Mesazhi që duhet të shpallim
Jehovai na ka dhënë një përgjegjësi dhe një privilegj të madh, duke na thënë: «Ju jeni dëshmitarët e mi, . . . dhe unë jam Perëndi.» (Isa. 43:12) Ne nuk jemi thjesht besimtarë. Jemi dëshmitarët që dëshmojnë botërisht për të vërtetat jetësore që përmban Fjala e frymëzuar e Perëndisë. Cili është mesazhi që Jehovai na ka ngarkuar për ta shpallur në ditët tona? Ky mesazh përqendrohet te Perëndia Jehova, te Jezu Krishti dhe te Mbretëria mesianike.
«FRIKËSOJU PERËNDISË SË VËRTETË DHE RUAJ URDHËRIMET E TIJ»
SHUMË kohë përpara epokës së krishterë, Jehovai i tregoi Abrahamit besnik për një masë me anë të së cilës do të bekoheshin «të gjitha kombet e tokës». (Zan. 22:18) Po ashtu, ai e frymëzoi Solomonin që të shkruante në lidhje me një kërkesë themelore që vlen për të gjithë njerëzit: «Frikësoju Perëndisë së vërtetë dhe ruaj urdhërimet e tij. Sepse ky është tërë detyrimi i njeriut.» (Ekl. 12:13) Por, si do të mësonin për këto gjëra njerëzit që do të jetonin në të gjitha kombet?
Megjithëse ka pasur gjithmonë disa njerëz që kanë besuar në fjalën e Perëndisë, Bibla tregon se dëshmia intensive mbarëbotërore e cila në të vërtetë do të arrinte të gjitha kombet me lajmin e mirë, do të bëhej në «ditën e Zotërisë». Kjo filloi më 1914. (Zbul. 1:10) Në lidhje me këtë kohë, Zbulesa 14:6, 7 paratha se nën drejtimin e engjëjve do t’i bëhej një shpallje jetësore «çdo kombi, fisi, gjuhe dhe populli». Ata do të nxiteshin: «Kini frikë Perëndinë dhe jepini lavdi, sepse ka mbërritur ora e gjykimit prej tij dhe adhuroni Atë që bëri qiellin, tokën, detin dhe burimet e ujërave.» Vullneti i Perëndisë është që të shpallet ky mesazh. Ne kemi privilegjin që të marrim pjesë në këtë vepër.
‘Perëndia i vërtetë.’ Kur Jehovai shpalli «ju jeni dëshmitarët e mi», kjo u bë kur po debatohej çështja se kush ishte Perëndia i vërtetë. (Isa. 43:10) Mesazhi që duhet shpallur nuk është thjesht që njerëzit duhet të kenë një fe apo duhet të besojnë te një perëndi. Përkundrazi, atyre u duhet dhënë mundësia që të mësojnë se Krijuesi i qiellit dhe i tokës është i vetmi Perëndi i vërtetë. (Isa. 45:5, 18, 21, 22; Gjoni 17:3) Vetëm Perëndia i vërtetë mund të parathotë në mënyrë të besueshme të ardhmen. Kemi privilegjin të tregojmë se përmbushja e fjalëve të Jehovait në të kaluarën siguron baza të forta për të besuar se gjithçka që ai ka premtuar për të ardhmen do të ndodhë.—Jos. 23:14; Isa. 55:10, 11.
Natyrisht që shumë prej atyre të cilëve u dëshmojmë adhurojnë perëndi të tjerë ose pohojnë se nuk adhurojnë asnjë perëndi fare. Që t’i bëjmë të na dëgjojnë, mund të na duhet të fillojmë me diçka me interes të përbashkët. Mund të nxjerrim dobi nga shembulli i dokumentuar te Veprat 17:22-31. Vër re që megjithëse apostulli Pavël kishte takt, ai tha qartë se të gjithë njerëzit do t’i japin llogari Perëndisë që është Krijuesi i qiellit dhe i tokës.
Ta bëjmë të njohur emrin e Perëndisë. Mbaje gjithnjë në mend ta bësh të njohur emrin e Perëndisë së vërtetë. Jehovai e do emrin e tij. (Dal. 3:15; Isa. 42:8) Dëshiron që njerëzit ta njohin atë emër. Ai bëri që emri i tij i lavdishëm të përfshihej në Bibël më shumë se 7.000 herë. Është përgjegjësia jonë që t’ua bëjmë atë të njohur njerëzve.—Ligj. 4:35.
