Kapitulli i katërt
Jehovai—Perëndia që parathotë dhe plotëson
1, 2. (a) Pse disa mendojnë që askush s’e ka nën kontroll situatën? (b) Si e portretizojnë personalitetin e Jehovait 12 profetët?
SHUMË njerëzve u duket sikur jeta po u shket nga duart. Dhe, nga lajmet që lexojnë, ata nxjerrin përfundimin se edhe e gjithë raca njerëzore ka marrë tatëpjetën. Përpjekjet për të zgjidhur problemet e botës duket se vetëm sa e ndërlikojnë më tepër këtë situatë të pashpresë. Vlen të përmendet se disa nga 12 profetët që po analizojmë, hasën shqetësime të ngjashme e dhanë mesazhe shprese nga të cilat mund të nxjerrim dobi ne vetë, e mund t’i përdorim për të ngushëlluar të tjerët.—Mikea 3:1-3; Habakuku 1:1-4.
2 Një ide kryesore që do të gjesh në këta libra profetikë, është se Jehovai, Sovrani i universit, e ka situatën plotësisht nën kontroll lidhur me çështjet njerëzore, dhe interesohet vërtet për mirëqenien tonë. Në fakt, secili prej nesh mund të thotë: «Ai interesohet për mirëqenien time.» Të 12 profetët bënë një përshkrim tërheqës të ‘Jehovait të ushtrive’. Perëndia, po të dojë, «e prek vendin, dhe ai tretet», e megjithatë, e siguron popullin e tij: «Kush ju prek ju, prek bebëzën e syrit tim.» (Zakaria 2:8; Amosi 4:13; 9:5) A nuk të ngrohet zemra kur lexon pjesë të Biblës që ilustrojnë se mënyra se si vepron Perëndia motivohet gjithnjë nga dashuria dhe se ai shfaq mëshirë dhe fal? (Hozea 6:1-3; Joeli 2:12-14) Është e vërtetë që në shkrimet e këtyre profetëve nuk shqyrtohet çdo aspekt i personalitetit të Perëndisë. Për të bërë këtë, duhen të 66 librat e Biblës. Por gjithsesi, këta të 12-të na japin një mundësi të shkëlqyer për të soditur personalitetin tërheqës të Perëndisë dhe mënyrën si vepron ai.
3. Si bëhet e qartë nga shkrimet e 12 profetëve se Jehovai është një Perëndi që ka qëllime dhe i përmbush?
3 Shkrimet e 12 profetëve mund të na përforcojnë sigurinë se Jehovai është plotësisht i denjë për besim kur parathotë të ardhmen dhe se e përmbush deri në një qëllimin që i vë vetes. Këto shkrime vërtetojnë se, së fundi, ai do të sjellë një parajsë tokësore, që do të jetë nën sundimin e tij. (Mikea 4:1-4) Disa nga ata profetë shpjeguan se si e përgatiti Jehovai udhën për ardhjen e Mesisë dhe për shpërblesën që do ta çlironte njerëzimin nga mëkati e nga vdekja. (Malakia 3:1; 4:5) Por, pse është me rëndësi jetike t’i dimë të gjitha këto?
NJË SOVRAN I DASHUR QË E KA SITUATËN PLOTËSISHT NËN KONTROLL
4, 5. (a) Cilën të vërtetë themelore për Perëndinë, theksojnë 12 profetët? (b) Si ndikon te ti fakti që Jehovai është i plotfuqishëm?
4 Kujto akuzën që u ngrit kundër Perëndisë lidhur me të drejtën e tij për të sunduar, siç e diskutuam në kapitullin e mëparshëm. Rebelimi ndaj autoritetit të Jehovait, si edhe dyshimi për motivet e tij, bënë që disa engjëj në qiell të mos i bindeshin Perëndisë dhe të shkaktonin shumë trazira në tokë. Pra, është e qartë se, për të pasur harmoni në gjithë universin dhe paqe mes njerëzve, është i domosdoshëm respekti për sovranitetin e Jehovait dhe nënshtrimi ndaj tij. Prandaj, me të drejtë, Jehovai është i vendosur që ta shfajësojë sovranitetin e tij. Le të shqyrtojmë se si mund të na ndihmojnë 12 librat profetikë që ta kuptojmë më qartë këtë pikë.
