IMITONI BESIMIN E TYRE | MARIA-MAGDALENA
«Kam parë Zotërinë!»
Maria-Magdalena ngre sytë nga qielli, duke fshirë lotët që i rrjedhin faqeve. Zotërinë e saj të shtrenjtë e kanë varur në shtyllë. Edhe pse është pak a shumë orar dreke në një ditë pranvere, ‘gjithë vendin e mbulon errësira’. (Luka 23:44, 45) Ajo hedh një rrobë supeve dhe struket pranë grave të tjera. Këtë errësirë që zgjat tri orë, s’mund ta ketë shkaktuar një eklips diellor, i cili zgjat veç pak minuta. Ndoshta Maria dhe të tjerë pranë Jezuit dëgjojnë zhurmat e kafshëve të natës që s’para dëgjohen gjatë ditës. Disa prej tyre ‘kanë shumë frikë dhe thonë: «Pa dyshim që ky ishte Biri i Perëndisë.»’ (Mateu 27:54) Mbase dishepujt e Jezuit dhe të tjerët mendojnë që Jehovai po shpreh hidhërimin dhe zemërimin për mënyrën mizore si po e trajtojnë të Birin.
Maria-Magdalenës s’ia bën zemra ta shohë këtë skenë, prapëseprapë nuk do që ta braktisë Zotërinë e saj. (Gjoni 19:25, 26) Kushedi ç’dhimbje të papërshkrueshme provon Jezui. Veç kësaj, nëna e tij ka nevojë për ngushëllim e mbështetje.
Pas gjithë të mirave që kishte bërë Jezui për Marinë, ajo dëshiron të bëjë sa mundet për të. Dikur një grua e dërrmuar dhe e përçmuar; tani plot dinjitet dhe me një qëllim në jetë. Jezui i kishte ndryshuar jetën. Maria u bë një grua me besim të jashtëzakonshëm. Si? Ç’mund të mësojmë prej saj?
«I shërbenin atij dhe apostujve duke përdorur pasuritë e tyre»
Tregimi i Biblës për Maria-Magdalenën nis me një dhuratë. Jezui e çliroi nga një makth që e kishte mbërthyer fort. Në ato kohë, ndikimi i demonëve ishte tejet i përhapur. Ato krijesa të liga sulmonin shumë njerëz, madje pushtonin disa prej tyre. Nuk e dimë si kishin ndikuar demonët te Maria-Magdalena; dimë vetëm që atë të shkretën e kishin pushtuar shtatë demonë të dhunshëm e të degjeneruar. Por, Jezu Krishti i kishte dëbuar të gjithë.—Luka 8:2.
E çliruar dhe e lehtësuar nga ajo barrë e rëndë, më në fund Maria nisi një jetë krejt të re. Si mund ta shprehte mirënjohjen? Ajo u bë një dishepulle besnike e Jezuit dhe vepronte kur dallonte se të tjerët kishin nevojë për ndihmë. Jezui dhe apostujt kishin nevojë për ushqim, veshje dhe një vend ku të kalonin natën. Nuk ishin të pasur dhe në atë kohë nuk punonin. Ndaj, që të përqendroheshin te predikimi dhe te mësimdhënia, kishin nevojë edhe për mbështetje nga ana materiale.
Maria dhe shumë gra të tjera ua plotësuan këtë nevojë. Ato «i shërbenin [Jezuit] dhe apostujve duke përdorur pasuritë e tyre». (Luka 8:1, 3) Disa prej tyre mbase ishin të pasura. Bibla nuk tregon nëse përgatitnin ushqim, lanin rrobat ose gjenin strehim për ta në vendet ku shkonin. Gjithsesi dimë se kujdeseshin me kënaqësi për këtë grup udhëtuesish me rreth 20 veta. Patjetër që puna e tyre i ndihmoi Jezuin dhe apostujt të përqendroheshin kryesisht te vepra e predikimit. Natyrisht, Maria e dinte që s’ia shlyente dot kurrë Jezuit gjithë të mirat, ama kënaqej pa masë teksa bënte gjithçka mundej!
