Shpirti
Përkufizimi: Në Bibël, fjala «shpirt» përkthehet nga fjala hebraike néfesh dhe nga fjala greke psihé. Siç përdoret në Bibël, ky term përcakton një person a një kafshë ose jetën e një personi a të një kafshe. Kurse për shumë njerëz, fjala «shpirt» nënkupton pjesën jomateriale ose frymore të qenies njerëzore, që mbijeton pas vdekjes trupit. Të tjerë, me këtë fjalë nënkuptojnë thelbin e jetës. Gjithsesi, këto pikëpamje të fundit nuk gjejnë mbështetje në Bibël.
Si na ndihmon Bibla të kuptojmë se çfarë është shpirti?
Zan. 2:7: «Perëndia Jehova formoi njeriun nga pluhuri i tokës dhe i fryu në vrimat e hundës frymën e jetës, dhe njeriu u bë një shpirt i gjallë.» (Vëreni se nuk thuhet që njeriut iu dha një shpirt, por se ai u bë një shpirt, një qenie e gjallë.) (Termi hebraik që në këtë varg përkthehet «shpirt», është néfesh. Dio dhe DSF e përkthejnë «qenie».)
1 Kor. 15:45: «Madje është shkruar kështu: ‘Njeriu i parë, Adami, u bë një shpirt i gjallë.’ Adami i fundit u bë një frymë jetëdhënëse.» (Pra, Shkrimet e Krishtere Greke pajtohen me Shkrimet Hebraike për sa i përket kuptimit të fjalës «shpirt».) (Fjala greke që këtu përkthehet «shpirt», është fjala psihé në kallëzore. Edhe Dio e DSF e përkthejnë «shpirt».)
1 Pjet. 3:20: «Në ditët e Noesë . . . pak njerëz, domethënë tetë shpirt, shpëtuan nëpërmjet ujit.» (Fjala greke e përkthyer «shpirt» është psihái, shumësi i fjalës psihé. Kristoforidhi e ka përkthyer «shpirte»; Dio dhe DSF e përkthejnë «vetë»; ECM e përkthen «njerëz».)
Zan. 9:5: «Veç kësaj, do të kërkoj llogari për gjakun e shpirtrave [ose «jetëve»; hebraisht, néfesh] tuaj.» (Këtu thuhet se shpirti ka gjak.)
Jos. 11:11: «Ai shkoi në teh të shpatës çdo shpirt [hebraisht, néfesh] që gjendej atje.» (Këtu thuhet se shpirti është diçka që mund të goditet me shpatë. Pra, këta shpirtra nuk mund të kenë qenë frymëra.)
Ku thuhet në Bibël se kafshët janë shpirtra?
Zan. 1:20, 21, 24, 25: «Perëndia vazhdoi të thoshte: ‘Le të gëlojnë ujërat nga një mori me shpirtra* të gjallë. . . .’ Pastaj Perëndia krijonte përbindëshat e mëdhenj të detit dhe çdo shpirt të gjallë që lëviz, nga të cilët gëlonin ujërat, secilin sipas llojit të vet. Krijonte edhe çdo krijesë fluturuese me krahë, secilën sipas llojit të vet. . . . Perëndia vazhdoi të thoshte: ‘Le të dalin nga toka shpirtra të gjallë, sipas llojeve të tyre. . . .’ Perëndia i bëri kafshët e egra të tokës sipas llojit të vet, kafshët e buta sipas llojit të vet dhe çdo kafshë tjetër që lëviz në tokë, sipas llojit të vet.» (*Në hebraisht kjo fjalë është néfesh. Dio dhe DSF e përkthejnë «qenie të gjalla». Kristoforidhi e përkthen ‘gjë e gjallë’, kurse disa versione të tjera përdorin fjalën «krijesë».)
Lev. 24:17, 18: «Ai që vret një njeri [fjalë për fjalë shpirtin (hebraisht, néfesh) e njeriut], do të vritet. Ai që vret një kafshë shtëpiake [fjalë për fjalë shpirtin (hebraisht, néfesh) e një kafshe shtëpiake], do të japë dëmshpërblimin, shpirt për shpirt.» (Vëreni që në hebraisht është përdorur e njëjta fjalë në lidhje me shpirtin, qoftë të njeriut, qoftë të kafshës.)
