Kapitulli 5
Liria që gëzojnë adhuruesit e Jehovait
1, 2. (a) Çfarë lirie i dha Perëndia çiftit të parë njerëzor? (b) Përmend disa nga ligjet që qeverisnin veprimtarinë e tyre.
KUR Jehovai krijoi çiftin e parë njerëzor, u dha atyre të gëzonin një liri shumë më të lartë se ajo që njerëzit mund të kenë sot. Banesa e tyre ishte Parajsa. Asnjë sëmundje nuk ua hiqte atyre gëzimin e jetës. Ata nuk i priste vdekja. Por, respektimi i ligjeve të Perëndisë ishte një faktor i rëndësishëm që ata të vazhdonin të kishin atë liri.
2 Disa nga ato ligje nuk ishin shkruar, por Adami dhe Eva ishin krijuar në mënyrë të tillë që t’u bindeshin në mënyrë të natyrshme. Për shembull, oreksi sinjalizonte nevojën për të ngrënë; etja, nevojën për të pirë. Perëndimi i diellit i shtynte ata që të plotësonin nevojën për pushim dhe gjumë. Gjithashtu, Jehovai u foli atyre dhe u dha punë për të kryer. Në fakt, ajo detyrë përbënte një ligj, sepse do të rregullonte mënyrën e tyre të të jetuarit. Dhe çfarë ligji dashamirës dhe i dobishëm që ishte! Ai u jepte atyre një punë më se të kënaqshme që do t’u lejonte të shfrytëzonin plotësisht aftësitë e tyre në mënyra të dobishme. Duhej të lindnin fëmijë, të ushtronin sundim mbi jetën shtazore të tokës dhe të shtrinin kufijtë e Parajsës gradualisht derisa të mbulohej e tërë toka. (Zan. 1:28; 2:15) Perëndia nuk i ngarkoi me hollësira të panevojshme. U la atyre një hapësirë të gjerë vetëgjykuese për të marrë vendime. Ç’gjë më shumë mund të kërkonin?
3. Çfarë do ta ndihmonte Adamin për të përdorur me mençuri lirinë e tij për të marrë vendime?
3 Natyrisht, kur Adamit iu dha privilegji për të marrë vendime, kjo nuk nënkuptonte se çdo lloj vendimi që do të merrte do të prodhonte rezultate të mira. Liria e tij për të marrë vendime sillte përgjegjësi. Ai mund të mësonte duke dëgjuar Atin e tij qiellor e duke vërejtur veprat e Tij dhe Perëndia e kishte pajisur Adamin me një inteligjencë të tillë që do t’i lejonte të vinte në praktikë atë që mësonte. Meqë u krijua «ngjashëm Perëndisë», prirja natyrore e Adamit do të ishte pasqyrimi i cilësive të Perëndisë në marrjen e vendimeve. Patjetër do të vepronte kështu nëse do të vlerësonte me të vërtetë atë që Perëndia kishte bërë për të dhe nëse do të dëshironte t’i pëlqente Perëndisë.—Zan. 1:26, 27; krahaso Gjoni 8:29.
4. (a) Urdhri kufizues që iu dha Adamit, a e privonte atë nga liria? (b) Përse ishte një kërkesë e përshtatshme?
4 Për t’i kujtuar njeriut se varej nga Krijuesi dhe Dhënësi i tij i jetës, Jehovai i dha këtë urdhër: «Nga çdo pemë e kopshtit mund të hash, sa të ngopesh. Por, sa për pemën e njohjes të së mirës dhe të së keqes nuk duhet të hash nga ajo, sepse ditën që do të hash prej saj, me siguri do të vdesësh.» (Zan. 2:16, 17) Ky ligj, a e privonte vallë njeriun nga liria? Sigurisht që jo. Adami ishte i lirë të bindej ose të mos bindej. Ajo ndalesë nuk ishte aspak e rëndë. Ai kishte ushqim me bollëk, pa iu dashur të prekte atë pemë të vetme. Por ishte më se e përshtatshme që të njihte se toka në të cilën jetonte i takonte Perëndisë dhe se, duke qenë Krijuesi, Perëndia ishte Sovrani i ligjshëm i krijesës së tij.—Psal. 24:1, 10.
5. (a) Si e humbën Adami dhe Eva lirinë e tyre të shkëlqyer? (b) Me çfarë u zëvendësua dhe si ka ndikuar tek ne?
