Të gjithë le të lavdërojnë Jehovain!
«Në rajonin e dritës duhet të lavdërojnë Jehovain.»—ISAIA 24:15, BR.
1. Si konsiderohej emri i Jehovait nga profetët e tij, në krahasim me qëndrimin e sotëm në të ashtuquajturin krishterim?
JEHOVA, emri i ndritur i Perëndisë! Sa të gëzuar kanë qenë profetët besimplotë të lashtësisë tek flitnin në këtë emër! Me hare, ata lëvduan Zotërinë e tyre Sovran, Jehovain, emri i të cilit e identifikon atë si Qëllimtarin e Madh. (Isaia 40:5; Jeremia 10:6, 10; Ezekieli 36:23) Edhe të ashtuquajturit profetë më të vegjël ishin shumë shprehës, kur i jepnin lavdi Jehovait. Një prej tyre ishte Hageu. Në librin e Hageut, i cili përbëhet prej vetëm 38 vargjesh, emri i Perëndisë është përdorur 35 herë. Kjo profeci tingëllon e pajetë, kur emri i vyer i Jehovait zëvendësohet me titullin «Zoti», siç kanë bërë në përkthimet e tyre të Biblës apostujt e stërholluar të të ashtuquajturit krishterim.—Krahaso 2. Korintasve 11:5.
2, 3. (a) Si u përmbush një profeci e rëndësishme, në lidhje me rivendosjen e Izraelit? (b) Në çfarë gëzimi morën pjesë mbetja e judenjve dhe shokët e tyre?
2 Në Isainë 12:2, në përkthimin Bota e Re, është përdorur një formë dyshe e emrit.a Profeti deklaron: «Ja, Perëndia është shpëtimi im. Unë do të kem besim dhe nuk do të jem i tmerruar; sepse Jah Jehovai është forca dhe fuqia ime dhe ai ka qenë shpëtimi im.» (Shiko edhe Isainë 26:4.) Kështu, pra, rreth 200 vjet përpara se Izraeli të çlirohej nga robëria babilonase, Jah Jehovai, nëpërmjet profetit të tij, Isaisë, dha sigurinë se ai ishte Shpëtuesi i tyre i fuqishëm. Robëria do të zgjaste nga viti 607 deri në vitin 537 p.e.s. Gjithashtu, Isaia shkroi: «Unë jam Zoti që kam bërë tërë gjërat, . . . Them për Kirin: ‘Ai është bariu im’ dhe do të çojë në vend tërë dëshirat e mia, duke i thënë Jerusalemit: ‘Do të rindërtohesh’ dhe tempullit: ‘Do të jesh i qëndrueshëm!’» Kush ishte Kiri? Në mënyrë të habitshme, ai doli se ishte mbreti Kir i Persisë, i cili pushtoi Babiloninë në vitin 539 p.e.s.—Isaia 44:24, 28.
3 Në përputhje me fjalët e Jehovait, të regjistruara në Isainë, Kiri nxori këtë dekret për robërit izraelitë: «Kush nga ju i përket popullit të tij? Zoti, Perëndia i tij, qoftë me të; le të shkojë në Jerusalem, që ndodhet në Judë dhe të rindërtojë shtëpinë e Zotit [Jehovait, BR], Perëndisë të Izraelit, Perëndia [i vërtetë, BR] që është në Jerusalem.» Një mbetje tejet e lumtur e judenjve, bashkë me nethinimët joizraelitë dhe bijtë e shërbëtorëve të Solomonit, u kthyen në Jerusalem. Ata mbërritën në kohë, për të kremtuar Festën e Kasolleve në vitin 537 p.e.s. dhe i bënë sakrifica Jehovait në altarin e tij. Vitin tjetër, në muajin e dytë, ata hodhën themelet e tempullit të dytë, mes britmave të larta të gëzimit dhe lavdërimeve për Jehovain.—Ezdra 1:1-4; 2:1, 2, 43, 55; 3:1-6, 8, 10-13.
