Paguajini Cezarit gjërat e Cezarit
«I jepni, pra, secilit atë që i takon.»—ROMAKËVE 13:7.
1, 2. (a) Sipas Jezuit, si duhet t’i ekuilibrojnë të krishterët detyrimet e tyre ndaj Perëndisë dhe ndaj Cezarit? (b) Cili është shqetësimi kryesor i Dëshmitarëve të Jehovait?
SIPAS Jezuit, ka gjëra që i detyrohemi Perëndisë dhe gjëra që i detyrohemi Cezarit ose shtetit. Jezui tha: «I jepni Cezarit atë që është e Cezarit dhe Perëndisë atë që është e Perëndisë.» Me këto pak fjalë, ai i ngatërroi armiqtë e tij dhe përmblodhi në mënyrë të goditur qëndrimin e ekuilibruar që duhet të kemi në marrëdhënien tonë me Perëndinë dhe në punët tona me shtetin. S’është për t’u çuditur që ata që e dëgjuan «u çuditën nga ai».—Marku 12:17.
2 Pa dyshim, gjëja më e rëndësishme për shërbëtorët e Jehovait është që t’i paguajnë Perëndisë gjërat e Perëndisë. (Psalmi 116:12-14) Megjithatë, kur veprojnë kështu, ata nuk harrojnë se Jezui tha që duhet t’i japin disa gjëra Cezarit. Ndërgjegjja e tyre e stërvitur sipas Biblës, kërkon që të shqyrtojnë me lutje se deri në ç’masë mund t’i paguajnë ato që kërkon Cezari. (Romakëve 13:7) Në kohët moderne, shumë juristë kanë pranuar se pushteti qeveritar ka kufij dhe se kudo njerëzit dhe qeveritë kufizohen nga ligji natyror.
3, 4. Cilat komente interesante janë bërë në lidhje me ligjin natyror, ligjin e zbuluar dhe ligjin njerëzor?
3 Apostulli Pavël iu referua këtij ligji natyror, kur shkroi për njerëzit e botës: «Ajo që mund të njihet prej Perëndisë është bërë e dukshme në ta, sepse Perëndia ua ka shfaqur atyre. Në fakt cilësitë e tij të padukshme, fuqia e tij e përjetshme dhe hyjnia e tij, duke qenë të dukshme nëpërmjet veprave të tij që nga krijimi i botës, shihen qartë, me qëllim që ata të jenë të pafalshëm.» Nëse ata do t’i përgjigjen atij, ligji natyror do ta nxisë ndërgjegjen e këtyre jobesimtarëve. Kështu, Pavli tha më tej: «Në fakt kur johebrenjtë, që s’kanë ligjin, nga natyra bëjnë punët e ligjit, ata, megjithëse s’kanë ligjin, janë ligj për vetveten; këta tregojnë veprën e ligjit të shkruar në zemrat e tyre për dëshminë që jep ndërgjegjja e tyre.»—Romakëve 1:19, 20; 2:14, 15.
4 Në shekullin e 18-të, juristi i njohur anglez, Uilliam Blekston, shkroi: «Ky ligj i natyrës [ligji natyror], duke qenë moshatar i [me të njëjtën moshë sa] njerëzimit dhe duke qenë i diktuar nga vetë Perëndia, është pa dyshim më i lartë si detyrim, se çdo ligj tjetër. Ai është i detyrueshëm në të gjithë globin, në të gjitha vendet dhe në të gjitha kohët: ligjet njerëzore nuk kanë ndonjë vlerë, nëse kundërshtojnë këtë ligj.» Blekston vazhdoi të fliste për «ligjin e zbuluar», siç gjendet në Bibël dhe komentoi: «Mbi këto dy themele, ligjit të natyrës dhe ligjit të zbuluar, varen të gjitha ligjet njerëzore; duhet thënë se asnjë ligj njerëzor nuk duhet lejuar që të kundërshtojë ligjin e natyrës dhe ligjin e zbuluar.» Kjo është në harmoni me atë që tha Jezui për Perëndinë dhe për Cezarin, siç shkruhet në Markun 12:17. Është e qartë se ka zona, ku Perëndia e kufizon atë që mund të kërkojë Cezari prej një të krishteri. Sanhedrini i kaloi këto kufij të vënë nga Perëndia, kur u dha urdhër apostujve të ndalonin predikimin mbi Jezuin. Prandaj, apostujt u përgjigjën me të drejtë: «Duhet t’i bindemi Perëndisë më shumë sesa njerëzve.»—Veprat 5:28, 29.
