ZEDEKIA
[Jehovai është drejtësi].
1. «Biri i Kenaanahut»; profet i rremë që e siguroi mbretin Akab se do të arrinte t’ua merrte sirianëve Ramot-Galaadin. Zedekia «bëri brirë prej hekuri» për të treguar se Akabi do t’i ndiqte këmba-këmbës sirianët derisa t’i shfaroste. Më pas, kur Mikajahu, profeti i vërtetë i Jehovait, paratha se Akabin e priste gjëma, Zedekia i dha një shpullë.—1Mb 22:11, 23, 24; 2Kr 18:10, 22, 23.
2. Princ në kohën e mbretit Jehojakim.—Jr 36:12.
3. ‘Bir i Masejahut’; një kurorëshkelës dhe profet gënjeshtar mes të mërguarve në Babiloni. Jeremia, profeti i Jehovait, paratha se mbreti Nabukodonosor do ta piqte në zjarr Zedekinë dhe shokun e tij, Akabin.—Jr 29:21-23.
4. Bir i Josisë nga gruaja e tij, Hamutala; mbreti i fundit i Judës që mbretëroi në Jerusalem. Pasi e bëri mbret vasal, Nabukodonosori, mbreti i Babilonisë, ia ndryshoi emrin nga Mataniah në Zedekia. Gjatë 11 viteve të mbretërimit të tij, Zedekia «bëri atë që ishte e keqe në sytë e Jehovait».—2Mb 24:17-19; 2Kr 36:10-12; Jr 37:1; 52:1, 2.
Te 1 Kronikave 3:15, Zedekia renditet «i treti» mes bijve të Josisë. Faktikisht, sipas radhës së lindjes, ai ishte i katërti (krahaso 2Mb 23:30, 31; 24:18; Jr 22:11), por mbase shkrimtari e përmendi para vëllait të tij të gjakut, Shalumit (Jehoahazit), ngaqë mbretëroi shumë më gjatë se ai.
Zedekia ishte rreth nëntë vjeç ose rreth tre vjet më i madh se nipi i tij, Jehojakini, kur i ati, mbreti Josia, u plagos për vdekje në Megido gjatë përpjekjeve për të zmbrapsur trupat egjiptiane nën komandën e faraonit Neko (rr. 629 p.e.s.). Pikërisht në këtë kohë populli bëri mbret Jehoahazin 23-vjeçar, vëlla gjaku i Zedekisë. Sundimi i Jehoahazit zgjati veç tre muaj, sepse faraoni Neko e hoqi nga froni dhe bëri mbret në vend të tij Eliakimin 25-vjeçar (të cilit ia ndryshoi emrin në Jehojakim), gjysmëvëllanë e Jehoahazit dhe të Zedekisë. Kur Jehojakimi vdiq, mbret u bë i biri, Jehojakini. Duket se në këtë kohë Jerusalemin po e rrethonin ushtritë babilonase nën komandën e mbretit Nabukodonosor. Pasi mbretëroi 3 muaj e 10 ditë, Jehojakini u dorëzua te mbreti i Babilonisë (617 p.e.s.).—2Mb 23:29–24:12; 2Kr 35:20–36:10.
Vitet e para të mbretërimit. Më pas, Nabukodonosori hipi në fronin e Jerusalemit Zedekinë dhe e vuri të betohej për Jehovain. Betimi e detyronte Zedekinë të ishte një mbret vasal besnik.—2Kr 36:10, 11; Ezk 17:12-14; krahaso 2Kr 36:13.
Në fillim të mbretërimit të Zedekisë, Edomi, Moabi, Amoni, Tiri dhe Sidoni dërguan lajmëtarë, mbase për ta bindur Zedekinë të bashkohej me ta në aleancën kundër mbretit Nabukodonosor. (Jr 27:1-3; përmendja e Jehojakimit në Jr 27 vargun 1 mund të jetë një gabim transkriptimi dhe në vend të tij duhej të ishte Zedekia; shih shën.) Shkrimet nuk tregojnë çfarë arritën lajmëtarët. Ndoshta misioni i tyre nuk u realizua, pasi Jeremia e nxiti Zedekinë dhe nënshtetasit e tij të qëndronin të nënshtruar ndaj mbretit të Babilonisë. Veç kësaj, ai u paraqiti lajmëtarëve të dërguar zgjedha për të treguar në mënyrë simbolike se edhe kombet nga kishin ardhur do t’i nënshtroheshin Nabukodonosorit.—Jr 27:2-22.
