Pikëpamja e Biblës
Përse ta kontrolloni zemërimin?
ISHTE një fillim ogurzi. «Tani që jam kreu i kësaj shtëpie, nuk dua të më vësh në pozitë të vështirë, duke qenë me vonesë»,—i bërtiti Xhoni nuses së tij të re, Gingerit.a Për më shumë se 45 minuta, ai iu kthye asaj me të bërtitura e ndërkohë i kërkonte që të qëndronte e ulur në divan. Të folurit abuziv u bë një normë në martesën e tyre. Mjerisht, qëndrimi i zemëruar i Xhonit mori të tatëpjetën. Ai përplaste dyert, godiste furishëm tryezën e kuzhinës dhe e ngiste makinën si i çmendur, duke u përplasur në timon e duke rrezikuar në këtë mënyrë jetën e të tjerëve.
Mjerisht, pa dyshim siç mund ta dini, skena të tilla përsëriten shpesh. A ishte i justifikuar zemërimi i këtij njeriu apo ai po humbte kontrollin? A është i gabuar çdo zemërim? Kur konsiderohet jashtë kontrollit zemërimi? Kur e ka kaluar masën?
Zemërimi i kontrolluar mund të jetë i justifikuar. Për shembull, zemërimi i Perëndisë ishte ndezur kundër qyteteve të lashta imorale të Sodomës dhe Gomorrës. (Zanafilla 19:24) Përse? Sepse banorët e atyre qyteteve angazhoheshin në praktika seksuale të dhunshme dhe të çoroditura, që njiheshin mirë në të gjithë zonën. Për shembull, kur lajmëtarët engjëllorë vizituan njeriun e drejtë, Lotin, një turmë njerëzish me të rinj e të vjetër, u orvatën të përdhunonin në grup mysafirët e Lotit. Perëndia Jehova ishte me të drejtë i zemëruar për imoralitetin e tyre të rëndë.—Zanafilla 18:20; 19:4, 5, 9.
Ngjashëm Atit të tij, njeriu i përsosur Jezu Krisht, kishte shkas për të qenë i zemëruar. Supozohej se tempulli në Jerusalem ishte qendra e adhurimit për popullin e zgjedhur të Perëndisë. Ai duhej të ishte «një shtëpi lutjeje», ku individët të mund t’i paraqisnin Perëndisë sakrifica personale dhe oferta e ku mund të mësoheshin në rrugët e tij dhe t’u faleshin mëkatet. Në tempull, si të thuash, ata mund të bisedonin ngrohtësisht me Jehovain. Në vend të kësaj, krerët fetarë të ditëve të Jezuit e kthyen tempullin në «një shtëpi tregtie» dhe «një shpellë kusarësh». (Mateu 21:12, 13; Gjoni 2:14-17) Ata përfitonin personalisht nga shitja e kafshëve që përdoreshin si sakrifica. Fakt real ishte se ata po e zhvatnin kopenë. Prandaj, Biri i Perëndisë ishte në mënyrë të përsosur i justifikuar, kur i përzuri ata grabitës nga shtëpia e Atit të tij. Është e kuptueshme që Jezui ishte i zemëruar!
Kur zemërohen njerëzit e papërsosur
Edhe njerëzit e papërsosur mund të jenë nganjëherë me të drejtë të zemëruar. Le të shohim se çfarë i ndodhi Moisiut. Kombi i Izraelit sapo ishte çliruar me mrekulli nga Egjipti. Jehovai e kishte demonstruar në mënyrë të gjallë fuqinë e tij mbi perënditë e rreme të Egjiptit, duke i shpartalluar egjiptianët me dhjetë plagë. Më pas, ai u hapi rrugën judenjve që të shpëtonin, duke ndarë Detin e Kuq. Më vonë, ata u çuan në rrëzë të malit Sinai, ku u organizuan në një komb. Duke vepruar si ndërmjetës, Moisiu u ngjit në mal për të marrë ligjet e Perëndisë. Bashkë me të gjitha ligjet e tjera, Jehovai i dha Moisiut Dhjetë Urdhërimet, të shkruara nga «gishti i Perëndisë» mbi pllaka guri, të cilat vetë Perëndia i kishte gdhendur nga mali. Por, kur Moisiu zbriti, çfarë gjeti? Populli ishte kthyer të adhuronte shëmbëlltyrën e viçit të artë! Sa shpejt e kishin harruar! Kishin kaluar vetëm pak javë. Me të drejtë, «Moisiu u ndez nga zemërimi». Ai bëri copë-copë pllakat prej guri dhe zuri të shkatërronte shëmbëlltyrën e viçit.—Eksodi 31:18; 32:16, 19, 20.