Shpresa e jetës së ardhshme për të gjithë njerëzimin varet nga fakti nëse e njohin Jehovain dhe e thërrasin me besim. (Joe. 2:32; Mal. 3:16; 2 Sel. 1:8) Megjithatë, shumica e njerëzve nuk e njohin Jehovain. Kjo përfshin një numër të madh njerëzish që pohojnë se adhurojnë Perëndinë e Biblës. Edhe sikur të kenë një Bibël e ta lexojnë atë, përsëri ata mund të mos e dinë emrin e Perëndisë për shkak se është hequr nga shumë përkthime moderne. E vetmja njohuri që mund të kenë disa njerëz për emrin Jehova është se udhëheqësit e tyre fetarë u kanë thënë të mos e përdorin.
Si mund t’ua bëjmë të njohur njerëzve emrin e Perëndisë? S’ka asgjë më të efektshme sesa t’ua tregojmë këtë emër në Bibël, në rast se është e mundur në Biblën e tyre. Në disa përkthime në gjuhë të ndryshme, ky emër shfaqet mijëra herë. Në përkthime të tjera, mund të shfaqet vetëm te Psalmi 83:18 a te Dalja 6:3-6 ose mund të gjendet në shënimin në fund të faqes te Dalja 3:14, 15 ose 6:3. Në një numër përkthimesh, aty ku vargu në gjuhën origjinale përmban emrin personal të Perëndisë janë shkruar me shkronja të dallueshme shprehje zëvendësuese të tilla, si «Zot» dhe «Perëndi». Atje ku përkthyesit e sotëm e kanë hequr fare emrin personal të Perëndisë, mund të kesh nevojë të përdorësh një përkthim më të vjetër të Biblës për t’u treguar njerëzve se çfarë është bërë. Në disa vende mund të tregohet se emri hyjnor gjendet në himnet fetare ose në ndonjë mbishkrim te ndonjë ndërtesë publike.
Edhe për ata që adhurojnë perëndi të tjerë, mund të përdoret me efektshmëri Jeremia 10:10-13 te Përkthimi Bota e Re. Aty jo vetëm që thuhet emri i Perëndisë, por edhe shpjegohet qartë se kush është ai.
Mos e zëvendëso emrin Jehova me tituj të tillë, si «Zot» dhe «Perëndi», siç bën i ashtuquajturi krishterim. Kjo s’do të thotë që duhet ta përdorim emrin në fillim të çdo bisede. Disa njerëz do ta mbyllnin bisedën për shkak të paragjykimeve. Por pasi ke vendosur një bazë për bisedën, mos u druaj që ta përdorësh emrin hyjnor.
Është për t’u përmendur se Bibla e përdor emrin personal të Perëndisë më shpesh se numrin total të titujve «Zot» dhe «Perëndi», të marrë së bashku. Ndonëse kjo është e vërtetë, shkrimtarët e Biblës nuk u përpoqën që ta vinin emrin hyjnor në çdo fjali. Thjesht ata e bënë këtë gjë natyrshëm, lirisht dhe me respekt. Ky është një model i mirë për t’u ndjekur.
Personi që identifikohet me anë të emrit. Megjithëse fakti se Perëndia ka një emër personal përbën një të vërtetë të rëndësishme, ky është vetëm fillimi.
Që ta duan Jehovain dhe që ta thërrasin me besim, njerëzit duhet të dinë se çfarë lloj Perëndie është ai. Kur Jehovai ia bëri të njohur emrin e tij Moisiut në malin Sinai, nuk u mjaftua vetëm duke përsëritur fjalën «Jehova». Ai tërhoqi vëmendjen te disa cilësi të jashtëzakonshme të Tij. (Dal. 34:6, 7) Ky është një shembull për t’u imituar nga ne.
Si në rastin kur je duke u dëshmuar të sapointeresuarve, ashtu edhe kur je duke mbajtur fjalime në kongregacion, ndërsa flet për bekimet e Mbretërisë, thekso se çfarë tregojnë këto për Perëndinë që bën premtime të tilla. Kur je duke folur për urdhërimet e tij, vëre theksin te mençuria dhe dashuria që pasqyrojnë ato. Bëje të qartë se kërkesat e Perëndisë nuk na e vështirësojnë jetën, por, përkundrazi janë dhënë për dobinë tonë. (Isa. 48:17,18; Mik. 6:8) Trego se si çdo shfaqje e fuqisë së Jehovait zbulon diçka rreth personalitetit, normave dhe qëllimit të tij. Tërhiq vëmendjen se si është treguar drejtpeshim në mënyrën si i shfaq Jehovai cilësitë e tij. Le të dëgjojnë njerëzit të shprehësh vetë ndjenjat e tua për Jehovain. Dashuria jote për Jehovain mund të ndihmojë që të lindë e njëjta dashuri te të tjerët.
