MËSIMI 49
Një mbretëreshë e ligë ndëshkohet
Nga dritarja e pallatit mbretëror në Jezreel, mbreti Akab mund të shihte një vresht që i përkiste një burri me emrin Nabot. Akabi e donte këtë vresht dhe u përpoq t’ia blinte Nabotit. Por Naboti nuk pranoi t’ia shiste, sepse shitja e tokës së trashëguar ishte kundër Ligjit të Jehovait. A e respektoi Akabi Nabotin ngaqë po vepronte siç duhej? Jo, përkundrazi, Akabi u zemërua jashtë mase. U mërzit aq shumë sa nuk dilte nga dhoma e gjumit dhe nuk pranonte të hante.
Mbretëresha e ligë Jezebelë, gruaja e Akabit, i tha: ‘Ti je mbreti i Izraelit prandaj mund të kesh gjithçka që dëshiron. Do të ta jap unë tokën.’ Ajo u shkroi letra pleqve të qytetit, ku u thoshte ta akuzonin Nabotin se kishte mallkuar Perëndinë dhe ta vrisnin me gurë. Pleqtë bënë çfarë u tha Jezebela. Kështu ajo i tha Akabit: ‘Naboti vdiq. Tani vreshti është yti!’
Naboti nuk ishte i vetmi i pafajshëm që vrau Jezebela. Ajo u mori jetën edhe shumë të tjerëve që e donin Jehovain. Adhuronte idhuj dhe bënte shumë gjëra të këqija. Jehovai i pa të gjitha të këqijat që bëri Jezebela. Çfarë do të bënte me të?
Pas vdekjes së Akabit, u bë mbret i biri, Jehorami. Jehovai dërgoi një burrë me emrin Jehu që të ndëshkonte Jezebelën dhe familjen e saj.
Jehu po i jepte karrocës për në Jezreel, ku jetonte Jezebela. Jehorami i doli me karrocë para Jehut dhe e pyeti: ‘A ka paqe mes nesh?’ Jehu i tha: ‘E si mund të ketë paqe përderisa mamaja jote, Jezebela, bën gjëra të këqija?!’ Jehorami u përpoq ta kthente karrocën prapa dhe të ikte. Por Jehu e qëlloi me shigjetë dhe ai vdiq.
Pastaj Jehu shkoi te pallati mbretëror i Jezebelës. Kur ajo dëgjoi se Jehu po vinte, u lye, rregulloi flokët dhe po priste lart te dritarja. Kur Jehu mbërriti, ajo i foli me përçmim. Jehu u thirri shërbëtorëve të Jezebelës që ishin pranë saj: «Hidheni poshtë!» Ata e hodhën nga dritarja dhe ajo vdiq.
Pas kësaj, Jehu vrau 70 djemtë e Akabit dhe pastroi vendin nga adhurimi i Baalit. A e sheh që Jehovai di gjithçka dhe se në kohën e duhur i ndëshkon ata që bëjnë të këqija?
«Trashëgimia e fituar me lakmi në fillim, s’ka për të qenë bekim në fund.»—Proverbat 20:21