«Gjërat e Perëndisë»
5, 6. (a) Duke pasur parasysh lindjen e Mbretërisë në 1914-n, çfarë duhet të mbajnë më mirë në mendje të krishterët? (b) Në ç’mënyrë i krishteri jep dëshmi se është një shërbëtor?
5 Veçanërisht që nga 1914-a, kur Perëndia Jehova, i Plotfuqishmi, filloi sundimin si mbret përmes Mbretërisë Mesianike të Krishtit, të krishterët duhet të siguroheshin që të mos i jepnin Cezarit gjërat e Perëndisë. (Zbulesa 11:15, 17) Si kurrë më parë, tani ligji i Perëndisë kërkonte që të krishterët të mos ishin «pjesë e botës». (Gjoni 17:16, BR) Duke qenë të dedikuar ndaj Perëndisë, Dhuruesit të jetës, ata duhej të shfaqnin qartë se nuk i përkisnin më vetes. (Psalmi 100:2, 3) Siç shkroi Pavli, «ne i përkasim Jehovait». (Romakëve 14:8, BR) Për më tepër, në pagëzimin e krishterë, një person i tillë është caktuar zyrtarisht si shërbëtor i Perëndisë, prandaj mund të thotë bashkë me Pavlin: «Perëndia . . . na bëri të aftë të jemi shërbëtorë.»—2. Korintasve 3:5, 6.
6 Përveç kësaj, apostulli Pavël shkroi: «Unë e nderoj shërbesën time.» (Romakëve 11:13) Sigurisht që edhe ne duhet të bëjmë po ashtu. Sido që të marrim pjesë në shërbim, si shërbëtorë të plotë kohorë apo gjysmëkohorë, ne mbajmë në mendje se vetë Jehovai na ka caktuar në shërbimin tonë. (2. Korintasve 2:17) Meqenëse disa mund ta sfidojnë pozitën tonë, çdo i krishterë i dedikuar dhe i pagëzuar duhet të jetë i gatshëm të japë prova të qarta dhe pozitive se ai me të vërtetë është shërbëtor i lajmit të mirë. (1. Pjetrit 3:15) Shërbimi i tij duhet të dëshmohet në sjelljen e tij. Si shërbëtor i Perëndisë, një i krishterë duhet të rekomandojë dhe të praktikojë moralin e pastër, të përkrahë unitetin familjar, të jetë i ndershëm dhe të tregojë respekt për ligjin dhe rregullin. (Romakëve 12:17, 18; 1. Selanikasve 5:15) Marrëdhënia me Perëndinë dhe shërbimi që i është caktuar në mënyrë hyjnore, janë për të krishterin gjërat më të rëndësishme të jetës së tij. Ai nuk mund të heqë dorë prej tyre sipas urdhrit të Cezarit. Është e qartë që ato duhen llogaritur mes «gjërave të Perëndisë».
«Gjërat e Cezarit»
7. Cili është reputacioni i Dëshmitarëve të Jehovait në lidhje me pagimin e taksave?
7 Dëshmitarët e Jehovait e dinë se kanë për detyrë ‘t’u nënshtrohen pushteteve të sipërm’, sundimtarëve qeveritarë. (Romakëve 13:1) Prandaj, kur Cezari, shteti, bën kërkesa të ligjshme, ndërgjegjja e tyre e stërvitur sipas Biblës u jep mundësi t’i plotësojnë këto kërkesa. Për shembull, të krishterët e vërtetë janë ndër paguesit më shembullorë të taksave. Në Gjermani, një gazetë shprehej kështu për Dëshmitarët e Jehovait: «Ata janë paguesit më të ndershëm dhe më të përpiktë të taksave në Republikën Federale.» (Münchner Merkur) Në Itali, gazeta La Stampa vërente: «Ata [Dëshmitarët e Jehovait] janë qytetarët më besnikë, që kushdo do t’i dëshironte: ata nuk u dredhojnë taksave dhe nuk mundohen t’u bëjnë bisht ligjeve të pavolitshme për përfitim personal nga ana e tyre.» Shërbëtorët e Jehovait e bëjnë këtë «për arsye të ndërgjegjes».—Romakëve 13:5, 6.