5 Si lajmëtarë të Jehovait, profetët e theksuan shumë pozitën e tij të lartësuar. Për shembull, Amosi, duke madhështuar emrin dhe sovranitetin e të Plotfuqishmit, e përdor 21 herë termin «Zotëria Sovran». Kjo tregon se Perëndia i vërtetë është pafundësisht madhështor, dhe s’ka asgjë që nuk arrin ta bëjë. (Amosi 9:2-5; shih kutinë «Jehovai, i Plotfuqishmi».) Jehovai është i vetmi Sovran legjitim i universit, dhe as që mund të krahasohet nga epërsia me idhujt e pajetë. (Mikea 1:7; Habakuku 2:18-20; Sofonia 2:11) Pozita e Jehovait, si Krijuesi i gjithçkaje, i jep automatikisht të drejtën që si sovran të ushtrojë fuqinë e tij mbi gjithçka. (Amosi 4:13; 5:8, 9; 9:6) Pse ka rëndësi kjo për ty?
6. Si përfshihet çdo njeri në përmbushjen e premtimit të Perëndisë?
6 Në qoftë se ke vuajtur për shkak të diskriminimit, padrejtësive a paragjykimit, mund të ngushëllohesh duke ditur se Sovrani i dashur kujdeset për të gjithë. Vërtet që Jehovai kishte një lidhje të veçantë me një komb të lashtë, por prapëseprapë, ai e bëri të qartë vendosmërinë e tij për të bekuar njerëzit e çdo kombi dhe gjuhe. Ai është ‘Zotëria i vërtetë i mbarë tokës’. (Mikea 4:13) Perëndia premtoi se emri i tij «do të jetë i madh ndër kombet». (Malakia 1:11) Meqenëse Ati ynë qiellor është i paanshëm dhe u jep mundësinë të gjithëve që ta njohin, «burra nga të gjitha gjuhët e kombeve» i përgjigjen me gatishmëri ftesës për t’u bërë adhurues të tij.—Zakaria 8:23.
7. Pse është shumë e rëndësishme domethënia e emrit të Jehovait?
7 Njohuria për personalitetin e Perëndisë dhe për atë që do të bëjë, lidhet ngushtësisht me emrin e tij. (Psalmi 9:10) Në kohën kur jetonte Mikea, emri i Jehovait përgojohej, sepse shumë veta që mbanin emrin e Tij ishin kokë e këmbë të pabindur. Profeti u frymëzua të theksonte «madhështinë e emrit të Jehovait» dhe të tregonte se «njerëzit që kanë mençuri do t’i frikësohen emrit të [Perëndisë]». (Mikea 5:4; 6:9) Përse? Sepse çdo shpresë e besueshme për të ardhmen bazohet në domethënien e pasur të emrit të tij: «Ai shkakton të bëhet.» Lexo Joelin 2:26 dhe mendo se ç’kënaqësi është të mbash këtë emër dhe t’u tregosh të tjerëve për Perëndinë e vetëm që mund të bëhet çfarëdo që të jetë e nevojshme, për dobinë e krijesave të tij. Perëndia ka treguar se është i vetmi që ka fuqi të pakufishme për t’i realizuar gjërat. Prova të kësaj mund të gjesh në plotësimin e profecive të shumta që shpallën 12 profetët.
8. Si të ka motivuar emri i Jehovait?
8 Miliona njerëz kanë nxjerrë dobi kur kanë mësuar se Jehovai mund të shkaktojë të bëhet ose të plotësohet çdo gjë që vendos ai. Joeli e tregoi këtë me fjalët e famshme që cituan edhe shkrimtarët e krishterë: «Kushdo që thërret emrin e Jehovait, do të shpëtojë.» (Joeli 2:32; Veprat 2:21; Romakëve 10:13) A kemi edhe ne ndjenja si ato që shprehu Mikea, domethënë, «ne do të ecim në emër të Jehovait, Perëndisë tonë, në jetë të jetëve, po, përgjithmonë»? (Mikea 4:5) Po, në kohë përndjekjesh ose kur kemi shqetësime personale, jemi të sigurt se mund ‘të gjejmë strehë tek emri i Jehovait’.—Sofonia 3:9, 12; Naumi 1:7.
