HEBRENJTË
Herën e parë termi «hebre» u përdor për Abramin, për ta dalluar nga fqinjët e tij amoritë. (Zn 14:13) Pas kësaj, thuajse çdo herë termi «hebre(nj)» vazhdoi të përdorej si epitet dallues në këto raste: kur ai që fliste, nuk ishte nga kombi i Izraelit (Zn 39:13, 14, 17; 41:12; Da 1:16; 1Sa 4:6, 9), kur një izraelit i drejtohej një të huaji (Zn 40:15; Da 1:19; 2:7; Jn 1:9) ose kur në kontekst përmendeshin edhe të huaj (Zn 43:32; Da 1:15; 2:11-13; 1Sa 13:3-7).
Siç shihet nga shkrimet e mësipërme, egjiptianët e njihnin mirë këtë term që në shekullin e 18-të p.e.s. Kjo mund të tregojë se Abrahami, Isaku dhe Jakobi ishin të mirënjohur në një rajon të gjerë, prandaj emri i përgjithshëm «hebre» ishte mjaft i dëgjuar. Kur u përmendi dy shërbëtorëve të faraonit ‘vendin e hebrenjve’ (Zn 40:15), Jozefi pa dyshim e kishte fjalën për rajonin përqark Hebronit, i cili ishte prej kohësh qendër aktiviteti për babanë dhe stërgjyshërit e tij. Rreth gjashtë shekuj më vonë, filistinët i quanin ende «hebrenj» izraelitët. Në kohën e mbretit Saul, termat ‘hebrenj’ dhe ‘Izrael’ përcillnin të njëjtin kuptim. (1Sa 13:3-7; 14:11; 29:3) Në shekullin e nëntë p.e.s., profeti Jona tha se ishte hebre kur po fliste me marinarët (ndoshta fenikas) e një anijeje që ishte nisur nga porti i Jopës. (Jn 1:9) Edhe Ligji bënte dallim mes një skllavi «hebre» dhe një skllavi me prejardhje a kombësi tjetër (Da 21:2; Lp 15:12). Në lidhje me këtë, libri i Jeremisë (shekulli i shtatë p.e.s.) tregon se termi «hebre» ishte në atë kohë sinonim i termit «jude».—Jr 34:8, 9, 13, 14.
Në epokat e mëvonshme, shkrimtarët grekë dhe romakë shpesh i quanin izraelitët «hebrenj» ose «judenj», por jo «izraelitë».
Origjina dhe kuptimi i termit. Më poshtë paraqiten përmbledhtas hipotezat për origjinën dhe kuptimin e termit «hebre».
Sipas një hipoteze, rrënja e këtij emri është ʽavár, që do të thotë «kaloj; kaloj pranë; kapërcej». Pra, termi «hebre» do të përdorej për Abrahamin si ai që Perëndia e mori «nga matanë Lumit [Eufrat]». (Js 24:3) Përkthyesit e Septuagintës greke e kuptuan kështu këtë term dhe, si rrjedhojë, te Zanafilla 14:13 nuk e quajtën Abrahamin «hebreu», por «kalimtari». Ndonëse kjo teori është mjaft e përhapur, ka të meta. Mbaresa e termit ʽIvrí (hebre) është njësoj si mbaresa e disa termave të tjerë që s’ka dyshim se janë patronime, pra, emra të formuar nga një parashtesë ose prapashtesë që tregon se lidhen me emrin e babait a të një stërgjyshi nga ana e babait. Kështu, termi Mohʼaví (moabit) tregon kryesisht dikë me prejardhje nga Moabi (Mohʼáv), jo rajonin gjeografik ku jetonte; po njësoj edhe termat ʽAmmohní (amonit), Daní (danit) dhe shumë të tjerë.
Veç kësaj, sikur Abrahami të quhej «hebre» vetëm ngaqë ‘kaloi’ Eufratin, atëherë ky term duhej të ishte mjaft i përgjithshëm dhe duhej të përdorej për çdokënd që bënte të njëjtën gjë —e në rrjedhën e shekujve ka gjasa të ketë pasur shumë emigrantë të tillë. Nëse do të kishte këtë origjinë, ky do të ishte term dallues për Abrahamin vetëm po të pranohej se ai e kaloi Eufratin me ftesë të Perëndisë. Ka pak të ngjarë që ata paganë që përdornin termin «hebre» ta pranonin këtë fakt, por nuk përjashtohet si mundësi.
