Të rinjtë pyesin . . .
Përse nuk mund të mbaj shokë?
«Shoqja ime dhe unë kishim shumë interesa të përbashkëta dhe merrnim pjesë në shumë aktivitete. Kënaqeshim duke e kaluar kohën së bashku. Por befas, shoqëria jonë filloi të bëhej gjithnjë e më e ftohtë. Kjo gjë më bëri të ndihesha vërtet e dëshpëruar.»—Ledia.
MË NË fund ke gjetur një shok, dikë që të kupton dhe nuk të gjykon. Kur papritur e pakujtuar, shoqëria juaj fillon të shkasë. Ti përpiqesh ta shpëtosh, por e kotë.
Një shok besnik s’ka të çmuar. (Proverbat 18:24) Humbja e një të tilli mund të jetë e dhimbshme. Bibla tregon se kur Jobi u braktis nga shokët e tij, u ankua: «Farefisi im më ka braktisur dhe miqtë e mi të ngushtë më kanë harruar.» (Jobi 19:14) Të njëjtin dëshpërim mund të ndjesh edhe ti, nëse para pak kohësh një shoqëri që ke pasur është lënë në harresë. Një djalë me emrin Klajdi, thotë se «është njësoj sikur personi që ke dashur, të ketë vdekur». Por ç’mund të thuhet, nëse vërtet gati çdo shoqëri që ke pasur ka përfunduar në prishje?
Shoqëri të dobëta
Libri Adolescence nga Estvud Atuater vëren se shoqëritë adoleshente «priren të jenë herë ngrohtë, herë ftohtë, me ndryshime dramatike të befasishme dhe ndjenja të hidhura, kur dy shokë prishen». Ç’gjë i bën kaq të dobëta shoqëritë e adoleshentëve? Një arsye është se ndërsa ti rritesh, ndjenjat e tua, pikëpamjet, synimet dhe interesat fillojnë të ndryshojnë. (Krahaso 1. Korintasve 13:11.) Mund të vëresh se në disa aspekte ke ecur përpara ose ke mbetur prapa nga bashkëmoshatarët.
Prandaj, kur shokët rriten, ndodh që marrëdhënia e ngushtë që kanë pasur, pak nga pak zbehet. Dhe kjo jo për faktin se i janë mërzitur njëri-tjetrit, por sepse zhvillojnë synime, interesa dhe vlera të ndryshme. Madje, mund të jetë më mirë që marrëdhënia të marrë fund. Ndërsa rritesh dhe fillon t’i marrësh më seriozisht gjërat frymore, mund të kuptosh se disa nga shokët që ke pasur, nuk kishin një ndikim të mirë mbi ty. (1. Korintasve 15:33) Jo se nuk kujdesesh më për ta, por nuk gëzon shoqërinë e tyre siç bëje njëherë e një kohë.
Gjërat që janë një helm për shoqërinë
Por, çfarë mund të themi nëse vazhdimisht humb shokë, marrëdhënie që do të doje t’i mbaje? Le ta themi pa dorashka, ndoshta kjo gjë tregon se duhet të mposhtësh disa të meta në personalitetin tënd. Xhelozia, për shembull, është një helm për shoqërinë. Mendo sikur të kesh një shok, i cili është më i pasur, më i talentuar, më i pashëm apo më popullor se ti. A prekesh ngaqë atij apo asaj i kushtohet më shumë vëmendje? «Xhelozia kalb kockat.» (Proverbat 14:30, BR) «E kisha vërtet zili popullaritetin e shokut tim dhe çdo gjë që ai kishte, ndërsa unë jo,—pranon një djalë me emrin Gerti,—dhe kjo ndikoi mbi shoqërinë tonë.»
Ndjenja zotëruese mund të jetë një tjetër veçori shkatërrimtare për shoqërinë. Ç’mund të ndodhë nëse një ditë të bukur kupton se shoku po kalon gjithnjë e më shumë kohë me të tjerët dhe gjithnjë e më pak me ty? Një vajzë pranoi: «Bëhesha xheloze edhe kur të tjerët flisnin me një shoqen time.» Mund ta quash shoqërinë e shokut me të tjerët si një tradhëti.