5 Por çfarë ndodhi? Një engjëll, i shtyrë nga ambicia egoiste, e mashtroi Evën duke u shtirur si një udhëheqje e vërtetë dhe duke i dhënë garanci për diçka që shkonte kundër vullnetit të Perëndisë. Në vend që t’i bindej Atit të tij, Adami u bashkua me Evën në shkelje. Duke marrë diçka që nuk u përkiste, Adami dhe Eva humbën lirinë e mrekullueshme që kishin. Mëkati filloi të sundojë dhe ashtu si Perëndia i kishte paralajmëruar, tani i priste vdekja në mënyrë të pashmangshme. Si rezultat, çfarë trashëgimie u transmetuan trashëgimtarëve të tyre? Mëkatin, i dukshëm në prirjen e lindur për të bërë keq, në dobësinë që të bën objekt sëmundjesh dhe në rënien e shkaktuar nga pleqëria. Gjithashtu vdekjen. Prirja e trashëguar për të bërë keq, e rënduar nga ndikimi satanik, ka prodhuar një shoqëri në të cilën jeta është bërë e pasigurt për të gjithë. Çfarë kontrasti me lirinë që Perëndia i dha njeriut në fillim!—Rom. 5:12; Jobi 14:1; Zbul. 12:9.
Ku mund të gjendet liria
6. (a) Ku mund të gjendet liria e vërtetë? (b) Mbi çfarë lloj lirie foli Jezui në Gjonin 8:31, 32?
6 Duke parë kushtet e sotme, nuk të habit fakti që njerëzit dëshirojnë një liri më të madhe se ajo që kanë. Por, ku mund të gjendet liria e vërtetë? Jezu Krishti tha: «Nëse qëndroni në fjalën time, jeni me të vërtetë dishepujt e mi, do të njihni të vërtetën dhe e vërteta do t’ju lirojë.» (Gjoni 8:31, 32) Kjo nuk është një liri e kufizuar, si ajo që njerëzit kërkojnë të gjejnë, duke zëvendësuar një udhëheqës politik apo një lloj qeverie me një tjetër. Është diçka që shkon drejtpërdrejt në rrënjë të problemeve të njerëzve. Ajo për të cilën fliste Jezui ishte liria nga mëkati, nga skllavëria e mëkatit. (Shiko Gjoni 8:24, 34-36.) Kështu, nëse një person bëhet një dishepull i vërtetë i Jezu Krishtit, kjo përcakton një ndryshim të dukshëm në jetën e tij, një liri.
7. (a) Pra, në çfarë kuptimi mund të jemi të lirë tani nga mëkati? (b) Çfarë duhet të bëjmë për të pasur këtë liri?
7 Kjo nuk do të thotë se aktualisht të krishterët e vërtetë nuk i ndiejnë më ndikimet e prirjes së tyre të lindur për të mëkatuar. Përkundrazi, ajo prodhon tek ata një luftë. (Rom. 7:21-25) Por, nëse një person jeton me të vërtetë në harmoni me mësimet e Jezuit, nuk do të jetë kurrë një skllav i mjerë i mëkatit. Për të, mëkati nuk do të jetë më si një mbret që jep urdhra dhe ai t’u bindet. Nuk do të jetë më skllav i një mënyre të jetuari pa qëllim dhe që të lë me një ndërgjegje të shqetësuar. Do të gëzojë një ndërgjegje të pastër para Perëndisë, sepse mëkatet e kaluara do të jenë falur në bazë të besimit në sakrificën e Krishtit. Prirjet mëkatare do të përpiqen të fitojnë, por kur ai refuzon që ato të dalin mbi të, sepse kujton mësimet e shëndosha të Krishtit, do të tregojë se mëkati nuk është sunduesi i tij.—Rom. 6:12-17.
8. (a) Çfarë lirie të mëtejshme na jep krishterimi i vërtetë? (b) Si duhet të ndikojë kjo mbi mënyrën se si i konsiderojmë qeveritarët e sotëm?
8 Si të krishterë, ne gëzojmë një liri të madhe. Jemi liruar nga ndikimi i mësimeve të rreme dhe nga skllavëria e besëkotësisë dhe e mëkatit. Të vërtetat e mrekullueshme mbi gjendjen e të vdekurve dhe ringjalljen na kanë liruar nga frika e tmerrshme e vdekjes së dhunshme që i shtyn njerëzit të shtypin ndërgjegjen e tyre. Dijenia se qeveritë e papërsosura njerëzore do të zëvendësohen nga Mbretëria e drejtë e Perëndisë, na liron nga dëshpërimi. Por, kjo liri nuk justifikon përçmimin e ligjit apo mosrespektimin e funksionarëve të qeverisë, me justifikimin se sistemi i vjetër do të zhduket.—1. Pjetr. 2:16, 17; Titit 3:1, 2.
