NINEVIA
Qytet asirian i themeluar nga Nimrodi, «një gjahtar i fuqishëm kundër Jehovait». Bashkë me Rehobot-Irin, Kalahun dhe Resenin formonin ‘qytetin e madh’. (Zn 10:9, 11, 12; Mi 5:6 ) Shumë kohë më vonë, u bë kryeqyteti i Perandorisë Asiriane dhe u quajt ‘qytet gjakatar’ (Na 3:1), sepse asirianët bënë shumë luftëra pushtuese dhe përdorën metoda brutale për të vrarë luftëtarët e kapur rob. Sigurisht që fushatat ushtarake e pasuruan shumë qytetin. (Na 2:9) Hyjnia kryesore e Ninevisë duket se ka qenë Ishtari, perëndesha e dashurisë dhe e luftës.
Gërmime arkeologjike. Kujunjiku dhe Nebi-Junusi («profeti Jonai»), dy kodrina në bregun lindor të lumit Tigër përballë Mosulit, në veri të Irakut, tregojnë vendndodhjen e qytetit të dikurshëm madhështor të Ninevisë. Në Nebi-Junus ndodhet një fshat, me një varrezë dhe një xhami. Për këtë arsye, në këtë kodrinë, nën të cilën gjendet një pallat i Esar-Hadonit, nuk janë bërë shumë gërmime. Kurse në Kujunjik, nga gërmimet kanë dalë në dritë shumë prova të lavdisë së dikurshme të Ninevisë. Ndër to janë mijëra pllaka me shkrim kuneiform të bibliotekës së Ashurbanipalit, si dhe rrënojat e pallatit të Senakeribit e të Ashurbanipalit. Këto pallate ishin struktura mbresëlënëse. Në bazë të zbulimeve të tij, sër Ostin Lejardi shkroi:
«Pjesa e brendshme e pallatit asirian duhet të ketë qenë sa madhështore, aq edhe hijerëndë. E kam drejtuar lexuesin përmes rrënojave të pallatit dhe ai mund ta kuptojë vetë se ato sallone ishin projektuar për t’i bërë përshtypje vizitorit të atyre kohëve të lashta që hynte për herë të parë në banesat e mbretërve asirianë. Ai hynte përmes një portali të ruajtur nga luanë gjigantë ose dema prej alabastri të bardhë. Në sallonin e parë, ai e gjente veten mes skulpturave ku ishte gdhendur historia e perandorisë. Nëpër mure paraqiteshin beteja, rrethime, fitore, skena gjuetie e ceremoni fetare, të gdhendura në alabastër e të lyera me ngjyra mahnitëse. Nën çdo pikturë kishte mbishkrime të gdhendura me shkronja të mbushura me bakër të shndritshëm, të cilat shpjegonin skenat e paraqitura. Sipër skulpturave ishin pikturuar ngjarje të tjera: mbreti, në prani të eunukëve e të luftëtarëve të tij, që priste robërit, lidhte aleanca me monarkë të tjerë ose përmbushte ndonjë detyrim të shenjtë. Këto pamje ishin të rrethuara me elemente dekorative me ngjyra e me modele të përpunuara dhe elegante. Mes zbukurimeve binin në sy pema simbolike, demat me krahë dhe kafshët e përbindshme. Në fund të sallonit ishte figura kolosale e mbretit duke adhuruar hyjninë më të lartë ose duke marrë nga eunuku kupën e shenjtë. Ai shoqërohej nga luftëtarët që i mbanin armët dhe nga priftërinjtë ose hyjnitë që drejtonin shërbesat. Petkat e mbretit dhe të atyre që e shoqëronin ishin të stolisura me figura të ndryshme kafshësh e lulesh, të gjitha me ngjyra të shndritshme.
Vizitori ecte mbi rrasa alabastri dhe në secilën prej tyre kishte mbishkrime që tregonin titujt, gjenealogjinë dhe bëmat e mbretit të madh. Përmes disa hyrjeve, anash së cilave kishte luanë a dema gjigantë me krahë, ose figura të hyjnive mbrojtëse, mund të hyje nëpër dhoma që të çonin në sallone të tjera. Në to kishte skulptura të reja. Nëpër muret e disa salloneve kishte figura të mëdha, në rresht njëra pas tjetrës, që tregonin burra të armatosur dhe eunukë që shoqëronin mbretin, luftëtarë të ngarkuar me plaçkë lufte që tërhiqnin nga pas robërit ose u paraqitnin dhurata e blatime perëndive. Në muret e disa të tjerave paraqiteshin priftërinj me krahë, ose hyjni që drejtonin shërbesat, që rrinin në këmbë para pemëve të shenjta.
