KAPITULLI 15
Jezui ‘vendos drejtësinë në tokë’
1, 2. Në cilin rast u zemërua Jezui dhe përse?
DUKEJ qartë se Jezui ishte i zemëruar, e me të drejtë. Ndoshta e ke të vështirë ta përfytyrosh kështu Jezuin, ngaqë ishte një njeri me natyrë shumë të butë. (Mateu 21:5) Natyrisht që ai e mbajti veten plotësisht nën kontroll, pasi zemërimi i tij ishte një zemërim i drejtë.a Por, çfarë e kishte acaruar kaq shumë këtë njeri paqedashës? Një padrejtësi e rëndë.
2 Jezui e kishte shumë për zemër tempullin në Jerusalem. Në gjithë botën, ky ishte i vetmi vend i shenjtë që i ishte kushtuar adhurimit të Atit të tij qiellor. Judenj nga shumë vende bënin një rrugë të gjatë për të ardhur që të adhuronin aty. Vinin edhe johebrenj me frikë Perëndie, të cilët hynin në oborrin e tempullit që ishte veçuar për t’u përdorur prej tyre. Mirëpo, në fillim të shërbimit të tij, Jezui hyri në zonën e tempullit dhe para syve i doli një skenë e tmerrshme. Bobo, vendi dukej më shumë si një treg sesa si shtëpi adhurimi! Ishte i mbushur me tregtarë e me këmbyes parash. E çfarë kishte të padrejtë këtu? Po ja, për këta burra, tempulli i Perëndisë s’ishte veçse një vend për të zhvatur njerëzit, për t’i grabitur ata. Si ka mundësi?—Gjoni 2:14.
3, 4. Ç’zhvatje lakmitare po bëhej në shtëpinë e Jehovait dhe ç’veprime bëri Jezui për t’i ndrequr gjërat?
3 Udhëheqësit fetarë kishin nxjerrë rregullin që për të paguar taksën e tempullit pranohej vetëm një lloj i veçantë monedhe. Atyre që vinin në tempull u duhej të këmbenin paratë për të marrë monedha të tilla. Prandaj, këmbyesit e monedhave i kishin vendosur tryezat e tyre tamam brenda tempullit, duke kërkuar pagesë për çdo këmbim që bënin. Edhe tregtia e shitjes së kafshëve ishte shumë e begatë. Vizitorët që donin të bënin flijime në kafshë mund t’i blinin këto nga çdo tregtar në qytet, por funksionarët e tempullit fare mirë mund t’i refuzonin këto blatime si të papërshtatshme. Kurse kafshët për flijim të blera brenda zonës së tempullit ishte e sigurt se do të pranoheshin. Kështu, duke i pasur në dorë njerëzit, tregtarët nganjëherë vinin çmime marramendëse.b Kjo ishte më keq se tregti e paskrupull, ishte vërtet grabitje!
«Hiqini që këtej këto gjëra!»
4 Jezui nuk mund ta toleronte këtë padrejtësi. Kjo ishte shtëpia e Atit të tij! Bëri një kamxhik me litarë dhe i dëboi nga tempulli kopetë me gjedhë e dele. Pastaj eci me hapa të mëdhenj te këmbyesit e monedhave dhe ua përmbysi tryezat. Përfytyro gjithë ato monedha që rrokulliseshin poshtë në dyshemenë prej mermeri! I urdhëroi me rreptësi njerëzit që shitnin pëllumba: «Hiqini që këtej këto gjëra!» (Gjoni 2:15, 16) Duket se askush nuk guxonte ta kundërshtonte këtë njeri të guximshëm.
«Si i ati dhe i biri»
5-7. (a) Si ndikoi në ndjenjën e drejtësisë së Jezuit ekzistenca e tij paranjerëzore dhe çfarë mund të mësojmë duke studiuar shembullin e tij? (b) Si ka luftuar Krishti kundër padrejtësive që kishin të bënin me sovranitetin dhe emrin e Jehovait?
