Cilët ishin «tre dijetarët»? A i drejtoi Zoti me anë të «yllit» të Betlehemit?
Përgjigjja e Biblës
Ndryshe nga tradita e përhapur e Krishtlindjeve, Bibla nuk i përshkruan si «tre dijetarë» ose «tre mbretër» ata që shkuan të vizitonin foshnjën Jezu. (Mateu 2:1) Përkundrazi, Mateu, një nga shkrimtarët e ungjijve, përdori fjalën greke mágoi për të përshkruar vizitorët e Jezuit. Me sa duket, kjo fjalë u referohet ekspertëve të astrologjisë dhe të llojeve të tjera të okultizmit.a Disa përkthime të Biblës i quajnë «astrologë» ose «magjistarë».b
Sa «dijetarë» shkuan te Jezui?
Ka mendime të ndryshme, por Bibla nuk e thotë numrin e tyre. Sipas Encyclopedia Britannica, «në gojëdhënat e vendeve lindore përmenden 12 magjistarë, kurse në ato të vendeve perëndimore 3. Ka të ngjarë që ky numër të bazohet në tri dhuratat që i bënë foshnjës ‘ar, temjan të bardhë dhe mirrë’ (Mateu 2:11)».
A ishin mbretër?
Bibla s’i quan mbretër ata që shkuan te Jezui, edhe pse në traditën e Krishtlindjeve shpesh përshkruhen kështu. Sipas Encyclopedia Britannica, ky përcaktim u shtua shekuj më vonë vetëm «për ta zbukuruar më tepër historinë».
Si quheshin?
Bibla nuk i zbulon emrat e astrologëve. Sipas The International Standard Bible Encyclopedia, «emrat që u kanë vënë njerëzit (p.sh. Gaspar, Melkior dhe Baltazar), bazohen thjesht në legjenda».
Kur shkuan të vizitonin Jezuin?
Astrologët mund ta kenë vizituar Jezuin disa muaj pas lindjes. Kjo kuptohet ngaqë mbreti Herod, që donte të vriste Jezuin, urdhëroi të vriteshin të gjithë djemtë nga dy vjeç e poshtë. Këtë urdhër e bazoi mbi informacionin që i kishin dhënë astrologët.—Mateu 2:16.
Ata nuk shkuan te Jezui natën që lindi, pasi Bibla thotë: «Kur hynë në shtëpi, panë fëmijën me të ëmën, Marinë.» (Mateu 2:11) Kjo tregon se familja tashmë po jetonte në shtëpi dhe Jezui nuk ishte më as i porsalindur, as në grazhd.—Luka 2:16.
A i drejtoi Zoti me anë të «yllit» të Betlehemit?
Disa besojnë se Zoti e dërgoi të ashtuquajturin yll të Betlehemit që t’i drejtonte astrologët për te Jezui. Por kjo s’mund të jetë e vërtetë për këto arsye.
Në fillim, «ylli» i drejtoi astrologët në Jerusalem. Bibla thotë: «Disa astrologë nga vende lindore shkuan në Jerusalem, dhe pyetën: ‘Ku është mbreti i judenjve që ka lindur? Sepse pamë yllin e tij kur ishim në lindje dhe kemi ardhur për t’i bërë nderime’.»—Mateu 2:1, 2.
I pari që i drejtoi astrologët për në Betlehem, ishte mbreti Herod, jo «ylli». Kur Herodi dëgjoi për rivalin e tij, «mbretin e judenjve», nisi të pyeste se ku do të lindte Krishti i premtuar. (Mateu 2:3-6) Me të marrë vesh që do të lindte në Betlehem, u tha astrologëve të shkonin atje, të gjenin këtë fëmijë dhe ta njoftonin.
Pas kësaj, astrologët shkuan në Betlehem. Bibla thotë: «Pasi dëgjuan fjalët e mbretit, ata u nisën. Ylli që kishin parë kur ishin në lindje, shkonte përpara tyre, derisa u ndal mbi vendin ku gjendej fëmija.»—Mateu 2:9.
Shfaqja e «yllit» solli një sërë ngjarjesh që rrezikuan jetën e Jezuit dhe që u morën jetën fëmijëve të pafajshëm. Kur astrologët u larguan nga Betlehemi, Perëndia i paralajmëroi të mos ktheheshin te Herodi.—Mateu 2:12.
Si reagoi Herodi? Bibla thotë: «Kur pa se astrologët ia kishin hedhur, Herodi u tërbua fare. Pastaj dërgoi njerëz që të vritnin gjithë djemtë në Betlehem dhe në tërë krahinën e tij, nga dy vjeç e poshtë, sipas kohës për të cilën ishte informuar me saktësi nga astrologët.» (Mateu 2:16) As që bëhet fjalë që Perëndia të ketë shkaktuar këtë ligësi të madhe!—Jobi 34:10.
a Herodoti, historian grek që jetoi në shekullin e pestë p.e.s, dokumentoi se në atë kohë mágoi i përkitnin një fisi med (pers) të specializuar në astrologji dhe në interpretimin e ëndrrave.
b Shih përkthimin e Kristoforidhit, Biblën ECM dhe Përkthimin Bota e Re. Përkthimet Simon Filipaj dhe Diodati i Ri përdorin fjalën «dijetarë», por nuk thonë se ishin tre.