Çfarë shprese ka për të vdekurit?
«Në qoftë se njeriu vdes, a mund të kthehet përseri në jetë?» pyeti njeriu me emrin Job shumë kohë më parë. (Jobi 14:14) Ndoshta edhe ti e ke bërë këtë pyetje. Çfarë do të ndieje nëse do të dije se mund të bashkohesh me të dashurit e tu pikërisht këtu në tokë, në kushte më të mira.?
E po mirë, Bibla premton: «Të vdekurit e tu do të rijetojnë. . . . Zgjohuni». Dhe thotë gjithashtu: «Të drejtët do të trashëgojnë tokën dhe do të banojnë gjithnjë mbi të.»—Isaia 26:19; Psalmi 37:29.
Për të ushqyer besim të vërtetë në këto premtime, duhet t’u përgjigjemi disa pyetjeve themelore: Përse vdesim? Ku ndodhen të vdekurit? Dhe si mund të jemi të sigurt që do të jetojnë përsëri?
Vdekja dhe ajo që ndodh kur vdesim
Bibla tregon qartë se Perëndia në fillim nuk kishte ndër mend që njerëzit të vdisnin. Ai krijoi çiftin e parë njerëzor, Adamin dhe Evën, i vuri në një parajsë tokësore të quajtur Eden dhe u tha atyre të kishin fëmijë dhe ta shtrinin banesën parajsore në të gjithë tokën. Do të vdisnin vetëm po të mos i bindndeshin udhëzimeve të tij.—Zanafilla 1:28; 2:15-17.
Duke mos treguar çmueshmëri për dashamirësinë e Perëndisë, Adami dhe Eva u treguan të padëgjueshëm dhe duhej të prisnin pasojat. «Do të kthehesh në dheun» . . . prej të cilit je marrë,—i tha Perëndia Adamit.—Sepse pluhur je dhe në pluhur do të kthehesh.» (Zanafilla 3:19, BR) Para se të krijohej, Adami nuk ekzistonte, ishte pluhur. Dhe nga mosbindja e tij, ose mëkati, Adami u dënua të kthehej në pluhur, në një gjendje joekzistueshmërie.
Pra, vdekja është mungesa e jetës. Bibla bën këtë kontrast: «Sepse paga e mëkatit është vdekja, por dhuntia e Perëndisë është jeta e përhershme.» (Romakëve 6:23) Duke treguar se vdekja është gjendje e një pavetëdije të plotë, Bila thotë: «Të gjallët në fakt e dinë se kanë për të vdekur, por të vdekurit nuk dinë asgjë.» (Predikuesit 9:5) Bibla shpjegon se kur një person vdes «fryma e tij ikën, ai kthehet përseri në tokë dhe po atë ditë planet e tij zhduken».—Psalmi 146:3, 4.
Por, pasi që vetëm Adami dhe Eva nuk iu bindën atij urdhërimi në Eden, përse vdesim të gjithë? Sepse të gjithë kemi lindur pas mosbindjes së Adamit dhe për këtë të gjithë kemi trashëguar prej tij mëkatin dhe vdekjen. Në fakt, Bibla shpjegon: «Me anë të një njeriu [Adamit] mëkati hyri në botë, dhe me anë të mëkatit vdekja, po ashtu vdekja u shtri tek të gjithë njerëzit.»—Romakëve 5:12; Jobi 14:4.
Megjithatë, dikush mund të pyesë: «A nuk ka tek ne një shpirt të pavdekshëm që mbijeton pas vdekjes?» Shumë e kanë mësuar këtë, madje kanë arritur të thonë se vdekja nuk është gjë tjetër, veçse kalimi në një jetë tjetër. Por ky koncept nuk është marrë nga Bibla. Përkundrazi, Fjala e Perëndisë mëson se ti je shpirti, që shpirti yt je ti, me të gjitha aftësitë e tua fizike dhe mendore. (Zanafilla 2:7; Jeremia 2:34; Proverbat 2:10) Më tej Bibla thotë: «Shpirti që mëkaton ka për të vdekur.» (Ezekieli 18:4) Bibla nuk mëson aspak se njeriu ka një shpirt të pavdekshëm që jeton pas vdekjes së trupit.
Si është e mundur që njerëzit të kthehen në jetë?
Pasi mëkati dhe vdekja hynë në botë, Perëndia zbuloi se qëllimi i tij ishte që të vdekurit të ktheheshin në jetë nëpërmjet një ringjalljeje. Në fakt, Bibla shpjegon: «Abrahami mendonte [në lidhje me birin e tij Isakun] se Perëndia ishte i fuqishëm sa ta ringjallte edhe prej së vdekurish.» (Hebrenjve 11:19) Besimi i Abrahamit nuk mori përgjigje të keqe, sepse Bibla thotë mbi të Plotfuqishmin: «Ai nuk është Perëndia i të vdekurve, por i të gjallëve, sepse për të të gjithë janë të gjallë.»—Luka 20:37, 38, BR.