9. Deri në ç’pikë i ka nën kontroll Perëndia sundimtarët njerëzorë?
9 Duke lexuar këta libra profetikë, mund të përforcosh bindjen tënde se Jehovai ka nën kontroll madje sundimtarët njerëzorë dhe njerëzit e pushtetshëm që bëjnë ligjin. Ai ka aftësinë t’i shtyjë të veprojnë në përputhje me vullnetin e tij. (Proverbat 21:1) Shqyrto rastin e Darit të Madh të Persisë. Armiqtë e adhurimit të vërtetë kërkuan ndihmën e tij për të ndalur rindërtimin e tempullit të Jehovait në Jerusalem. Por ndodhi krejt e kundërta. Rreth vitit 520 p.e.s., Dari përtëriu dekretin e Kirit dhe mbështeti veprën e ndërtimit që po kryenin judenjtë. Më pas, kur dolën pengesa të tjera, mesazhi i Perëndisë për guvernatorin jude, Zorobabelin, ishte: «‘Jo me ndonjë forcë ushtarake, as me fuqi, por me frymën time’,—thotë Jehovai i ushtrive. Kush je ti, o mal i madh? Para Zorobabelit do të bëhesh një vend i rrafshët.» (Zakaria 4:6, 7) S’ka asgjë që ta pengojë Jehovain të sjellë shkatërrimin e këtij sistemi të lig dhe të vendosë parajsën që ta gëzojnë adhuruesit e tij.—Isaia 65:21-23.
10. Deri në ç’pikë Perëndia ka kontroll mbi gjithçka, dhe pse vlen të përmendet kjo?
10 Mbaj parasysh edhe se Jehovai ka nën kontroll forcat e natyrës, që, po të dojë, mund t’i përdorë për të shkatërruar armiqtë e tij. (Naumi 1:3-6) Duke theksuar se si mund t’i mbrojë Jehovai shërbëtorët e tij, Zakaria përdori këtë gjuhë të figurshme: «Mbi ta do të shihet vetë Jehovai, dhe shigjeta e tij do të dalë si rrufe. Bririt do t’i bjerë vetë Zotëria Sovran Jehova dhe ai do të shkojë me stuhitë e jugut.» (Zakaria 9:14) Pra, a do të jetë e vështirë për Perëndinë të tregojë që është më i lartë se kombet e paperëndishme sot? Aspak!—Amosi 1:3-5; 2:1-3.
ËSHTË I BESUESHËM, MBAN PREMTIMET
11, 12. (a) Pse konsiderohej e pamposhtshme Ninevia? (b) Çfarë përfundimi pati Ninevia, në përputhje me fjalën profetike të Perëndisë?
11 Përfytyro sikur jeton në shekullin e nëntë p.e.s., në atë që sot njihet si Lindja e Mesme. Për cilin qytet të madh duhet të kesh dëgjuar me siguri? Patjetër që për Ninevinë. Ky ishte një qytet i famshëm asirian, në bregun lindor të lumit Tigër, rreth 900 kilometra në verilindje të Jerusalemit. Mund të kesh dëgjuar të dhëna për përmasat mbresëlënëse të këtij qyteti, perimetri i të cilit është 100 kilometra. Njerëzit që shkojnë ta shohin Ninevinë, thonë se është njësoj me Babiloninë për nga madhështia, me ato pallate mbretërore, tempujt, bulevardet e gjera, parqet dhe me një bibliotekë vërtet të madhe. Për më tepër, strategët ushtarakë tregojnë për muret e saj të jashtme e të brendshme të stërmëdha e të pakapërcyeshme.
12 «Qytet i pamposhtshëm!»—duhet të kenë thënë shumë njerëz, duke përshkruar Ninevinë. Por, disa profetë nga kombi fare i vogël i Judës ngulnin këmbë që Jehovai e kishte dënuar me shkatërrim këtë ‘qytet gjakatar’. Si rezultat i reagimit të njerëzve ndaj mesazhit të Jonait, për njëfarë kohe qyteti u kursye, nuk u shkatërrua. Por, s’kaloi shumë dhe ninevitët iu rikthyen zakoneve të tyre të vjetra e të liga. Naumi paratha: ‘Ninevi, shpata do të të shfarosë. S’ka lehtësim për katastrofën tënde.’ (Naumi 3:1, 7, 15, 19; Jonai 3:5-10) Rreth asaj kohe, Perëndia përdori Sofoninë për të parathënë se Ninevia do të kthehej në një vend të shkretë. (Sofonia 2:13) A do të rrëzohej ajo fuqi politike e pamposhtshme, në përmbushje të fjalës së Jehovait? Përgjigjja erdhi rreth vitit 632 p.e.s., kur Ninevinë e rrethuan babilonasit, skithasit dhe medët. Disa përmbytje të papritura gërryen muret e qytetit, dhe sulmuesit arritën të kapërcenin pengesat mbrojtëse të tij. (Naumi 2:6-8) Qyteti dikur madhështor, shumë shpejt u kthye në një grumbull gërmadhash. Edhe sot e kësaj dite, Ninevia është ende e shkretuar.a «Qyteti i hareshëm» nuk arriti ta pengonte përmbushjen e fjalës së Perëndisë!—Sofonia 2:15.
