Ngacmimet seksuale: Një problem botëror
PUNA ishte kthyer në një makth për sekretaren e re me emrin Rena Uiks. Vërtet, firma ligjore që e punësoi, kishte një emër të mirë dhe zyra në mbi njëzet e katër vende. Megjithatë, ajo punonte për një burrë, i cili sipas saj nuk do të pushonte së kapuri e së prekuri. Sulmet poshtëruese theksoheshin me fjalë të pista dhe të pahijshme.
Vite më parë, gratë që gjendeshin në situata si kjo, s’kishin shumë se ku të kërkonin ndihmë, përveç mundësisë për të lënë punën. ‘Deklarata e saj kundër tij’ do të kishte qenë gjykim nga administrata. Madje edhe ata që ishin të prirë për të besuar anën e gruas në tregimin e ngjarjes, mundësisht do ta shpërfillnin problemin, duke thënë: «E ç’punë prish?» Por kohët kanë ndryshuar. Rena Uiks nuk e la thjesht me një zemërim dhe një ikje nga puna. Ajo e hodhi çështjen në gjyq.
Një trup gjykues në SHBA i dhuroi asaj 50.000$ si shpërblim për vuajtjen e saj emocionale, bashkë me 225.000$ si dëmshpërblim nga ish-pronari i saj. Më pas, në një lëvizje që tërhoqi vëmendjen e firmave tregtare dhe ligjore në të gjithë botën, trupi gjykues e urdhëroi firmën ligjore të paguante një shumë jashtëzakonisht të madhe prej 6,9 milionë dollarësh, si dëmshpërblim për mosndreqjen e problemit.
Rasti Uiks nuk është në asnjë mënyrë incidenti i vetëm. Një padi tjetër kohët e fundit, përfshinte një rrjet kombëtar (amerikan) dyqanesh ku bëhet ulje çmimesh. Një punëtore me emrin Pegi Kimzi, pohonte se shefi i saj i kishte bërë shumë komente të pahijshme e të ndyra seksuale. Në 1993-shin, Pegi Kimzi la punën dhe ngriti padi. Asaj i dhuruan 35.000$ për poshtërim dhe ankth mendor, bashkë me 1$ simbolik për humbjen e pagave. Përveç kësaj, juria vendosi se ish-punëdhënësi i saj kishte krijuar një ambient armiqësor në punë, duke toleruar ngacmimet. Cili ishte ndëshkimi? Pesëdhjetë milionë dollarë si dëmshpërblim.
Një revistë shëndetësore thotë: «Rastet e ngacmimeve seksuale janë shumëfishuar si bakteriet. Në 1990-n, Komisioni për Mundësi të Barabarta Punësimi (EEOC) trajtoi 6.127 ankesa të tilla; që nga viti i fundit [1993] shuma e përgjithshme vjetore është gati dyfishuar në 11.908.»—Men’s Health.
Abuzim me fuqinë
Ndërkohë që shpërblimet marramendëse të trupit gjykues bëhen lajme të faqes së parë të gazetës, e vërteta është se janë të pakta rastet që gjejnë rrugën për në sallën e gjyqit. Pjesa më e madhe e viktimave e vuajnë në heshtje poshtërimin e tyre, duke mbetur pengje të një loje të shëmtuar fuqie dhe kërcënimi, që luhet nëpër zyra, rrugë, autobusë, nëpër klube dhe fabrika. Nganjëherë, ndodh të ketë haptazi shtrëngime për të pasur marrëdhënie intime seksuale. Megjithatë, në pjesën më të madhe të rasteve, ngacmimi konsiston në veprime dinake, por në mënyrë të pafytyrë ofenduese: prekje të padëshirueshme apo të papërshtatshme, fjalë të ndyra, vështrime epshore.