5 Natyrisht tregtarët u kthyen prapë. Rreth tre vjet më vonë, Jezui u përball me të njëjtën padrejtësi, por kësaj radhe citoi fjalët e vetë Jehovait që dënonte ata që e kishin bërë shtëpinë e Tij «shpellë kusarësh». (Mateu 21:13; Jeremia 7:11) Pikërisht, kur pa si i zhvatnin me lakmi njerëzit dhe si e kishin ndotur tempullin e Perëndisë, Jezui u ndie tamam si i Ati. E kjo s’është çudi! Për miliona e miliona vite të panumërta Jezui ishte mësuar nga Ati i tij qiellor. Prandaj ishte mbrujtur me ndjenjën e drejtësisë së Jehovait. Ai u bë shembull i gjallë i shprehjes «si i ati dhe i biri». Prandaj, në rast se duam të kemi një tablo të qartë të cilësisë së drejtësisë së Jehovait, gjëja më e mirë që mund të bëjmë është të meditojmë rreth shembullit të Jezu Krishtit.—Gjoni 14:9, 10.
6 Biri i vetëmlindur i Jehovait ishte i pranishëm kur me padrejtësi Satanai e quajti Perëndinë Jehova gënjeshtar dhe vuri në dyshim drejtësinë e sundimit të Tij. Ç’shpifje! Biri dëgjoi edhe sfidën që bëri më vonë Satanai se askush nuk do t’i shërbente Jehovait me altruizëm, nga dashuria. Me siguri këto akuza të rreme ia copëtuan zemrën këtij Biri që ishte i drejtë. Sa duhet të jetë entuziazmuar kur ka marrë vesh se do të luante rolin kyç për të hedhur poshtë këto mashtrime! (2 Korintasve 1:20) Si do ta bënte këtë?
7 Siç e mësuam në kapitullin 14, Jezu Krishti i dha përgjigjen vendimtare e përfundimtare akuzës së Satanait që vinte në dyshim besnikërinë e krijesave të Jehovait. Në këtë mënyrë Jezui hodhi themelin për shfajësimin përfundimtar të sovranitetit të Jehovait dhe për shenjtërimin e emrit të Tij. Si Kryepërfaqësuesi i Jehovait, Jezui do të vendosë drejtësinë hyjnore në gjithë universin. (Veprat 5:31) Edhe drejtimi që ndoqi ai gjatë jetës këtu në tokë pasqyronte drejtësinë hyjnore. Jehovai tha për të: «Unë do të vë mbi të frymën time dhe ai do t’u bëjë të qartë kombeve se ç’është drejtësia.» (Mateu 12:18) Si i përmbushi Jezui këto fjalë?
Jezui e bën të qartë «se ç’është drejtësia»
8-10. (a) Si nxitnin përbuzje për johebrenjtë e për gratë traditat gojore të udhëheqësve fetarë judenj? (b) Si e kishin kthyer ligjet gojore në një barrë ligjin e Jehovait për sabatin?
8 Jezui e donte Ligjin e Jehovait dhe jetonte sipas tij. Por udhëheqësit fetarë të kohës së tij e shtrembëronin dhe e keqpërdornin këtë Ligj. Jezui u tha: «Mjerë ju, skribë dhe farisenj, hipokritë! . . . Keni shpërfillur çështjet më me peshë të Ligjit, domethënë, drejtësinë, mëshirën dhe besueshmërinë.» (Mateu 23:23) S’ka asnjë dyshim se ata mësues të Ligjit të Perëndisë nuk po e bënin të qartë «ç’është drejtësia». Përkundrazi, po e errësonin drejtësinë hyjnore. Në ç’mënyrë? Shqyrto disa shembuj.
