MËSIMI 4
Pse kemi botuar Përkthimin Bota e Re?
Për dekada, Dëshmitarët e Jehovait kanë përdorur, shtypur dhe shpërndarë versione të ndryshme të Biblës. Por kuptuam se ishte e nevojshme të botohej një përkthim i ri që do t’i ndihmonte më shumë njerëzit të merrnin «njohurinë e saktë të së vërtetës», siç është vullneti i Perëndisë për të gjithë. (1 Timoteut 2:3, 4) Prandaj, në vitin 1950 filluam të botonim pjesë të Biblës sonë në gjuhën e sotme, Përkthimi Bota e Re. Kjo Bibël është përkthyer besnikërisht dhe saktësisht në më tepër se 130 gjuhë.
Nevojitej një Bibël që të kuptohej lehtë. Gjuhët ndryshojnë me kalimin e kohës, ndaj shumë përkthime të Biblës përmbajnë shprehje të paqarta ose të vjetra që mezi kuptohen. Gjithashtu, janë zbuluar dorëshkrime të lashta që janë më të sakta dhe më afër origjinaleve. Falë tyre kuptohen më mirë gjuhët në të cilat u shkrua Bibla: hebraishtja, aramaishtja dhe greqishtja.
Nevojitej një përkthim besnik i fjalës së Perëndisë. Në vend që të bëjnë si t’u teket me shkrimet e frymëzuara nga Perëndia, përkthyesit e Biblës duhet të jenë besnikë ndaj tekstit origjinal. Megjithatë, emri hyjnor, Jehova, nuk përdoret në shumicën e versioneve të Shkrimeve të Shenjta.
Nevojitej një Bibël që t’ia jepte meritën Autorit të saj. (2 Samuelit 23:2) Në Përkthimin Bota e Re, emri Jehova është rivendosur rreth 7.000 herë në ato vende ku del në dorëshkrimet më të lashta të Biblës, siç shihet më poshtë. (Psalmi 83:18) Kjo Bibël, e cila është rezultat i viteve të tëra kërkimesh ngulmuese, të kënaq kur e lexon, pasi përcjell me saktësi mendimet e Perëndisë. Pavarësisht nëse e ke apo jo në gjuhën tënde Përkthimin Bota e Re, të nxitim ta bësh zakon leximin e Fjalës së Jehovait çdo ditë.—Josiu 1:8; Psalmi 1:2, 3.
Pse arritëm në përfundimin se duhej një përkthim i ri i Biblës?
Çfarë zakoni të përditshëm është mirë të ketë kushdo që dëshiron të njohë vullnetin e Perëndisë?