Tavanet kishin ndarje në formë katrore, të pikturuara me lule ose me figura kafshësh. Disa ishin të zbukuruara me fildish dhe çdo ndarje ishte e rrethuar nga bordura dhe korniza elegante. Trarët, si edhe faqet e dhomave, mund të kenë qenë të lara ose të veshura me ar e argjend; për punimet me dru ishin përdorur drurë të rrallë, ndër të cilët cedri ishte më i spikatshmi. Dhomat ndriçoheshin nga disa të çara katrore në tavane.»—Nineveh and Its Remains, 1856, pjesa II, f. 207-209.
Në kohën e Jonait. Në shekullin e nëntë p.e.s., profeti i Jehovait, Jonai, shpalli gjëmën që i kanosej Ninevisë për shkak të ligësisë së banorëve të saj. Megjithatë, meqë populli dhe mbreti u penduan, Jehovai nuk e ndëshkoi qytetin. (Jn 1:1, 2; 3:2, 5-10) Asokohe, Ninevia ishte një qytet i madh dhe «duheshin tri ditë udhë në këmbë që ta përshkoje». (Jn 3:3) Ajo kishte një popullsi prej më shumë se 120.000 banorësh. (Jn 4:11) Ky përshkrim i Biblës përputhet me dëshmitë arkeologjike. Andre Parro, kryekujdestari i Muzeve Kombëtare të Francës, thoshte:
«Njësoj si sot Londra e vjetër është shumë e ndryshme nga ajo që quhet ‘Londra e Madhe’—term që përfshin edhe periferitë dhe përcakton një zonë shumë më të madhe—ka të ngjarë që edhe njerëzit që jetonin larg Asirisë, me fjalën ‘Ninevi’ të nënkuptonin atë zonë që sot njihet si ‘trekëndëshi asirian’ . . . , i cili shtrihet nga Khorsabadi, në veri, deri në Nimrud, në jug; ai përbëhet nga një varg pothuajse i pandërprerë fshatrash dhe zgjatet për nja 40 kilometra. . . .
Feliks Xhonsi ka llogaritur se Ninevia mund të ketë pasur 174.000 banorë, dhe kohët e fundit, në gërmimet që bëri në Nimrud, M. E. L. Malouani zbuloi një stelë të Ashurnazirpalit ku thuhet se ai ftoi në një gosti një numër marramendës prej 69.574 mysafirësh. Malouani mendon se, duke llogaritur edhe të huajt, Kalaku (Nimrudi) mund të ketë pasur 65.000 banorë. Por sipërfaqja e Ninevisë është dy herë më e madhe se ajo e Nimrudit, dhe kjo vërteton tërthorazi numrin që gjendet te Jonai 4:11.»—Nineveh and the Old Testament, 1955, f. 85, 86; shih JONAI nr. 1; LIBRI I JONAIT.
Shkatërrimi i saj përmbush profecinë. Edhe pse ninevitët u penduan nga predikimi i Jonait (Mt 12:41; Lu 11:30, 32), më vonë iu kthyen përsëri sjelljes së tyre të ligë. Disa vjet pas vrasjes së mbretit asirian, Senakeribit, në Ninevi, në shtëpinë e Nisrokut, perëndisë së tij (2Mb 19:36, 37; Is 37:37, 38), Naumi (1:1; 2:8–3:19) dhe Sofonia (2:13-15) parathanë shkatërrimin e këtij qyteti të lig. Profecitë e tyre u përmbushën kur forcat aleate të Nabopolasarit, mbretit të Babilonisë, dhe të Siaksaresit, medit, rrethuan dhe morën Ninevinë. Me sa duket, qytetin e kanë djegur, pasi shumë relieve janë të dëmtuara ose kanë shenja zjarri dhe tymi. Një kronikë babilonase thotë për Ninevinë: «Ata morën shumë plaçkë nga qyteti dhe tempulli (dhe) [e kthyen] qytetin në një pirg rrënojash.» (Assyrian and Babylonian Chronicles, nga A. Grejsëni, 1975, f. 94; FIGURA, vëll. 1, f. 958 në botimin anglisht) Edhe sot e kësaj dite Ninevia është një vend i shkretë, dhe në pranverë, bagëtitë kullosin afër ose lart në kodrinën e Kujunjikut.
Data e rënies së Ninevisë. Ndonëse është fshirë nga pllaka kuneiforme ekzistuese që përshkruan rënien e Ninevisë, data e kësaj ngjarjeje, viti i 14-të i Nabopolasarit, mund të nxirret nga konteksti. Kohën e rënies së saj mund ta përcaktojmë edhe nga kronologjia biblike. Sipas një kronike babilonase, egjiptianët u mundën në Karkemish në vitin e 21-të të mbretërimit të Nabopolasarit. Bibla tregon se kjo ka ndodhur në vitin e katërt të mbretërimit të Jehojakimit ose në vitin 625 p.e.s. (Jr 46:2) Prandaj, pushtimi i Ninevisë (rreth shtatë vjet më parë) në vitin e 14-të të mbretërimit të Nabopolasarit, do të ketë ndodhur në vitin 632 p.e.s.—Shih ASIRIA (Rënia e perandorisë).