Sot, shumë veta i përçmojnë ata që bëjnë punë të përulura për të tjerët. Por, Perëndia nuk mendon kështu. Përfytyro sa i lumtur ishte kur shihte që Maria bënte maksimumin për të mbështetur Jezuin dhe apostujt! Po njësoj, në ditët tona mjaft të krishterë besnikë u shërbejnë me përulësi të tjerëve, madje me kënaqësi. Ndonjëherë një ndihmë praktike ose qoftë edhe një fjalë zemërdhënëse mund t’u sjellë shumë dobi të tjerëve. Jehovai i çmon dhurata të tilla.—Proverbat 19:17; Hebrenjve 13:16.
«Pranë shtyllës së torturës të Jezuit»
Maria-Magdalena ishte një ndër gratë që e shoqëruan Jezuin për në Festën e Kalimit, që do të mbahej në Jerusalem në vitin 33 të e.s. (Mateu 27:55, 56) Ajo u hidhërua në shpirt kur mori vesh se Jezuin e kishin arrestuar dhe ia kishin bërë gjyqin gjatë natës. Mirëpo s’mbaroi me kaq. Guvernatori Ponc Pilati u dorëzua para presionit të krerëve fetarë judenj dhe të turmës që influencohej prej tyre, prandaj e dënoi Jezuin me një vdekje mizore në shtyllë. Ka shumë mundësi që Maria ta ketë parë Zotërinë e saj të përgjakur dhe të rraskapitur e që mezi ecte drejt vendit të ekzekutimit, duke tërhequr me mundim shtyllën e tij.—Gjoni 19:6, 12, 15-17.
Në mes të ditës errësira kaploi vendin e ekzekutimit. Maria-Magdalena dhe gratë e tjera rrinin «pranë shtyllës së torturës të Jezuit». (Gjoni 19:25) Maria, që ndenji aty deri në momentet e fundit, e pa dhe e dëgjoi Jezuin kur ia besoi nënën e tij Gjonit, apostullit që e kishte veçanërisht për zemër. Gjithashtu dëgjoi kur Jezui i thirri në agoni të Atit, si edhe fjalët e tij të fundit kur tha fitimtar: «U krye!» Ajo ishte e pikëlluar. Megjithatë, edhe pasi vdiq Jezui, me sa duket ndenji prapë aty. Më vonë qëndroi pranë varrit ku Jozefi, një i pasur nga Arimatea, vuri trupin e Jezuit.—Gjoni 19:30; Mateu 27:45, 46, 57-61.
Shembulli i Marisë na sjell ndër mend ç’mund të bëjmë kur një vëlla a motër has sprova të rënda. Nuk kemi në dorë të ndalojmë një tragjedi ose t’ua heqim dhimbjen, ama mund të shfaqim dhembshuri dhe guxim. Vetë prania e një miku të gjindshëm mund t’i ndihmojë goxha ata që vuajnë. Kur i qëndrojmë pranë një miku në vështirësi, tregojmë besnikëri ndaj Perëndisë e vëllezërve tanë dhe mund t’i ngushëllojmë pa masë.—Proverbat 17:17.
«Unë do ta marr»
Pasi futën në varr trupin e Jezuit, Maria me disa gra të tjera blenë prapë vajra aromatikë që më vonë t’i lyenin trupin. (Marku 16:1, 2; Luka 23:54-56) Pasi mbaroi Sabati, ajo u ngrit herët në mëngjes. Përfytyro Marinë teksa ecën në errësirë për te varri i Jezuit bashkë me gratë e tjera. Rrugës vrasin mendjen si do ta rrokullisin gurin nga hyrja e varrit. (Mateu 28:1; Marku 16:1-3) Prapëseprapë nuk sprapsen. Duket qartë që besimi i shtyu të bënin ç’të mundeshin dhe pjesën tjetër t’ia linin në dorë Jehovait.
Ka mundësi që Maria të ketë arritur para të tjerave te varri. Kur mbërriti, mbeti e shokuar: guri ishte rrokullisur dhe varri ishte bosh. Si grua e iniciativës, shkoi vrap për t’i treguar Pjetrit dhe Gjonit. Imagjino teksa u thotë me një frymë: «Zotërinë e kanë hequr nga varri dhe nuk e dimë ku e kanë vënë.» Pjetri dhe Gjoni nxituan për te varri, panë me sytë e tyre se ishte bosh, pastaj u kthyen në shtëpi.a—Gjoni 20:1-10.