13. Çfarë provash të profecive të përmbushura mund të gjesh te 12 profetët?
13 Ajo që i ndodhi Ninevisë, është vetëm një nga shembujt e profecive të përmbushura. Merr një hartë të sotme të Lindjes së Mesme dhe shqyrtoje me kujdes. A e gjen dot Amonin, Asirinë, Babiloninë, Edomin apo Moabin? Shumë vështirë! Pavarësisht se një herë e një kohë këto kombe ishin të famshme, 12 profetët parathanë rënien e tyre. (Amosi 2:1-3; Abdia 1, 8; Naumi 3:18; Sofonia 2:8-11; Zakaria 2:7-9) Njëri pas tjetrit, ato u zhdukën. Jehovai tha se do të zhdukeshin, dhe kështu ndodhi! Po njësoj u përmbush edhe ajo që parathanë këta profetë për një mbetje judenjsh që do të kthehej nga mërgimi në Babiloni.
14. Pse mund të kesh besim e ta ndërtosh jetën tënde duke u përqendruar te premtimet e Jehovait?
14 Si ndikojnë te besimi yt këto prova që tregojnë aftësinë e Jehovait për të parathënë të ardhmen? Mund të jesh i sigurt se Jehovai do t’i mbajë premtimet që ka bërë, pasi ai është Perëndia «që nuk mund të gënjejë». (Titit 1:2) Për më tepër, me anë të Fjalës së tij, Perëndia na informon për atë që duhet të dimë. Mund ta ndërtosh jetën tënde duke u përqendruar te kryerja e vullnetit të Jehovait dhe te siguria e fjalëve të tij profetike. Profecitë që gjejmë në këta 12 libra nuk janë thjesht shembuj të parashikimeve të plotësuara në të kaluarën. Shumë profeci po përmbushen tani ose do të përmbushen së shpejti. Pra, fjalët e dokumentuara në këta 12 libra mund të ta përforcojnë sigurinë se profecitë e thëna për kohën tonë e për të ardhmen, do të përmbushen. Merri seriozisht këta libra.
NJË ATË QË KUJDESET SHUMË
15. Si mund të të ndihmojnë përvojat e Mikesë kur lufton me problemet personale?
15 Besueshmëria e Perëndisë nuk shihet vetëm në atë që do t’u ndodhë kombeve ose skenës së përgjithshme botërore. Jehovai parathotë të ardhmen dhe i përmbush profecitë në mënyra që mund të të prekin ty personalisht. Si e bën këtë? Mendo pak: nganjëherë ti mund të bësh një luftë të vërtetë për të përballuar problemet. E di se nuk ke nevojë vetëm për dikë që të kupton; të duhet dikush tek i cili mund të kesh besim se do të të ndihmojë. Në shekullin e tetë p.e.s., Mikea duhet të jetë ndier mjaft i vetmuar tek përballej me popullin krenar të Judës. Mund t’i jetë dukur sikur ishte i vetmi njeri besnik në tokë; nuk i besonte dot as familjes së tij. Ngado që kthehej, gjente njerëz gjakatarë, mashtrues e të korruptuar. Megjithatë, qetësohej kur mendonte për premtimin e Perëndisë se do të kujdesej për shërbëtorët e vet besnikë, pavarësisht se çfarë mund të bënin të tjerët. Kjo mund të të ngushëllojë edhe ty, sidomos nëse, si adhurues i Jehovait, bën pjesë në një pakicë njerëzish ose je vetëm, i rrethuar nga të tjerë që nuk e nderojnë Perëndinë.—Mikea 7:2-9.