Perfeksionizmi, gjithashtu, do të thotë vdekje për një shoqëri. Për shembull, ti mëson se një shok ka folur prapa krahëve për ty, ndoshta duke nxjerrë çështje mirëbesimi. (Proverbat 20:19) «Asnjëherë s’kam për t’i besuar më»,—thërret me zemërim.
Shoqëria është për të marrë apo për të dhënë?
Nëse xhelozia, ndjenja zotëruese apo perfeksionizmi ka tendosur shoqërinë tuaj, pyet veten: «Çfarë kërkoj nga shoqëria?» Mos vallë mendon se shoqëri do të thotë të kesh dikë që nuk ta prish qejfin, dikë që të luajë rolin e shërbëtorit që bindet, duke të plotësuar çdo dëshirë? A kërkon shokë për prestigj, popullaritet apo për fitim? A kërkon devotshmëri të veçantë nga shoku, duke mos lënë vend për të tjerët në shoqërinë tuaj? Nëse është kështu, duhet të ndreqësh pikëpamjen që ke mbi shoqërinë.
Nga mësimet e Biblës mësojmë se marrëdhëniet e mira me të tjerët vijnë nga dhënia dhe jo nga marrja. Në Mateun 7:12, vetë Jezu Krishti tha: «Gjithçka, pra, që ju dëshironi t’ju bëjnë njerëzit, ua bëni edhe ju atyre.» Është e natyrshme që të presim disa gjëra nga shokët. Libri Understanding Relationships vëren: «Gjithmonë nga një shok presim që të jetë i ndershëm dhe i sinqertë, të shfaqë dashuri të përzemërt, të na tregojë sekretet dhe problemet e tij apo e saj, të na ndihmojë kur jemi në nevojë, të na besojë dhe . . . të jetë i gatshëm për të zgjidhur mosmarrëveshjet.» Megjithatë, kjo gjë nuk mbaron me kaq. Libri shton: «Këto janë ato që njerëzit presin nga një shok dhe që duhet të bëjnë edhe ata nga ana e tyre për shokun.»—Kursivi është yni.
Vëre mënyrën në të cilën vetë Jezui i trajtoi ata që i kishte të ngushtë. Ai u tha dishepujve të tij: «Unë nuk ju quaj më shërbëtorë, sepse shërbëtori nuk e di ç’bën i zoti; por unë ju kam quajtur miq.» Por, a bazohej shoqëria e Jezuit me dishepujt në atë që ata mund të bënin për të? Përkundrazi. Ai tha: «Askush s’ka dashuri më të madhe nga kjo: të japë jetën e vet për miqtë e tij.» (Gjoni 15:13, 15) Po, baza e vërtetë për shoqërinë është dashuria vetëmohuese! Kur themeli i një marrëdhënieje është dashuria, ajo mund të kapërcejë grindjet dhe problemet.
Kur lindin probleme
Për shembull, mendo sikur një shoku yt ka më shumë para, zgjuarsi dhe talent se ti. Dashuria vetëmohuese të ndihmon të jesh i gëzuar me shokun tënd. Në fund të fundit, Bibla thotë se «dashuria nuk është xheloze».—1. Korintasve 13:4.
Ose mendo sikur shoku yt të thotë apo të bëjë diçka që të lëndon në ndjenja. A do të thotë kjo se shoqëria juaj mbaroi? Jo medoemos. Apostulli Pavël u zhgënjye shumë, kur shoku i vet Marku e braktisi në një nga udhëtimet e tij misionare. Kaq i zhgënjyer ishte, saqë nuk pranoi që Marku ta shoqëronte në udhëtimin tjetër. Pavli shkëmbeu madje disa fjalë të ashpra mbi këtë gjë me kushëririn e Markut, Barnabën. Megjithatë, vite më vonë, Pavli foli me dashuri për Markun, madje e ftoi atë në Romë për t’i shërbyer. Siç duket, ata i kishin zgjidhur mosmarrëveshjet.—Veprat 15:37-39; 2. Timoteut 4:11.