4. Si u bënë realitet kapitujt 35 dhe 55 të Isaisë?
4 Profecia e Jehovait për rivendosjen, do të kishte një përmbushje të lavdishme në Izrael: «Shkretëtira dhe rajoni pa ujë do të hidhen nga gëzimi dhe fusha e shkretë do të gëzojë e do të lulëzojë si shafrani. . . . Atje do të jenë ata që do të shohin lavdinë e Jehovait, shkëlqimin e Perëndisë tonë.» «Me gëzim do të dilni, ju njerëz dhe me paqe do të futeni. Vetë malet e kodrat do të gëzojnë para jush me britma gëzimi . . . Dhe duhet të bëhet për Jehovain diçka e famshme, një shenjë në kohë të pacaktuara, që nuk do të pritet.»—Isaia 35:1, 2; 55:12, 13, BR.
5. Përse gëzimi i Izraelit ishte jetëshkurtër?
5 Megjithatë, ai gëzim ishte jetëshkurtër. Popujt fqinj kërkuan të lidhnin një aleancë ndërfetare, për të ndërtuar tempullin. Fillimisht, judenjtë mbajtën një qëndrim të vendosur, duke deklaruar: «Ju s’keni të bëni fare në ndërtimin e një shtëpie për Perëndinë tonë, sepse ne vetë do të mblidhemi, për t’i ndërtuar Jehovait, Perëndisë të Izraelit, sikurse na ka urdhëruar mbreti Kir, mbreti i Persisë.» Pas kësaj, fqinjët u bënë kundërshtarë edhe më të ashpër. Ata «vazhdimisht dobësonin duart e njerëzve të Judës dhe i shkurajonin ata në ndërtim». Gjithashtu, ata i paraqitën një situatë të shtrembëruar pasardhësit të Kirit, Artakserksit, i cili vendosi ndalimin e ndërtimit të tempullit. (Ezdra 4:1-24, BR) Për 17 vjet puna pushoi. Mjerisht, gjatë kësaj periudhe judenjtë ranë në një mënyrë jetese materialiste.
«Jehovai i ushtrive» flet
6. (a) Si iu përgjigj Jehovai situatës në Izrael? (b) Përse është e përshtatshme domethënia e dukshme e emrit të Hageut?
6 Gjithsesi, Jehovai e tregoi ‘forcën dhe fuqinë e tij’ në mbështetje të Izraelit, duke dërguar profetë, sidomos Hageun dhe Zaharinë, për të ndërgjegjësuar judenjtë për përgjegjësitë e tyre. Emri i Hageut kishte lidhje me festat, sepse duket se do të thotë «i lindur në një festë». Në mënyrë të përshtatshme, ai nisi të profetizonte ditën e parë të muajit të Festës së Kasolleve, kohë në të cilën judenjve u kërkohej ‘të ishin shumë të kënaqur’. (Ligji i përtërirë 16:15) Me anë të Hageut, Jehovai shpalli katër mesazhe, gjatë një periudhe prej 112 ditësh.—Hageu 1:1; 2:1, 10, 20.
7. Si duhet të na inkurajojnë fjalët e para të Hageut?
7 Duke nisur profecinë e tij, Hageu thoshte: «Ja, çfarë ka thënë Jehovai i ushtrive.» (Hageu 1:2a, BR) Ç’mund të jenë këto ushtri? Janë moritë engjëllore të Jehovait, të cilave disa herë Bibla u referohet si forca ushtarake. (Jobi 1:6; 2:1; Psalmi 103:20, 21; Mateu 26:53) A nuk na inkurajon ne sot fakti që vetë Zotëria Sovran Jehova po përdor këto forca të pathyeshme qiellore, për të drejtuar veprën tonë të rivendosjes së adhurimit të vërtetë në tokë?—Krahaso 2. Mbretërve 6:15-17.
8. Cila pikëpamje kishte ndikuar në Izrael dhe me çfarë rezultati?
8 Cila ishte përmbajtja e mesazhit të parë të Hageut? Populli kishte thënë: «Nuk ka ardhur ende koha, koha kur duhet të rindërtohet shtëpia e Zotit.» Ndërtimi i tempullit, që përfaqësonte rivendosjen e adhurimit hyjnor, nuk ishte më shqetësimi i tyre kryesor. Ata kishin filluar të ndërtonin shtëpi madhështore për vete. Pikëpamja materialiste kishte zvogëluar entuziazmin e tyre për adhurimin e Jehovait. Si rrjedhojë, bekimi i tij ishte hequr. Fushat e tyre nuk ishin më pjellore dhe u mungonin veshjet për kohën e ashpër të dimrit. Të ardhurat e tyre ishin pakësuar dhe për ta ishte njësoj, sikur të futnin para në një qese të shpuar.—Hageu 1:2b-6.
