EN-GEDI
[burim (krua) i kecit].
Emri i një qyteti në territorin e Judës dhe i shkretëtirës përreth. (Js 15:62; 1Sa 24:1) Në përgjithësi mendohet se është Tell-Jurni (Tel-Goreni), pranë ʽEn-Gedit të sotëm, afro 37 km në jug-juglindje të Jerusalemit, në bregun e Detit të Vdekur.
Vasha shulamite përmendi tërthorazi pjellorinë e rajonit kur foli për «një tufëz kënaje mes vreshtave të En-Gedit». (Kng 1:14) Gjithsesi, kjo e përshkruan vetëm pjesërisht botën e pasur bimore që lulëzon këtu edhe sot e kësaj dite. Falë pozicionit të veçantë në ultësirën e Detit të Vdekur, në En-Gedi rriten bimë subtropikale, palma e bimë balsami, si edhe lloj-lloj frutash. Kjo e bën En-Gedin një oazë që dallon nga shkretëtira e Judës aty pranë tërësisht e zhuritur.—Shih SHKRETËTIRA E JUDËS.
Rajoni kishte bimësi të harlisur dhe ishte i vështirë për t’u arritur, e këto e bënin En-Gedin vend ideal ku të fshihej Davidi ndërsa e ndiqte mbreti Saul. Ja pse Bibla flet për disa vende në En-Gedi «ku ishte e vështirë të arrije». (1Sa 23:29) Vizitorët e ditëve të sotme i përshkruajnë po njësoj shtigjet shkëmbore të rrezikshme dhe të rrëpirëta të asaj zone. Edhe shprehja «shkëmbinjtë e zhveshur të dhive të malit» tregon se disa pjesë të terrenit ishin të ashpra. (1Sa 24:2) Disa studiues mendojnë se kjo shprehje, që disa versione e përkthejnë «shkëmbinjtë e dhive të egra» (AT, JB, RS), përdorej si emër i përveçëm për një vend ku ndoshta mblidheshin dhitë, siç ndodh ende sot në rajonin e En-Gedit. Ndërsa të tjerë mendojnë se kjo është thjesht frazë përshkruese për malet dhe kreshtat e ashpra konike të rajonit ku jetojnë dhi të egra. Shkëmbinjtë e En-Gedit janë plot shpella të mëdha. Davidi dhe luftëtarët e tij mund të jenë fshehur në një prej tyre. (1Sa 24:3) Disa hedhin idenë se «vathat prej guri» ku ndaloi Sauli mund të ishin këto shpella, që kishin para një mur me gurë të palatuar për t’u mbrojtur nga moti i keq.—1Sa 24:2-10.
Në ditët e mbretit Jehozafat, forcat e bashkuara ushtarake të Amonit, të Moabit dhe të rajonit malor të Seirit dolën kundër Judës duke kaluar nga ‘Hazazon-Tamari, domethënë En-Gedi’. (2Kr 20:2; shih HAZAZON-TAMARI.) Në vegimin e Ezekielit për ujin e detit që «shërohet», ishte profetizuar se do të kishte peshkatarë «nga En-Gedi deri në En-Eglaim».—Ezk 47:8-10.