EN-EGLAIMI
[burim (krua) i dy viçave].
Në një vegim simbolik që pa Ezekieli, uji plot kripë i Detit të Vdekur ‘do të shërohej’ dhe peshkatarët do të qëndronin në brigjet e tij nga En-Gedi deri në En-Eglaim. (Ezk 47:8-10) Vetë emri tregon një vend pranë një kroi. Shumica e studiuesve e lidhin En-Eglaimin me ʽAin-Feshkën, që ndodhet pranë skajit veriperëndimor të Detit të Vdekur. ʽAin-Feshka dhe ʽAin-Jidi (ku ruhet emri i En-Gedit), rreth 29 km në jug të tij, janë dy oazat më të mëdha në bregun perëndimor të Detit të Vdekur. Kurse të tjerë janë të mendimit se En-Eglaimi ndodhej në bregun juglindor të Detit të Vdekur, afër Zoarit. Në bazë të dokumenteve të lashta, që flasin për krahinën e ʽAgaltainit, J. Jadini nxjerr përfundimin se «duket qartë që ‘krahina e ʽAgaltainit’ është ana juglindore e Detit të Vdekur . . . Nëse ka ndonjë lidhje mes ʽAgaltainit dhe En-Eglaimit të profecisë së Ezekielit për Detin e Vdekur (Ezek. 47:10: ‘gjatë brigjeve të detit, nga En-Gedi deri në En-Eglaim, do të ketë peshkatarë’)—shpjegimi i këtij fragmenti duhet të jetë që Deti i Vdekur do të shërohej nga bregu në breg—një përshkrim shumë i gjallë dhe i qartë. Nuk ka arsye që ta kërkojmë vendndodhjen e En-Eglaimit në bregun perëndimor (kohët e fundit është hedhur ideja se ndodhej në Ain-Feshkha), pasi kjo do ta kufizonte vegimin profetik vetëm në bregun perëndimor».—Israel Exploration Journal, Jerusalem, 1962, vëll. 12, f. 250, 251.