9. Cilin paralajmërim të fortë e ndërtues dha Jehovai?
9 Dy herë, Jehovai dha këtë paralajmërim të fortë: «Vendosni zemrën në rrugët tuaja.» Me sa duket, Zerobabeli, qeveritari i Jerusalemit dhe kryeprifti, Josiub, u përgjigjën dhe trimërisht e inkurajuan gjithë popullin ‘të dëgjonte zërin e Jehovait, Perëndisë së tyre dhe fjalët e Hageut, profetit, sepse Jehovai, Perëndia i tyre, e kishte dërguar; dhe populli filloi të kishte frikë nga Jehovai’. Për më tepër, «Hageu, lajmëtari i Jehovait, vazhdoi t’i thoshte popullit, në përputhje me detyrën e lajmëtarit të dërguar nga Jehovai, duke thënë: ‘Unë jam me ju njerëz’,—është fjala e Jehovait».—Hageu 1:5, 7-14, BR.
10. Si e përdori Jehovai fuqinë e tij, në mbështetje të Izraelit?
10 Disa të moshuar në Jerusalem mund të kenë menduar se lavdia e tempullit në ndërtim, s’do të ishte «asgjë» në krahasim me tempullin e mëparshëm. Megjithatë, rreth 51 ditë më vonë, Jehovai e nxiti Hageun që të shpallte një mesazh të dytë. Ai shpalli: «‘Ji i fortë, o Zerobabel,—është fjala e Jehovait,—ji i fortë, o Josi, bir i Jehozadakut, kryeprift. Ji i fortë mbarë ti, popull i vendit,—është fjala e Jehovait,—dhe puno. Sepse unë jam me ju njerëz,—është fjala e Jehovait të ushtrive. . . .—Mos kini frikë.’» Jehovai, i cili në kohën e duhur do të përdorte forcën e tij të plotfuqishme për ‘të tronditur qiellin dhe tokën’, dha siguri se i gjithë kundërshtimi, madje edhe ndalimi perandorak, u kapërcye. Brenda pesë vjetëve, ndërtimi i tempullit përfundoi me sukses të madh.—Hageu 2:3-6, BR.
11. Si e mbushi Perëndia tempullin e dytë me ‘lavdi më të madhe’?
11 Në atë kohë u përmbush një premtim i denjë për t’u shënuar: «‘Gjërat e dëshirueshme të të gjitha kombeve duhet të vijnë; dhe unë do ta mbush këtë shtëpi me lavdi’,—ka thënë Jehovai i ushtrive.» (Hageu 2:7, BR) Këto «gjëra të dëshirueshme» dolën se ishin joizraelitë, të cilët erdhën për të adhuruar në tempull, ndërsa ai pasqyronte lavdinë e pranisë së tij madhështore. Si ishte ky tempull i rindërtuar, në krahasim me atë që u ndërtua në ditët e Solomonit? Profeti i Perëndisë deklaroi: «‘Lavdia e kësaj shtëpie të fundit do të jetë më e madhe se ajo e së mëparshmes’, ka thënë Jehovai i ushtrive.» (Hageu 2:9, BR) Në përmbushjen e parë të kësaj profecie, tempulli i rindërtuar qëndroi më gjatë se shtëpia e parë. Ai qëndronte akoma, kur Mesia u shfaq në vitin 29 të e.s. Për më tepër, përpara se armiqtë e tij apostatë ta vritnin në vitin 33 të e.s., vetë Mesia i solli lavdi atij tempulli, ndërsa predikonte atje të vërtetën.
12. Për çfarë qëllimi shërbyen dy tempujt e parë?
12 Tempulli i parë dhe i dytë në Jerusalem shërbyen për një qëllim jetësor, duke qenë si hije të aspekteve të rëndësishme të shërbimit priftëror të Mesisë dhe duke mbajtur gjallë adhurimin e pastër të Jehovait në tokë, deri në shfaqjen reale të Mesisë.—Hebrenjve 10:1.
Tempulli i lavdishëm frymor
13. (a) Cilat ngjarje në lidhje me tempullin frymor ndodhën nga viti 29 deri në vitin 33 të e.s.? (b) Çfarë roli jetësor luajti sakrifica shpërblerëse e Jezuit në këto zhvillime?