9. (a) Si na ndihmon dashamirësisht Jehovai që të gëzojmë lirinë më të madhe të mundur tani për njerëzit? (b) Në marrjen e vendimeve, si mund të tregojmë se i kemi kuptuar qartë pasojat e abuzimit që i bëri Adami lirisë së tij?
9 Jehovai nuk ka lënë që të zbulonim me prova dhe gabime se cila ishte mënyra më e mirë për të jetuar. Ai e di se si jemi bërë dhe se çfarë do të na sillte kënaqësi të vërtetë dhe një ndjenjë dinjiteti personal si dhe dobi më të qëndrueshme. Ai njeh gjithashtu, se cila është koha e caktuar prej tij për të plotësuar qëllimin e vet dhe se cilat janë veprimtaritë më të rëndësishme të cilave duhet t’u kushtohemi. Ai gjithashtu di se cilat mendime dhe mënyra veprimi mund të degradojnë një person apo të shkatërrojnë marrëdhëniet me të tjerët, madje duke i penguar që të marrin bekimet e Mbretërisë së Perëndisë. Dashamirësisht ai na informon për këto gjëra me anë të Biblës dhe me anë të organizatës së tij të dukshme. (Gal. 5:19-23; Marku 13:10; krahaso 1. Timoteut 1:12, 13.) Na takon neve që të vendosim çfarë të bëjmë, duke përdorur gjykimin e lirë të dhënë nga Perëndia. Nëse e kemi marrë për zemër atë çka thotë Bibla se si Adami e humbi lirinë që njeriu gëzonte fillimisht, do të marrim vendime të mençura. Do të tregojmë se në jetën tonë më shumë vlen mbajtja e një marrëdhënieje të mirë me Jehovain.
Një lloj tjetër lirie
10. Çfarë lloj lirie kërkojnë disa që pohojnë se janë të krishterë?
10 Ndonjëherë, disa të rinj të rritur si Dëshmitarë të Jehovait, si edhe të tjerë jo dhe aq të rinj, fillojnë të ndiejnë se ata duan një lloj tjetër lirie. Bota mund të duket tërheqëse dhe sa më shumë mendojnë rreth saj, aq më e madhe bëhet dëshira e tyre për të bërë gjërat që bëjnë njerëzit e botës. Ndoshta nuk kanë për qëllim që të jepen pas drogës, pijes apo të bëjnë kurvëri. Por fillojnë të harxhojnë kohë pas mbarimit të shkollës apo pas punës me shoqëri nga bota. Natyrisht, do të dëshironin të pranoheshin prej kësaj shoqërie të re, kështu që fillojnë të imitojnë të folurit dhe sjelljen e saj.—3. Gjonit 11.
11. Nga vjen ndonjëherë joshja për të vepruar kështu?
11 Ndonjëherë, ftesa për të ndjekur një sjellje botërore vjen nga një person tjetër që pohon se i shërben Jehovait. Kjo ndodhi në Eden, kur Satanai joshi Evën dhe kur Eva nxiti Adamin që ta ndiqte. Kjo gjithashtu ndodhte në mes të të krishterëve të parë dhe e njëjta gjë ndodh edhe sot. Këta persona shkojnë në kërkim të emocioneve dhe dëshirojnë gjëra që të japin kënaqësi të forta. Inkurajojnë të tjerë «të zbaviten». Ata «u premtojnë liri, ndërsa janë vetë skllevër të korruptimit».—2. Pjetr. 2:18, 19.
12. (a) Cilat janë përfundimet e trishtuara të një sjelljeje nga bota? (b) Derisa ata që i kryejnë këto e dinë përfundimin, përse ngulmojnë të bëjnë gjëra të tilla?
12 Frytet nuk janë të pëlqyeshme. Marrëdhëniet e paligjshme seksuale provokojnë shqetësime emocionale. Mund të çojnë gjithashtu drejt sëmundjeve, shtatzënive të padëshirueshme dhe ndoshta mund të shkatërrojnë një martesë. (Prov. 6:32-35; 1. Kor. 6:18; 1. Sel. 4:3-8) Abuzimi i drogës mund të prodhojë acarime, të folur pa kuptim, shikim të mjegulluar, marrje mendsh, shqetësime në frymëmarrje, halucinacione dhe vdekje. (Krahaso Proverbat 23:29-35.) Kjo mund të përfundojë me një prirje ndaj saj, e cila mund të çojë në kryerjen e krimeve për të siguruar plotësimin e këtij zakoni. Zakonisht, ata që marrin një rrugë të tillë e dinë se cili mund të jetë përfundimi. Por dëshira e fortë për emocione dhe kënaqësi ndjesore u mbyll atyre mendjen në lidhje me pasojat. Mendojnë se kjo është liria dhe e kuptojnë kur është tepër vonë, se janë skllevër të mëkatit. Dhe çfarë sundimtari mizor që është mëkati! Arsyetimi mbi këto gjëra tani mund të na ndihmojë që të mbrohemi nga një përvojë e tillë.—Gal. 6:7, 8.