Mesazhi urgjent për ditët tona i nxit njerëzit që t’i frikësohen Perëndisë. Me anë të asaj që themi, duhet të përpiqemi të nxitim një frikë të tillë të perëndishme. Kjo është një frikë e shëndetshme, nderim i thellë për Jehovain, respekt i thellë për të. (Psal. 89:7) Ajo përfshin vetëdijen se Jehovai është Gjykatësi më i lartë dhe se perspektivat e jetës së ardhshme varen nga pasja e miratimit të tij. (Luka 12:5; Rom. 14:12) Kjo frikë, pra, ndërthuret me dashurinë e thellë për të dhe si rrjedhim me dëshirën e zjarrtë për t’i pëlqyer atij. (Ligj. 10:12, 13) Frika ndaj Perëndisë na nxit edhe që të urrejmë të keqen, t’i bindemi urdhërimeve të Perëndisë dhe ta adhurojmë atë me zemër të plotë. (Ligj. 5:29; 1 Kron. 28:9; Prov. 8:13) Ajo na mbron që të mos përpiqemi t’i shërbejmë Perëndisë e njëkohësisht të duam edhe gjërat e botës.—1 Gjon. 2:15-17.
Emri i Perëndisë është «një kullë e fortë». Njerëzit që arrijnë ta njohin vërtet Jehovain janë shumë të mbrojtur. Jo thjesht ngaqë përdorin emrin e tij personal ose mund të renditin disa prej cilësive të tij, por sepse kanë besim te vetë Jehovai. Proverbat 18:10 thotë për ta: «Emri i Jehovait është një kullë e fortë. Në të vrapon i drejti dhe gjen mbrojtje.»
Shfrytëzoji mirë mundësitë për t’i nxitur të tjerët që të besojnë te Jehovai. (Psal. 37:3; Prov. 3:5, 6) Një besim i tillë tregon siguri te Jehovai dhe te premtimet e tij. (Hebr. 11:6) Kur njerëzit ‘e thërrasin emrin e Jehovait’ sepse e dinë që është Sovrani i universit, se i duan udhët e tij dhe besojnë plotësisht se shpëtimi i vërtetë mund të vijë vetëm prej tij, atëherë, siç na siguron Fjala e Perëndisë, do të shpëtojnë. (Rom. 10:13, 14) Kur mëson të tjerët, ndihmoji që të ndërtojnë këtë lloj besimi në çdo fushë të jetës.
Shumë njerëz hasin probleme jashtëzakonisht të mëdha. Mundet që të mos shohin ndonjë rrugëzgjidhje. Nxiti që të mësojnë se cili është vullneti i Jehovait, të besojnë në të, si dhe të zbatojnë atë që mësojnë. (Psal. 25:5) Jepu zemër që të luten me ngulm për ndihmën e Perëndisë dhe që ta falënderojnë për bekimet e tij. (Filip. 4:6, 7) Kur arrijnë të njohin Jehovain, jo vetëm duke lexuar disa thënie në Bibël, por edhe duke përjetuar përmbushjen e premtimeve të tij në vetë jetën e tyre, ata do të fillojnë të kenë sigurinë që vjen kur kuptojnë me të vërtetë se çfarë përfaqëson emri i Jehovait.—Psal. 34:8; Jer. 17:7, 8.
Shfrytëzoje mirë çdo mundësi për t’i ndihmuar njerëzit që të vlerësojnë se sa e mençur është t’i frikësohemi Perëndisë së vërtetë, Jehovait dhe që të ruajmë urdhërimet e tij.
‘TË JAPIM DËSHMI PËR JEZUIN’
PAS ringjalljes së tij dhe para se të kthehej në qiell, Jezu Krishti u dha udhëzime dishepujve të tij, duke u thënë: «Do të jeni dëshmitarët e mi . . . deri në skajin më të largët të tokës.» (Vep. 1:8) Shërbëtorët besnikë të Perëndisë në ditët tona përshkruhen si ata që «kanë veprën e dhënies së dëshmisë për Jezuin». (Zbul. 12:17) Sa i zellshëm je për të dhënë këtë dëshmi?
Shumë njerëz që thonë me sinqeritet se besojnë te Jezui nuk dinë asgjë për ekzistencën e tij paranjerëzore. Nuk e kuptojnë se ai ishte vërtet njeri kur ishte në tokë. Nuk e kuptojnë çfarë do të thotë që ai është Biri i Perëndisë. Dinë shumë pak për rolin e tij në përmbushjen e qëllimit të Perëndisë. Nuk e dinë se çfarë po bën tani dhe nuk e kuptojnë se si do të ndikohet jeta e tyre nga ajo që do të bëjë në të ardhmen. Madje mund të mendojnë në mënyrë të gabuar se Dëshmitarët e Jehovait nuk besojnë te Jezui. Është privilegji ynë të përpiqemi t’u bëjmë të njohur të vërtetën për këto gjëra.
