KAPITULLI 11
Masat për vendet e adhurimit
ADHURUESIT e vërtetë të Jehovait janë urdhëruar që të mblidhen për të marrë udhëzime e për t’i dhënë zemër njëri-tjetrit. (Hebr. 10:23-25) Vendi i parë i adhurimit ku mblidhej populli i zgjedhur i Perëndisë, Izraeli, ishte ‘tabernakulli, tenda e takimit’. (Eks. 39:32, 40) Më vonë, Solomoni, biri i Davidit, ndërtoi një shtëpi, ose tempull, për lavdi të Perëndisë. (1 Mbret. 9:3) Pasi u shkatërrua tempulli më 607 p.e.s., judenjtë mblidheshin për të adhuruar Perëndinë në ndërtesa që quheshin sinagoga. Me kalimin e kohës, tempulli u rindërtua dhe shërbeu përsëri si qendër e adhurimit të vërtetë. Jezui i mësonte njerëzit në sinagoga dhe në tempull. (Luka 4:16; Gjoni 18:20) Ai madje mbajti një mbledhje në mal.—Mat. 5:1—7:29.
2 Pas vdekjes së Jezuit, të krishterët mblidheshin në vende publike e në shtëpi, për të dhënë mësime nga Shkrimet dhe për t’u shoqëruar me bashkëbesimtarët. (Vep. 19:8, 9; Rom. 16:3, 5; Kolos. 4:15; Fil. 2) Nganjëherë ishte e nevojshme që të krishterët e hershëm të mblidheshin në vende të izoluara që të mos i diktonin përndjekësit. Vërtet, shërbëtorët besnikë të Perëndisë në të kaluarën dëshironin shumë të mblidheshin në vende adhurimi, ‘për t’u mësuar nga Jehovai’.—Isa. 54:13.
3 Edhe sot, për mbledhjet e krishtere përdoren vende publike dhe shtëpi. Shpesh, shtëpitë shërbejnë si vende për mbledhjet e shërbimit. Ata që hapin shtëpinë e tyre për të mbajtur këto mbledhje, e shohin këtë si privilegj. Shumë besojnë se duke hapur shtëpinë e tyre për mbledhje të tilla, afrohen më shumë me Jehovain.
SALLA E MBRETËRISË
4 Vendi kryesor ku mblidhen Dëshmitarët e Jehovait është Salla e Mbretërisë. Zakonisht blihet një pronë e ndërtohet një Sallë e re Mbretërie ose rinovohet një ndërtesë ekzistuese. Që të pakësohen shpenzimet e të përdoren sa më mirë ndërtesat tona, disa kongregacione e shohin praktike të përdorin të njëjtën Sallë Mbretërie. Në disa zona, është e nevojshme të merret me qira një sallë. Për Sallat e reja të Mbretërisë dhe për ato që kanë pasur rinovime të mëdha, është e përshtatshme të mbahet një program kushtimi. Por, në qoftë se në një Sallë Mbretërie bëhen vetëm rinovime të vogla, nuk ka nevojë të mbahet një program kushtimi.
5 Salla e Mbretërisë nuk duhet të jetë një ndërtesë pompoze, e projektuar për t’u bërë përshtypje të tjerëve. Edhe pse arkitektura mund të ndryshojë nga vendi në vend, qëllimi është të jenë gjithnjë praktike. (Vep. 17:24) Në përputhje me rrethanat e zonës, duhet të jetë një vend i rehatshëm dhe i volitshëm për të mbajtur mbledhjet e krishtere.
6 Të gjitha kongregacionet e Dëshmitarëve të Jehovait kontribuojnë për përdorimin, funksionimin dhe mirëmbajtjen e Sallës së Mbretërisë ku janë caktuar. Nuk mblidhen pará e as kërkohen fonde. Ka një kuti kontributesh ku të pranishmit mund të kontribuojnë për shpenzimet e nevojshme në lidhje me përdorimin e sallës. Këtë e bëjnë vullnetarisht dhe nga zemra.—2 Kor. 9:7.
7 Të gjithë pjesëtarët e kongregacionit e konsiderojnë privilegj të mbështetin financiarisht Sallën e Mbretërisë dhe të dalin vullnetarë për ta mbajtur të pastër dhe në gjendje të mirë. Zakonisht caktohet një plak ose një shërbëtor kongregacioni për ta programuar punën. Në përgjithësi, pastrimi bëhet sipas grupeve të shërbimit dhe mbikëqyrësi i grupit ose ndihmësi i tij marrin drejtimin. Si jashtë edhe brenda, Salla e Mbretërisë duhet të përfaqësojë denjësisht Jehovain dhe organizatën e tij.