8. A është detyrimi ndaj Cezarit i kufizuar vetëm në taksat financiare?
8 A kufizohen «gjërat e Cezarit» vetëm në pagimin e taksave? Jo. Pavli radhiti edhe gjëra të tjera, si frika dhe nderimi. Në një libër të tij, studiuesi gjerman Hainrih Majer shkroi: «Me [gjërat e Cezarit] . . . nuk duhet të kuptojmë thjesht taksën civile, por çdo gjë për të cilën Cezari është emëruar në bazë të sundimit të tij të ligjshëm.» (Critical and Exegetical Hand-Book to the Gospel of Matthew) Historiani E. W. Barns vërejti në një vepër të tij se një i krishterë duhej t’i paguante taksat, nëse i kishte borxh dhe «po ashtu të pranonte të gjitha detyrimet e tjera shtetërore, me kusht që të mos i kërkohej t’i jepte Cezarit gjërat që i përkisnin Perëndisë».—The Rise of Christianity.
9, 10. Çfarë ngurrimi mund të ketë një i krishterë, në lidhje me pagesën e asaj që kërkon Cezari, por cilat fakte duhet të mbajë ndër mend?
9 Cilat janë ato gjëra që mund të kërkojë shteti, pa u futur në gjërat që me të drejtë i përkasin Perëndisë? Disa kanë menduar se në mënyrë të ligjshme mund t’i japin Cezarit para në formën e taksave, por asgjë më shumë. Sigurisht që ata s’do të ndiheshin rehat sikur t’i jepnin Cezarit çdo gjë, e cila do t’u merrte atë kohë që mund ta përdornin për aktivitete teokratike. Megjithatë, edhe pse është e vërtetë se ne duhet ‘të duam Jehovain, Perëndinë tonë, me gjithë zemrën, shpirtin, mendjen dhe forcën tonë’, Jehovai pret prej nesh që t’u kushtojmë ca kohë edhe gjërave të tjera, përveç shërbimit të shenjtë. (Marku 12:30, BR; Filipianëve 3:3) Për shembull, këshillohet që një i krishterë i martuar të harxhojë kohë për të kënaqur shokun e tij apo të saj bashkëshortor. Aktivitete të tilla nuk janë të gabuara, por apostulli Pavël pohon se ato janë «gjëra të botës» dhe jo «gjëra të Zotit».—1. Korintasve 7:32-34; krahaso 1. Timoteut 5:8.
10 Për më tepër, Jezui i autorizoi ithtarët e tij ‘të paguanin’ taksat dhe kjo përfshin sigurisht përdorimin e kohës që i është kushtuar Jehovait, pasi e gjithë jeta jonë është dedikuar në këtë mënyrë. Nëse mesatarja e taksave në një vend është 33 përqind e të ardhurave (në disa vende është më e lartë), kjo do të thotë që çdo vit një punëtor i zakonshëm i paguan thesarit të shtetit një të tretën e fitimeve të tij. E thënë ndryshe, në përfundim të jetës së tij në punë, punëtori i zakonshëm ka kaluar 15 vjet duke fituar paratë për taksat që kërkon «Cezari». Le të shqyrtojmë edhe çështjen e arsimimit. Në shumicën e vendeve, ligji kërkon që prindërit t’i çojnë fëmijët në shkollë për një numër minimal vitesh. Numri i viteve të arsimimit ndryshon nga vendi në vend. Në shumicën e vendeve, periudha kohore është relativisht e gjatë. Vërtet, arsimimi është zakonisht i dobishëm, por është Cezari që vendos se sa kohë nga jeta e tij duhet të kalojë një fëmijë në këtë mënyrë dhe prindërit e krishterë përshtaten me këtë vendim të Cezarit.
Shërbimi i detyrueshëm ushtarak
11, 12. (a) Çfarë kërkese bën Cezari në shumë vende? (b) Si e konsideronin të krishterët e hershëm shërbimin ushtarak?
11 Një tjetër kërkesë e Cezarit në disa vende është shërbimi i detyrueshëm ushtarak. Në shekullin e 20-të, ky rregull është vendosur në shumicën e vendeve në rast lufte dhe nga disa të tjera edhe në kohë paqeje. Në Francë, ky detyrim ishte quajtur për shumë vite taksa e gjakut, domethënë që çdo i ri duhej të ishte i gatshëm të sakrifikonte jetën për shtetin. A përbën kjo diçka që të dedikuarit ndaj Jehovait mund ta japin me ndërgjegje? Si e konsideronin të krishterët e shekullit të parë këtë çështje?