Ka edhe njerëz të tjerë që nuk besojnë se ka jetuar vërtet ndonjëherë një person si Jezui i përshkruar në Bibël. Disa e shohin Jezuin thjesht si një njeri të shquar. Shumë veta e hedhin poshtë idenë se ai është Biri i Perëndisë. ‘Të japim dëshmi për Jezuin’ te këta njerëz kërkon shumë përpjekje, durim dhe takt.
Pavarësisht nga pikëpamja që kanë, dëgjuesit e tu duhet të marrin njohuri për Jezu Krishtin, nëse duan të përfitojnë nga masa që ka marrë Perëndia për jetën e përhershme. (Gjoni 17:3) Vullneti i Perëndisë, i shprehur qartë, është që të gjithë ata që jetojnë duhet ‘ta pranojnë hapur se Jezu Krishti është Zotëri’ dhe duhet t’i nënshtrohen autoritetit të tij. (Filip. 2:9-11) Prandaj nuk mund ta shmangim argumentin kur flasim me njerëz që kanë bindje të forta, por të gabuara ose që kanë paragjykime të hapura. Ndërkohë që në disa raste mund të flasim lirisht për Jezu Krishtin, madje edhe që në vizitën fillestare, në rastet e tjera mund të na duhet të bëjmë komente të matura. Këto komente i ndihmojnë dëgjuesit të fillojnë të mendojnë në mënyrë të saktë për të. Mund të na duhet edhe të mendojmë për disa mënyra në të cilat mund të paraqesim aspekte të mëtejshme të këtij argumenti në vizitat e ardhshme. Megjithatë, ndoshta nuk është e mundur të trajtojmë gjithçka që përfshihet, derisa të fillojmë një studim biblik në shtëpi me një person.—1 Tim. 2:3-7.
Roli jetësor i Jezuit në qëllimin e Perëndisë. Duhet t’i ndihmojmë njerëzit të kuptojnë se meqë Jezui është «udha» dhe ‘askush nuk vjen tek Ati përveçse nëpërmjet tij’, është e pamundur që ata të kenë një marrëdhënie të miratuar me Perëndinë pa pasur besim te Jezu Krishti. (Gjoni 14:6) Po të mos e kuptojnë rolin jetësor që Jehovai i ka caktuar Birit të tij të parëlindur, do ta kenë të pamundur ta kuptojë Biblën. Përse? Sepse Jehovai e bëri këtë Bir figurën qendrore në plotësimin e gjithë qëllimeve të Tij. (Kolos. 1:17-20) Profecitë biblike përqendrohen rreth këtij fakti. (Zbul. 19:10) Jezu Krishti është ai nëpërmjet të cilit sigurohet zgjidhja për të gjitha problemet që krijoi rebelimi i Satanait dhe mëkati i Adamit.—Hebr. 2:5-9, 14, 15.
Për të kuptuar rolin e Krishtit, një njeri duhet të kuptojë se njerëzit janë në një gjendje të vajtueshme nga e cila nuk mund të çlirohen vetë. Të gjithë kemi lindur në mëkat. Kjo mund të na prekë në mënyra të ndryshme gjatë jetës. Megjithatë, herët a vonë sjell vdekjen. (Rom. 3:23; 5:12) Arsyeto rreth këtij fakti me ata të cilëve u jep dëshmi. Pastaj nxirr në pah se nëpërmjet flijimit shpërblyes të Jezu Krishtit, Jehovai me dashuri ka bërë të mundur çlirimin nga mëkati e nga vdekja për ata që ushtrojnë besim në atë masë. (Mar. 10:45; Hebr. 2:9) Kjo u hap rrugën atyre që të gëzojnë jetën e përhershme në përsosmëri. (Gjoni 3:16, 36) Një gjë e tillë nuk është e mundur në asnjë mënyrë tjetër. (Vep. 4:12) Si mësues, kur flet para një njeriu ose para kongregacionit, mos u mjafto vetëm duke pohuar këto fakte. Me dashamirësi e me durim ndërto te dëgjuesit një ndjenjë mirënjohjeje për rolin e Krishtit si Shpenguesi ynë. Çmueshmëria për këtë masë mund të ketë një efekt të thellë në qëndrimin, sjelljen dhe synimet e një njeriu në jetën e tij.—2 Kor. 5:14, 15.