Të gjithë në kongregacion e konsiderojnë privilegj të mbështetin financiarisht Sallën e Mbretërisë dhe të dalin vullnetarë për ta mbajtur të pastër dhe në gjendje të mirë
8 Në sallat ku mblidhen më shumë se një kongregacion, pleqtë e kongregacioneve marrin masa që të ketë një Komitet për Funksionimin e Sallës së Mbretërisë, i cili do të koordinojë çështjet që kanë të bëjnë me ndërtesën dhe pronën. Trupat e pleqve zgjedhin një vëlla që të shërbejë si koordinator i komitetit të funksionimit. Duke punuar nën drejtimin e trupave të pleqve, komiteti i funksionimit mbikëqyr pastrimin e sallës, duke u siguruar që të mirëmbahet dhe të ketë mjaft furnizime. Kjo kërkon bashkëpunim të mirë nga kongregacionet e përfshira.
9 Kur një Sallë Mbretërie përdoret nga disa kongregacione, programi për oraret e mbledhjeve mund të bëhet me rotacion. Pleqtë do ta bëjnë programin duke shfaqur respekt reciprok dhe dashuri vëllazërore. (Filip. 2:2-4; 1 Pjet. 3:8) Asnjë kongregacion nuk do t’i merrte vetë vendimet për kongregacionet e tjera. Kur mbikëqyrësi qarkor viziton një nga kongregacionet që mblidhen në Sallën e Mbretërisë, kongregacionet e tjera do t’i përshtatin oraret e mbledhjeve për atë javë, sipas nevojës.
10 Salla e Mbretërisë mund të përdoret për martesa dhe funerale me lejen e Komitetit të Shërbimit të Kongregacionit. Këta pleq shqyrtojnë me kujdes çdo kërkesë dhe e bazojnë vendimin në udhëzimet që kanë marrë nga zyra e degës.
11 Prej atyre që u jepet leja për të përdorur Sallën e Mbretërisë për këto qëllime, pritet të sillen siç u ka hije të krishterëve të vërtetë. Në Sallën e Mbretërisë nuk duhet bërë asgjë që do të fyente pjesëtarët e kongregacionit ose që do t’i sillte sharje Jehovait dhe emrit të mirë të kongregacionit. (Filip. 2:14, 15) Nën drejtimin e zyrës së degës, Salla e Mbretërisë mund të përdoret për qëllime të tjera teokratike, siç janë: Shkolla e Shërbimit të Mbretërisë dhe Shkolla e Shërbimit për Pionierë.
12 Kongregacioni do të tregojë gjithnjë respekt për vendin ku mblidhet. Veshja, paraqitja e jashtme dhe sjellja duhet të pasqyrojnë dinjitetin që i përket adhurimit të Jehovait. (Ekl. 5:1; 1 Tim. 2:9, 10) Kur zbatojmë këshillat në këtë aspekt, tregojmë çmueshmëri për mbledhjet e krishtere.
13 Është e rëndësishme të mbahet rregull gjatë mbledhjeve. Rekomandohet që fëmijët të ulen me prindërit e tyre. Prindërit me fëmijë të vegjël mund të inkurajohen të ulen aty ku s’do të shkaktonin shumë shpërqendrim, që t’i nxjerrin fëmijët për t’i disiplinuar ose për gjëra të tjera, nëse do të ishte e nevojshme.
14 Vëllezër të kualifikuar caktohen si përcjellës në mbledhjet në Sallën e Mbretërisë. Ata duhet të jenë syçelë, miqësorë dhe të përdorin gjykim të mirë. Disa nga përgjegjësitë e tyre janë: të përshëndetin të sapoardhurit e t’i bëjnë të ndihen të mirëpritur, të ndihmojnë ata që vijnë me vonesë të gjejnë vend për t’u ulur, të regjistrojnë numrin e të pranishmëve dhe t’i kushtojnë vëmendjen e duhur ngrohjes dhe ajrosjes së sallës. Kur të jetë e nevojshme, përcjellësit do t’i kujtojnë prindërit t’i mbikëqyrin siç duhet fëmijët që të mos vrapojnë para dhe pas mbledhjes ose të luajnë në podium. Me takt e dashamirësi, një nga përcjellësit mund t’i kërkojë prindit të një fëmije që bën zhurmë, që ta nxjerrë jashtë fëmijën, për të mos shpërqendruar së tepërmi auditorin. Puna e përcjellësve ndihmon shumë që të pranishmit të kënaqen në mbledhje. Parapëlqehet që si përcjellës të përdoren pleq dhe shërbëtorë kongregacioni.
