ISAKARI
[ai është pagë (d.m.th., njeri që sjell pagë)].
1. Djali i nëntë i Jakobit dhe i pesti nga shtatë fëmijët që i lindën Leas në Padan-Aram. Lea e shihte këtë djalë si shpërblim ose pagë nga Jehovai që e kishte lejuar shërbyesen t’i lindte fëmijë burrit të saj, gjatë kohës kur ajo s’mund të lindte.—Zn 29:32–30:21; 35:23, 26; 1Kr 2:1.
Isakari mund të ketë qenë tetë vjeç kur familja e tij u shpërngul në Kanaan, në vitin 1761 p.e.s. Pas kësaj, nuk dihet asgjë për jetën e tij, përveç ngjarjeve ku mori pjesë bashkë me të tjerë ‘bij të Jakobit’. (Zn 34:5-7, 13, 27; 37:3-27; 42:1-3; 45:15) Në vitin 1728 p.e.s., kur Isakari ishte rreth 41 vjeç, shkoi të jetonte në Egjipt bashkë me bijtë e tij, Tolën, Puvahun (Puahun), Iobin (Jashubin) dhe Shimronin, që ishin pjesë e shtëpisë së Jakobit të përbërë nga «shtatëdhjetë shpirt».—Zn 46:13, 27; Da 1:1-3; 1Kr 7:1.
Kur Jakobi ishte në shtratin e vdekjes, Isakari ishte i 6-ti nga 12 bijtë e tij që mori bekimin e të atit: «Isakari është një gomar kockëfortë, që rri shtrirë nën dy hejbet e tij. Ai do të shohë se vendi i tij i pushimit është i mirë dhe se toka e tij është e pëlqyeshme. Prandaj, do t’i përkulë shpatullat për të bartur barrë dhe do të bëjë punë skllavi.» (Zn 49:14, 15) Kur i dha Isakarit këtë bekim, Jakobi nuk po nxirrte në pah thjesht disa karakteristika individuale dhe ngjarje të jetës së tij, por njësoj siç bëri kur bekoi djemtë e tjerë, ai paratha edhe karakteristikat dhe sjelljen e pasardhësve të Isakarit në të ardhmen, «në ditët e fundit».—Zn 49:1.
2. Një nga 12 fiset e Izraelit; pasardhësit e Jakobit nga i biri, Isakari.
Kur u bë regjistrimi i parë pas ikjes nga Egjipti, ky fis numëronte 54.400 burra të aftë për luftë nga mosha 20 vjeç e lart. (Nu 1:17-19, 28, 29) Regjistrimi tjetër, rreth 39 vjet më vonë, tregoi se numri i të regjistruarve të këtij fisi kishte arritur në 64.300 dhe, në kohën e Davidit, luftëtarët ishin 87.000. (Nu 26:23-25; 1Kr 7:5) Në vitin 1070 p.e.s., 200 krerë të fisit shkuan në Hebron kur Davidi u bë ‘mbret i tërë Izraelit’.—1Kr 12:23, 32, 38.
Në fushimin e madh të izraelitëve në shkretëtirë, familjet e Isakarit dhe ato të Zabulonit, vëllezër të një gjaku, ndodheshin në dy krahët e fisit të Judës, në anën lindore të tabernakullit. (Nu 2:3-8) Kur niste marshimi, kjo ndarje trifisëshe ishte caktuar të nisej e para. (Nu 10:14-16) Moisiu i grupoi bashkë Isakarin dhe Zabulonin kur dha bekimet e lamtumirës (Lp 33:18), por disa vjet më vonë, në kohën kur fiset formuan dy grupe për të dëgjuar leximin e bekimeve dhe të mallkimeve të Ligjit mes malit të Ebalit dhe të Gerizimit, Isakari dhe Zabuloni ishin të ndarë.—Lp 27:11-13; Js 8:33-35; shih MALI I EBALIT.
