DISHONI
[ndoshta: antilopë].
Emri i një a mbase i dy burrave të ndryshëm, që shfaqet në gjenealogjitë e Zanafillës 36:20-28 dhe 1 Kronikave 1:38-42.
Zanafilla 36:20, 21 (edhe Zn 36 vrg. 29, 30) rendit si sheikë shtatë «bijtë e Seirit, horitit», pra, Lotanin, Shobalin, Zibeonin, Anahun, Dishonin, Ezerin dhe Dishanin. Pastaj, në Zn 36 vargjet 22 deri në 28, secili nga shtatë sheikët përmendet tok me bijtë e vet. Në Zn 36 vargun 25, njëri nga bijtë e Anahut quhet Dishon. Disa besojnë se ky Dishon e kishte Seirin gjysh dhe sheikun Dishon xhaxha, duke u nisur nga mendimi se shtatë sheikët ishin të gjithë ‘bij’ të Seirit në kuptimin e ngushtë të fjalës, pra, i përkitnin të njëjtit brez.
Mirëpo të tjerë mendojnë se ky tregim i paraqit shtatë sheikët thjesht si pasardhës të Seirit, pra, jo të të njëjtit brez, domethënë si ‘bij’ në kuptimin e gjerë të fjalës. Prandaj shtrojnë idenë se Dishoni i Zn 36 vargut 25 është vetë sheiku Dishon (Zn 36:21, 26), jo nipi i tij. Sipas kësaj pikëpamjeje, edhe pse ishte në të vërtetë bir i sheikut Anah, Dishoni përmendet bashkë me gjashtë sheikët e tjerë ngaqë ishte sheik njësoj si ata, jo ngaqë ishte vëllai i tyre.