Gjithashtu, në fillim të mbretërimit të tij, Zedekia (për ndonjë arsye që nuk thuhet në Bibël) nisi Elasahun dhe Gemariahun në Babiloni. Nëse kjo ngjarje përmendet sipas radhës kronologjike, atëherë duhet të ketë qenë viti i 4-t i mbretërimit të Zedekisë.—Jr 28:1, 16, 17; 29:1-3.
Vetë Zedekia shkoi në Babiloni vitin e 4-t të mbretërimit të tij. Ka të ngjarë të ketë shkuar për të çuar haraçin dhe për ta siguruar Nabukodonosorin se do t’i qëndronte besnik. Këtë herë Zedekinë e shoqëronte Serajahu, intendenti i tij, të cilit profeti Jeremia i kishte besuar rrotullën ku ishin shpallur gjykimet e Jehovait kundër Babilonisë.—Jr 51:59-64.
Rreth një vit më vonë, Ezekieli nisi shërbimin e tij si profet mes të mërguarve judenj në Babiloni. (Ezk 1:1-3; krahaso 2Mb 24:12, 17.) Muajin e 6-të të vitit të 6-të të mbretërimit të Zedekisë (612 p.e.s.), Ezekieli pa një vegim ku zbuloheshin praktikat idhujtare, ndër të cilat adhurimi i perëndisë Tamuz dhe i diellit, që praktikoheshin në Jerusalem.—Ezk 8:1-17.
Rebelohet kundër Nabukodonosorit. Gati 3 vjet më vonë (rr. 609 p.e.s.), në kundërshtim me atë që i kishte thënë Jehovai nëpërmjet Jeremisë dhe me betimin që kishte bërë vetë në emër të Jehovait, Zedekia u rebelua kundër Nabukodonosorit dhe i kërkoi ndihmë ushtarake Egjiptit. (2Mb 24:20; 2Kr 36:13; Jr 52:3; Ezk 17:15) Kjo bëri që ushtritë babilonase nën komandën e Nabukodonosorit të suleshin kundër Jerusalemit. Ato filluan ta rrethonin qytetin «vitin e nëntë, ditën e dhjetë të muajit të dhjetë».—Ezk 24:1-6.
Ndoshta në fillim të rrethimit Zedekia dërgoi «Pashkurin, birin e Malkijahut, dhe priftin Sofonia, birin e Masejahut» te Jeremia për të pyetur Jehovain nëse Nabukodonosori do të tërhiqej nga Jerusalemi. Nëpërmjet Jeremisë, Jehovai u përgjigj se qytetin dhe banorët e tij i priste gjëma nga duart e babilonasve. (Jr 21:1-10) Duket se pas kësaj, sipas urdhrit të Perëndisë, Jeremia shkoi vetë të Zedekia për ta njoftuar se Jerusalemi do të shkatërrohej dhe se mbretin do ta çonin në Babiloni ku do të vdiste në paqe.—Jr 34:1-7.
Të rrethuar në Jerusalem, Zedekia dhe princat e tij gjykuan se ishte e mençur të bënin diçka për t’u përputhur me ligjin e Jehovait dhe për të fituar miratimin e tij. Megjithëse nuk ishte viti i Jubileut, ata bënë një besëlidhje sipas së cilës zotoheshin të lironin skllevërit hebrenj. Më vonë, ata e shkelën besëlidhjen duke i kthyer sërish në skllevër ata që kishin liruar. (Jr 34:8-22) Duket se kjo ndodhi në kohën kur një ushtri nga Egjipti shkoi të mbronte Jerusalemin. Për t’i bërë ballë kërcënimit egjiptian, babilonasit e hoqën përkohësisht rrethimin. (Jr 37:5) Ata që kishin liruar skllevërit hebrenj menduan se rreziku kishte kaluar, se babilonasit ishin thyer dhe nuk i rrethonin dot më. Kështu, i kthyen përsëri në skllevër hebrenjtë që kishin liruar.