Kur Maria u kthye te varri, ndenji atje e vetme dhe e zhytur në mendime. Atë mëngjes herët e pushtoi heshtja e varrit të zbrazur dhe shpërtheu në lot. Nuk i besohej që Zotëria s’ishte aty, ndaj u përkul për të parë brenda varrit, kur ç’të shihte: dy engjëj të veshur me të bardha po rrinin ulur aty. Ata e pyetën: «Pse po qan?» E hutuar, përsëriti fjalët që u tha apostujve: «Kanë marrë Zotërinë tim dhe nuk e di ku e kanë vënë.»—Gjoni 20:11-13.
Kur ktheu kokën pas, pa një burrë. Ngaqë nuk e njohu, mendoi se ishte kopshtari. Ai e pyeti me përzemërsi: «Grua, pse po qan? Kë po kërkon?» Maria iu përgjigj: «Zotëri, nëse e ke çuar diku, ma thuaj ku e ke vënë, e unë do ta marr.» (Gjoni 20:14, 15) Mendo pak çfarë po thoshte. A mundej kjo grua të merrte dhe të mbante e vetme trupin e Jezu Krishtit, që kishte qenë i fuqishëm e truplidhur? Maria as nuk i çoi nëpër mend këto gjëra. Thjesht donte të bënte gjithë sa kishte në dorë.
Po ne, a mund të imitojmë Maria-Magdalenën kur hasim vështirësi që duken më të rënda nga ç’mund të përballojmë? Nëse përqendrohemi te dobësitë dhe kufizimet tona, frika dhe pasiguritë mund të na paralizojnë. Por, nëse jemi të vendosur të bëjmë gjithë sa mundemi dhe t’ia lëmë në dorë Perëndisë pjesën tjetër, mund të arrijmë shumë më tepër nga ç’imagjinojmë. (2 Korintasve 12:10; Filipianëve 4:13) Ç’është më e rëndësishmja do t’ia bëjmë zemrën mal Jehovait. Me siguri Maria e arriti këtë dhe ai e bekoi në një mënyrë mbresëlënëse.
«Kam parë Zotërinë!»
Burri që po qëndronte përballë Marisë, nuk ishte kopshtar. Dikur kishte qenë zdrukthëtar, pastaj mësues e më vonë Zotëria i shtrenjtë i Marisë. Mirëpo, ngaqë nuk e njohu, ajo nisi të largohej. Maria s’e imagjinonte dot çfarë kishte ndodhur vërtet: Jezui ishte ringjallur si një frymë e fuqishme dhe pastaj ishte materializuar si njeri, por jo me të njëjtin trup që kishte më parë. Në ditët emocionuese pas ringjalljes, edhe ata që e njihnin mirë, shpesh s’e kuptonin që ishte ai.—Luka 24:13-16; Gjoni 21:4.
Si ia bëri të lehtë Jezui Marisë që ta njihte? Me mënyrën si shqiptoi një fjalë të vetme: «Mari!» Ajo u kthye menjëherë dhe thirri «Rabóni!», një fjalë e njohur hebraike që me siguri e ka përdorur sa e sa herë kur i drejtohej atij. Ishte Mësuesi i saj i dashur! Marinë nuk e mbante vendi nga gëzimi, ndaj e mbërtheu fort dhe s’e lëshonte.—Gjoni 20:16.
Jezui e dinte ç’po bluante ajo në mendje, prandaj i tha: «Mos më shtrëngo më.» Mund ta imagjinojmë Jezuin teksa i thotë këto fjalë me butësi e mbase me një buzëqeshje të ngrohtë, duke u përpjekur me delikatesë të shkëputej prej saj dhe duke e siguruar me fjalët: «Unë nuk kam shkuar ende lart tek Ati.» S’kishte ardhur koha që ai të ngjitej në qiell. Kishte akoma punë në tokë dhe donte që Maria ta ndihmonte. E sigurisht ajo ishte gjithë sy e veshë kur i tha: «Shko te vëllezërit e mi dhe thuaju: ‘Unë po ngjitem tek Ati im dhe Ati juaj, te Perëndia im dhe Perëndia juaj.’»—Gjoni 20:17.