Vërtet, disa nuk pranojnë ta quajnë këtë sjellje ngacmim, duke argumentuar se është thjesht një orvatje e ngathët nga ana e disa burrave për të tërhequr vëmendjen e seksit të kundërt. Por shumë, si shkrimtarja Marta Langelan, i hedhin poshtë këto përçapje për të justifikuar sjelljen ofenduese. Ajo shkruan: «Nuk është një propozim i ngathët, një propozim i pahijshëm, një propozim me shaka apo një propozom ‘i keqkuptuar’. Nuk ka për qëllim të tërheqë gratë; është një sjellje që i shërben një funksioni krejtësisht tjetër. Ashtu si përdhunimi, ngacmimi seksual bëhet për t’i detyruar gratë, jo për t’i tërhequr ato. . . . [Është] një shprehje e fuqisë.» Po, shpeshherë ky keqtrajtim është thjesht një mjet tjetër mizor, përmes të cilit «një njeri sundon mbi një tjetër për ta dëmtuar».—Eklisiastiu 8:9; krahaso Eklisiastiun 4:1.
Zakonisht, gratë nuk reagojnë me kënaqësi ndaj ngacmimeve seksuale, por me ndjenja që fillojnë nga neveritja dhe zemërimi, deri në depresion dhe poshtërim. Një viktimë kujton: «Situata më shkatërroi. Humba besimin, bindjen, respektin për veten dhe aspiratat e mia karrieriste. Personaliteti im ndryshoi në mënyrë drastike. Isha një tip që s’i bëhet vonë për gjë. Ndihesha e hidhëruar, e sprapsur dhe e turpëruar.» Dhe kur fajtor është punëdhënësi apo dikush tjetër në fuqi, ngacmimi merr një pamje veçanërisht të pështirë.
Pra, s’është për t’u habitur që gjyqet kanë filluar të ndëshkojnë ofenduesit dhe të kompensojnë viktimat. Qysh kur Gjyqi i Lartë i SHBA-së e ka përcaktuar këtë keqtrajtim si një dhunim të të drejtave civile, punëdhënësit janë mbajtur gjithmonë e më tepër përgjegjës para ligjit, për mbajtjen e një ambienti «armiqësor apo efendues» në punë.
Kompanitë që tolerojnë ngacmimet seksuale mund të vuajnë nga morali i ulët tek punëtorët, nga një mesatare e lartë mungesash, nga prodhimtaria e ulët dhe përmbysja e fuqisë punëtore, për të mos përmendur shkatërrimin financiar, nëse viktimat vendosin të ngrenë padi.
Sa i përhapur?
Sa të përhapura janë ngacmimet seksuale? Anketat tregojnë se më shumë se gjysma e grave që janë fuqi punëtore në Shtetet e Bashkuara kanë përjetuar një gjë të tillë. Kështu, një libër pohon: «Ngacmimi seksual është një problem i përhapur. U ndodh grave të çdo profesioni, duke filluar nga kamarierja e deri tek drejtuesja e korporatës. Ndodh në çdo nivel të hierarkisë së korporatës dhe në çdo lloj biznesi e industrie.» Megjithatë, vështirë se problemi kufizohet vetëm në Shtetet e Bashkuara. Libri Shockwaves: The Global Impact of Sexual Harassment, nga Suzan L. Ueb, citon statistikat e mëposhtme:a
KANADA: «Një anketë tregonte se 4 ndër 10 gra raportonin se kishin pasur ngacmime seksuale në punë.»
JAPONI: «Një anketë e bërë në gusht 1991, tregonte se 70 për qind e grave që iu përgjigj anketës, kishin përjetuar» ngacmime në punë. «Nëntëdhjetë për qind thoshin se kishin pasur ngacmime seksuale rrugës për në punë dhe duke u kthyer nga puna.»
AUSTRI: «Një anketë e vitit 1986 tregonte se gati 31 për qind e grave, kishte raportuar incidente serioze të ngacmimit seksual.»
FRANCË: «Në 1991-shin, një studim . . . zbuloi se 21 për qind e 1.300 grave të anketuara, thoshin se kishin përjetuar personalisht ngacmime seksuale.»
HOLLANDË: Një studim tregonte se «58 për qind e grave që iu përgjigjën [anketës] thoshin se kishin përjetuar personalisht ngacmime seksuale.»