Zbul. 16:3: «U bë gjak, si gjaku i një të vdekuri. Çdo shpirt* i gjallë vdiq, po, çdo gjë që ishte në det.» (Pra, edhe në Shkrimet e Krishtere Greke tregohet se kafshët janë shpirtra.) (*Në greqisht kjo fjalë është psihé. Dio e ka përkthyer «qenie»; DSF e ka përkthyer «gjallesë».)
A e pranojnë edhe studiues të tjerë, jo Dëshmitarë të Jehovait, se kjo është ajo që mëson Bibla për shpirtin?
«Në B[esëlidhjen] e V[jetër] s’ka dikotomi [ndarje në dy pjesë] të trupit dhe të shpirtit. Izraeliti i shihte gjërat konkretisht, në tërësinë e tyre, prandaj, ai i konsideronte njerëzit si persona, dhe jo si qenie të përbëra. Termi nepeš [néfesh], edhe pse i përkthyer me fjalën tonë shpirt, s’e nënkupton kurrë shpirtin si të ndarë nga trupi apo nga personi. . . . Termi [psihé] është fjala që në B[esëlidhjen] e R[e] korrespondon me nepeš. Ai mund të nënkuptojë thelbin e jetës, jetën vetë ose qenien e gjallë.»—New Catholic Encyclopedia (1967), vëll. XIII, f. 449, 450.
«Termin hebraik për fjalën ‘shpirt’ (néfesh, që merr frymë) e përdori Moisiu. . . . Ky term do të thotë ‘qenie e gjallë’ dhe përdoret edhe për qeniet jonjerëzore. . . . Në Besëlidhjen e Re fjala psihé (‘shpirt’) përdoret në të njëjtin kuptim si fjala nefesh.»—The New Encyclopædia Britannica (1976), Makropedia, vëll. 15, f. 152.
«Besimi se shpirti vazhdon të ekzistojë pas shpërbërjes së trupit, është më shumë një çështje spekulimesh filozofike dhe teologjike, sesa çështje e një besimi të thjeshtë dhe, për pasojë, nuk mësohet në asnjë vend në mënyrë të qartë në Shkrimin e Shenjtë.»—The Jewish Encyclopedia (1910), vëll. VI, f. 564.
A mund të vdesë shpirti i njeriut?
Ezek. 18:4: «Ja, të gjithë shpirtrat janë të mitë. Si shpirti i atit, edhe shpirti i birit janë të mitë. Ai shpirt* që mëkaton, do të vdesë.» (*Në hebraisht «néfesh». Dio e përkthen ‘shpirt’ dhe disa versione të tjera e përkthejnë «njeriu» ose «personi».)
Mat. 10:28: «Mos u frikësoni nga ata që vrasin trupin, por që s’mund të vrasin shpirtin [ose «jetën»], por kini frikë atë që mund të shkatërrojë edhe shpirtin,* edhe trupin në Gehenë.» (*Në greqisht është përdorur rasa kallëzore e fjalës psihé. Dio, DSF, ECM dhe Kris e përkthejnë që të gjithë ‘shpirti’.)
Vep. 3:23: «Çdo shpirt [greqisht, psihé] që nuk e dëgjon atë Profet, do të shfaroset nga populli.»
A është e mundur që shpirti njerëzor (individi) të jetojë përgjithmonë?
Shih faqet 183-187, te tema «Jeta».
A janë e njëjta gjë shpirti dhe fryma?
Ekl. 12:7: «Atëherë, pluhuri kthehet në tokë, aty ku ishte më parë, dhe fryma [ose forca e jetës; hebraisht, rúah] kthehet te Perëndia i vërtetë që e dha.» (Vëreni se fjala hebraike për frymë është rúah, kurse fjala e përkthyer shpirt është néfesh. Ky varg nuk do të thotë se pas vdekjes fryma merr rrugën për të shkuar pranë Perëndisë, përkundrazi, do të thotë që çdo mundësi që një person të jetojë sërish, është në dorë të Perëndisë. Në të njëjtën mënyrë, mund të themi që, nëse blerësi i një prone nuk e bën pagesën e kërkuar, prona «i kthehet» të zotit.) (Dio dhe Kris e përkthejnë fjalën rúah ‘frymë’; ECM e përkthen «fryma e jetës».)