16. Pse mund të jesh i sigurt se Perëndia e vëren korruptimin dhe shtypjen, dhe do t’i çlirojë të drejtët?
16 Siç ndodh shpesh sot, të pasurit e të pushtetshmit e Judës dhe të Izraelit të lashtë u bënë lakmitarë e të padrejtë. Skllavëria e paligjshme ishte pasojë e taksave të tepërta dhe e uzurpimit të tokave. Të varfrit trajtoheshin me ftohtësi, e madje me mizori. (Amosi 2:6; 5:11, 12; Mikea 2:1, 2; 3:9-12; Habakuku 1:4) Me anë të lajmëtarëve të tij, Perëndia bëri të qartë se nuk e toleron korruptimin dhe shtypjen e se do t’i ndëshkojë keqbërësit e papenduar. (Habakuku 2:3, 6-16) Perëndia ka parathënë se «do t’i ndreqë gjërat për kombe të fuqishme» dhe se shërbëtorët e tij të miratuar «kanë për t’u ulur secili nën hardhinë e vet dhe nën fikun e vet, dhe askush nuk do t’i trembë». (Mikea 4:3, 4) Mendo për lehtësimin që do të vijë nga kjo! Perëndia ka parathënë, dhe më pas ka përmbushur shumë gjëra të tjera. A mund të ketë dyshime se kjo profeci do të përmbushet?!
17, 18. (a) Përse Perëndia u jep shpresë njerëzve? (b) Si duhet ta shohim disiplinën që vjen nga Jehovai?
17 Jehovai nuk i përmbush premtimet e tij vetëm për të treguar se ka aftësinë për të parashikuar, sikur të donte t’u bënte përshtypje njerëzve. Veprimet e tij vijnë nga një dashuri e bazuar në parime, sepse «Perëndia është dashuri». (1 Gjonit 4:8) Kujto rastin e Hozesë, që jetoi në shekullin e tetë p.e.s. Izraelitët e tradhtuan Jehovain, ashtu si Gomera tradhtoi të shoqin, Hozenë. Idhujtaria që praktikuan ishte si kurorëshkelje; ata e përzien adhurimin e pastër të Jehovait me adhurimin e Baalit. Gjithashtu, në mënyrë të figurshme ‘kryen kurvëri’ me Asirinë dhe Egjiptin. Si do të reagonte Jehovai? Hozea duhej të përpiqej ta merrte prapë me vete gruan e tij jobesnike. I shtyrë nga dashuria, Jehovai u përpoq ta tërhiqte prapë popullin e tij. «Me litarët e njeriut i tërhiqja, me kordonët e dashurisë . . . dhe me ëmbëlsi i çova ushqim gjithsecilit.» (Hozea 2:5; 11:4) Po të pendoheshin sinqerisht, mund të merrnin faljen nga Perëndia dhe të rivendosnin marrëdhënien e mirë me të. (Hozea 1:3, 4; 2:16, 23; 6:1-3; 14:4) A nuk prekesh kur shikon përzemërsinë e Jehovait? Pyet veten: ‘Nëse Jehovai ka treguar një përzemërsi të tillë në të kaluarën, a kam arsye të mos jem i sigurt për dashurinë dhe përzemërsinë e tij të butë, të pandryshueshme, të përjetshme dhe besnike?’—Hozea 11:8.
18 Këta 12 libra profetikë mund të të ndihmojnë të kuptosh se dashuria e Perëndisë nganjëherë përfshin edhe ndreqjen. Jehovai e siguroi popullin e tij rebel se ‘nuk do ta zhdukte krejt’. (Amosi 9:8) Kur e kishin të nevojshëm ndëshkimin, Perëndia nuk ua kurseu, por, sa lehtësuese duhet të ketë qenë për ta të dinin se ky ndëshkim do të ishte i përkohshëm! Malakia 1:6 e krahason Jehovain me një atë të dashur. E dimë se një baba, ngaqë i do shumë fëmijët, nganjëherë i disiplinon për t’i ndrequr. (Naumi 1:3; Hebrenjve 12:6) Gjithsesi, dashuria e bën Atin tonë qiellor që të mos zemërohet shpejt, dhe Malakia 3:10, 16 vërteton se ai do t’i shpërblejë me bujari shërbëtorët e tij.
19. Cili vetëshqyrtim është i përshtatshëm?
19 Malakia e fillon librin e tij me këtë siguri: «‘Unë ju kam dashur’,—ka thënë Jehovai.» (Malakia 1:2) Kur mediton për këtë siguri që Perëndia i dha Izraelit, pyet veten: ‘Mos po bëj ndonjë gjë që më pengon të kem dashurinë e Perëndisë? Cilat aspekte të dashurisë së Perëndisë dua t’i njoh dhe t’i përjetoj më tepër?’ Sa më shumë ta dallosh dashurinë e Perëndisë, aq më shumë mund të fitosh siguri për përzemërsinë e tij të përjetshme.