Një shenjë e kohëve
Natyrisht, ngacmimi dhe shqetësimi në vendin e punës nuk janë diçka e re. Gratë dhe nganjëherë burrat ishin objekt i këtij keqtrajtimi edhe më parë në kohët biblike. (Zanafilla 39:7, 8; Rutha 2:8, 9, 15) Megjithatë, kjo sjellje e shëmtuar duket se është veçanërisht e përhapur sot. Përse?
Një arsye është se vitet e fundit gratë kanë hyrë në tregun e punës me një numër rekord. Si rrjedhojë, më shumë gra janë të ekspozuara ndaj situatave, në të cilat mund të ndodhin abuzime të tilla. Megjithatë, një domethënie akoma më të madhe ka ajo që Bibla profetizoi kohë më parë: «Dhe dije këtë: në ditët e fundit do të vijnë kohë të vështira, sepse njerëzit do të jenë egoistë, lakmues parash, mburravecë, krenarë, . . . të paudhë, të padhembshur, të papajtueshëm, shpifës, të papërmbajtur, mizorë.» (2. Timoteut 3:1-3) Përhapja e ngacmimit seksual është vetëm një provë dramatike se këto fjalë po përmbushen sot. Në mënyrë interesante, një artikull i revistës Men’s Health vëren se «rritja e ankesave ndaj ngacmimeve seksuale është shoqëruar nga një rënie mahnitëse në civilizimin e përgjithshëm. Sjellja e shëmtuar është përhapur kudo».
Përhapja e ngacmimeve seksuale pasqyron, gjithashtu, «moralin e ri», i cili përfshiu botën gjatë viteve ’60. Copëtimi i kufijve tradicionalë moralë është shoqëruar nga një shpërfillje tronditëse për të drejtat dhe ndjenjat e të tjerëve. Cilido qoftë shkaku i tij, ngacmimi seksual është një realitet i zymtë në vendin e punës. Çfarë mund të bëjnë burrat dhe gratë për t’u mbrojtur? A do të vijë ndonjëherë një kohë, kur në vendin e punës të mos ketë më ngacmime?
[Shënimi]
a Statistikat priren të ndryshojnë, pasi studiuesit përdorin metoda të ndryshme anketimi dhe përcaktime të ndryshme për ngacmimin seksual.
[Kutia në faqen 4]
Ngacmimi seksual: Pohimi i rremë kundrejt faktit
Pohim i rremë: Ngacmimet seksuale janë mbiraportuar tej mase. Është vetëm një tjetër trill, fryt i reklamimit dorëlëshuar të shtypit dhe histeri.
Fakt: Në tërësi, një grua mund të vuajë shumë dhe ka të ngjarë të arrijë pak, duke raportuar se ka qenë viktimë. Në të vërtetë, vetëm një pakicë grash (22 për qind sipas një ankete) i tregojnë ndonjëherë dikujt se i kanë ngacmuar. Frika, sikleti, ndjenja e fajit, pështjellimi dhe injoranca mbi të drejtat ligjore, bëjnë që shumë gra të heshtin. Prandaj, shumë ekspertë besojnë se problemi është tej mase i nënraportuar.
Pohim i rremë: Shumica e grave gëzojnë vëmendjen e meshkujve. Ato që pohojnë se janë ngacmuar, thjesht janë tepër të ndjeshme.
Fakt: Anketat vazhdimisht tregojnë se gratë ofendohen nga ky trajtim i pahijshëm. Në një anketë, «mbi dy të pestat e grave thoshin se u vinte pështirë dhe rreth një e treta thoshin se u ngriheshin nervat». Të tjera raportonin se ndiheshin në ankth, të lënduara dhe të dëshpëruara.
Pohim i rremë: Edhe burrat janë viktimë po aq sa edhe gratë.
Fakt: Studiuesit e Shoqërisë Kombëtare për Gratë në Punë (SHBA), raportojnë se «një përllogaritje prej 90 për qind e rasteve të ngacmimit përfshijnë burra që kanë ngacmuar gratë, 9 për qind janë ngacmime nga i njëjti seks . . . dhe vetëm 1 për qind përfshijnë gra që kanë ngacmuar burrat».
[Figura në faqen 5]
Ngacmimi seksual nuk kufizohet vetëm rreth seksit