët e Jehovait. E shohin se kemi hedhur rrënjë këtu.»
Dega e re u kushtua më 14 shkurt 2015. Fjalimin e kushtimit e mbajti Entoni Moris III, anëtar i Trupit Udhëheqës. Vinsent Uitanto Ipikusume, anëtar i Komitetit të Degës, thotë: «Tani ndodhemi në një zonë prestigjoze mes disa prej korporatave kryesore në Indonezi. Nuk fshihemi më. Tani njerëzit i shohin Dëshmitarët e Jehovait. E shohin se kemi hedhur rrënjë këtu.»
«Predikimi këtu është mrekulli!»
Vitet e fundit është shtuar numri i Dëshmitarëve që janë transferuar në Indonezi nga i gjithë globi. Lotar Mihanku shpjegon: «Ata që shërbejnë ku ka më shumë nevojë, luajnë rol të rëndësishëm në një vend si yni. U sjellin kongregacioneve përvojën, pjekurinë dhe entuziazmin, si dhe i ndihmojnë të shtojnë mirënjohjen për vëllazërinë mbarëbotërore.» Çfarë i ka nxitur të transferohen dhe si u kanë shkuar gjërat? Le të shohim ç’thonë disa prej tyre.
Xhejson dhe Kejsi Gibsi nga Shtetet e Bashkuara tregojnë: «Në Librin vjetor shqyrtuam numrin e lajmëtarëve në raport me popullsinë dhe kuptuam se Indonezia ka një nga raportet më të mëdha të botë. Pastaj, disa miq që shërbenin ku kishte më shumë nevojë na thanë se në Indonezi potenciali ishte goxha i madh. Kështu që i telefonuam degës së Indonezisë dhe ata na sugjeruan të shkonim në Bali. Fusha anglishtfolëse në Indonezi sapo kishte filluar, prandaj do të ndihmonim menjëherë. Planifikuam të shkonim atje për një vit, por tani u bënë tre. Shumica e atyre që u predikojmë, nuk kanë dëgjuar kurrë për Dëshmitarët e Jehovait. Sa të kënaq shërbimi!»
Stjuart dhe Mendi Uilliams, një çift në moshë të mesme nga Australia, shprehen: «Donim të takonim njerëz të etur për të vërtetën, kështu që u transferuam në Indonezi. Në Malang, Java Lindore, kemi takuar qindra anglishtfolës që studiojnë në universitete të cilët e dëgjojnë me etje lajmin e mirë. U pëlqen shumë siti jw.org. Vepra e predikimit këtu është e paparë.»
Takahiro dhe Maria Akijama, që shërbejnë si pionierë në Xhojakartë, në ishullin e Javës, tregojnë: «Këtu ndihemi më të sigurt sesa në vendlindje, në Japoni. Njerëzit janë të mirë dhe të sjellshëm. Shumë prej tyre, sidomos të rinjtë, janë kureshtarë për fetë e tjera. Një ditë, gjatë dëshmisë publike me tryezën e literaturës, shpërndamë rreth 2.600 revista vetëm për pesë orë!»
Deni dhe Xhanina Muri, një çift në fund të të pesëdhjetave, shpjegojnë: «Kur dalim në predikim, njerëzit mblidhen rreth nesh. U buzëqeshim dhe na buzëqeshin. Në fillim janë kureshtarë, pastaj të interesuar dhe më pas entuziastë. Kur u tregojmë diçka nga Bibla, disa thonë: ‘A mund ta mbaj shënim?’ Mrekullohen nga mençuria e Biblës. Kemi një vit këtu dhe na vjen keq që nuk erdhëm më parë. Po kërkonim një territor ku nuk kishin dëgjuar për Jehovain, dhe ja ku e gjetëm!»
Misha dhe Kristina Birensi erdhën si misionarë në vitin 2009 dhe tani shërbejnë në veprën qarkore. Ata raportojnë: «Edhe në ishullin e Madurës në Javën Lindore, një nga zonat myslimane më konservatore në Indonezi, reagimi ndaj veprës sonë të predikimit është fantastik. Njerëzit ndalin makinat dhe kërkojnë revista. Thonë: ‘Jam mysliman, por më pëlqejnë shumë këto revista. A mund të më jepni disa edhe për shokët?’ Predikimi këtu është mrekulli!»
Fusha të bardha për korrje
Në vitin 1931, kur në Xhakartë mbërriti Frenk Rajsi, Indonezia kishte rreth 60.000.000 banorë. Sot popullsia e saj po arrin 260.000.000 veta, duke e renditur Indonezinë vendin e katërt në botë për nga popullsia.
Ndërkohë, edhe numri i Dëshmitarëve të Jehovait në Indonezi ka pasur një rritje fenomenale. Në vitin 1946, pas kaosit të Luftës II Botërore ishin dhjetë lajmëtarë besnikë. Kurse sot atje ka mbi 26.000 lajmëtarë—një dëshmi e qartë e bekimit të Jehovait. Dhe, me një pjesëmarrje prej 55.864 vetash në Përkujtim më 2015, ka një potencial të shkëlqyer për rritje të mëtejshme.
Jezui tha: «Po, të korrat janë të mëdha, por punëtorët janë pak. Prandaj lutjuni Zotërisë të të korrave, që të dërgojë punëtorë në të korrat e tij.» (Mat. 9:37, 38) Shërbëtorët e Jehovait në Indonezi u bëjnë jehonë këtyre fjalëve. Ata janë të vendosur që të vazhdojnë të punojnë pa u kursyer për shenjtërimin e emrit madhështor të Jehovait në këtë vend ishullor.—Isa. 24:15.