Eksodi
3 Moisiu u bë barí i kopeve të të vjehrrit, Jetroit,+ priftit të Midianit. Një ditë, ndërsa po e çonte kopenë në anën perëndimore të shkretëtirës, mbërriti në malin e Perëndisë së vërtetë, në Horeb,+ 2 dhe aty engjëlli i Jehovait iu shfaq në një flakë zjarri, në mes të një shkurreje me gjemba.+ Teksa shihte, Moisiu vuri re që shkurrja kishte marrë flakë, e megjithatë nuk digjej, 3 prandaj tha: «Do të shkoj që ta shoh më nga afër këtë gjë të pazakontë e të kuptoj pse nuk digjet shkurrja.» 4 Kur vuri re që po shkonte atje për të parë, Jehovai e thirri nga shkurrja: «Moisi, Moisi!» Ai iu përgjigj: «Urdhëro, zotëria im!» 5 Atëherë Perëndia i tha: «Mos u afro më shumë! Hiqi sandalet nga këmbët, sepse vendi ku po rri është tokë e shenjtë.»
6 Pastaj vazhdoi: «Unë jam Perëndia i atit tënd, Perëndia i Abrahamit,+ Perëndia i Isakut+ dhe Perëndia i Jakobit.»+ Me të dëgjuar këtë, Moisiu mbuloi fytyrën sepse kishte frikë të shikonte Perëndinë e vërtetë. 7 Jehovai shtoi: «Sigurisht që e kam parë mundimin e popullit tim në Egjipt dhe kam dëgjuar si klithin për shkak të atyre që i detyrojnë të punojnë. E di mirë ç’dhembje heqin,+ 8 prandaj do të zbres që t’i çliroj nga dora e egjiptianëve,+ t’i nxjerr nga ai vend e t’i çoj në një vend të mirë e të gjerë, në një vend ku rrjedh qumësht e mjaltë,+ në territorin e kananitëve, hititëve, amoritëve, perezitëve, hivitëve dhe jebusitëve.+ 9 Ja, klithma e popullit të Izraelit ka ardhur deri tek unë dhe kam parë se si egjiptianët po e shtypin pa mëshirë.+ 10 Eja tani, se do të të dërgoj te faraoni dhe ti do ta nxjerrësh nga Egjipti popullin tim, Izraelin.»+
11 Por Moisiu i tha Perëndisë së vërtetë: «E kush jam unë që të shkoj te faraoni dhe t’i nxjerr izraelitët nga Egjipti?!» 12 Ai i tha: «Unë do të jem me ty,+ dhe kjo do të jetë shenja për të të treguar se të kam dërguar unë: pasi ta kesh nxjerrë popullin nga Egjipti, ju do t’i shërbeni Perëndisë së vërtetë* në këtë mal.»+
13 Por Moisiu i tha Perëndisë së vërtetë: «Ta zëmë se vajta tek izraelitët dhe u thashë: ‘Perëndia i paraardhësve tuaj më ka dërguar te ju.’ Çfarë t’u them nëse më pyesin: ‘Si e ka emrin?’»+ 14 Atëherë Perëndia iu përgjigj: «Unë Do Të Bëhem Çdo Gjë Që Zgjedh* Të Bëhem.»*+ Pastaj shtoi: «Ja çfarë do t’u thuash izraelitëve: “‘Unë Do Të Bëhem’ më ka dërguar te ju.”»+ 15 Perëndia i tha prapë Moisiut:
«Ja çfarë do t’u thuash izraelitëve: ‘Jehovai, Perëndia i paraardhësve tuaj, Perëndia i Abrahamit,+ Perëndia i Isakut+ dhe Perëndia i Jakobit,+ më ka dërguar te ju.’ Ky është emri im në jetë të jetëve+ dhe me këtë emër do të kujtohem brez pas brezi. 16 Tani shko e mblidh pleqtë e Izraelit dhe thuaju: “Jehovai, Perëndia i paraardhësve tuaj, Perëndia i Abrahamit, i Isakut dhe i Jakobit, m’u shfaq dhe më tha: ‘E kam parë sa shumë po vuani+ dhe çfarë po ju bëjnë në Egjipt. 17 Prandaj po ju premtoj se do t’ju çliroj nga mundimi+ që po hiqni prej duarve të egjiptianëve dhe do t’ju çoj në vendin e kananitëve, hititëve, amoritëve,+ perezitëve, hivitëve dhe jebusitëve,+ në një vend ku rrjedh qumësht e mjaltë.’”+
18 Me siguri ata do të ta vënë veshin,+ prandaj bashkë me pleqtë e Izraelit shkoni te mbreti i Egjiptit dhe thuajini: ‘Jehovai, Perëndia i hebrenjve,+ ka folur me ne. Prandaj, të lutemi, na lër të udhëtojmë tri ditë në shkretëtirë që t’i bëjmë flijime Jehovait, Perëndisë tonë.’+ 19 Por unë e di mirë se mbreti i Egjiptit nuk do t’ju lejojë të shkoni, veç po ta detyrojë një dorë e fortë.+ 20 Kështu do të më duhet ta ngre dorën kundër Egjiptit dhe ta godas me gjithë veprat mbresëlënëse që do të bëj atje, e pas kësaj mbreti do t’ju lërë të ikni.+ 21 Falë meje, populli im do të ketë pëlqimin e egjiptianëve, prandaj kur të ikni, s’keni për t’u larguar duarbosh.+ 22 Çdo grua t’u kërkojë egjiptianeve që banojnë afër saj ose në shtëpinë e saj, sende argjendi, ari dhe rroba, me të cilat do të vishni djemtë dhe vajzat tuaja; ju do t’i plaçkitni egjiptianët.»+