Lindësh përsëri (Të)
Përkufizimi: Të lindësh përsëri përfshin të pagëzohesh në ujë (‘të lindësh nga uji’) dhe ‘të lindësh nga fryma’ (e Perëndisë), duke u bërë në këtë mënyrë një bir i Perëndisë, me perspektivën për të pasur një pjesë në Mbretërinë e Perëndisë. (Gjoni 3:3-5) Jezui ka pasur një përvojë të tillë, si dhe 144.000 personat që janë bashkëtrashëgimtarë me të në Mbretërinë qiellore.
Përse është e nevojshme që një i krishterë ‘të lindë përsëri’?
Perëndia kishte si qëllim që në Mbretërinë qiellore, të kishte edhe një numër të kufizuar njerëzish besnikë, bashkë me Jezu Krishtin
Luka 12:32: «Mos ki frikë, o kope e vogël, sepse Atit tuaj i ka pëlqyer t’ju japë mbretërinë.»
Zbul. 14:1-3: «Unë pashë Qengjin [Jezu Krishtin] që qëndronte në malin e Sionit, dhe bashkë me të ishin njëqind e dyzet e katër mijë . . . të cilët ishin blerë nga toka.» (Shih faqet 312, 313, te tema «Qielli».)
Njerëzit nuk shkojnë në qiell me trupa prej mishi e gjaku
1 Kor. 15:50: «Po ju them këtë, vëllezër, se mishi e gjaku nuk e trashëgojnë dot mbretërinë e Perëndisë, dhe as prishja nuk trashëgon paprishje.»
Gjoni 3:6: «Ajo që lind nga mishi, është mish, kurse ajo që lind nga fryma, është frymë.»
Vetëm ata që kanë ‘lindur përsëri’, duke u bërë bij të Perëndisë, mund të kenë pjesë në Mbretërinë qiellore
Gjoni 1:12, 13: «Të gjithë atyre që e pritën [Jezu Krishtin], u dha autoritet të bëheshin fëmijë të Perëndisë, sepse po tregonin besim në emrin e tij. Ata nuk lindën nga gjaku, as nga ndonjë vullnet mishor a nga vullneti i njeriut, por nga Perëndia.» («Të gjithë atyre që e pritën» nuk do të thotë të gjithë njerëzve që treguan besim të Krishti. Si tregon Gjo 1 vargu 11, këtu flitet për «të vetët», judenjtë. Edhe disa të tjerëve u është dhënë i njëjti privilegj, por, gjithsesi, vetëm një ‘kopeje të vogël’.)
Rom. 8:16, 17: «Fryma e Perëndisë jep dëshmi bashkë me frymën tonë, se jemi fëmijë të Perëndisë. Prandaj, nëse jemi fëmijë, jemi edhe trashëgimtarë: vërtet trashëgimtarë të Perëndisë, si edhe bashkëtrashëgimtarë me Krishtin, me kusht që të vuajmë bashkë me të, që edhe të na jepet lavdi bashkë me të.»
1 Pjet. 1:3, 4: «Bekuar qoftë Perëndia dhe Ati i Zotërisë tonë Jezu Krisht, sepse në përputhje me mëshirën e tij të madhe, na dha një lindje të re për një shpresë të gjallë nëpërmjet ringjalljes së Jezu Krishtit nga të vdekurit, për një trashëgimi të paprishshme, të pandotur dhe që s’venitet. Ajo është rezervuar në qiej për ju.»
Ç’do të bëjnë në qiell ata?
Zbul. 20:6: «Ata do të jenë priftërinj të Perëndisë e të Krishtit, dhe do të mbretërojnë me të për një mijë vjet.»
1 Kor. 6:2: «Nuk e dini se të shenjtët do të gjykojnë botën?»
A mund të shpëtojë dikush që nuk ka ‘lindur përsëri’?
Zbul. 7:9, 10, 17: «Pas këtyre gjërave [pasi apostulli Gjon dëgjoi numrin e atyre që do të ‘lindnin përsëri’, që do të përbënin Izraelin frymor dhe që do të ishin në qiell me Krishtin; krahaso Romakëve 2:28, 29 dhe Galatasve 3:26-29], pashë të qëndronte para fronit dhe para Qengjit një shumicë të madhe nga të gjitha kombet, fiset, popujt dhe gjuhët, të cilën askush nuk ishte në gjendje ta numëronte. Ata ishin veshur me petka të bardha të gjata dhe kishin në duar degë palmash. Ata thërrasin me zë të fortë: ‘Shpëtimin ia detyrojmë Perëndisë tonë, i cili rri ulur në fron, dhe Qengjit.’ . . . ‘Qengji [Jezu Krishti] që është afër fronit, do t’i kullotë dhe do t’i drejtojë për te burimet e ujërave të jetës.’»
Pasi na paraqet një listë të individëve me besim të kohës para krishterimit, Hebrenjve 11:39, 40 thotë: «E megjithatë, edhe pse për ta ishte dhënë dëshmi nëpërmjet besimit të tyre, të gjithë ata nuk e morën përmbushjen e premtimit, sepse Perëndia parapa diçka më të mirë për ne, që ata të mos bëheshin të përsosur pa ne.» (Cilët përfshin fjala «ne» në këtë varg? Hebrenjve 3:1 tregon se ata janë «pjesëmarrës të thirrjes qiellore». Në këtë mënyrë, individët me besim të kohës para krishterimit duhet të kenë shpresën e jetës së përsosur diku tjetër, dhe jo në qiell.)