Ekl. 3:19: «Ka një fund, si për bijtë e njerëzve, ashtu edhe për kafshët. Ata kanë të njëjtin fund. Si vdes njëri, ashtu vdes edhe tjetri. Të gjithë kanë vetëm një frymë [hebraisht, rúah].» (Pra, tregohet qartë se si njerëzit, edhe kafshët, kanë të njëjtën rúah ose frymë. Për shpjegime lidhur me vargjet 20, 21, shih faqet 146, 147.)
Hebr. 4:12: «Fjala e Perëndisë është e gjallë dhe ushtron fuqi. Ajo është më e mprehtë se çdo shpatë me dy tehe dhe depërton aq sa ndan shpirtin [greqisht, psihés] dhe frymën [greqisht, pnéumatos], nyjat dhe palcën e tyre dhe është në gjendje të dallojë mendimet dhe qëllimet e zemrës.» (Vëreni se fjala greke për ‘frymë’ nuk është e njëjtë me fjalën që është përdorur për ‘shpirt’.)
A vazhdon jeta e vetëdijshme e njeriut pasi fryma lë trupin?
Psal. 146:4: «Kur fryma [hebraisht, rúah] i del, ai kthehet prapë në dhé. Po atë ditë marrin fund mendimet e tij.» (Dio dhe Kris e përkthejnë fjalën rúah «frymë». Disa përkthime të tjera kanë përdorur termin «frymëmarrje».) (Shih edhe Psalmin 104:29.)
Nga e ka marrë i ashtuquajturi krishterim besimin te një shpirt i pavdekshëm jomaterial?
«Koncepti i krishterë i një shpirti frymor të krijuar nga Perëndia dhe të futur në trup gjatë ngjizjes, për ta bërë njeriun një qenie të gjallë, është fryti i një zhvillimi të gjatë në filozofinë e krishterë. Vetëm me Origjenin [i cili vdiq rreth vitit 254 të e.s.] në Lindje dhe me shën Agustinin [i cili vdiq në vitin 430 të e.s.] në Perëndim shpirti u përcaktua si një substancë frymore dhe u formua një koncept filozofik për natyrën e tij. . . . Doktrina e tij [Agustinit] . . . mori shumë (duke përfshirë disa mangësi) nga neoplatonizmi.»—New Catholic Encyclopedia (1967), vëll. XIII, f. 452, 454.
«Koncepti i pavdekësisë është fryt i mendimit grek, kurse shpresa e ringjalljes i përket mendimit judaik. . . . Pas pushtimeve të Aleksandrit judaizmi përvetësoi dalëngadalë koncepte greke.»—Dictionnaire Encyclopédique de la Bible, botuar nën kujdesin e Aleksandër Vestfalit, Valence, Francë, 1935, vëll. 2, f. 557.
«Pavdekësia e shpirtit është një koncept grek, i formuar në kultet e lashta të misterit dhe i përpunuar nga filozof Platoni.»—Presbyterian Life, 1 maj 1970, f. 35.
«A besojmë ne në një gjë të tillë si vdekja? . . . A nuk është ndarja e shpirtit nga trupi? Kur kjo ndodh, atëherë është vdekja. Kur shpirti ekziston më vete, dhe ai ndahet nga trupi, e trupi ndahet nga shpirti, s’është gjë tjetër, veçse vdekja. . . . Po shpirti, a e pranon vdekjen? Jo. A s’është, atëherë, shpirti i pavdekshëm? Po, është i pavdekshëm.»—«Phaedo» e Platonit, pjesët 64, 105, botuar në veprën Great Books of the Western World (1952), nga R. M. Hutçinsi, vëll. 7, f. 223, 245, 246.
«Siç e kemi parë, problemi i pavdekësisë thithi seriozisht vëmendjen e teologëve babilonas. . . . As populli, as krerët fetarë nuk e pranuan mundësinë e asgjësimit total të asaj që kishte ardhur një herë në jetë. Vdekja ishte një kalim nga një lloj jete në një tjetër.»—The Religion of Babylonia and Assyria (Boston, 1898), M. Xhestrou i Riu, f. 556.
Shih edhe faqet 427-429, te tema «Vdekja».