NDËRTIMI I SALLAVE TË MBRETËRISË
15 Në shekullin e parë, disa të krishterë ishin më në gjendje se të tjerët, prandaj apostulli Pavël shkroi: «Dua që të ketë barazi. Kështu, bollëku juaj në këtë moment të kompensojë nevojat e tyre, që edhe bollëku i tyre të kompensojë nevojat tuaja, e në këtë mënyrë të ketë barazi.» (2 Kor. 8:14) Sot bëhet çmos që të ketë një «barazi» të ngjashme. Kontributet e kongregacioneve mbarëbotërore mblidhen për të mbështetur financiarisht ndërtimin dhe rinovimin e Sallave të Mbretërisë. Përkrahja bujare e vëllazërisë mbarëbotërore çmohet shumë nga organizata dhe nga kongregacionet që nxjerrin dobi nga këto kontribute.
16 Në bazë të disa nevojave lokale, zyra e degës mund t’i caktojë kongregacionet në Salla Mbretërie specifike. Gjithashtu, zyra përcakton kur dhe ku të ndërtojë Salla të reja Mbretërie dhe të rinovojë sallat ekzistuese në territorin e degës. Kur ndodhin katastrofa, merren masa për të bërë riparimet e nevojshme në Sallat e Mbretërisë që janë dëmtuar e, nganjëherë, edhe në shtëpitë e vëllezërve.
17 Zyra e degës koordinon punën e vullnetarëve për të ndihmuar me blerjen e pronës, me arkitekturën e Sallës së Mbretërisë, me marrjen e lejeve për godinat, me ndërtimin dhe me mirëmbajtjen. Për shkak të nevojës së madhe për Salla Mbretërie në shumë vende, nevojiten shumë vullnetarë. Të gjithë lajmëtarët e pagëzuar që kualifikohen dhe dëshirojnë të ndihmojnë, inkurajohen të plotësojnë një kërkesë dhe t’ia japin Komitetit të Shërbimit të Kongregacionit të tyre. Edhe lajmëtarët e papagëzuar mund të ndihmojnë në ndërtimin ose në rinovimin e Sallës së tyre të Mbretërisë.
SALLAT E ASAMBLEVE
18 Në përgjithësi të krishterët e hershëm mblidheshin në grupe të vogla. Por, nganjëherë mblidhej ‘një turmë mjaft e madhe’. (Vep. 11:26) Po njësoj, sot populli i Jehovait mblidhet në grumbullime të mëdha për asambletë qarkore dhe për kongreset rajonale. Shpesh merren me qira salla në atë zonë. Aty ku nuk jepen ndërtesa me qira ose nuk janë të përshtatshme, mund të jetë e nevojshme të blihet ose të ndërtohet një vend adhurimi që quhet Sallë Asamblesh.
19 Me raste, një ndërtesë blihet, rinovohet dhe përdoret si Sallë Asamblesh. Por, më shpesh, blihet një pronë dhe ndërtohet një sallë e re. Sallat e Asambleve kanë përmasa të ndryshme, në varësi të nevojave lokale. Zyra e degës vendos të blejë a të ndërtojë një sallë të tillë vetëm pasi është analizuar me kujdes kostoja dhe është përcaktuar sa herë në vit do të përdoret.
20 Zyra e degës cakton vëllezër që të kujdesen për funksionimin dhe për mirëmbajtjen e Sallës së Asambleve. Merren masa që qarqet të bëjnë pastrimin e zakonshëm, pastrimin gjashtëmujor dhe mirëmbajtjen për të parandaluar dëmtimet. Vëllezërit do të nxjerrin dobi nëse dalin vullnetarë për këtë punë. Prandaj, kongregacionet inkurajohen t’i përkrahin me gjithë zemër këto masa.—Psal. 110:3; Mal. 1:10.
21 Nganjëherë, Salla e Asambleve mund të përdoret edhe për gjëra të tjera teokratike, siç janë: shkollat teokratike dhe mbledhjet speciale për mbikëqyrësit qarkorë. Ashtu si Salla e Mbretërisë, Salla e Asambleve është vend adhurimi. Kur mblidhemi në një Sallë Asamblesh, sjellja, veshja dhe paraqitja e jashtme duhet të jenë dinjitoze, ashtu si kur mblidhemi në Sallën e Mbretërisë për të adhuruar.
22 Shumë veta po shpejtojnë të hyjnë në organizatën e Perëndisë gjatë pjesës përfundimtare të këtyre ditëve të fundit. Kjo tregon se Jehovai po na bekon. (Isa. 60:8, 10, 11, 22) Prandaj, duam t’i përkrahim masat për të gjetur e për të mbajtur vende adhurimi të pastra e të rehatshme. Duke vepruar kështu, tregojmë se e vlerësojmë rolin që luajnë këto ndërtesa për të na ndihmuar t’i japim zemër njëri-tjetrit, aq më tepër tani që e shohim se dita e Jehovait po afrohet.