Në një rast më vonë, Moisiu humbi kontrollin, kur populli u ankua për mungesën e ujit. I acaruar për momentin, ai e humbi urtësinë e tij të famshme apo butësinë e temperamentit të tij. Kjo gjë çoi në një gabim serioz. Në vend se ta lartësonte Jehovain si Siguruesin e Izraelit, Moisiu i foli ashpër popullit dhe e drejtoi vëmendjen tek vetja dhe vëllai i tij, Aaroni. Prandaj, Perëndia pa me vend ta disiplinonte Moisiun. Ai nuk do të lejohej të hynte në tokën e premtuar. Pas kësaj ndodhie në Meriba, nuk përmendet më se Moisiu e kishte humbur gjakftohtësinë. Me sa duket, ai nxori mësim prej kësaj.—Numrat 20:1-12; Ligji i përtërirë 34:4; Psalmi 106:32, 33.
Pra, ekziston një ndryshim mes Perëndisë dhe njeriut. Jehovai mund ‘ta frenojë zemërimin e tij’ dhe me të drejtë përshkruhet si «i ngadalshëm në zemërim», pasi dashuria dhe jo zemërimi është cilësia e tij mbizotëruese. Zemërimi i tij është gjithnjë i drejtë, gjithnjë i justifikuar, gjithnjë i kontrolluar. (Eksodi 34:6; Isaia 48:9; 1. Gjonit 4:8) Njeriu i përsosur Jezu Krishti ishte gjithmonë në gjendje ta kontrollonte shfaqjen e zemërimit të tij; ai ishte përshkruar si «zemërbutë». (Mateu 11:29) Nga ana tjetër, njerëzit e papërsosur, madje edhe njerëzit e besimit si Moisiu, kanë pasur vështirësi ta kontrollojnë zemërimin e tyre.
Veç kësaj, njerëzit në përgjithësi nuk arrijnë të vlerësojnë siç duhet pasojat e zemërimit të pakontrolluar. Humbja e kontrollit mbi zemërimin mund të kushtojë. Për shembull, cilat janë pasojat e dukshme, nëse një burrë e humb kontrollin me gruan e tij, deri në atë pikë, sa bën një vrimë në mur me grushtin e tij? Prona dëmtohet. Dora e tij mund të vritet. Por më shumë se kaq, çfarë efekti do të ketë damari i tij i keq mbi dashurinë dhe respektin që gruaja e tij ka për të? Muri mund të riparohet në pak ditë, dora e tij mund të shërohet në pak javë, por sa kohë do t’i duhet të rifitojë besimin dhe respektin e të shoqes?
Faktikisht Bibla është plot me shembuj burrash, të cilët nuk arritën ta kontrollonin zemërimin e tyre dhe vuajtën pasojat. Le të shohim pak prej tyre. Kaini u dëbua pasi vrau vëllanë e tij, Abelin. Simeoni dhe Levi u mallkuan nga babai i tyre për vrasjen e burrave të Sikemit. Jehovai e goditi Uziahun me lebër, pasi ai tregoi zemërim të tërbuar me priftërinjtë, të cilët po përpiqeshin ta ndreqnin. Kur Jonait «iu ndez zemërimi», Jehovai e qortoi. Të gjithë ata duhej të përgjigjeshin për zemërimin e tyre.—Zanafilla 4:5, 8-16; 34:25-30; 49:5-7; 2. Kronikave 26:19; Jonai 4:1-11.
Të krishterët japin llogari
Ngjashëm, të krishterët sot duhet t’i japin llogari Perëndisë dhe në njëfarë mase bashkëbesimtarëve të tyre për veprimet që bëjnë. Kjo gjë mund të shihet pa vështirësi nga përdorimi që u bën Bibla termave greke që përshkruajnë zemërim. Një nga dy fjalët e përdorura më shpesh është or·geʹ. Zakonisht ajo përkthehet «inatosje» dhe përmban në njëfarë mase idenë e bërjes me vetëdije dhe madje me qëllim, shpesh me mendimin për t’u hakmarrë. Prandaj, Pavli i nxiti të krishterët e Romës: «Mos u hakmerrni për veten tuaj, o të dashur, por i jepni vend zemërimit [or·geʹ] të Perëndisë, sepse është shkruar: ‘Mua më përket hakmarrja, unë kam për të shpaguar’,—thotë Zoti.» Në vend se të ishin keqdashës kundrejt vëllezërve të tyre, ata ishin inkurajuar të ‘mundnin të keqen me të mirën’.—Romakëve 12:19, 21.