Një hipotezë e dytë, që e mbështetin disa studiues, është se ky term përdorej për banorët e përkohshëm, pra, për ata që ishin ‘kalimthi’ në vend, në dallim nga banorët vendës ose të shpërngulurit. (Krahaso përdorimin e ʽavár te Zn 18:5; Da 32:27; 2Kr 30:10.) Vërtet që për njëfarë kohe izraelitët bënë jetë nomade, por nuk ishte kështu pas pushtimit të Kanaanit. Megjithatë, ata vazhduan të quheshin hebrenj. Një tjetër argument kundër kësaj hipoteze mund të jetë fakti që në këtë rast termi do të ishte kaq i gjerë, sa do të përfshinte gjithë grupet nomade. Meqë në Bibël Jehovai quhet «Perëndia i hebrenjve», është e qartë se kjo nuk nënkupton ‘gjithë nomadët’, përderisa shumë popuj nomadë adhuronin perëndi të rreme.—Da 3:18; 5:3; 7:16; 9:1, 13; 10:3.
Sipas një hipoteze të tretë, që përkon me dëshmitë biblike, fjala «hebre» (ʽIvrí) vjen nga emri Eber (ʽÉver), një stërnip i Semit dhe paraardhës i Abrahamit. (Zn 11:10-26) Vërtet, për Eberin nuk dihet gjë tjetër veç faktit që bënte pjesë në trungun gjenealogjik nga Semi tek Abrahami. Nuk përmendet ndonjë bëmë a veçori e tij që të shpjegojë pse pasardhësit e Eberit e nxorën në pah emrin e tij. Gjithsesi, duhet vërejtur se Eberi përmendet në mënyrë të veçantë te Zanafilla 10:21, ku Semi quhet ‘paraardhësi i të gjithë bijve të Eberit’. Shumë shekuj pas vdekjes së Eberit, emrin e tij e mbante një popull ose një zonë, siç duket qartë nga profecia e Balaamit në shekullin e 15-të p.e.s. (Nu 24:24) Veç kësaj, përdorimi i emrit të tij si patronim do t’i lidhte izraelitët me një ‘familje’ me prejardhje nga Noeja, siç tregon Zanafilla 10:1-32.
Ashtu si për hipotezat e tjera të shtjelluara lart, edhe në këtë rast ngrihet pyetja se përse fjala «hebre» (nëse vinte nga emri Eber) përdorej për të dalluar në veçanti izraelitët. Eberi pati nga biri i tij Joktani edhe pasardhës të tjerë, të cilët nuk bënin pjesë në trungun gjenealogjik të Abrahamit (dhe të Izraelit). (Zn 10:25-30; 11:16-26) Duket se termi ʽIvrí (hebre) përfshinte të gjithë këta pasardhës, që mund të pohonin ligjërisht se Eberi ishte paraardhësi i tyre. Disa studiues hedhin idenë se fillimisht mund të ketë qenë kështu por, në rrjedhën e kohës, emri nisi të përdorej vetëm për izraelitët, që ishin më të shquarit ndër eberitët, pra ndër hebrenjtë. Në Bibël gjejmë disa raste të ngjashme. Ndonëse Abrahami kishte shumë pasardhës joizraelitë, si edomitët, ismaelitët dhe pasardhësit që pati nga gruaja e tij Ketura, vetëm izraelitët quhen «farë e Abrahamit». (Ps 105:6; Is 41:8; krahaso Mt 3:9; 2Ko 11:22.) Natyrisht, ky dallim vinte ngaqë marrëdhënia e Perëndisë me ta bazohej në besëlidhjen abrahamike. Por edhe vetë fakti që Perëndia i bëri një komb, u dha si trashëgimi vendin e Kanaanit dhe fitore kundër armiqve të shumtë e të fuqishëm, pa dyshim do t’i dallonte izraelitët jo vetëm nga pasardhësit e tjerë të Abrahamit, por edhe nga gjithë pasardhësit e tjerë të Eberit. Ekziston edhe mundësia që shumë nga këta pasardhës të tjerë ta kenë humbur identitetin «eberitë» si pasojë e krushqive me popuj të tjerë.
Pra, ka mjaft të ngjarë që veçimi i emrit të Eberit në listat gjenealogjike të jetë tregues hyjnor se bekimin që i dha Noeja Semit do ta merrnin veçanërisht pasardhësit e Eberit; ngjarjet pasuese tregojnë se izraelitët ishin të parët që e morën atë bekim. Veç kësaj, përmendja specifike e Eberit do të shërbente për gjenealogjinë e Farës së premtuar, të cilën Jehovai e përmendi në profecinë e Zanafillës 3:15. Kështu, Eberi u bë një hallkë lidhëse mes Semit dhe Abrahamit, çka përputhet edhe me faktin që Jehovai quhej «Perëndia i hebrenjve».
