Dëshira që të na duan
Shumë kohë më parë, në një qytet që gjendej atje ku është Turqia e sotme, jetonte një vajzë me emrin Lea. Lea kishte një pamje të zakonshme, kurse motra e saj më e vogël, Rakela, ishte e bukur.
RAKELA u njoh me një djalë që e dashuronte kaq shumë, saqë ai ra dakord të punonte shtatë vjet për babanë e saj, që ky t’i jepte të bijën për grua. Por, natën e parë të martesës, babai i vajzave, në vend që t’i jepte Rakelën, i dha Lean. Nuk e dimë se çfarë mendonte Lea për planin që kurdisi i ati, por patjetër e kuptonte se ky nuk ishte një fillim i mbarë për martesën.
Kur zbuloi se çfarë kishte ndodhur, dhëndri i ri u zemërua. Babai i vajzave i shpjegoi se sipas zakonit, në fillim duhej martuar vajza e madhe. Si përfundim, tani Lea ishte e martuar me mashtrim me një burrë që dashuronte motrën e saj më të vogël. Në fakt, ai e mori edhe Rakelën për grua. Sa e trishtuar duhet të jetë ndier Lea, tek shihte që motra e saj merrte shumë më tepër dashuri! Lea nuk ruante ndonjë kujtim romantik nga koha e fejesës dhe mbante mend vetëm pak çaste të bukura nga dita e dasmës, për të mos thënë asnjë. Me sa zjarr duhet të ketë dëshiruar që ta dashuronin, si Rakelën! Kështu, pjesërisht për shkak të rrethanave që nuk i kishte në dorë, shpesh Lea mund ta ketë ndier veten të padëshiruar e pa dashuri.a
Në njëfarë mënyre, shumë veta sot mund të ndihen si Lea. Të gjithë kemi një nevojë të rrënjosur thellë që të duam e të na duan. Ndoshta dëshirojmë me gjithë shpirt një bashkëshort që të na dojë. Gjithashtu duam të ndiejmë përzemërsinë e prindërve, të fëmijëve, të vëllezërve, motrave dhe të miqve. Mbase ashtu si Lea, shohim të tjerë që e gjejnë dashurinë, kurse ne jo.
Që kur jemi fare të vegjël dëgjojmë histori romantike që flasin për njerëz të pashëm që dashurohen dhe jetojnë të lumtur e të gëzuar. Këngëtarët i këndojnë gjithë ndjenjë dashurisë; poetët i thurin vargje. Megjithatë, një studiues për këtë temë shkroi: «Zor se gjen ndonjë veprimtari a ndonjë sipërmarrje, që fillon me kaq shumë shpresa e dëshira, por që na zhgënjen kaq shpesh, sa dashuria.» Vërtet, shpesh janë lidhjet më të ngushta që na sjellin më shumë shqetësime, duke na shkaktuar ankth në vend të gëzimit jetëgjatë. Në disa vende, gati 40 për qind e të gjitha martesave përfundojnë në divorc dhe shumë çifte që nuk divorcohen nuk janë aspak të lumtura.
Në shumë vende janë shtuar familjet me një prind dhe ato me probleme, ku viktima janë edhe fëmijët. Megjithatë, sidomos fëmijët, kanë nevojë për sigurinë që të jep një ambient familjar i ngrohtë e i përzemërt. Pra, çfarë ka ndodhur me dashurinë? Ku mund të drejtohemi për të mësuar rreth këtij virtyti të çmuar? Artikujt vijues do t’u japin përgjigje këtyre pyetjeve.
[Shënimi]
a Ky tregim është marrë nga kapitujt 29 dhe 30 të librit biblik të Zanafillës.