Qytetet e strehimit: Një masë e mëshirshme e Perëndisë
«Këto gjashtë qytete do të shërbejnë si një strehim, që aty të vërshojë kushdo, i cili pa qëllim, ka goditur për vdekje një shpirt.»—NUMRAT 35:15, BR.
1. Cila është pikëpamja e Perëndisë mbi jetën dhe fajin e gjakut?
PERËNDIA JEHOVA e konsideron jetën njerëzore të shenjtë. Dhe jeta është në gjak. (Levitiku 17:11, 14) Për këtë arsye Kaini, njeriu i parë i lindur mbi tokë, shkaktoi faj gjaku kur vrau vëllain e tij Abelin. Si pasojë, Perëndia i tha Kainit: «Zëri i gjakut të vëllait tënd më vëngon nga toka.» Gjaku që njollosi tokën në skenën e vrasjes, ishte i heshtur, megjithatë ishte një dëshmitar i shkëlqyer i faktit që jeta ishte ndërprerë dhunshëm. Gjaku i Abelit i bënte thirrje Perëndisë për hakmarrje.—Zanafilla 4:4-11.
2. Si u theksua respekti i Jehovait për jetën pas Përmbytjes?
2 Respekti i Perëndisë për jetën njerëzore u theksua kur Noeja i drejtë dhe familja e tij dolën nga arka si të mbijetuar nga Përmbytja e përgjithshme. Në atë kohë Jehovai zgjeroi llojin e ushqimeve për njerëzit, duke përfshirë edhe mishin e kafshëve por jo gjakun. Ai gjithashtu shpalli: «Unë do të kërkoj sigurisht llogari për gjakun e jetëve tuaja dhe këtë do t’ia kërkoj çdo kafshe dhe njeriu. Do t’i kërkoj llogari për jetën e njeriut dorës së çdo vëllai të njeriut. Cilido që derdh gjakun e një njeriu, gjaku i tij do të derdhet nga një njeri, sepse Perëndia e ka krijuar njeriun simbas shëmbëlltyrës së tij.» (Zanafilla 9:5, 6) Jehovai i njohu të drejtën farefisit më të afërt të viktimës për ta vrarë vrasësin kur të ndeshej me të.—Numrat 35:19.
3. Çfarë theksi vinte Ligji i Moisiut mbi shenjtërinë e jetës?
3 Në Ligjin e dhënë Izraelit me anë të profetit Moisi, shenjtëria e jetës theksohej në mënyrë të vazhdueshme. Për shembull, Perëndia urdhëroi: «Nuk duhet të vrasësh.» (Të Dalët 20:13) Respekti për jetën ishte gjithashtu i dukshëm në atë që thoshte Ligji i Moisiut në lidhje me vdekjen që përfshinte një grua shtatzënë. Ligji shpjegonte me hollësi që në qoftë se ajo ose fëmija i saj i palindur pësonte një aksident vdekjeprurës, si rezultat i një beteje midis dy burrave, gjykatësit duhej të peshonin mirë rrethanat dhe shkallën e paramendimit, por dënimi do të ishte «shpirt për shpirt» ose jetë për jetë. (Të Dalët 21:22-25, BR) Sidoqoftë, a mundej një vrasës izraelit t’u shpëtonte disi pasojave të veprimit të tij të dhunshëm?
Strehim për vrasësit?
4. Jashtë Izraelit, cilat vende strehimi ekzistonin në të kaluarën?
4 Në kombet e tjera përreth Izraelit, strehimi u jepej si vrasësve, ashtu edhe kriminelëve të tjerë. Kështu ndodhte në disa vende si në tempullin e perëndeshës Artemisa në Efesin e lashtë. Në lidhje me vende të tilla thuhej: «Disa faltore ishin çerdhe kriminelësh; dhe shpesh lindte nevoja për të kufizuar numrin e strehimeve. Në Athinë, vetëm disa shenjtore njiheshin me ligj si vende strehimi (për shembull, tempulli i Teseut për skllevërit); në kohën e Tiberit grumbullimi i kriminelëve në faltore u bë kaq i rrezikshëm, saqë e drejta për strehim u kufizua vetëm në disa qytete (në vitin 22).» (The Jewish Encyclopedia, 1909, Volumi II, faqe 256) Më vonë, kishat e krishterimit u bënë vende strehimi, por kjo prirej drejt transferimit të pushtetit nga autoritetet civile tek ato fetare dhe vepruan kundër administrimit të duhur të drejtësisë. Abuzimi i strehimeve fetare me sa duket çoi në anulimin e kësaj mase.