9 Jehovai e kishte udhëzuar popullin e tij të qëndronte i veçuar nga kombet pagane që kishte përreth. (1 Mbretërve 11:1, 2) Mirëpo, disa udhëheqës fetarë fanatikë e nxitnin popullin që të përbuzte të gjithë johebrenjtë. Madje, në Mishna ishte përfshirë ky rregull: «Gjedhët nuk duhen lënë në hanet e johebrenjve, sepse ata dyshohen për marrëdhënie seksuale me kafshët.» Ky paragjykim kategorik ndaj të gjithë johebrenjve ishte i padrejtë dhe krejt në kundërshtim me frymën e Ligjit të Moisiut. (Levitiku 19:34) Po ashtu, njerëzit kishin bërë edhe rregulla të tjera që poshtëronin gratë. Në ligjin gojor thuhej se gruaja duhej të ecte prapa të shoqit, e jo përkrah tij. Burrat paralajmëroheshin që të mos bisedonin me një grua në publik, qoftë kjo edhe bashkëshortja e tyre. Ashtu si skllevërit, gratë nuk lejoheshin të jepnin dëshmi në gjyq. Madje, kishte edhe një lutje formale ku burrat falënderonin Perëndinë që nuk ishin gra.
10 Udhëheqësit fetarë e kishin mbuluar Ligjin e Perëndisë me një mal rregullash e ligjesh të bëra nga njerëzit. Për shembull, ligji i sabatit thjesht ndalonte punën në sabat, duke e lënë mënjanë këtë ditë për të adhuruar, për t’u ripërtërirë frymësisht e për të pushuar. Por farisenjtë e kishin kthyer këtë ligj në një barrë. E kishin marrë vetë përsipër të vendosnin se çfarë donte të thoshte saktësisht fjala «punë». Kishin përcaktuar si punë 39 aktivitete të ndryshme, si për shembull korrjen ose gjuetinë. Për shkak të këtyre kategorive kishin lindur pyetje të pafundme. A quhej gjueti nëse një njeri vriste një plesht në sabat? Në qoftë se këpuste ca kallinj gruri për t’i ngrënë duke ecur, a po korrte? Në qoftë se shëronte dikë që ishte sëmurë, a po punonte? Pyetje të tilla ishin trajtuar me rregulla të ngurta e të hollësishme.
11, 12. Si e shprehu Jezui kundërshtimin e tij ndaj traditave jobiblike të farisenjve?
11 Në një atmosferë të tillë, si do t’i ndihmonte Jezui njerëzit që të kuptonin se çfarë është drejtësia? Me mësimet e tij dhe me mënyrën se si jetoi, ai iu kundërvu me guxim atyre udhëheqësve fetarë. Shqyrto së pari disa nga mësimet e tij. I dënoi drejtpërdrejt rregullat e tyre të panumërta, të bëra nga njerëzit, duke thënë: «Me anë të traditës suaj që transmetuat, e bëni fjalën e Perëndisë të pavlefshme.»—Marku 7:13.
12 Jezui mësoi me forcë se farisenjtë e kishin gabim për sa i përket ligjit të sabatit, se nuk e kishin kapur fare thelbin e atij ligji. Ai shpjegoi se Mesia është «Zotëri i sabatit», e prandaj ka të drejtën të shërojë njerëzit në sabat. (Mateu 12:8) Për ta theksuar këtë, kreu haptazi mrekulli duke shëruar në sabat. (Luka 6:7-10) Këto shërime ishin pamje paraprake e shërimit që do të kryejë ai në mbarë tokën gjatë Mbretërimit të tij mijëvjeçar. Ky Mijëvjeçar do të jetë në vetvete sabati më i madh, kur i gjithë njerëzimi besimplotë më në fund do të gjejë prehje, pasi ka qenë i munduar për shekuj të tërë nën barrët e mëkatit dhe të vdekjes.
13. Cili ligj erdhi në ekzistencë si rrjedhim i shërbimit tokësor të Krishtit dhe si ndryshonte ai nga pararendësi i tij?