Përse të mos përpiqesh të bësh të njëjtën gjë, kur lindin probleme me shokët? Mos lejo që gjërat të shkojnë keq e më keq. (Efesianëve 4:26) Para se të bësh një gjykim të nxituar apo në inat e sipër të akuzosh, dëgjo se çfarë ka për të thënë shoku mbi çështjen. (Proverbat 18:13; 25:8, 9) Ndoshta jeni keqkuptuar. Po sikur shoku të ketë treguar me të vërtetë mungesë mendjemprehtësie? Mos harro se shoku është njeri si gjithë të tjerët. (Psalmi 51:5; 1. Gjonit 1:10) Të gjithë jemi fajtorë, pasi kemi thënë apo bërë gjëra, për të cilat më vonë na ka ardhur keq.—Krahaso Eklisiastiun 7:21, 22.
Gjithsesi, mund ta thuash hapur se sa të kanë lënduar veprimet e shokut. Kjo gjë mund ta shtyjë atë të bëjë një shfajësim të sinqertë. Duke qenë se dashuria «nuk e mban mend të keqen», ndoshta mund ta heqësh nga mendja atë që ka ndodhur. (1. Korintasve 13:5, DSF) Duke kujtuar një shoqëri të humbur, Gerti tregon: «Sikur ta kisha nisur nga e para, nuk do të prisja përsosmëri nga shoqëria jonë. Do të kisha dëgjuar më shumë, do ta kisha mbështetur dhe nuk do t’i kisha zmadhuar të metat e tij. Tani e kuptoj se ajo që e bën të suksesshme një shoqëri, është kapërcimi i provave dhe i sfidave.»
Çfarë mund të thuhet nëse shoku yt nuk po kalon aq shumë kohë si më parë me ty apo aq shumë sa ti do të dëshiroje? Mos ndoshta ti je bërë tepër zotërues mbi kohën dhe vëmendjen e shokut? Një gjë e tillë mund t’i zërë frymën një shoqërie. Njerëzit që gëzojnë shoqëri të shëndetshme i lënë hapësirë njëri-tjetrit. (Krahaso Proverbat 25:17.) Ata lënë vend që edhe të tjerët të gëzojnë! Tek e fundit, Bibla i inkurajon të krishterët «të zgjerohen» në shoqëritë që kanë. (2. Korintasve 6:13) Prandaj, kur një shok e bën këtë, nuk ka arsye përse ta shikosh si jobesnik.
Faktikisht, nuk është mirë që të bëhesh tepër i varur pas një personi të veçantë. (Psalmi 146:3) Është e mençur të kultivosh shoqëri me persona jashtë grupit të bashkëmoshatarëve, si me prindërit, të moshuarit dhe me të rritur të tjerë të kujdesshëm dhe përgjegjës. Ana tregon me dashuri: «Mami është shoqja ime më e mirë. Mund të flas me të për gjithçka dhe për çdo gjë.»
Mund të gëzosh shoqëri të qëndrueshme!
Në 1. Pjetrit 3:8, Bibla thotë: «Më në fund, jini të gjithë të një mendjeje, duke treguar empati, duke pasur dashuri të përzemërt vëllazërore, dhembshuri të butë dhe përulësi mendjeje.» (BR) Po, trego dashamirësi, dhembshuri, integritet moral dhe kujdes të sinqertë për të tjerët dhe do të tërheqësh gjithmonë shokë! Shoqëritë e vërteta dhe të qëndrueshme duan përpjekje dhe vendosmëri. Por për shpërblimin që kanë, ia vlen të bëhen përpjekje.
Në mënyrë interesante, Bibla tregon për Davidin dhe Xhonatanin. Ata kishin një shoqëri të përkryer. (1. Samuelit 18:1) Ata ishin në gjendje të mposhtnin xhelozinë e kotë dhe të metat e personalitetit. Kjo gjë ishte e mundur, sepse si Davidi ashtu edhe Xhonatani e vunë shoqërinë me Perëndinë Jehova dhe besnikërinë ndaj tij mbi gjithçka tjetër. Vepro po kështu dhe s’do ta kesh të vështirë të mbash shokë që i frikësohen Perëndisë!
[Figurat në faqen 26]
Shpesh shoqëritë prishen, kur ndjen se nuk je besnik për të pasur shokë të tjerë