TREGIMI 36
Viçi i artë
OBOBO! Çfarë po bëjnë njerëzit tani? Ata po këndojnë e po kërcejnë përqark një viçi, po e adhurojnë atë! Pse po veprojnë kështu?
Meqenëse Moisiu qëndron lart në mal për një kohë të gjatë, njerëzit thonë: ‘Nuk e dimë çfarë i ka ndodhur Moisiut. Prandaj, le të bëjmë një perëndi që të na udhëheqë për të dalë nga ky vend.’
‘Mirë,—thotë Aaroni, vëllai i Moisiut.—Hiqini vathët prej ari që keni dhe sillini tek unë.’ Kur njerëzit i sjellin, Aaroni i shkrin vathët dhe bën një viç të artë. Njerëzit thonë: ‘Ky është Perëndia ynë, që na nxori nga Egjipti!’ Pastaj izraelitët bëjnë një festë të madhe dhe adhurojnë viçin e artë.
Kur Jehovai e sheh këtë, zemërohet shumë. Prandaj i thotë Moisiut: ‘Zbrit shpejt! Njerëzit po veprojnë shumë keq. I kanë harruar ligjet e mia dhe po përkulen para një viçi të artë.’
Moisiu zbret shpejt nga mali. Kur afrohet, ja se çfarë shikon. Njerëzit po këndojnë dhe po kërcejnë përqark viçit të artë! Moisiu zemërohet aq shumë, sa i hedh përtokë të dy pllakat e gurit që kishin ligjet e ato bëhen copë-copë. Pastaj, merr viçin e artë, e shkrin dhe e kthen në pluhur.
Njerëzit kanë bërë një gjë shumë të keqe. Prandaj, Moisiu u thotë disa burrave që të marrin shpatat e tyre. ‘Njerëzit e këqij që kanë adhuruar viçin e artë duhet të vdesin’,—thotë Moisiu. Kështu burrat vrasin 3.000 njerëz! A nuk tregon kjo se duhet të tregojmë kujdes që të adhurojmë vetëm Jehovain dhe asnjë perëndi të rremë?