13 Gjithashtu, Jezui e bëri të qartë se ç’është drejtësia me anë të një ligji të ri, ‘ligjit të Krishtit’, që erdhi në ekzistencë pasi ai mbaroi shërbimin e tij tokësor. (Galatasve 6:2) Ndryshe nga pararendësi i tij, pra nga Ligji i Moisiut, ky ligj i ri bazohej kryesisht në parime, jo në një seri urdhrash të shkruar. Gjithsesi, përfshinte disa urdhra të drejtpërdrejtë. Njërin nga këta Jezui e quajti «një urdhërim të ri». Ai i mësoi gjithë ithtarët e tij që ta donin njëri-tjetrin ashtu siç i kishte dashur ai. (Gjoni 13:34, 35) Po, dashuria vetëmohuese do të ishte shenja dalluese e të gjithë atyre që do të jetonin sipas ‘ligjit të Krishtit’.
Shembull i gjallë i drejtësisë
14, 15. Si e tregoi Jezui se i pranonte kufijtë e autoritetit të tij dhe pse kjo na jep siguri?
14 Jezui nuk u mjaftua vetëm duke mësuar të tjerët për dashurinë. Ai jetoi sipas ‘ligjit të Krishtit’. I gjithë ligji u konkretizua në drejtimin që ndoqi ai në jetë. Shqyrto tri mënyra në të cilat shembulli i Jezuit e bëri të qartë se çfarë është drejtësia.
15 Së pari, Jezui u ruajt me shumë kujdes që të mos kryente ndonjë padrejtësi. Ndoshta e ke vënë re se shumë padrejtësi ndodhin atëherë kur njerëzit e papërsosur bëhen arrogantë dhe i tejkalojnë kufijtë e duhur të autoritetit të tyre. Jezui nuk e bëri këtë. Në një rast iu afrua një njeri dhe i tha: «Mësues, thuaji vëllait tim ta ndajë trashëgiminë me mua.» Cila ishte përgjigjja e Jezuit? «O njeri, kush më caktoi mua gjykatës ose ndarës për ju?» (Luka 12:13, 14) A nuk është e jashtëzakonshme kjo? Po ta mendosh, intelekti, aftësia gjykuese e Jezuit, e madje edhe masa e autoritetit që i kishte dhënë Perëndia ua kalonin atyre të çdo njeriu në tokë. E megjithatë ai nuk pranoi të përfshihej në këtë çështje, pasi nuk i ishte dhënë autoriteti i veçantë për ta bërë këtë. Në këtë drejtim Jezui ka qenë gjithnjë modest, edhe gjatë mijëvjeçarëve të ekzistencës paranjerëzore. (Judës 9) Fakti që Jezui me përulësi ia lë në dorë Jehovait që të përcaktojë se çfarë është e drejtë na thotë shumë për të.
16, 17. (a) Si shfaqi drejtësi Jezui në predikimin e lajmit të mirë të Mbretërisë së Perëndisë? (b) Si e tregoi Jezui se ndjenja e drejtësisë së tij përfshinte edhe mëshirën?
16 Së dyti, Jezui shfaqi drejtësi në mënyrën se si e predikoi lajmin e mirë të Mbretërisë së Perëndisë. Ai nuk tregoi asnjë anshmëri, por përkundrazi, u përpoq shumë që të fliste me çdo lloj njeriu, të pasur ose të varfër. Ndryshe nga ai, farisenjtë as që i begenisnin njerëzit e thjeshtë e të varfër, madje i thërritnin me termin përbuzës am-harets ose «njerëz të tokës». Me guxim, Jezui e vuri në vend këtë padrejtësi. Jo vetëm kur u mësonte njerëzve lajmin e mirë, por edhe kur hante bashkë me ta, kur i ushqente, kur i shëronte ose edhe kur i ringjallte, Jezui mbështeti drejtësinë e Perëndisë që dëshiron të arrijë «njerëz të çdo lloji».c—1 Timoteut 2:4.