5. Çfarë dëshmie ka që Ligji nuk merrte parasysh neglizhimin si një pretendim për mëshirë kur vritej dikush?
5 Midis izraelitëve, vrasësit e qëllimshëm nuk pranoheshin në strehime. Madje edhe një prift levit që shërbente në altarin e Perëndisë duhej të dërgohej në ekzekutim nëse kishte kryer një vrasje dinake. (Të Dalët 21:12-14) Për më tepër, Ligji nuk e merrte parasysh neglizhimin, si pretendim për mëshirë kur vritej dikush. Për shembull, një burrë duhej të bënte një parmak për çatinë e sheshtë të shtëpisë së tij të re. Përndryshe, faji i gjakut do të binte mbi këtë shtëpi nëse dikush rrëzohej nga çatia dhe vdiste. (Ligji i përtërirë 22:8) Përveç kësaj, në qoftë se pronari i një demi, i cili e kishte zakon të çante me brirë, kishte qenë lajmëruar për këtë por nuk e kontrollonte kafshën dhe ajo vriste dikë, atëherë pronari i demit ishte fajtor për gjakun dhe mund të vritej. (Të Dalët 21:28-32) Një provë e mëtejshme e vlerësimit të lartë të Perëndisë për jetën është e dukshme në atë që, nëse ndokush godiste një hajdut për vdekje, ishte fajtor gjaku në qoftë se kjo ndodhte në ditën kur hajduti mund të shihej dhe identifikohej. (Të Dalët 22:2, 3) Atëherë, në mënyrë të qartë, rregullimet përsosmërisht të ekuilibruara të Perëndisë nuk i lejonin vrasësit e qëllimshëm që t’i shpëtonin ndëshkimit kapital.
6. Si plotësohej ligji ‘jetë për jetë’ në Izraelin e lashtë?
6 Në qoftë se në Izraelin e lashtë kryhej një vrasje, gjaku i viktimës duhej hakmarrë. Ligji i ‘jetës për jetë’ plotësohej kur vrasësi vritej nga «hakmarrësi i gjakut». (Numrat 35:19) Hakmarrësi ishte personi më i afërt i të vrarit. Por ç’mund të themi për vrasësit e paqëllimshëm?
Masë e mëshirshme e Jehovait
7. Çfarë mase mori Perëndia për ata që vrisnin dikë në mënyrë të paqëllimshme?
7 Për ata që në mënyrë aksidentale ose të paqëllimshme vrisnin dikë, Perëndia në mënyrë të dashur siguroi qytetet e strehimit. Në lidhje me to Moisiu tha: «‘Folu bijve të Izraelit dhe u thuaj atyre: kur të kaloni Jordanin për të hyrë në vendin e Kanaanit, do të caktoni disa qytete që do të jenë për ju qytete strehimi, ku mund të ikë vrasësi që ka vrarë dikë pa dashje. Këto qytete do t’ju shërbejnë si vende strehimi kundër hakmarrësve, që vrasësi të mos vritet para se të ketë dalë në gjyq para asamblesë. Nga qytetet që do të jepni, gjashtë do të jenë, pra, qytete strehimi. Do të jepni tri qytete në pjesën në lindje të Jordanit dhe tri qytete në vendin e Kanaanit; këto do të jenë qytete strehimi . . . me qëllim që ai që ka vrarë dikë pa dashje të mund të strehohet.’»—Numrat 35:9-15.
8. Ku ishin vendosur qytetet e strehimit dhe si ishin ndihmuar vrasësit e paqëllimshëm për të vajtur në to?
8 Kur izraelitët hynë në Tokën e Premtuar, ata të bindur caktuan gjashtë qytete strehimi. Tre prej këtyre qyteteve—Kadeshi, Shekemi dhe Hebroni—ndodheshin në Perëndim të lumit Jordan. Në lindje të Jordanit ishin qytetet e strehimit të Golanit, Ramothit dhe Bezerit. Gjashtë qytetet e strehimit ishin vendosur në mënyrë të volitshme përgjatë rrugëve të mbajtura mirë. Në vende të përshtatshme përgjatë këtyre rrugëve kishte tabela që mbartnin fjalën «strehim». Këto tabela tregonin drejtimin e qytetit të strehimit dhe vrasësi i paqëllimshëm vraponte për të shpëtuar jetën e tij në qytetin më të afërt. Atje ai mund të gjente mbrojtje nga hakmarrësi i gjakut.—Josiu 20:2-9.