FALJA HAP RRUGËN PËR SHPËTIM
20. Si hap rrugën për shpëtim falja nga Perëndia?
20 Duke lexuar këta libra profetikë do të vëresh se, disa herë, Jehovai parathoshte gjëma. Po përse? Shpesh, vepronte kështu që t’i nxiste njerëzit të pendoheshin. Për këtë qëllim, ai lejoi që të huajt të shkatërronin Samarinë në vitin 740 p.e.s. dhe Jerusalemin në vitin 607 p.e.s. Ajo që paratha Perëndia u përmbush, por më vonë ai i lejoi njerëzit e penduar të riktheheshin në vendin e tyre. Po, këta libra theksojnë se Perëndia me dashamirësi fal dhe rivendos ata që largohen nga mëkati dhe kthehen tek ai. (Habakuku 3:13; Sofonia 2:2, 3) Mikea u nxit të shpallte: «Cili Perëndi është si ti, që fal fajin dhe kapërcen shkeljen e mbetjes së trashëgimisë sate? Nuk ke për ta mbajtur përgjithmonë zemërimin tënd, sepse ti kënaqesh kur tregon dashamirësi.» (Mikea 7:18; Joeli 2:13; Zakaria 1:4) Përmbushja e profecive e vërteton këtë.
21. (a) Çfarë treguan për Mesinë 12 profetët? (b) Cilat profeci për Mesinë të bëjnë më shumë përshtypje?
21 Që njerëzit të kishin një bazë ligjore të përhershme për të marrë një herë e mirë faljen, Jehovai paratha ardhjen e Mesisë, i cili do të flijonte jetën e tij njerëzore si «shpërblesë përkatëse» për njerëzimin mëkatar. (1 Timoteut 2:6) Amosi foli për rivendosjen që do të bënte të mundur Mesia, biri i Davidit. (Amosi 9:11, 12; Veprat 15:15-19) Madje, Mikea tregoi edhe vendin ku do të lindte Jezui, ai që do të vinte e do t’u sillte dobi jetëdhënëse të gjithë atyre që do të tregonin besim në flijimin e Tij. (Mikea 5:2) Kurse Zakaria foli për «Filizin», Jezuin, që ‘do të ulej e do të sundonte në fronin e tij’. (Zakaria 3:8; 6:12, 13; Luka 1:32, 33) Me siguri që do të të forcohet besimi duke shqyrtuar edhe profeci të tjera si këto!—Shih kutinë «Profeci kryesore për Mesinë».
22. Si të shtohet siguria te Jehovai nga ajo që zbulojnë për të 12 profetët?
22 Ndërsa lexon mesazhet e 12 profetëve, do të të shtohet siguria për fitoren përfundimtare të Perëndisë. Jehovai do të luftojë për ne dhe do të sjellë drejtësinë e vërtetë. Fjala e Perëndisë qëndron përgjithmonë. Ai i mban mend marrëveshjet që ka bërë me popullin e tij, kujdeset për shërbëtorët e tij dhe i çliron nga çdo shtypës. (Mikea 7:8-10; Sofonia 2:6, 7) Jehovai nuk ka ndryshuar. (Malakia 3:6) Sa na qetëson të dimë se për Perëndinë s’ka asnjë vështirësi ose pengesë kur bëhet fjalë për të përmbushur premtimin e tij! Kur thotë se dita e gjykimit prej tij do të vijë, është e sigurt se do të vijë. Prandaj, qëndro vigjilent për ditën e Jehovait! «Jehovai do të bëhet mbret mbi gjithë tokën. Atë ditë Jehovai do të tregojë se është një i vetëm dhe se emri i tij është një i vetëm.» (Zakaria 14:9) Ai e ka parathënë këtë dhe ai do ta përmbushë.
a Në nëntor të vitit 2002, para se të fillonte lufta në Irak, këtë rajon e vizitoi profesori Dan Krukshenk. Ai tha në rrjetin televiziv BBC: «Në periferi të Mosulit gjenden rrënojat e qytetit të madh të Ninevisë, që, së bashku me Nimrudin . . . u gërmuan me entuziazëm nga arkeologët britanikë, duke filluar nga vitet 40 të shekullit të 19-të e më tej. . . . Eksplorimi i këtyre qyteteve asiriane nxori në dritë një qytetërim të humbur prej kohësh, madje, gati-gati mitologjik, që njihej vetëm nga disa përshkrime biblike të shkurtra, enigmatike dhe aspak lajkatuese.»