12 Edhe pse të krishterët e hershëm përpiqeshin të ishin qytetarë të mirë, besimi u ndalonte atyre që t’i merrnin jetën dikujt tjetër apo të sakrifikonin jetën e tyre për shtetin. Një enciklopedi pohon: «Etërit e hershëm të kishës, duke përfshirë Tertulianin dhe Origjenin, pohuan se të krishterëve nuk u lejohej të merrnin jetën njerëzore, parim ky që i ndalonte ata të merrnin pjesë në ushtrinë romake.» (The Encyclopedia of Religion) Profesori C. J. Kady shkruan në një nga librat e tij: «Të paktën deri në kohën e mbretërimit të Mark Aurelit [161-180 e.s.], asnjë i krishterë nuk bëhej ushtar pasi të ishte pagëzuar.»—The Early Church and the World.
13. Përse shumica në të ashtuquajturin krishterim nuk e konsideron shërbimin ushtarak si të krishterët e hershëm?
13 Përse anëtarët e kishave të të ashtuquajturit krishterim nuk i konsiderojnë gjërat në këtë mënyrë edhe sot? Për shkak të një ndryshimi rrënjësor që ndodhi në shekullin e katërt. Një vepër katolike shpjegon: «Shumë të krishterë, . . . nën sundimin e perandorëve paganë, kishin skrupuj fetarë në lidhje me shërbimin ushtarak natyrisht nuk pranonin të merrnin armët ose i braktisnin. Këshilli [i Arlit, që u mbajt në 314 të e.s.], duke shqyrtuar ndryshimet që ndërfuti Konstantini, vendosi detyrimin që të krishterët duhej të shërbenin në luftë, . . . pasi Kisha është në paqe (in pace) nën një princ, që është mik i të krishterëve.» (A History of the Christian Councils) Si rezultat i kësaj braktisjeje të mësimeve të Jezuit, prej asaj kohe e deri tani, kleri i të ashtuquajturit krishterim e ka inkurajuar kopenë e tij të shërbejë në ushtritë e kombeve, edhe pse disa individë kanë marrë qëndrim si kundërshtarë me ndërgjegje.
14, 15. (a) Mbi ç’baza, të krishterët në disa vende kërkojnë përjashtimin nga shërbimi ushtarak? (b) Aty ku përjashtimi nuk ekziston, cilat parime të Shkrimeve do ta ndihmojnë një të krishterë, që të marrë një vendim të drejtë mbi çështjen e shërbimit ushtarak?
14 Po sot, a janë të detyruar të krishterët të shkojnë pas shumicës në këtë çështje? Jo. Nëse një i krishterë i dedikuar dhe i pagëzuar jeton në një vend ku përjashtimi i shërbëtorëve të fesë nga shërbimi ushtarak është i lejuar, ai mund të përfitojë nga kjo masë, pasi në fakt është një shërbëtor. (2. Timoteut 4:5) Disa vende, ndër të cilat edhe Shtetet e Bashkuara dhe Australia, e kanë lejuar këtë përjashtim edhe në kohë lufte. Gjithashtu, në kohë paqeje, në shumë vende që kanë shërbim të detyrueshëm ushtarak, Dëshmitarëve të Jehovait, si shërbëtorë të fesë, u është lejuar ky përjashtim. Kështu, ata mund të vazhdojnë të ndihmojnë njerëzit me shërbimin e tyre publik.
15 Por ç’të themi, nëse një i krishterë jeton në një vend ku shërbëtorëve të fesë nuk u është lejuar ky përjashtim? Në këtë rast, ai duhet të marrë një vendim personal, duke ndjekur ndërgjegjen e tij të stërvitur nga Bibla. (Galatasve 6:5) Ndërsa mban parasysh autoritetin e Cezarit, ai duhet të peshojë me kujdes se për çfarë i detyrohet Jehovait. (Psalmi 36:9; 116:12-14; Veprat 17:28) I krishteri s’duhet të harrojë se shenja dalluese e të krishterëve të vërtetë është dashuria për të gjithë bashkëbesimtarët e tij, edhe për ata që jetojnë në vende të tjera apo që u përkasin fiseve të tjera. (Gjoni 13:34, 35; 1. Pjetrit 2:17) Për më tepër, ai nuk duhet të harrojë parimet e Shkrimeve, që gjenden në tekste të tilla, si Isaia 2:2-4; Mateu 26:52; Romakëve 12:18; 14:19; 2. Korintasve 10:4; dhe Hebrenjve 12:14.