9. Pse Jehovai siguroi qytetet e strehimit dhe për dobi të kujt u siguruan ato?
9 Përse Perëndia siguroi qytetet e strehimit? Ato u siguruan në mënyrë që vendi të mos ndotej me gjak të pafajshëm dhe fajtori i gjakut të mos ndeshej me njerëzit. (Ligji i përtërirë 19:10) Në përfitim të kujt u siguruan qytetet e strehimit? Ligji thoshte: «Secili izraelit, si dhe çdo i huaj, që banon përkohësisht te ju, duhet të ketë mundësi të strehohet atje kur ka vrarë një njeri pa paramendim.» (Numrat 35:15, ECM) Kështu, për të qenë i ndershëm dhe për t’i shërbyer qëllimit të drejtësisë, ndërsa merrte parasysh mëshirën, Jehovai u tha izraelitëve të veçonin qytetet e strehimit për vrasësit e paqëllimshëm të cilët ishin (1) me kombësi izraelite, (2) banorë të huaj në Izrael, ose (3) të shpërngulur nga vende të tjera të cilët banonin në vend.
10. Pse mund të thuhet se qytetet e strehimit ishin një masë e mëshirshme e marrë nga Perëndia?
10 Meriton vëmendje fakti që, edhe nëse një individ ishte një vrasës i paqëllimshëm, ai do të duhej të vdiste nën ligjin e Perëndisë: «Çdonjeri që derdh gjak njeriu, nga njeriu do të derdhet gjaku i tij.» Kështu pra, vetëm me anë të një mase të mëshirshme të Perëndisë Jehova, një vrasës i paqëllimshëm mund të shpëtonte në një nga qytetet e strehimit. Me sa duket, njerëzit në përgjithësi ndjenin simpati për dikë që i shpëtonte hakmarrësit të gjakut, pasi të gjithë ishin të vetëdijshëm që edhe ata në mënyrë të ngjashme mund të kryenin një shkelje të tillë dhe kishin nevojë për strehim dhe mëshirë.
Ikje për strehim
11. Në Izraelin e lashtë, çfarë mund të bënte një person që në mënyrë aksidentale kishte vrarë një bashkëpunëtor?
11 Një ilustrim mund të rrisë fare mirë vlerësimin tuaj për masën e mëshirshme të Perëndisë për strehim. Imagjinoni sikur ju të ishit një druvar në Izraelin e lashtë. Supozoni që koka e sëpatës fluturon nga bishti dhe godet për vdekje një bashkëpunëtor. Çfarë do të bënit? Mirë pra, Ligji merrte masa pikërisht për këtë situatë. Padyshim, ju do të përfitonit nga kjo masë e dhënë nga Perëndia: «Ky është rregulli për vrasësin që strehohet aty, që të shpëtojë jetën e tij: kushdo që ka vrarë të afërmin e tij pa dashje, pa e urryer më parë. Kështu, kur dikush shkon me shokun e tij në pyll për të prerë dru dhe ndërsa i bie një druri me sëpatë, sëpata del nga bishti dhe godet shokun që pastaj vdes, ai person do të strehohet në një nga këto qytete dhe do ta shpëtojë jetën.» (Ligji i përtërirë 19:4, 5) Megjithatë, edhe nëse do të shkonit në një qytet strehimi, ju nuk do të ishit të liruar nga çdo përgjegjësi për atë që ndodhi.
12. Çfarë procedure duhej të ndiqej pasi një vrasës i paqëllimshëm arrinte në qytetin e strehimit?
12 Megjithëse do të mirëpriteshit, ju do të duhej t’u tregonit çështjen tuaj pleqve në portat e qytetit të strehimit. Pasi të hynit në qytet, ju do të dërgoheshit përsëri në portat qytetit, për t’u gjykuar para pleqve që përfaqësonin kongregacionin e Izraelit, të cilët kishin të drejtën ligjore mbi zonën ku ndodhi vrasja. Atje ju do të kishit një mundësi për të provuar pafajësinë tuaj.