17 Së treti, ndjenja e drejtësisë së Jezuit përfshinte edhe një ndjenjë të thellë mëshire. Ai bëri shumë përpjekje për të ndihmuar mëkatarët. (Mateu 9:11-13) Menjëherë u erdhi në ndihmë njerëzve që s’kishin fuqi të mbroheshin. Për shembull, Jezui nuk u bashkua me udhëheqësit fetarë për t’i nxitur njerëzit që të mos u zinin besë gjithë johebrenjve. Me mëshirë, ai ndihmoi dhe mësoi disa nga këta të fundit, ndonëse misioni i tij kryesisht ishte te populli jude. Pranoi të bënte një shërim të mrekullueshëm për një centurion romak, duke thënë: «Tek askush në Izrael nuk kam gjetur një besim kaq të madh.»—Mateu 8:5-13.
18, 19. (a) Në cilat mënyra e përkrahu Jezui dinjitetin e grave? (b) Si na ndihmon shembulli i Jezuit që të kuptojmë lidhjen ndërmjet guximit e drejtësisë?
18 Në mënyrë të ngjashme, Jezui nuk i mbështeti pikëpamjet e përhapura për gratë. Në vend të kësaj, me guxim bëri atë që ishte e drejtë. Njerëzit besonin se gratë samaritane ishin të papastra po aq sa edhe johebrenjtë. Megjithatë, Jezui nuk ngurroi t’i predikonte gruas samaritane në pusin e Siharit e madje, para kësaj gruaje u identifikua për herë të parë haptazi si Mesia i premtuar. (Gjoni 4:6, 25, 26) Farisenjtë thoshin se grave nuk u duhej mësuar Ligji i Perëndisë, kurse Jezui harxhoi shumë kohë dhe energji duke mësuar gratë. (Luka 10:38-42) E ndërsa sipas traditës grave nuk u zihej besë që të jepnin dëshmi të besueshme, Jezui u dha dinjitet disa grave, duke u dhënë privilegjin të ishin të parat që ta shihnin pas ringjalljes. Madje, ai u tha atyre që të shkonin e t’u tregonin dishepujve të tij burra për këtë ngjarje kaq të rëndësishme!—Mateu 28:1-10.
19 Po, Jezui ua bëri të qartë kombeve se çfarë është drejtësia. Në shumë raste e bëri këtë duke rrezikuar shumë për vete. Shembulli i Jezuit na ndihmon të kuptojmë se përkrahja e drejtësisë së vërtetë kërkon guxim. Në mënyrë të përshtatshme ai u quajt «Luani që është nga fisi i Judës». (Zbulesa 5:5) Sill ndër mend se luani është simbol i drejtësisë së guximshme. E megjithatë, në të ardhmen e afërt Jezui do të sjellë një drejtësi edhe më të madhe. Ai do të vendosë në kuptimin më të plotë «drejtësi në tokë».—Isaia 42:4.
Mbreti mesianik ‘vendos drejtësinë në tokë’
20, 21. Si e ka nxitur në kohën tonë Mbreti mesianik drejtësinë në gjithë tokën dhe brenda kongregacionit të krishterë?
20 Që kur u bë Mbreti mesianik në vitin 1914, Jezui ka nxitur drejtësinë në tokë. Si e ka bërë këtë? Ka marrë përsipër të përmbushë profecinë e tij që e gjejmë te Mateu 24:14. Ithtarët e Jezuit në tokë u kanë mësuar njerëzve të të gjitha vendeve të vërtetën për Mbretërinë e Jehovait. Ashtu si Jezui, ata kanë predikuar me paanshmëri e me drejtësi, duke u përpjekur t’u japin të gjithëve, të rinj a të moshuar, të pasur a të varfër, meshkuj a femra, mundësinë për të njohur Jehovain, Perëndinë e drejtësisë.
21 Jezui po e nxit drejtësinë edhe brenda kongregacionit të krishterë, duke qenë Kreu i tij. Siç ishte profetizuar, ai jep «dhurata në njerëz», domethënë pleq të krishterë besimplotë që marrin drejtimin në kongregacion. (Efesianëve 4:8-12) Kur kullotin kopenë e çmuar të Perëndisë, këta burra ndjekin shembullin e Jezu Krishtit, duke nxitur drejtësinë. Ata e mbajnë gjithnjë në mendje se Jezui do që delet e tij të trajtohen me drejtësi, pavarësisht nga pozita që kanë, sa shquhen ose cilat janë mundësitë e tyre materiale.