Termi tjetër i përdorur shpesh është thy·mosʹ. Rrënja e fjalës «fillimisht nënkupton një lëvizje të dhunshme ajri, uji, toke, kafshësh apo njerëzish». Prandaj, fjala përshkruhet në mënyrë të ndryshme si një «shpërthim i rrëmbyer ndjenjash armiqësore», «shpërthim inati» apo «pasione të rrëmbyeshme, që prishin harmoninë e mendjes dhe prodhojnë sherre familjare e civile dhe tronditje». Si një vullkan që mund të shpërthejë pa paralajmëruar dhe vjell hi të nxehtë, shkëmbinj dhe llavë, të cilët mund të plagosin, gjymtojnë dhe vrasin, kështu është një burrë apo një grua që nuk mund ta kontrollojë zemërimin e tij apo e saj. Shumësi i termit thy·mosʹ përdoret në Galatasve 5:20, ku Pavli radhit «shpërthimet e zemërimit» bashkë me të tjera «vepra të mishit» (Galatasve 5 vargu 19), si kurvëria, sjellja e shthurur dhe periudhat e dehjes. Sigurisht, qëndrimi i Xhonit, të përshkruar në fillim, i ilustron fare mirë «shpërthimet e zemërimit».
Prandaj, si duhet t’i konsiderojë kongregacioni i krishterë individët që shoqërohen me të e që angazhohen në vepra të përsëritura dhune kundër personit apo pronës së një tjetri? Zemërimi i pakontrolluar është shkatërrimtar dhe çon me lehtësi drejt dhunës. Pra, Jezui kishte arsye të vlefshme kur tha: «Kushdo që vazhdon të jetë i inatosur me vëllanë e tij, do t’i nënshtrohet gjyqit.» (Mateu 5:21, 22) Burrat këshillohen: «Vazhdoni t’i doni gratë tuaja dhe mos u zemëroni hidhur me to.» Një njeri që është «i prirë ndaj zemërimit» nuk kualifikohet si mbikëqyrës në kongregacion. Prandaj, individët që nuk mund ta kontrollojnë zemërimin e tyre nuk duhen konsideruar si një shembull në kongregacion. (Kolosianëve 3:19, BR; Titit 1:7; 1. Timoteut 2:8) Në fakt, pasi shqyrtohet qëndrimi i një individi të tillë, zakoni i sjelljes dhe përmasat e dëmit në jetën e të tjerëve, ky person që jepet në shpërthime të pakontrolluara zemërimi, mund të përjashtohet nga kongregacioni, një pasojë vërtet e tmerrshme.
A i vuri ndonjëherë nën kontroll ndjenjat e tij, Xhoni, i përmendur më sipër? A ishte në gjendje ai të frenonte kredhjen e tij të shpejtë përposh në shkatërrim? Mjerisht, bërtitjet arritën në shtyrje. Akuzat me gisht çuan në shtyrje të vërteta, të dhimbshme e nxirje. Xhoni ishte i kujdesshëm që të shmangte pjesët e nxira të trupit të Gingerit që shiheshin me lehtësi dhe përpiqej të fshihte sjelljen e tij. Megjithatë, në fund ai arriti të godiste me shqelma, me grushta, të shkulte flokët e më keq akoma. Tani, Ginger është e ndarë nga Xhoni.
Kjo gjë nuk duhej medoemos të ndodhte. Shumë të tjerë në situata të ngjashme kanë qenë në gjendje ta kontrollojnë zemërimin e tyre. Prandaj, sa jetike është që të imitojmë shembullin e përsosur të Jezu Krishtit. Ai nuk ishte kurrë fajtor edhe për një shpërthim të vetëm tërbimi të pakontrolluar. Zemërimi i tij ishte përherë i drejtë; ai nuk e humbi kurrë kontrollin. Me mençuri, Pavli na këshilloi të gjithëve: «Zemërohuni dhe mos mëkatoni; dielli të mos perëndojë mbi inatin tuaj.» (Efesianëve 4:26) Duke pranuar me modesti se si njerëz ne kemi kufizime dhe se do të korrim atë që do të mbjellim, kemi arsye të bollshme për t’i vënë fre zemërimit.
[Shënimi]
a Emrat janë ndryshuar.
[Burimi i figurës në faqen 18]
Sauli sulmon jetën e Davidit/The Doré Bible Illustrations/Dover Publications, Inc.