13 A ka ndonjë domethënie të veçantë për kohët e mëvonshme, profecia e Hageut mbi rivendosjen? Sigurisht që ka! Tempulli i rindërtuar në Jerusalem u bë qendra e gjithë adhurimit të vërtetë mbi tokë. Por ai përfiguroi një tempull shumë më të lavdishëm frymor. Ky tempull frymor filloi të funksiononte në vitin 29 të e.s., kur Jezui, pas pagëzimit në lumin Jordan, u miros nga Jehovai si Kryeprift dhe fryma e shenjtë zbriti mbi të ngjashëm një pëllumbi. (Mateu 3:16) Pasi e përfundoi shërbimin e tij tokësor me vdekjen sakrifikuese, Jezui u ringjall në qiell, i cili përfaqësohej nga Më e Shenjta e tempullit dhe atje i paraqiti Jehovait vlerën e sakrificës së tij. Kjo shërbeu si një shpërblerje, duke mbuluar mëkatet e dishepujve të tij dhe duke hapur rrugën për mirosjen e tyre, ditën e Rrëshajëve të vitit 33 të e.s., si nënpriftërinj në tempullin frymor të Jehovait. Shërbimi i tyre me besim deri në vdekje në oborrin e tempullit mbi tokë, sjell një ringjallje të mëvonshme qiellore, për shërbimin e vazhdueshëm priftëror.
14. (a) Me çfarë gëzimi ishte shoqëruar aktiviteti i zellshëm i kongregacionit të hershëm të krishterë? (b) Përse ky gëzim ishte jetëshkurtër?
14 Mijëra judenj të penduar, e më pas edhe paganë, u mblodhën në kongregacionin e krishterë dhe morën pjesë në shpalljen e lajmit të mirë të sundimit të ardhshëm të Mbretërisë së Perëndisë mbi tokë. Rreth 30 vjet më vonë, apostulli Pavël mundi të pohonte se lajmi i mirë ishte predikuar «në gjithë krijimin që është nën qiell». (Kolosianëve 1:23, BR) Por pas vdekjes së apostujve, u vendos një apostazi e madhe dhe drita e së vërtetës nisi të venitej. Krishterimi i vërtetë u vrenjt nga retë e sektarizmit të të ashtuquajturit krishterim, i cili bazohej në mësimet dhe filozofitë pagane.—Veprat 20:29, 30.
15, 16. (a) Si u përmbush profecia në vitin 1914? (b) Cila mbledhje karakterizoi fundin e shekullit të 19-të dhe fillimin e shekullit të 20-të?
15 Shekujt kalonin. Pastaj, në vitet ’70 të shekullit të kaluar, një grup të krishterësh të sinqertë iu futën një studimi të thellë të Biblës. Nga Shkrimet, ata ishin në gjendje të përcaktonin se viti 1914 shënonte përfundimin e «kohëve të caktuara të kombeve». Në atë kohë, shtatë «kohët» simbolike (2.520 vjet të sundimit shtazarak njerëzor) mbaruan me kurorëzimin në qiell të Krishtit Jezu, Ai që kishte «të drejtën ligjore» si Mbreti Mesianik i tokës. (Luka 21:24, BR; Danieli 4:25; Ezekieli 21:26, 27, BR) Veçanërisht nga viti 1919 e më pas, ata Studentë të Biblës, të njohur tani si Dëshmitarë të Jehovait, kanë qenë të angazhuar, duke përhapur fuqimisht anembanë tokës lajmin e mirë të Mbretërisë që po vjen. Në vitin 1919, disa mijëra prej tyre iu përgjigjën thirrjes për të vepruar, e cila u lëshua në kongresin në Sidar Point, Ohaio, SHBA. Ata u rritën në numër, derisa në vitin 1935 raportuan për shërbimin në fushë 56.153 veta. Në atë vit, 52.465 morën emblemat e bukës e të verës në Përkujtimin vjetor të vdekjes së Jezuit, duke simbolizuar kështu shpresën e tyre, për t’u bërë priftërinj me Krishtin Jezu në pjesën qiellore të tempullit të madh frymor të Jehovait. Ata duhet të shërbejnë me të edhe si bashkëmbretër në Mbretërinë e tij Mesianike.—Luka 22:29, 30; Romakëve 8:15-17.