Sa caktim i mrekullueshëm nga Zotëria! Maria ishte ndër dishepujt e parë që patën privilegjin të shihnin Jezuin të ringjallur. Veç kësaj, tani i besohet caktimi që t’ua çojë të tjerëve këtë lajm të mirë. Përfytyro me sa gëzim e dëshirë shkon të kërkojë dishepujt. Imagjino teksa i thotë me një frymë fjalët që do të kumbonin për një kohë të gjatë në mendjen e saj dhe të dishepujve: «Kam parë Zotërinë!» Duke folur shpejt e tërë entuziazëm, u përcolli gjithë fjalët e Jezuit. (Gjoni 20:18) Tani, përveç dëshmisë së grave që gjetën varrin bosh, dishepujt kanë edhe dëshminë e Marisë.—Luka 24:1-3, 10.
«Nuk u besuan grave»
Si reaguan burrat? Në fillim, jo dhe aq mirë. Bibla thotë: «Mirëpo atyre iu dukën gjepura këto fjalë dhe nuk u besuan grave.» (Luka 24:11) Ata burra qëllimmirë ishin rritur në një shoqëri që prirej të mos u besonte grave; sipas traditës rabinike, një grua nuk mund të dëshmonte në gjyq. Mbase apostujt ishin ndikuar nga kultura e tyre më tepër se ç’mendonin. Mirëpo, Jezui dhe Ati i tij s’kanë fare lidhje me paragjykimet. Sa privilegj të madh i dhanë kësaj gruaje besnike!
S’diskutohet që Maria nuk u mërzit nga reagimi i burrave. Ishte e sigurt që Zotëria kishte besim tek ajo, dhe kjo i mjaftonte. Edhe sot, të gjithë atyre që ndjekin Jezuin u është besuar caktimi për të përhapur një mesazh. Bibla e quan këtë mesazh ‘lajmi i mirë për Mbretërinë e Perëndisë’. (Luka 8:1) Jezui nuk u premtoi dishepujve se çdokush do t’u besonte ose se do ta çmonte veprën e tyre. Përkundrazi. (Gjoni 15:20, 21) Prandaj, të krishterët bëjnë mirë të kujtojnë Maria-Magdalenën. As skepticizmi i vëllezërve të saj në besim nuk ia veniti gëzimin që provonte kur u jepte të tjerëve lajmin e mirë se Jezui ishte ringjallur.
Më vonë, Jezui iu shfaq apostujve dhe pastaj gjithnjë e më shumë dishepujve. Një herë iu shfaq mbi 500 vetave! (1 Korintasve 15:3-8) Pa dyshim, besimi i Marisë forcohej sa herë që shfaqej Jezui, qoftë nëse e shihte vetë, qoftë nëse dëgjonte nga të tjerët për të. Ndoshta ajo ishte ndër gratë e mbledhura në Jerusalem gjatë Festës së Ditës së Pesëdhjetë kur fryma e shenjtë u derdh mbi dishepujt e Jezuit.—Veprat 1:14, 15; 2:1-4.
Sido të ketë qenë, kemi plot arsye të besojmë se Maria-Magdalena qëndroi besnike deri në fund. Qofshim të gjithë të vendosur të bëjmë po njësoj! Do të imitojmë besimin e Maria-Magdalenës nëse tregojmë mirënjohje për gjithë sa ka bërë Jezui për ne dhe nëse u shërbejmë me përulësi të tjerëve ndërsa mbështetemi te Perëndia.
a Me sa duket, Maria ishte larguar nga varri para se gratë e tjera të takonin engjëllin që u tha se Krishti ishte ringjallur. Përndryshe do t’u tregonte Pjetrit dhe Gjonit se kishte takuar një engjëll që i shpjegoi pse trupi i Jezuit nuk ishte aty.—Mateu 28:2-4; Marku 16:1-8.