22. Si ndihet Jehovai për padrejtësitë që mbizotërojnë në botën e sotme dhe për cilën gjë e ka caktuar Birin e tij të bëjë?
22 Por në të ardhmen e afërt Jezui do ta vendosë drejtësinë në tokë në një mënyrë të paparë ndonjëherë. Në këtë botë të korruptuar mbizotëron padrejtësia e shfrenuar. Çdo fëmijë që vdes nga uria është viktimë e një padrejtësie të pafalshme, sidomos kur mendojmë për paratë dhe kohën që shpenzohen për prodhimin e armëve të luftës dhe për të plotësuar trillet egoiste të atyre që janë në kërkim të kënaqësive. Miliona vdekje të panevojshme që ndodhin çdo vit s’janë veçse një ndër format e shumta të padrejtësisë. E gjithë kjo shkakton zemërimin e drejtë të Jehovait. Ai e ka caktuar Birin e tij që të bëjë një luftë të drejtë kundër gjithë këtij sistemi të lig, për t’u dhënë fund një herë e mirë të gjitha padrejtësive.—Zbulesa 16:14, 16; 19:11-15.
23. Pas Harmagedonit, si do ta nxitë Krishti drejtësinë për gjithë përjetësinë?
23 Gjithsesi, drejtësia e Jehovait nuk përfshin vetëm shkatërrimin e të ligjve. Ai e ka caktuar Birin e tij edhe për të sunduar si «Princi i paqes». Pas luftës së Harmagedonit, sundimi i Jezuit do të vendosë paqen anembanë tokës, dhe ai do të sundojë «me anë të drejtësisë». (Isaia 9:6, 7) Atëherë Jezui do të gjejë kënaqësi duke zhbërë të gjitha padrejtësitë që kanë shkaktuar kaq shumë mjerim e vuajtje në botë. Gjatë gjithë përjetësisë, ai do të mbështetë me besnikëri drejtësinë e përsosur të Jehovait. Prandaj është jetësore që të përpiqemi ta imitojmë tani drejtësinë e Jehovait. Le të shohim se si mund ta bëjmë këtë.
a Për sa i përket shfaqjes së zemërimit të drejtë, Jezui ishte si Jehovai, i cili është «gati të shfaqë tërbim» ndaj çdo ligësie. (Nahumi 1:2) Për shembull, pasi i tha popullit të tij të pashtruar se e kishin bërë shtëpinë e tij «shpellë kusarësh», Jehovai tha: «Zemërimi dhe tërbimi im po zbrazet mbi këtë vend.»—Jeremia 7:11, 20.
b Sipas Mishnës, disa vjet më vonë u bë një protestë për çmimin e lartë me të cilin shiteshin pëllumbat në tempull. Menjëherë çmimi u ul rreth 99 për qind! Kush përfitonte më shumë nga kjo tregti e begatë? Disa historianë hedhin idenë se tregjet e tempullit ishin pronë e shtëpisë së kryepriftit Hana, e këto siguronin një pjesë të mirë të pasurisë së stërmadhe të familjes priftërore.—Gjoni 18:13.
c Farisenjtë thoshin se njerëzit e thjeshtë, të cilët nuk e njihnin mirë Ligjin, ishin «të mallkuar». (Gjoni 7:49) Thoshin se një njeri nuk duhej t’u jepte mësim këtyre njerëzve, as të bënte tregti me ta, as të hante a të lutej me ta. Të lije që bija jote të martohej me një prej tyre do të ishte më keq se t’ua nxirrje përpara bishave të egra. Besonin se këtyre njerëzve të thjeshtë nuk u ishte dhënë shpresa e ringjalljes.