PIKËPAMJA E BIBLËS
TOKA
Cili është qëllimi i Perëndisë për tokën?
«Kështu thotë Jehovai, . . . Formuesi i tokës . . . që nuk e krijoi më kot, por e formoi që të banohej.»—Isaia 45:18.
ÇFARË THONË NJERËZIT?
Shumë pohojnë se toka është fryt i rastësisë. Disa fe mësojnë se toka është vend i përkohshëm prove, ku Zoti i sprovon njerëzit që të shohë nëse duhen shpërblyer me jetën e përhershme në qiell ose duhen dënuar në një ferr të zjarrtë.
ÇFARË THOTË BIBLA?
Bibla thotë se «Perëndia krijoi qiejt dhe tokën». (Zanafilla 1:1) Ai i tha çiftit të parë njerëzor: «Jini të frytshëm, shumohuni dhe mbusheni tokën e sundojeni, mbani të nënshtruar . . . çdo krijesë të gjallë që lëviz në tokë.» (Zanafilla 1:28) Vdekjen e përmendi vetëm në rast se nuk do të bindeshin. (Zanafilla 2:17) Ndaj, Zoti kishte si qëllim që toka të ishte shtëpia e përhershme e njerëzimit. Ajo duhej mbushur me njerëz të bindur që do të kujdeseshin për të dhe që do të jetonin në të përgjithmonë.
A do të shkatërrohet toka?
«Ti e vendose tokën mbi themele të forta; ajo nuk do të lëkundet asnjëherë, po, kurrën e kurrës.»—Psalmi 104:5.
ÇFARË THONË NJERËZIT?
Shkencëtarët kanë hedhur disa ide për mënyrën si mund të shkatërrohet toka ose si mund të bëhet e pabanueshme. Ndonjëherë i quajnë rreziqet e mbijetesës, ku përfshihen katastrofat natyrore—rënia e asteroidëve ose e kometave, supervullkanet, vdekja e diellit ose ngrohja globale—dhe katastrofat nga duart e njeriut—lufta nukleare ose bioterrorizmi.
ÇFARË THOTË BIBLA?
Qëllimi i Perëndisë për tokën nuk ka ndryshuar. Në Fjalën e tij thuhet qartë: «Toka qëndron përjetë.» (Eklisiastiu 1:4) Për më tepër, ajo do të banohet gjithmonë: «Të drejtët do të trashëgojnë tokën dhe do të banojnë përgjithmonë në të.»—Psalmi 37:29.
PSE KA RËNDËSI?
Disa i kanë plaçkitur burimet e çmuara të tokës ngaqë besojnë se një ditë do të shkatërrohet. Ndaj disa të tjerë nuk kanë më shpresë për të ardhmen dhe jetojnë vetëm për të sotmen. Kjo çon në një jetë pa shumë kuptim a qëllim. Ama, nëse besojmë se mund të jetojmë përgjithmonë në tokë, ka më shumë të ngjarë të marrim vendime që do të na sjellin dobi neve dhe familjeve tona sot, por edhe në të ardhmen e largët.
A është qielli vendmbërritja përfundimtare e njerëzimit?
«Qiejt janë të Jehovait, kurse tokën ua ka dhënë bijve të njerëzve.»—Psalmi 115:16.
ÇFARË THONË NJERËZIT?
Shumë veta besojnë se të gjithë njerëzit e mirë shkojnë në qiell.
ÇFARË THOTË BIBLA?
Qielli i përket Perëndisë, kurse toka është për njerëzit. Bibla flet për «tokën e banuar që do të vijë». (Hebrenjve 2:5) Jezui ishte njeriu i parë që u ngjit në qiell, dhe Bibla tregon se në qiell do të shkojë një grup i vogël i zgjedhur për një qëllim specifik. Ata «do të mbretërojnë mbi tokën» përkrah Jezuit.—Zbulesa 5:9, 10; Luka 12:32; Gjoni 3:13.
PSE KA RËNDËSI?
Besimi se të gjithë njerëzit e mirë shkojnë në qiell nuk përputhet me çfarë mëson vërtet Bibla. Nëse Zoti do t’i merrte të gjithë njerëzit e mirë në qiell, kjo do të nënkuptonte se nuk arriti ta realizonte qëllimin fillestar për tokën dhe se premtimet e tij për jetën e përhershme në tokë nuk janë të vërteta. Por, Fjala e Perëndisë premton: «Shpreso te Jehovai dhe ndiq udhët e tij, e ai do të të lartësojë dhe ti do të trashëgosh tokën.»—Psalmi 37:34.