Psal. 37:29: «Të drejtët do të trashëgojnë tokën dhe do të banojnë përgjithmonë në të.»
Zbul. 21:3, 4: «Ja, tenda e Perëndisë është me njerëzit. Ai do të banojë me ta, e ata do të jenë populli i tij. Po, vetë Perëndia do të jetë me ta. Ai do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre. Nuk do të ketë më vdekje. As vajtim, as klithmë, as dhembje nuk do të ketë më. Gjërat e mëparshme shkuan.»
A është e mundur që dikush të ketë frymën e Perëndisë, e megjithatë të mos ketë ‘lindur përsëri’?
Engjëlli i Jehovait tha për Gjon Pagëzorin: «Do të jetë i mbushur me frymë të shenjtë që në bark të nënës.» (Luka 1:15) Më vonë Jezui tha: «Ndër ata që kanë lindur nga gratë, s’ka dalë asnjë më i madh se Gjon Pagëzori, e megjithatë më i vogli në mbretërinë e qiejve është më i madh se ai. [Pse? Sepse Gjoni nuk do të jetë në qiell, prandaj ai s’kishte pse ‘të lindte përsëri’.] Që nga ditët e Gjon Pagëzorit e deri tani [kur Jezui i tha këto fjalë], mbretëria e qiejve është synimi drejt të cilit njerëzit nxitojnë me ngulm.»—Mat. 11:11, 12.
Fryma e Jehovait «vepronte» te Davidi dhe «foli» nëpërmjet tij (1 Sam. 16:13; 2 Sam. 23:2), por Bibla nuk thotë gjëkundi që ai ‘lindi përsëri’. Davidi s’kishte pse ‘të lindte përsëri’, sepse, si thuhet te Veprat 2:34, «Davidi në të vërtetë nuk u ngjit në qiej».
Çfarë i identifikon sot njerëzit që kanë frymën e Perëndisë?
Shih faqet 145, 146, te tema «Fryma».
Nëse dikush thotë:
‘Unë kam lindur përsëri’
Mund të përgjigjesh: ‘Kjo do të thotë se ju prisni që një ditë të jeni me Krishtin në qiell, apo jo? . . . A keni menduar ndonjëherë se çfarë do të bëjnë në qiell njerëzit që do të shkojnë atje?’ Pastaj mund të shtosh: (1) ‘Ata do të jenë mbretër e priftërinj, dhe do të sundojnë bashkë me Krishtin. (Zbul. 20:6; 5:9, 10) Jezui tha se ata do të ishin vetëm një «kope e vogël». (Luka 12:32)’ (2) ‘Përderisa ka mbretër, duhet të ketë edhe nënshtetas mbi të cilët ata do të sundojnë. Cilët do të jenë nënshtetasit? . . . Ja disa pika që mua m’u dukën shumë interesante kur m’i treguan. (Psal. 37:11, 29; Prov. 2:21, 22)’
‘A keni lindur përsëri ju?’
Mund të përgjigjesh: ‘Me sa kam parë, jo të gjithë njerëzit nënkuptojnë të njëjtën gjë me shprehjen «lind përsëri». A mund të më thoni se çfarë nënkuptoni ju me këtë?’
Ose mund të thuash: ‘A doni të dini nëse e kam pranuar Jezuin si Shpëtimtarin tim dhe nëse kam marrë frymën e shenjtë? Me plot gojën mund t’ju them se po, përndryshe nuk do të isha këtu, duke ju folur për Jezuin.’ Pastaj mund të shtosh: (1) ‘Megjithatë, kur mendoj se ç’do të thotë të kesh frymën e shenjtë, mjerisht kuptoj që te shumë njerëz, të cilët pohojnë se janë të krishterë, mungojnë provat se e kanë këtë frymë. (Gal. 5:22, 23)’ (2) ‘A do t’ju pëlqente të jetonit në këtë tokë, sikur të gjithë të pasqyronin këto cilësi hyjnore? (Psal. 37:10, 11)’
Një mundësi tjetër: ‘Po qe se me këtë pyetje doni të dini nëse e kam pranuar Krishtin si Shpëtimtarin tim, përgjigjja është po. Të gjithë Dëshmitarët e Jehovait e kanë bërë këtë. Gjithsesi, për ne, të lindësh përsëri do të thotë më shumë se kaq.’ Pastaj mund të shtosh: (1) ‘Kur foli për «lindjen përsëri», Jezui tha se kjo ishte e nevojshme për të hyrë në Mbretërinë e Perëndisë, pra, për të qenë pjesë e Mbretërisë së Perëndisë, e qeverisë së tij qiellore. (Gjoni 3:5)’ (2) ‘Gjithashtu, Bibla tregon se shumë njerëz që bëjnë vullnetin e Perëndisë, do të jetojnë këtu në tokë, si nënshtetas të lumtur të asaj Mbretërie. (Mat. 6:10; Psal. 37:29)’
Një sugjerim tjetër: Ata që janë të mirosur, mund të përgjigjen: ‘Po, unë kam lindur përsëri. Sidoqoftë, Bibla na paralajmëron të gjithëve të mos kemi një besim të tepruar te pozita jonë. Kemi nevojë të vazhdojmë të shqyrtojmë veten, që të jemi të sigurt se po bëjmë vërtet atë që Perëndia dhe Krishti kërkojnë nga ne. (1 Kor. 10:12)’ Pastaj mund të shtosh: ‘Çfarë përgjegjësie u ngarkoi Jezui dishepujve të tij të vërtetë? (Mat. 28:19, 20; 1 Kor. 9:16)’