Shërbimi civil
16. Në disa vende, çfarë shërbimi joushtarak kërkon Cezari prej atyre që s’pranojnë shërbimin ushtarak?
16 Megjithatë, ka vende ku, edhe pse nuk lejohet përjashtimi nga shërbimi ushtarak, shteti, megjithatë, pranon që disa shërbëtorë të fesë mund ta kundërshtojnë atë. Shumë prej këtyre vendeve marrin masa që këta individë të ndërgjegjshëm të mos detyrohen për shërbimin ushtarak. Në disa vende kërkohet një shërbim civil, si ndonjë punë dobiprurëse në bashkësi, i cili konsiderohet si shërbim kombëtar joushtarak. A mund ta kryejë një i krishterë i dedikuar këtë shërbim? Edhe në këtë rast, një i krishterë i dedikuar dhe i pagëzuar duhet të marrë përsëri vendimin e tij personal, në bazë të ndërgjegjes së tij të stërvitur nga Bibla.
17. A ka ndonjë rast të mëparshëm biblik për shërbimin e detyrueshëm civil?
17 Duket se në kohët biblike praktikohej shërbimi i detyrueshëm. Një libër historie pohon: «Përveç taksave dhe detyrimeve që u kërkoheshin banorëve të Judesë, ekzistonte edhe një punë e detyrueshme [punë pa pagesë që kërkohej nga autoritetet publike]. Ky ishte një rregull i lashtë në Lindjen e Mesme, të cilin autoritetet helenike dhe romake vazhduan ta mbanin. . . . Edhe Besëlidhja e Re citon shembuj të punës së detyrueshme në Jude, duke treguar se sa e përhapur ishte. Në përputhje me këtë zakon, ushtarët e detyruan Simonin nga Kirena të mbante kryqin [shtyllën e mundimeve] e Jezuit (Mateu 5:41; 27:32; Marku 15:21; Luka 23:26).»
18. Në cilat shërbime joushtarake dhe jofetare të bashkësisë, bashkëpunojnë shpeshherë Dëshmitarët e Jehovait?
18 Në mënyrë të ngjashme, sot në disa vende qytetarëve u kërkohet nga shteti apo nga autoritetet lokale, të marrin pjesë në forma të ndryshme të shërbimit në bashkësi. Ndonjëherë kjo bëhet për një punë të veçantë, si hapja e puseve apo ndërtimi i rrugëve; ndonjëherë bëhet mbi baza të rregullta, si pjesëmarrja javore në pastrimin e rrugëve, të shkollave apo të spitaleve. Kur ky shërbim civil është për të mirën e bashkësisë dhe nuk lidhet me fenë e rreme ose nuk është në njëfarë mënyre në kundërshtim me ndërgjegjen e Dëshmitarëve të Jehovait, ata shpesh kanë pranuar. (1. Pjetrit 2:13-15) Zakonisht, kjo ka sjellë si rezultat një dëshmi të shkëlqyer dhe disa herë, u ka mbyllur gojën atyre që akuzonin në mënyrë të rreme Dëshmitarët se ishin antiqeveritarë.—Krahaso Mateun 10:18.
19. Si duhet ta përballojë situatën një i krishterë, nëse Cezari kërkon që ai të kryejë për njëfarë kohe shërbimin kombëtar joushtarak?
19 Po sikur shteti të kërkojë që një i krishterë të kryejë për njëfarë kohe ndonjë shërbim civil, që është pjesë e shërbimit kombëtar nën një administrim civil? Edhe këtu përsëri duhet marrë një vendim personal, i bazuar në ndërgjegjen e informuar. «Të gjithë ne do të qëndrojmë përpara gjykatës së Perëndisë.» (Romakëve 14:10, BR) Të krishterët që ballafaqohen me një kërkesë të Cezarit, duhet ta studiojnë çështjen duke u lutur dhe duke medituar për të.a Gjithashtu, do të ishte e mençur ta diskutonin çështjen me të krishterë të pjekur në kongregacion. Pas kësaj, duhet marrë një vendim personal.—Proverbat 2:1-5; Filipianëve 4:5.
20. Cilat pyetje dhe parime të Shkrimeve e ndihmojnë një të krishterë, që të arsyetojë mbi çështjen e shërbimit civil kombëtar joushtarak?
