PYETJA 3
Si të flas me prindërit?
ÇFARË DO TË BËJE TI?
Imagjino këtë situatë: është e mërkurë pasdite. Xhefri 17-vjeçar sapo ka mbaruar punët e tij të përditshme dhe më në fund mezi pret të pushojë pak. Ndez televizorin dhe rehatohet në kolltukun e tij të preferuar.
Atë moment hyn i ati, dhe nuk duket fort i kënaqur.
—Xhefri! Pse rri kot para televizorit kur duhet të ndihmosh vëllanë e vogël me detyrat e shtëpisë? Si nuk u binde një herë, xhanëm!
—Filloi prapë ky,—thotë nëpër dhëmbë Xhefri, por i ati e dëgjon.
—Çfarë the, zotrote?!—ia kthen i ati me duart e kryqëzuara.
—Hiç, babi!—përgjigjet Xhefri ndërsa shfryn dhe shtrembëron buzët.
Tani po që babai acarohet e i thotë prerazi: «Mos më fol mua me atë ton!»
Po të ishe Xhefri, si mund ta kishe parandaluar këtë debat?
NDALU E MENDO
Të komunikosh me prindërit, është pak a shumë si të ngasësh makinën. Kur has një pengesë, përpiqesh të gjesh një rrugë tjetër.
PËR SHEMBULL
Një vajzë me emrin Lea pohon: «E kam të vështirë të flas me babin. Ndonjëherë ndodh që, ndërsa jam duke folur me të, më thotë: ‘Më fal, çfarë po thoshe?’»
LEA KA TË PAKTËN TRI MUNDËSI
T’i bërtasë babit
Lea mund të bërtasë: «Më dëgjo, pra! Është e rëndësishme!»
Të mos bisedojë më me babin
Lea mund të heqë dorë e të mos lodhet më të flasë me të atin për problemin.
Të presë për një moment më të përshtatshëm dhe ta hapë sërish bisedën
Lea mund të flasë më vonë me të atin kur ai ta ketë mendjen ose t’i shkruajë një letër për problemin që ka.
Cilën mundësi do t’i sugjeroje ti Leas?
MENDO: I ati është i shpërqendruar, prandaj nuk e vë re që ajo mërzitet. Pra, nëse Lea zgjedh mundësinë A, babi nuk do ta kuptojë pse po i bërtet. Kështu, vështirë që ai do t’ia vërë veshin Leas dhe fjalët e saj nuk do të tregojnë respekt e nderim për të atin. (Efesianëve 6:2) Domethënë, kjo mundësi nuk i sjell dobi askujt.
Ndonëse mundësia B mund të jetë rruga më e shkurtër, nuk është më e mençura. Pse? Për t’i përballuar me sukses problemet, Lea duhet të bisedojë me babin dhe, që ai ta ndihmojë, ka nevojë të dijë ç’po ndodh në jetën e saj. Heshtja nuk arrin asnjërën nga këto.
Kurse me mundësinë C, Lea nuk lejon që ky rast t’i bëhet pengesë për të folur sërish me babin. Përkundrazi, përpiqet ta diskutojë çështjen një herë tjetër. Dhe, po t’i shkruajë një letër babit, mund të ndihet mirë menjëherë.
Kjo letër mund ta ndihmojë edhe të shprehë tamam atë që dëshiron të thotë. Kur babi të lexojë letrën, do të kuptojë se çfarë po përpiqej t’i thoshte Lea. Kjo mund ta ndihmojë të kuptojë më mirë çfarë problemi ka. Pra, nga mundësia C përfiton edhe Lea, edhe babi. Si drejtpërdrejt, si me letër, kjo mundësi përmbush këshillën biblike ‘për të ndjekur ato gjëra që i hapin rrugë paqes’.—Romakëve 14:19.
Çfarë mundësish të tjera ka Lea?
Përpiqu të gjesh ndonjë mundësi. Pastaj mendo çfarë do të sillte kjo mundësi.
SHPREHU QARTË
Ki parasysh se ajo që the dhe ajo që mendojnë prindërit se the, mund të mos jenë e njëjta gjë.
PËR SHEMBULL
Prindërit mund të të pyesin pse nuk je në humor. Ti thua: «Nuk dua të flas për këtë.»
Por, prindërit e kuptojnë: «Nuk kam shumë besim te ju. Do të flas me shokët për këtë problem, por jo me ju.»
Imagjino sikur ke një problem dhe prindërit janë gati të të ndihmojnë. Por ti u thua: «Mos u mërzitni. E zgjidh vetë.»
Si mund ta marrin prindërit?
Si mund t’u përgjigjeshe më mirë?