Profecia e Balaamit. Profecia e Balaamit e dokumentuar te Numrat 24:24 kuptohet në varësi të përdorimit të fjalës Eber: si term gjeografik që tregon ‘vendin (ose popullin) në anën tjetër’ apo si patronim i përdorur në veçanti për hebrenjtë (izraelitët). Shumica e komentuesve pranojnë se Kitimi—nga brigjet e të cilit, sipas profecisë, do të vinin anije që do t’i sillnin vuajtje Asirisë dhe Eberit—në thelb ishte emri i lashtë i Qipros. Megjithatë, siç tregohet në artikujt QIPROJA dhe KITIMI, Qiproja u vu nën pushtetin e fortë të Greqisë; veç kësaj, emri Kitim mund të përdoret më gjerësisht edhe për rajone përtej ishullit të Qipros, duke lënë vend ndoshta për një tjetër lidhje me Greqinë. Kështu, sipas shumicës së studiuesve, profecia lidhet me pushtimin grek ose maqedon të kombeve të Lindjes së Mesme, ndër të cilat edhe të Asirisë. Për ata që përkrahin idenë se «Eber» në këtë rast është term gjeografik, vuajtjet që do të pësonte ai, nënkuptonin se jo vetëm Asiria, por tërë fuqitë e Mesopotamisë (populli ‘në anën tjetër’) do të viheshin nën sundimin e Perëndimit. Kurse ata që mendojnë se fjala Eber tregon hebrenjtë, hedhin idenë që vuajtjet e parathëna ranë mbi ta pas vdekjes së Aleksandrit të Madh, gjatë periudhës së sundimtarëve Seleukaj, sidomos të Antiokut Epifan. Në këtë shkrim, ashtu si emri Asiria në hebraisht është në fakt Ashur, edhe fjala Eber duket se nuk është thjesht një emërtim gjeografik, por një patronim që tregon hebrenjtë.
Përdorimi në Shkrimet e Krishtere Greke. Te Veprat 6:1 bëhet dallimi mes judenjve që flitnin hebraisht («hebrenjve», Dio) dhe judenjve që flitnin greqisht («helenistëve», Dio).—Shih GREQIA, GREKËT (Helenistët).
Pavli e quajti veten së pari hebre, së dyti izraelit dhe së treti farë të Abrahamit. (2Ko 11:22) Këtu fjala ‘hebre’ mund të jetë përdorur për të treguar origjinën (krahaso Fi 3:4, 5), ‘izraelit’ për të treguar se ishte pjesë e kombit që Perëndia e zgjodhi në fillim si popull për emrin e tij (krahaso Ro 9:3-5), dhe «farë e Abrahamit» për të treguar se ishte një nga trashëgimtarët e bekimeve të premtuara të besëlidhjes abrahamike.
Habirutë. Në shumë dokumente me shkrim kuneiform që i përkasin fillimit të mijëvjeçarit të dytë p.e.s., shfaqet termi akadian (asiro-babilonas) habiru ose hapiru. Habirutë ishin aktivë në Mesopotaminë Jugore, në Azinë e Vogël dhe në rajonet e Haranit e të Marit. Po ashtu, në afro 60 nga Pllakat e Amarnës të zbuluara në Egjipt, sundimtarët vasalë kananitë i shkruanin faraonit të Egjiptit (asokohe kryezoti i tyre) dhe i ankoheshin edhe për sulmet kundër qyteteve të tyre nga disa sundimtarë që kishin aleatë habirutë.
Habirutë u shfaqën në Mesopotami si argatë, ushtarë mercenarë, kusarë, skllevër, e kështu me radhë. Edhe pse disa studiues janë orvatur t’i lidhin habirutë me pushtimin e Kanaanit nga izraelitët, dëshmitë nuk e mbështetin këtë ide. Rreth kësaj, në një vepër thuhet: «Qysh nga fundi i shekullit të nëntëmbëdhjetë, kur habirutë u shfaqën në shkrimet e Amarnës, studiuesit orvateshin t’i lidhnin me ata që Bibla i quan ʽibrim ose ‘hebrenj’—një fjalë që del tridhjetë e katër herë në Dhiatën e Vjetër, zakonisht e përdorur nga të huajt ose në praninë e të huajve. . . . Shumica e studiuesve e hedhin poshtë një lidhje të drejtpërdrejtë të hebrenjve me habirutë, nisur nga argumentet e mëposhtme: (1) njëjtësimi i dy grupeve sjell vështirësi filologjike; (2) ka të ngjarë që habiru të jetë term përgjithësues që përshkruan një klasë, kurse termi ʽibri tregon një etni; (3) dy grupet ndryshojnë shumë për nga përhapja, veprimtaritë dhe karakteristikat.»—The New International Dictionary of Biblical Archaeology, nga E. Blejkloku dhe R. Harrisoni, 1983, f. 223, 224.
Në dokumentet egjiptiane, habirutë shfaqen me emrin ʽapiru. Ata punësoheshin në gurore, në shtypëset e rrushit dhe në transportin e gurëve. Nga ana gjuhësore është e pamundur që fjala egjiptiane ʽapiru të lidhet me fjalën hebraike ʽIvrí. Veç kësaj, disa dokumente tregojnë se habirutë jetuan në Egjipt shumë kohë pas largimit të hebrenjve nga ai vend.