LUGINA E PËRROIT TË ARNONIT
Gryka e thellë e luginës së përroit të Arnonit pret thuajse mes për mes rrafshnaltën në lindje të Detit të Vdekur. Ky lumë, Vadi-Mujibi (Nahal-Arnoni), ushqehet nga një sërë degësh (Nu 21:14) dhe, pas Jordanit, është e vetmja rrjedhë uji e rëndësishme që derdhet në Detin e Vdekur. Shkëmbinjtë e thepisur ranorë të kuqërremë e të verdhë bien thikë anëve të luginës së ngushtë, ku rrjedh lumi i pashtershëm me ujë të kristaltë, plot peshq. Brigjeve të tij rriten plot shelgje, oleandra e bimë të tjera. Kur del nga gryka me faqe të rrëpirëta dhe hyn në bregdetin e sheshtë të Detit të Vdekur, gjerësia shkon nga 12 deri në 30 m dhe thellësia nga 30 në 120 cm.
Kanioni hijerëndë, rreth 3 km i gjerë në majë dhe gati 520 m i thellë, kishte vetëm pak kalime (Is 16:2), ndaj krijonte një kufi natyror. Në epokën e pushtimit izraelit, ndante amoritët në veri nga moabitët në jug (Nu 21:13), por mesazhi që u çoi Jefteu amonitëve, tregon se pjesa veriore kishte qenë dikur nën sundimin e amonitëve dhe e kishin pushtuar amoritët para se të mbërrinte Izraeli. (Gjy 11:12-27) Pasi i ra anës territorit të Moabit, Izraeli mbërriti në Arnon, ndoshta në rrjedhën e sipërme të tij. Sihoni, mbreti i amoritëve, i sulmoi, por Izraeli korri fitore dhe shtiu në dorë territorin nga Arnoni deri në Jabok. (Nu 21:21-24; Lp 2:24-36; shih LUGINA E PËRROIT TË JABOKUT.) Këto vise që u pushtuan të parat, u bënë territori i fiseve të Rubenit dhe të Gadit.—Lp 3:16; Js 12:1, 2; 13:8, 9, 15-28.
Meqë Jehu nuk eci me përpikëri sipas ligjit të Jehovait, më vonë këtë rajon e pushtoi ushtria e Hazaelit të Sirisë. (2Mb 10:32, 33) Arnoni përmendet në rreshtin 26 të të famshmit Gur i Moabit, ku Mesha, mbreti i Moabit, mburret se kishte ndërtuar një rrugë përmes luginës. Zbulimet arkeologjike tregojnë se në këtë zonë ekzistonin mjaft fortesa dhe ura, që dëshmojnë për rëndësinë strategjike të Arnonit. Emri i tij shfaqet në profecitë kundër Moabit.—Is 16:2; Jr 48:20.
[Figura në botimin e shtypur]
Pamje për nga veriu e luginës së përroit të Arnonit