Sigurisht, Jezui e dha jetën si flijim vetëm një herë. (Hebr. 9:28) Megjithatë, ai tani po shërben në mënyrë aktive si Kryeprift. Ndihmoji të tjerët që të kuptojnë se çfarë do të thotë kjo. A po provojnë stres, zhgënjim, vuajtje ose probleme, për shkak të ashpërsisë së njerëzve që i rrethojnë? Kur ishte njeri, Jezui i provoi të gjitha këto. Ai e di se si ndihemi. Për shkak të papërsosmërisë, a e ndiejmë nevojën për mëshirën e Perëndisë? Në qoftë se i lutemi Perëndisë për falje në bazë të flijimit të Jezuit, ky vepron si «ndihmës pranë Atit». Me dhembshuri ai «ndërmjetëson për ne». (1 Gjon. 2:1, 2; Rom. 8:34) Në bazë të flijimit të Jezuit dhe nëpërmjet shërbimeve të tij si Kryeprift, kemi mundësi t’i afrohemi «fronit të dashamirësisë së pamerituar» të Jehovait për të marrë ndihmë në kohën e duhur. (Hebr. 4:15, 16) Ndonëse jemi të papërsosur, ndihma që siguron Jezui si Kryeprift na jep mundësi t’i shërbejmë Perëndisë me ndërgjegje të pastër.—Hebr. 9:13, 14.
Veç kësaj, Jezui ushtron një autoritet të madh si ai që Perëndia e ka caktuar të jetë Kreu i kongregacionit të krishterë. (Mat. 28:18; Efes. 1:22, 23) Si i tillë, ai siguron drejtimin e duhur në harmoni me vullnetin e Perëndisë. Kur mëson të tjerët, ndihmoji që të kuptojnë se Kreu i kongregacionit është Jezu Krishti e jo ndonjë njeri. (Mat. 23:10) Që nga hera e parë kur i takon personat e interesuar, ftoji në mbledhjet e kongregacionit ku shkon ti, pasi aty studiohet Bibla me ndihmën e materialit të siguruar nëpërmjet ‘skllavit të besueshëm e të matur’. Shpjegoju jo vetëm se kush është «skllavi», por edhe kush është Zotëria, kështu që të jenë në dijeni të kryesisë së Jezuit. (Mat. 24:45-47) Prezantoji me pleqtë dhe shpjego kualifikimet biblike që këta duhet të plotësojnë. (1 Tim. 3:1-7; Titit 1:5-9) Shpjego se kongregacioni nuk u përket pleqve, por se ata na ndihmojnë të ecim në gjurmët e Jezu Krishtit. (Vep. 20:28; Efes. 4:16; 1 Pjet. 5:2, 3) Ndihmoji këta të interesuar të shohin se ka një shoqëri të organizuar mbarëbotërore që vepron nën kryesinë e Krishtit.
Nga Ungjijtë mësojmë se kur Jezui hyri në Jerusalem, pak para se të vdiste, dishepujt e përshëndetën si «Ai që vjen si Mbreti në emër të Jehovait». (Luka 19:38) Duke e studiuar më thellë Biblën, njerëzit mësojnë se Jehovai tani i ka dhënë Jezuit një autoritet sundues që ndikon te njerëzit e të gjitha kombeve. (Dan. 7:13, 14) Kur mban fjalime në kongregacion ose kur drejton studime, ndërto çmueshmërinë për atë që duhet të nënkuptojë për të gjithë ne sundimi i Jezuit.
Thekso se mënyra jonë e jetesës tregon nëse vërtet besojmë se Jezu Krishti është Mbret dhe nëse i nënshtrohemi vullnetarisht sundimit të tij. Drejtoje vëmendjen te vepra që u caktoi ithtarëve të tij Jezui pasi u miros si Mbret. (Mat. 24:14; 28:18-20) Trajto atë që tha Jezui, Këshilltari i Mrekullueshëm, lidhur me përparësitë në jetë. (Isa. 9:6, 7; Mat. 6:19-34) Drejtoje vëmendjen te fryma që Princi i Paqes tha se do të tregonin ithtarët e tij. (Mat. 20:25-27; Gjoni 13:35) Trego kujdes që të mos e marrësh ti përsipër të gjykosh nëse të tjerët po bëjnë aq sa duhet të bënin, por inkurajoji të shqyrtojnë se çfarë tregojnë veprimet e tyre për sa i përket nënshtrimit ndaj sundimit të Krishtit. Ndërsa bën këtë, prano se edhe ti ke nevojë të bësh po ashtu.