20 Ndërsa merren me një kërkim të tillë, të krishterët duhet të marrin në shqyrtim një sërë parimesh biblike. Pavli tha se ne duhet «të jemi të bindur ndaj qeverive dhe autoriteteve si sundimtarë, . . . të gatshëm për çdo vepër të mirë . . . të arsyeshëm, duke shfaqur gjithë butësinë kundrejt të gjithë njerëzve». (Titit 3:1, 2, BR) Në të njëjtën kohë, të krishterët do të bënin mirë të shqyrtonin punën civile që u është propozuar. Nëse e pranojnë, a do të jenë në gjendje të mbajnë asnjanësinë e krishterë? (Mikea 4:3, 5; Gjoni 17:16) A do t’i përfshijë me ndonjë fe të rreme? (Zbulesa 18:4, 20, 21) A do t’i pengojë apo do t’i kufizojë në mënyrë të paarsyeshme nga përmbushja e përgjegjësive të tyre të krishtere? (Mateu 24:14; Hebrenjve 10:24, 25) Nga ana tjetër, a do të jenë në gjendje të bëjnë përparim frymor, mbase edhe duke marrë pjesë në shërbimin e plotë kohor, ndërsa kryejnë shërbimin e kërkuar?—Hebrenjve 6:11, 12.
21. Cilido qoftë vendimi i tij, si duhet ta konsiderojë kongregacioni një vëlla, që po përballon çështjen e shërbimit civil kombëtar joushtarak?
21 Ç’të themi nëse përgjigjet e ndershme të një të krishteri ndaj këtyre pyetjeve, bëjnë që ai të arrijë në përfundimin se shërbimi civil kombëtar është një «vepër e mirë», të cilën ai mund ta kryejë në bindje të autoriteteve? Ky është vendimi i tij përpara Jehovait. Pleqtë e emëruar dhe të tjerët duhet të respektojnë plotësisht ndërgjegjen e vëllait dhe të vazhdojnë ta konsiderojnë atë si një të krishterë me qëndrim të mirë. Por, nëse një i krishterë mendon se nuk mund ta kryejë këtë shërbim civil, edhe qëndrimi i tij duhet respektuar po ashtu. Edhe ai mbetet me qëndrim të mirë e duhet të marrë mbështetjen e dashur.—1. Korintasve 10:29; 2. Korintasve 1:24; 1. Pjetrit 3:16.
22. Çfarë do të vazhdojmë të bëjmë, pavarësisht nga situata që do të përballojmë?
22 Si të krishterë, ne nuk do të pushojmë së dhëni «nderimin atij që është për nderim». (Romakëve 13:7) Ne do respektojmë rregullin e mirë dhe do të përpiqemi të jemi paqësorë, qytetarë të bindur ndaj ligjeve. (Psalmi 34:14) Madje, ne mund edhe të lutemi «për mbretërit e për të gjithë ata që janë në pushtet», kur këta njerëz duhet të marrin vendime që ndikojnë jetën dhe veprën tonë të krishterë. Pasi i paguajmë Cezarit gjërat e Cezarit, ne shpresojmë «që të mund të shkojmë një jetë të qetë dhe të paqtë, me çdo perëndishmëri dhe nder». (1. Timoteut 2:1, 2) Mbi të gjitha, ne do të vazhdojmë të predikojmë lajmin e mirë të Mbretërisë, si e vetmja shpresë e njerëzimit, duke i paguar në mënyrë të ndërgjegjshme Perëndisë gjërat e Perëndisë.
[Shënimi]
a Shiko Kullën e Rojës të 15 majit 1964, anglisht, faqe 308, paragrafi 21.
A mund të shpjegosh?
◻ Cili është shqetësimi kryesor i një të krishteri, ndërsa ekuilibron marrëdhënien e tij me Cezarin dhe me Jehovain?
◻ Për ç’gjë, i detyrohemi Jehovait dhe që nuk mund t’ia japim kurrë Cezarit?
◻ Cilat janë disa gjëra, që në mënyrë të përshtatshme ia paguajmë Cezarit?
◻ Cilat shkrime na ndihmojnë që të marrim një vendim të saktë në çështjen e shërbimit të detyrueshëm ushtarak?
◻ Cilat janë disa gjëra që duhen mbajtur në mendje, nëse na thërrasin të bëjmë shërbimin civil kombëtar joushtarak?
◻ Në lidhje me Jehovain dhe me Cezarin, çfarë do të vazhdojmë të bëjmë?
[Figura në faqet 16, 17]
Apostujt thanë para Sanhedrinit: «Duhet t’i bindemi Perëndisë më shumë sesa njerëzve»