Ku fillojnë problemet
13. (a) Si lindin shpesh dëshirat që shkaktojnë këto probleme? (b) Për të kuptuar se cilat janë «shoqëritë e këqija», për pikëpamjen e kujt kemi nevojë? (c) Për t’iu përgjigjur pyetjeve në fund të paragrafit, nxirr në pah pikëpamjen e Jehovait. Shqyrtoji pyetjet një nga një.
13 Ndalu dhe mendo për një çast se ku fillojnë problemet. Bibla shpjegon: «Por secili tundohet nga lakmimi i vet, i prirur dhe i ngashnjyer. Lakmimi mandej i mbarsur, lind mëkatin, dhe mëkati, si të kryhet, lind vdekjen.» (Jak. 1:14, 15, DSF) Por, çfarë e shkakton lindjen e këtyre dëshirave? Ajo që futet në mendje, shpesh si pasojë e shoqërisë me persona që nuk aplikojnë parimet biblike. Natyrisht të gjithë e dimë se duhet të shmangim «shoqëritë e këqija». Por pyetja është, se cilat janë shoqëritë e këqija? Çfarë mendon Jehovai? Arsyetimi mbi pyetjet dhe shkrimet vijuese do të na ndihmojë të nxjerrim përfundime të drejta.
Fakti se disa duken njerëz të mirë, a është një provë se janë një shoqëri e mirë? (Krahaso Zanafilla 34:1, 2, 18, 19.)
Bisedat dhe shakatë e tyre, a mund të na tregojnë se përbëjnë një shoqëri të ngushtë për ne? (Efes. 5:3, 4)
A kemi ndonjë arsye për t’u shqetësuar nëse ata nuk besojnë të njëjtat gjëra si ne në lidhje me qëllimin e Perëndisë? (Krahaso 1. Korintasve 15:12, 32, 33.)
Si do të ndihej Jehovai nëse ne do të zgjidhnim një shoqëri me njerëz që nuk e duan atë? (Krahaso 2. Kronikat 19:1, 2.)
Megjithëse mund të punojmë apo të shkojmë në shkollë me jobesimtarë, si mund të tregojmë se nuk i zgjedhim ata si shokë? (1. Pjetr. 4:3, 4)
Shikimi i televizorit dhe leximi i librave, revistave dhe gazetave janë gjithashtu mënyra për të qenë në shoqëri me të tjerët. Prej cilave materiale të trajtuara nga këto burime kemi veçanërisht nevojë të ruhemi sot? (Prov. 3:31; Isa. 8:19; Efes. 4:17-19)
Shoqëria që zgjedhim, çfarë i zbulon Jehovait mbi llojin e personave që jemi? (Psal. 26:1, 4, 5; 97:10)
14. Çfarë lirie e madhe është ruajtur për ata që zbatojnë tani me besnikëri këshillat e Fjalës së Perëndisë?
14 Ndodhemi në prag të rregullit të ri të Perëndisë. Me anë të Mbretërisë së Tij njerëzimi do të lirohet nga skllavëria e ndikimit të Satanait dhe nga tërë sistemi i tij i lig i gjërave. Gradualisht, të gjitha efektet e mëkatit do të largohen nga njerëzimi. Jeta e përhershme në Parajsë do të hapet para tyre. I gjithë krijimi do të gëzojë atë liri që është në harmoni të plotë me «frymën e Jehovait». (2. Kor. 3:17) A do të ishte e logjikshme të rrezikonim të gjitha këto, duke mos i kushtuar rëndësi të madhe këshillave të Fjalës së Perëndisë tani? Le të tregojë qartë mënyra se si e ushtrojmë sot lirinë tonë të krishterë, se ajo që në të vërtetë duam është «liria e lavdishme e bijve të Perëndisë».—Rom. 8:21.
Pyetje për përsëritje
● Çfarë lirie gëzonte çifti i parë njerëzor? Si mund të krahasohet me situatën e njerëzimit sot?
● Në ndryshim me botën, çfarë lirie kanë të krishterët e vërtetë? Çfarë e bën të mundur këtë?
● Çfarë çmimi paguajnë ata që kërkojnë lirinë që ka bota?
● Përse është kaq e rëndësishme të shmangim «shoqëritë e këqija»? Ndryshe nga Adami, vendimet e kujt duhet të pranojmë në lidhje me atë që është e keqe?