Hidh si themel Krishtin. Bibla e lidh veprën e bërjes së dishepujve të krishterë me ndërtimin e një strukture e cila ka Jezu Krishtin si themel. (1 Kor. 3:10-15) Për të arritur këtë, ndihmoji njerëzit ta njohin Jezuin siç përshkruhet në Bibël. Trego kujdes që ata mos të të shohin ty si atë që po ndjekin. (1 Kor. 3:4-7) Drejtoje vëmendjen e tyre te Jezu Krishti.
Në qoftë se themeli është hedhur mirë, studentët do ta kuptojnë se Krishti la një model që ‘ne të ndjekim me kujdes gjurmët e tij’. (1 Pjet. 2:21) Për të ndërtuar mbi këtë, inkurajoji studentët që t’i lexojnë Ungjijtë jo thjesht si një histori të vërtetë, por si modelin që duhet ndjekur. Ndihmoji të marrin për zemër qëndrimet dhe cilësitë që karakterizonin Jezuin. Inkurajoji të vërejnë se si ndihej Jezui për Atin e tij, si reagoi ndaj tundimeve dhe sprovave, si tregoi nënshtrim ndaj Perëndisë dhe si i trajtoi njerëzit në rrethana të ndryshme. Thekso aktivitetin me të cilin e mbushi Jezui jetën e tij. Më pas, kur t’i duhet të marrë vendime ose kur të hasë sprova në jetë, studenti do ta pyesë veten: ‘Çfarë do të bënte Jezui në këtë situatë? A do të tregoj me jetën time çmueshmërinë e duhur për atë që ai ka bërë për mua?’
Kur flet para kongregacionit, mos nxirr përfundimin se meqë vëllezërit e tu tashmë kanë besim te Jezui, nuk ka nevojë t’ia drejtosh vëmendjen auditorit në mënyrë të veçantë tek ai. Ajo që thua ti do të ketë më shumë kuptim në qoftë se ndërton mbi këtë besim. Kur flet për mbledhjet, lidhe këtë me rolin e Jezuit si Kreu i kongregacionit. Kur flet për shërbimin në fushë, tërhiqe vëmendjen te fryma që tregoi Jezui ndërsa vazhdonte shërbimin e tij dhe paraqite shërbimin nën dritën e asaj që Krishti si Mbret po bën për t’i mbledhur njerëzit që do të shpëtojnë e do të hyjnë në botën e re.
Është e dukshme se duhet më shumë sesa të mësojmë faktet themelore për Jezuin. Për t’u bërë të krishterë të vërtetë, njerëzit duhet të ushtrojnë besim tek ai dhe ta duan vërtet. Kjo dashuri motivon bindjen besnike. (Gjoni 14:15, 21) U jep mundësi njerëzve të qëndrojnë të palëkundur në besim përballë vështirësive, të vazhdojnë të ecin në gjurmët e Krishtit çdo ditë të jetës së tyre, të bëhen të krishterë të pjekur që janë fortësisht «të rrënjosur dhe të vendosur mbi themel». (Efes. 3:17) Ky drejtim i sjell lavdi Jehovait, Perëndisë dhe Atit të Jezu Krishtit.
«KY LAJM I MIRË I MBRETËRISË»
KUR po jepte hollësi lidhur me shenjën e pranisë së tij dhe të përfundimit të sistemit, Jezui paratha: «Ky lajm i mirë i mbretërisë do të predikohet në gjithë tokën e banuar si dëshmi për të gjitha kombet; dhe atëherë do të vijë fundi.»—Mat. 24:14.
Çfarë është saktësisht ky mesazh të cilit i duhet bërë një publicitet kaq i gjerë? Është mesazhi rreth Mbretërisë për të cilën Jezui na mësoi t’i lutemi Perëndisë, duke thënë: «Ardhtë mbretëria jote.» (Mat. 6:10) Zbulesa 11:15 e përshkruan si «mbretëria e Zotërisë tonë [Jehovait] dhe e Krishtit të tij», sepse autoriteti sundues vjen nga Jehovai dhe ai ia ka dhënë Krishtit si Mbret. Vër re, megjithatë, se mesazhi që Jezui tha se do të shpallej në ditët tona shkon përtej asaj që predikuan ithtarët e tij në shekullin e parë. Ata u thoshin njerëzve: «Mbretëria e Perëndisë ju është afruar.» (Luka 10:9) Jezui, ai që ishte mirosur për t’u bërë Mbret, në atë kohë ishte në mes të tyre. Por, siç është dokumentuar te Mateu 24:14, Jezui paratha shpalljen mbarëbotërore të një ngjarjeje tjetër të rëndësishme në përmbushjen e qëllimit të Perëndisë.