Kur vrasësit ndodheshin në gjyq
13, 14. Cilat janë disa nga gjërat që pleqtë do të dëshironin të qartësonin gjatë gjykimit të një vrasësi?
13 Gjatë gjyqit para pleqve tek porta e qytetit të juridiksionit, ju, pa dyshim me mirënjohje do të vërenit që do t’i vihej shumë theksi sjelljes suaj të mëparshme. Pleqtë me kujdes do të peshonin marrëdhënien tuaj me viktimën. A e urrenit atë njeri, a i kishit zënë pusi dhe a e goditët për vdekje me qëllim? Nëse do të ishte kështu, pleqtë do të duhej t’ju dorëzonin tek hakmarrësi i gjakut dhe ju do të vdisnit. Këta njerëz të përgjegjshëm do të ishin të vetëdijshëm mbi kërkesën e Ligjit që ‘t’i hiqnin Izraelit fajin që ka derdhur gjak të pafajshëm’. (Ligji i përtërirë 19:11-13) Në mënyrë të krahasueshme, në një veprim gjyqësor pleqtë e krishterë sot duhet të njohin mirë Shkrimet, duke vepruar në harmoni me to ndërsa marrin në shqyrtim sjelljen e mëparshme dhe qëndrimin e një fajtori.
14 Duke u treguar të mëshirshëm, pleqtë e qytetit do të dëshironin të dinin nëse ju e keni gjurmuar viktimën. (Të Dalët 21:12, 13) A e sulmuat atë nga një vend i fshehtë? (Ligji i përtërirë 27:24) A ishit aq i mbushur me zemërim kundër personit, sa të përdornit ndonjë plan djallëzor për ta vrarë atë? Nëse po, ju do ta kishit hak vdekjen. (Të Dalët 21:14) Në mënyrë të veçantë pleqtë do të kërkonin të dinin nëse ka pasur armiqësi ose urrejtje midis teje dhe viktimës. (Ligji i përtërirë 19:4, 6, 7; Josiu 20:5) Le ta zëmë që pleqtë të nxjerrin të pafajshëm dhe të kthejnë në qytetin e strehimit. Sa mirënjohës do të ishit për mëshirën e treguar!
Jeta në qytetin e strehimit
15. Çfarë kërkesash ishin vënë mbi një vrasës të paqëllimshëm?
15 Një vrasës i paqëllimshëm duhej të mbetej në qytetin e strehimit ose brenda një distance prej 1.000 kubitë (rreth 445 metra) jashtë mureve të tij. (Numrat 35:2-4) Në qoftë se endej përtej asaj pike, ai mund të ndeshej me hakmarrësin e gjakut. Nën rrethana të tilla, hakmarrësi mund ta vriste vrasësin pa e ndëshkuar. Por vrasësi nuk lidhej me pranga e as nuk burgosej. Si një banor i qytetit të strehimit ai duhej të mësonte tregtinë, të ishte një punëtor dhe të shërbente si një pjestar i dobishëm i shoqërisë.
16. (a) Sa kohë do t’i duhej të qëndronte vrasësit të paqëllimshëm në qytetin e strehimit? (b) Pse vdekja e priftit të lartë i bënte të mundur vrasësit të largohej nga qyteti i strehimit?
16 Sa kohë do të duhej të qëndronte një vrasës i paqëllimshëm në qytetin e strehimit? Mundësisht për gjithë pjesën e mbetur të jetës. Në çdo rast, Ligji thoshte: «Ai duhet të banojë në qytetin e tij të strehimit deri në vdekjen e priftit të lartë dhe pasi të ketë vdekur prifti i lartë, vrasësi mund të kthehet në tokën që është zotërim i tij.» (Numrat 35:26-28, BR) Përse vdekja e priftit të lartë e lejonte vrasësin e paqëllimshëm të linte qytetin e strehimit? Mirë pra, prifti i lartë ishte një nga personat më të shquar të kombit. Prandaj, vdekja e tij do të ishte një ngjarje kaq e veçantë sa të bëhej e njohur nëpër të gjitha fiset e Izraelit. Të gjithë të strehuarit në qytetet e strehimit mund të ktheheshin në shtëpitë e tyre të çliruar nga rreziku i dorës së hakmarrësve të gjakut. Pse? Sepse Ligji i Perëndisë kishte shpallur që mundësia e hakmarrësit për të vrarë vrasësin, shuhej me vdekjen e priftit të lartë dhe çdonjeri e dinte këtë. Nëse pas kësaj, ndonjë i afërm nga farefisi do të merrte hak për vdekjen, ai do të quhej një vrasës dhe do të paguante përfundimisht dënimin për vrasje.