Gjatë kësaj periudhe, Zedekia dërgoi «te profeti Jeremia Jehukalin, birin e Shelemiahut, dhe Sofoninë, birin e priftit Masejah» për t’i kërkuar që t’i lutej Jehovait për popullin, me sa duket që të mos vinte shkatërrimi i parathënë i Jerusalemit. Mirëpo përgjigjja që dha Jehovai me anë të Jeremisë tregoi se gjykimi hyjnor ishte i pandryshueshëm. Kaldeasit do të ktheheshin e do ta shkatërronin Jerusalemin.—Jr 37:3-10.
Më vonë, kur vendosi të ikte nga Jerusalemi në territorin e Beniaminit, Jereminë e kapën te Porta e Beniaminit dhe e akuzuan në mënyrë të rreme se po kalonte nga ana e kaldeasve. Jeremia e mohoi këtë akuzë, mirëpo Irijahu, zyrtari që kishte mbikëqyrjen, nuk ia vuri veshin, por e çoi te princat. Kështu, Jereminë e burgosën në shtëpinë e Jehonatanit. Pasi kaloi njëfarë periudhe dhe Jerusalemin e rrethuan përsëri ushtritë babilonase, Zedekia dërgoi njerëz të merrnin Jereminë. Duke iu përgjigjur, Jeremia i tha mbretit Zedekia se do të përfundonte në duart e mbretit të Babilonisë. Kur Jeremia iu lut të mos e kthenin në shtëpinë e Jehonatanit, Zedekia pranoi dhe dha urdhër që ta burgosnin tek Oborri i Rojës.—Jr 37:11-21; 32:1-5.
Zedekia ishte një mbret shumë i dobët, siç e tregon fakti i mëposhtëm. Kur princat i kërkuan më vonë që Jeremia të vritej pasi, sipas tyre, shkurajonte popullin e rrethuar, Zedekia tha: «Ja, ai është në dorën tuaj. Mbreti nuk mund t’ju ndalë për asgjë.» Megjithatë, më pas Zedekia ia plotësoi Ebed-Melekut kërkesën për ta shpëtuar Jereminë dhe e urdhëroi të merrte me vete 30 burra që ta ndihmonin. Më vonë, Zedekia pati përsëri një bisedë kokë më kokë me Jereminë. Ai e siguroi se nuk do ta vriste dhe as do ta dorëzonte në duart e atyre që kërkonin kokën e tij. Mirëpo Zedekia pati frikë nga raprezaljet e judenjve që kishin kaluar nga ana e kaldeasve, ndaj nuk e dëgjoi këshillën e frymëzuar të Jeremisë për t’u dorëzuar te princat e Babilonisë. Mbreti tregoi akoma se kishte frikë duke i kërkuar Jeremisë të mos u tregonte princave dyshues për çfarë kishin folur.—Jr 38:1-28.
Rënia e Jerusalemit. Në fund (607 p.e.s.), «ditën e nëntë të muajit të katërt të vitit të njëmbëdhjetë të mbretërimit të Zedekisë», kaldeasit hapën një të çarë në Jerusalem. Zedekia dhe luftëtarët e tij ia mbathën natën. Mirëpo atë e kapën në rrafshinat e shkreta të Jerikosë dhe e çuan te Nabukodonosori në Riblah. Zedekisë ia therën bijtë para syve. Meqenëse asokohe ai ishte vetëm rreth 32 vjeç, bijtë e tij duhet të kenë qenë në moshë shumë të re. Pasi pa vdekjen e bijve, Zedekinë e verbuan, e lidhën me vargonj bakri dhe e çuan në Babiloni. Vdiq në burg.—2Mb 25:2-7; Jr 39:2-7; 44:30; 52:6-11; krahaso Jr 24:8-10; Ezk 12:11-16; 21:25-27.
5. Bir i Jekonisë (Jehojakinit), por me sa duket jo një prej shtatë bijve që i lindën kur ishte i burgosur në Babiloni.—1Kr 3:16-18.
6. Prift ose paraardhës i një prej priftërinjve që vulosën ‘marrëveshjen e denjë për besim’ gjatë kohës së guvernatorit Nehemia.—Ne 9:38; 10:1, 8.