Profetit Daniel iu dha një vegim i kësaj ngjarjeje. Ai pa ‘dikë si një bir njeriu’, Jezu Krishtin, që merrte nga «i Lashti i Ditëve», nga Perëndia Jehova, «sundim, dinjitet dhe mbretëri, që popujt, grupet kombëtare dhe gjuhët t’i shërbenin të gjithë atij». (Dan. 7:13, 14) Kjo ngjarje me rëndësi universale ndodhi në qiell në vitin 1914. Pas kësaj, Djalli dhe demonët e tij u hodhën poshtë në tokë. (Zbul. 12:7-10) Sistemi i vjetër hyri në ditët e tij të fundit. Por, para se ai të zhduket krejt, po bëhet një shpallje mbarëbotërore se Mbreti mesianik i Jehovait tani po sundon nga froni i vet qiellor. Njerëzit kudo po njoftohen për këtë. Reagimi i tyre jep dëshmi se ç’qëndrim kanë ndaj Më të Lartit si Sundimtar në «mbretërinë e njerëzve».—Dan. 4:32.
Është e vërtetë se presim të vijnë ende shumë gjëra të tjera. Ne përsëri lutemi «ardhtë mbretëria jote», por jo me mendimin që vendosja e Mbretërisë së Perëndisë do të ndodhë ende në të ardhmen. Përkundrazi, lutemi me mendimin që Mbretëria qiellore do të veprojë në mënyrë vendimtare për të përmbushur profeci të tilla, si Danieli 2:44 dhe Zbulesa 21:2-4. Do ta transformojë tokën në një parajsë të mbushur me njerëz që e duan Perëndinë dhe njerëzit e tjerë. Ndërsa predikojmë ‘këtë lajm të mirë të mbretërisë’, tregojmë për këto mundësi të ardhme. Por, gjithashtu, me besim bëjmë të njohur se Jehovai tashmë i ka dhënë autoritet të plotë sundues Birit të tij. A po e thekson këtë lajm të mirë kur jep dëshmi për Mbretërinë?
Shpjego ç’është Mbretëria. Si mund ta përmbushim detyrën tonë për të shpallur Mbretërinë e Perëndisë? Ndoshta ua ngjallim interesin të tjerëve duke filluar biseda për një shumëllojshmëri temash, por shumë shpejt duhet të bëhet e qartë se mesazhi ynë flet për Mbretërinë e Perëndisë.
Një aspekt i rëndësishëm i kësaj vepre përfshin leximin ose citimin e shkrimeve që flasin për Mbretërinë. Kur flet për Mbretërinë, sigurohu që ata me të cilët flet e kuptojnë se çfarë është ajo. Mund të kërkohet më shumë sesa vetëm të thuash se Mbretëria e Perëndisë është një qeveri. Disa njerëz mund ta kenë të vështirë të mendojnë për diçka të padukshme si një qeveri. Mund të arsyetosh me ta në disa mënyra. Për shembull, forca e rëndesës është e padukshme, por ka ndikim të fuqishëm në jetën tonë. Nuk mund ta shohim Atë që bëri ligjin e rëndesës, por është e qartë se Ai ka shumë fuqi. Bibla e quan atë ‘Mbreti i përjetësisë’. (1 Tim. 1:17) Mund të arsyetosh se në një vend të madh, shumë njerëz nuk kanë qenë kurrë në kryeqytet ose nuk e kanë parë kurrë vetë sundimtarin e tyre. Për këto gjëra mësojnë nga lajmet. Në mënyrë të ngjashme, Bibla, e botuar në më shumë se 2.200 gjuhë, na flet për Mbretërinë e Perëndisë; na bën të ditur se kujt i është besuar autoriteti dhe çfarë po bën Mbretëria. Kulla e Rojës, e botuar në më shumë gjuhë se çdo botim tjetër periodik, ka si synim të ‘lajmërojë Mbretërinë e Jehovait’ siç thuhet në kapakun e parë të saj.
Për t’i ndihmuar njerëzit që të kuptojnë se çfarë është Mbretëria, mund të përmendësh disa nga gjërat që ata shpresojnë se mund t’ia sigurojnë qeveritë: siguri ekonomike, paqe, liri nga krimi, trajtim të paanshëm të të gjitha grupeve etnike, arsimim dhe kujdes shëndetësor. Trego se vetëm me anë të Mbretërisë së Perëndisë, këto dhe dëshira të tjera të përshtatshme të njerëzve do të plotësohen krejtësisht.—Psal. 145:16.