Pasoja vijuese
17. Cilat ishin pasojat e mundshme të kufizimeve të vendosura mbi vrasësin e paqëllimshëm?
17 Cilat mund të ishin pasojat e mundshme të kufizimeve të vëna mbi vrasësin e paqëllimshëm? Ato ishin një kujtesë që ai kishte shkaktuar vdekjen e dikujt. Me siguri, ai do ta shihte tani e tutje jetën njerëzore si të shenjtë. Për më tepër, ai me vështirësi mund të harronte se ishte trajtuar me mëshirë. Duke qenë se i ishte treguar mëshirë, ai me siguri do të dëshironte të ishte i mëshirshëm me të tjerët. Organizimi i qyteteve të strehimit me kufizimet e tyre i sillte gjithashtu, dobi popullit në përgjithësi. Si ka mundësi? Ai natyrisht duhet të ketë ndikuar mbi ta, kështu që ata nuk do të ishin më të pakujdesshëm ose indiferentë ndaj jetës njerëzore. Prandaj të krishterët duhet të kujtojnë nevojën për të shmangur pakujdesinë që mund të çojë në një vdekje aksidentale. Për më tepër, rregullimi i Perëndisë për qytetet e strehimit, duhet të na shtyjë gjithashtu, të tregojmë mëshirë kur kjo është e përshtatshme.—Jakovi 2:13.
18. Në cilat mënyra ishte e dobishme masa e Perëndisë për qytetet e strehimit?
18 Parapërgatitja e Perëndisë Jehova për qytetet e strehimit ishte gjithashtu fitimprurëse në mënyra të tjera. Populli nuk krijoi grupe ruajtësish në ndjekje të vrasësit nën pandehjen e fajit të tij para gjyqit. Por, në vend të kësaj ata e konsideronin atë të pafajshëm për vdekjen e paramenduar, madje edhe duke e ndihmuar atë që të shpëtonte. Përveç kësaj, masa për qytetet e strehimit ishte krejt e kundërt me masën e ditëve tona për t’i dërguar vrasësit nëpër burgje dhe shtëpi riedukimi, ku ata mbahen financiarisht nga publiku dhe shpesh bëhen kriminelë më të këqinj për shkak të shoqërisë së tyre të ngushtë me keqbërësit e tjerë. Në rregullimin e qyteteve të strehimit, ishte e panevojshme të ndërtohej, mbahej dhe ruhej një rrethim i kushtueshëm, si dhe burgje me kangjella të hekurta prej të cilave banorët të përpiqeshin të arratiseshin. Në fakt, vrasësi e kërkonte «burgun» dhe qëndronte aty gjatë gjithë kohës së caktuar. Ai gjithashtu, duhej të bëhej një punëtor, duke bërë kështu diçka në përfitim të bashkështetasve të tij.
19. Çfarë pyetjesh lindin në lidhje me qytetet e strehimit?
19 E mëshirshme, vërtet, ishte masa e Jehovait për qytetet e strehimit në Izrael në mbrojtje të vrasësve të paqëllimshëm. Kjo masë sigurisht nxiti respekt për jetën. Sidoqoftë, a kanë kuptim qytetet e strehimit për njerëzit që jetojnë në shekullin e 20-të? A mund të bëhemi fajtorë gjaku para Perëndisë Jehova dhe të mos e kuptojmë që kemi nevojë për mëshirën e tij? A kanë ndonjë domethënie moderne për ne qytetet e strehimit të Izraelit?
Si do të përgjigjeshe?
◻ Si e shikon Jehovai jetën njerëzore?
◻ Çfarë mase të mëshirshme mori Perëndia për vrasësit e paqëllimshëm?
◻ Si e fitonte një vrasës hyrjen në një qytet strehimi dhe sa kohë duhej të qëndronte aty?
◻ Cilat ishin pasojat e mundshme të kufizimeve të vendosura mbi një vrasës të paqëllimshëm?
[Harta në faqen 58]
Qytetet izraelite të strehimit ishin vendosur në mënyrën e duhur
(Për tekstin e faqosur, shih botimin)
KADESHI Lumi Jordan GOLANI
SHEKEMI RAMOTHI
HEBRONI BEZERI