Gjatë ndarjes së Tokës së Premtuar, Isakari ishte fisi i katërt që u zgjodh me short për të marrë trashëgiminë, që i ra kryesisht në luginën pjellore të Jezreelit. Isakari kufizohej në veri me territorin e Zabulonit dhe të Neftalit, në lindje me lumin Jordan, në jug me territorin e Manaseut dhe në perëndim me një pjesë të territorit të Asherit. Përgjatë kufirit verior me Zabulonin gjendej mali Tabor, afër kufirit jugperëndimor ishte qyteti i Megidos dhe në drejtim të kufirit juglindor gjendej Beth-Sheani. Brenda këtij territori kishte disa qytete kananite me fshatrat e tyre. (Js 17:10; 19:17-23) Pikërisht në këtë luginë shumë të lakmuar, sipas bekimit të Moisiut, fisi i Isakarit ‘gëzoi tendat e veta’.—Lp 33:18.
Kur e krahasoi Isakarin me «një gomar kockëfortë», me sa duket, Jakobi donte të vinte në dukje një cilësi të tij që do të shfaqej edhe te fisi që erdhi nga ai. (Zn 49:14, 15) Toka që u ra për pjesë ishte vërtet «e pëlqyeshme», një zonë pjellore e Palestinës, e mirë për bujqësi. Duket se Isakari e pranoi me dëshirë mundin që kërkonte puna në bujqësi. Gatishmëria e tij tregohet nga fjalët e profecisë sipas të cilave ai ‘do t’i përkulte shpatullat për të bartur barrë’. Pra, edhe pse nuk binte shumë në sy, fisi i Isakarit mund të lëvdohej që e pranoi përgjegjësinë që i ra.
Disa qytete brenda pronës së Isakarit, ku bënin pjesë edhe qytetet e rëndësishme të Megidos dhe të Beth-Sheanit, i përkitnin fisit fqinj të Manaseut. (Js 17:11) Gjithashtu, disa qytete në territorin e tij bashkë me kullotat e tyre, ishin lënë mënjanë për fisin e Levit. (Js 21:6, 28, 29; 1Kr 6:62, 71-73) Më vonë, Isakari dha pjesën e tij (një të dymbëdhjetën e nevojave vjetore) për oborrin e Solomonit.—1Mb 4:1, 7, 17.
Mes burrave të Isakarit që spikatnin ishte Igali, i përzgjedhuri i fisit për të vëzhguar vendin e Kanaanit, i cili njësoj si të tjerët i këshilloi izraelitët të mos hynin në Tokën e Premtuar. (Nu 13:1-3, 7, 31-33) Prijës të fisit ishin Netaneli pas Daljes nga Egjipti (Nu 1:4, 8; 7:18; 10:15), Paltieli kur Izraeli hyri në Tokën e Premtuar (Nu 34:17, 18, 26) dhe Omri gjatë mbretërimit të Davidit.—1Kr 27:18, 22.
Isakari qe një ndër fiset që mbështetën gjykatësin Barak për të thyer ushtritë e Jabinit të drejtuara nga Sisera. (Gjy 4:2; 5:15) Më vonë, Tola nga fisi i Isakarit qe gjykatës i Izraelit për 23 vjet. (Gjy 10:1, 2) Pas ndarjes së mbretërisë së bashkuar, Baasha nga fisi i Isakarit ishte sundimtari i tretë i mbretërisë veriore. Baasha i lig vrau paraardhësin e tij për t’i rrëmbyer fronin, të cilin e mbajti për 24 vjet. (1Mb 15:27, 28, 33, 34) Rreth 200 vjet më vonë, Hezekia, mbreti i Judës, i ftoi banorët e mbretërisë së veriut të shkonin të kremtonin Pashkën me popullin e tij, dhe shumë nga fisi i Isakarit e pranuan ftesën e shkuan në Jerusalem.—2Kr 30:1, 13, 18-20.
Në librat e Ezekielit dhe të Zbulesës, Isakari përmendet bashkë me fiset e tjera dhe, duke pasur parasysh natyrën profetike të këtyre vegimeve, është e qartë se përmendja e emrit të tij ka një domethënie simbolike.—Ezk 48:25, 26, 33; Zb 7:7.
3. Derëtar levit; djali i shtatë i korahitit Obed-Edom. Isakari dhe të afërmit e tij u caktuan të bënin rojë në krahun jugor të shenjtërores në Jerusalem.—1Kr 26:1-5, 13, 15.