Përpiqu të nxitësh te njerëzit dëshirën që të jenë nënshtetas të Mbretërisë, në të cilën Jezu Krishti sundon si Mbret. Fol për mrekullitë që kreu ai si një tregues paraprak të asaj që do të bëjë si Mbret qiellor. Fol vazhdimisht për cilësitë tërheqëse që shfaqi ai. (Mat. 8:2, 3; 11:28-30) Shpjego se ai dha jetën për ne dhe se më pas Perëndia e ringjalli në jetën e pavdekshme në qiej. Që nga qielli ai sundon si Mbret.—Vep. 2:29-35.
Thekso se Mbretëria e Perëndisë tani po sundon nga qiejt. Megjithatë ki parasysh se shumica e njerëzve nuk i shohin kushtet që sipas tyre do të ishin dëshmi të këtij sundimi. Pranoje këtë dhe pyeti nëse i njohin ato që Jezu Krishti tha se do të ishin dëshmitë. Thekso disa nga aspektet e shenjës së përbërë që gjendet te Mateu kapitulli 24, Marku kapitulli 13 ose te Luka kapitulli 21. Pastaj pyet pse kurorëzimi i Krishtit në qiell do të çonte në kushte të tilla në tokë. Drejtoje vëmendjen te Zbulesa 12:7-10, 12.
Si dëshmi e dukshme e asaj që po bën Mbretëria e Perëndisë, lexo Mateun 24:14 dhe përshkruaj programin mbarëbotëror të arsimimit biblik që po ndodh tani. (Isa. 54:13) Tregoju njerëzve për shkollat e ndryshme nga të cilat nxjerrin dobi Dëshmitarët e Jehovait, që të gjitha të bazuara në Bibël; që të gjitha falas. Shpjego se përveç shërbimit shtëpi më shtëpi, ne u ofrojmë falas mësim për Biblën individëve dhe familjeve në më shumë se 230 vende. Cila qeveri njerëzore është në gjendje të sigurojë një program kaq të gjerë arsimimi jo vetëm për nënshtetasit e saj, por edhe për njerëzit në mbarë botën? Ftoji njerëzit të vijnë në Sallën e Mbretërisë, të ndjekin asambletë dhe kongreset e Dëshmitarëve të Jehovait, të shohin dëshmi se si ky arsimim po ndikon në jetën e njerëzve.—Isa. 2:2-4; 32:1, 17; Gjoni 13:35.
Por, a do të arrijë të kuptojë i zoti i shtëpisë se si ndikohet jeta e tij nga kjo? Me takt mund t’i tregosh se qëllimi i vizitës sate është të flasësh për mundësinë që kanë të gjithë për të zgjedhur jetën si nënshtetas të Mbretërisë së Perëndisë. Si? Duke mësuar se çfarë kërkon Perëndia dhe duke jetuar që tani në harmoni me këto kërkesa.—Ligj. 30:19, 20; Zbul. 22:17.
Ndihmo të tjerët ta vënë Mbretërinë në vend të parë. Edhe pasi një njeri e pranon mesazhin e Mbretërisë, ai duhet të marrë vendime në jetë. Çfarë vendi do t’i japë Mbretërisë së Perëndisë në jetën e tij? Jezui i nxiti dishepujt që të ‘vazhdonin të kërkonin më parë mbretërinë’. (Mat. 6:33) Si mund t’i ndihmojmë të bashkëkrishterët që ta bëjnë këtë? Duke lënë një shembull të mirë vetë dhe duke folur për mundësitë që janë në dispozicion. Nganjëherë mund t’i ndihmojmë ata duke i pyetur nëse kanë menduar ndonjëherë për disa mundësi që ekzistojnë dhe duke u treguar përvoja që demonstrojnë se çfarë po bëjnë të tjerët. Mund t’i ndihmojmë duke i trajtuar tregimet biblike në atë mënyrë që të mund të thellojnë dashurinë e tyre për Jehovain; duke theksuar realitetin e Mbretërisë e duke theksuar se sa e rëndësishme është në të vërtetë vepra e shpalljes së Mbretërisë. Shpesh gjëja më e mirë arrihet jo duke u thënë njerëzve se çfarë duhet bërë, por duke nxitur tek ata dëshirën për ta bërë këtë gjë.
Pa dyshim, mesazhi jetësor që duhet të shpallim të gjithë ne e përqendron kryesisht vëmendjen te Perëndia Jehova, te Jezu Krishti dhe te Mbretëria. Të vërtetat jetësore që kanë të bëjnë me këto duhen theksuar në dëshminë tonë publike, në kongregacionet tona dhe në jetën tonë personale. Kur veprojmë kështu, tregojmë se po nxjerrim vërtet dobi nga arsimimi në Shkollën e Shërbimit Teokratik.