Po, Perëndia i Plotfuqishëm, nuk ka vetëm fuqinë, por edhe dëshirën për të ringjallur personat që ai do. Vetë Jezu Krishti tha: «Mos u mrekulloni për këtë, sepse po vjen ora kur të gjithë ata që janë në varre do ta dëgjojnë zërin e tij dhe do të dalin prej tyre».—Gjoni 5:28, 29; Veprat 24:15.
Pak kohë pasi tha këtë, Jezui hasi një kortezh të përmortshëm që dilte nga qyteti izraelit i Nainit. I riu që kishte vdekur ishte biri i vetëm i një vejushe. Duke parë dëshpërimin e gruas, Jezui u pikëllua. Prandaj, duke iu drejtuar kufomës urdhëroi: «Djalosh, unë të them, çohu!» Atëherë djaloshi u ngrit dhe Jezui ia dha nënës së vet.—Luka 7:11-17.
Ashtu si në rastin e kësaj vejushe, qe një ekstazë e madhe edhe kur Jezui shkoi për tek shtëpia e Jairit, kryetarit të sinagogës. Bija e tij dymbëdhjetë vjeçare kishte vdekur. Por, sapo mbërriti në shtëpinë e Jairit, Jezui iu afrua vajzës së vdekur e tha: «Vajzë, çohu!» Dhe ajo u çua!—Luka 8:40-56.
Më vonë vdiq Lazri, mik i Jezuit. Kur Jezui shkoi në shtëpinë e tij, Lazri kishte vdekur që prej katër ditësh. Motra e tij Marta, edhe pse thellësisht e hidhëruar tregoi se shpresonte duke thënë: «E di se do të ringjallet, në ditën e fundit.» Por Jezui shkoi tek varri, urdhëroi që të hiqej guri dhe thirri: «Lazër, dil jashtë!» Dhe ai doli jashtë!—Gjoni 11:11-44, BR.
Tani, mendo pak: Cila ishte gjendja e Lazrit në ato katër ditë gjatë të cilave ishte i vdekur? Lazri nuk tha se kishte qenë në një qiell të lumtur apo në një ferr torturash, gjë që sigurisht do ta bënte nëse do të kishte qenë. Jo, Lazri ishte plotësisht i pavetëdijshëm në vdekje dhe do të mbetej i tillë deri në «ringjallje, në ditën e fundit» nëse Jezui nuk do ta sillte në jetë.
Është e vërtetë që mrekullitë e Jezuit dhanë vetëm rezultate të përkohshme, pasi ata që ringjalli vdiqën përsëri. Megjithatë, 1.900 vjet më parë, ai dha prova se me fuqinë e Perëndisë është me të vërtetë e mundur që të vdekurit të kthehen në jetë! Pra, me mrekullitë e tij, Jezui tregoi në një shkallë të vogël atë që do të ndodhë mbi tokë nën Mbretërinë e Perëndisë.
Kur të vdes një person i dashur
Kur vdekja—kjo armike—godet, dhimbja mund të jetë e madhe, edhe pse shpresohet në ringjallje. Abrahami kishte besim që gruaja e tij do të kthehej në jetë, e megjithatë lexojmë se «Abrahami hyri për të vajtuar Sarën dhe për ta qarë». (Zanafilla 23:2, BR) E ç’mund të themi mbi Jezuin? Kur Lazri vdiq, Jezui «psherëtiu në frymë dhe u trondit», e pas pak «qau». (Gjoni 11:33, 35) Prandaj, kur vdes një person i dashur, të qash nuk është shenjë dobësie.
Për një nënë, mund të jetë veçanërisht e vështirë të durojë vdekjen e një fëmije. Në fakt, Bibla e njeh dhimbjen e thellë që mund të provojë një nënë. (2. Mbretërit 4:27) Natyrisht është një dhimbje edhe për babain. «Oh, të kisha vdekur unë, unë vetë, në vendin tënd»,—vajtoi mbreti David kur vdiq biri i tij Absalomi.—2. Samueli 18:33, BR.
Megjithatë, duke pasur besim në ringjalljen, dhimbja jote nuk do të jetë e pangushëllueshme. Siç thotë Bibla, ‘mos u trishtoni siç bëjnë edhe të tjerët që nuk kanë shpresë’. (1. Selanikasve 4:13, BR) Për më tepër, afroju Perëndisë në lutje dhe Bibla premton se ‘ai vetë do të të mbështesë’.—Psalmi 55:22, BR.