SEIRI
[nga rrënja e fjalës që do të thotë «ngrihen», ndoshta duke iu referuar kodrave të mbuluara me pyje; ose ndoshta në kuptimin «ngrihen qimet (drithërohesh) nga tmerri»].
1. Një ‘horit’, shtatë «bijtë» e të cilit ishin sheikë në vendin e Seirit para se ta pushtonte Esau (Edomi). (Zn 36:20, 21, 29, 30; 1Kr 1:38; krahaso Zn 14:4-6.) Seiri mund të ketë jetuar në rajonin malor në jug të Detit të Vdekur dhe ndoshta ajo zonë mori emrin e tij. Nuk dihet me siguri nëse shtatë «bijtë» e Seirit ishin bij të tij në kuptimin e mirëfilltë apo nëse disa prej tyre ishin pasardhës të brezave të mëvonshëm.—Shih ANAHU; DISHONI.
2. Rajoni malor mes Detit të Vdekur dhe gjirit të ʽAkabës. (Zn 36:8, 30; Lp 2:1, 8) Në kohën e Abrahamit, në Seir banonin horitët. (Zn 14:6) Më vonë, nipi i Abrahamit, Esau, shtiu në dorë disa prona në Seir, kurse vëllai binjak, Jakobi, banoi në Padan-Aram. (Zn 32:3) Por, me sa duket Esau u shpërngul në Seir vetëm pas kthimit të Jakobit në Kanaan. (Zn 36:6-9) Në fund, pasardhësit e Esaut, edomitët, shpronësuan horitët (Lp 2:4, 5, 12; Js 24:4) dhe vendi mori emrin Edom. Prapëseprapë, emri i vjetër Seir vazhdoi të përdorej për pasardhësit e Esaut dhe për zonën ku banonin. (Nu 24:18; krahaso 2Mb 14:7; 2Kr 25:11.) Gjatë mbretërimit të Hezekisë, disa burra nga fisi i Simeonit shkuan në malin e Seirit dhe, si shfarosën amalekitët që kishin mbetur, simeonitët u vendosën me banim atje. (1Kr 4:41-43) Për hollësi rreth gjeografisë dhe historisë së Seirit, shih EDOMI, EDOMITËT.
3. Mal ndërmjet Baalahut (Kiriat-Jearimit) dhe Kesalonit në kufirin verior të territorit të Judës. (Js 15:10) Në përgjithësi mendohet se Seiri është kreshta malore që ndodhet rreth 15 km në perëndim të Jerusalemit, në shpatin jugor të së cilës shtrihet fshati Shoresh.