16 Megjithatë, Zbulesa 7:4-8 dhe 14:1-4 tregon se numri i përgjithshëm i këtyre të krishterëve të mirosur është i kufizuar në 144.000, shumë prej të cilëve u mblodhën gjatë shekullit të parë, përpara vendosjes së apostazisë së madhe. Nga fundi i shekullit të 19-të dhe deri në shekullin e 20-të, Jehovai ka përfunduar mbledhjen e këtij grupi me njerëz, që janë pastruar me ujin e Fjalës së tij, janë shpallur të drejtë nëpërmjet besimit në sakrificën shpërblerëse të Jezuit dhe së fundi janë vulosur si të krishterë të mirosur, për të plotësuar numrin e plotë të të 144.000-ve.
17. (a) Cila mbledhje kishte filluar qysh prej viteve ’30? (b) Përse na intereson në këtë pikë Gjoni 3:30 (Shiko edhe Lukën 7:28.)
17 Çfarë ndodh, pasi të jetë zgjedhur tërë numri i të mirosurve? Në vitin 1935, në një kongres të paharruar në Uashington, D.C., SHBA, u bë e ditur se «shumica e madhe» e Zbulesës 7:9-17 është një grup që do të identifikohej qartësisht «pas» mbledhjes së mbetjes së 144.000-ve dhe që është i destinuar për jetën e përhershme në një tokë parajsore. Pasi e identifikoi qartësisht Jezuin e mirosur, Gjon Pagëzori, ringjallja e të cilit do të ndodhë mbi tokë, si një prej «deleve të tjera», tha për Mesinë: «Ai duhet të rritet dhe unë të zvogëlohem.» (Gjoni 1:29; 3:30; 10:16; Mateu 11:11) Vepra e Gjon Pagëzorit në përgatitjen e dishepujve për Mesinë po mbaronte, në kohën kur Jezui filloi zgjedhjen e një numri gjithnjë në rritje, të cilët ishin «thirrur e zgjedhur» për të qenë mes 144.000-ve. Në vitet ’30 filloi të ndodhte e kundërta. Më pak njerëz thirreshin për të qenë mes 144.000-ve, ndërkohë që filloi një rritje e tmerrshme në numrin e «shumicës së madhe» të «deleve të tjera». Kjo shumicë e madhe vazhdon të shumohet, ndërsa sistemi i lig i botës po i afrohet fundit në Harmagedon.—Zbulesa 17:14b.
18. (a) Përse mund të presim me besim që «miliona që tani jetojnë nuk do të vdesin kurrë»? (b) Përse duhet t’i vëmë veshin me zell Hageut 2:4?
18 Në fillim të viteve ’20, një fjalim i veçantë publik i paraqitur nga Dëshmitarët e Jehovait titullohej «Miliona që tani jetojnë nuk do të vdesin kurrë». Ky pohim mund të ketë pasqyruar në atë kohë një optimizëm të tepërt. Por sot, ai mund të bëhet me siguri të plotë. Drita në rritje mbi profecitë e Biblës dhe anarkia e kësaj bote që po jep shpirt, tregojnë fuqimisht se fundi i sistemit të Satanait është shumë, shumë afër! Përkujtimi i vitit 1996 pati 12.921.933 të pranishëm, prej të cilëve vetëm 8.757 (0,068 për qind) treguan shpresën e tyre qiellore, duke marrë emblemat. Rivendosja e adhurimit të vërtetë po i afrohet plotësimit. Por, le të mos ngadalësohemi kurrë në këtë vepër. Po, Hageu 2:4 thotë: «‘Ji i fortë mbarë ti, popull i vendit,—është fjala e Jehovait,—dhe puno. Sepse unë jam me ju njerëz’,—është fjala e Jehovait të ushtrive.» Le të jemi të vendosur që asnjë formë materializmi apo aspekt i botës të mos na zvogëlojë kurrë zellin tonë në veprën e Jehovait!—1. Gjonit 2:15-17.
19. Si mund të marrim pjesë në përmbushjen e Hageut 2:6, 7?
19 Ç’gëzim është për ne privilegji që të marrim pjesë në përmbushjen moderne të Hageut 2:6, 7: «Ja, çfarë ka thënë Jehovai i ushtrive: ‘Edhe njëherë akoma, pas pak, dhe unë do të trondit qiejt dhe tokën dhe detin dhe dheun e thatë. Do të trondit të gjitha kombet dhe gjërat e dëshirueshme të të gjitha kombeve duhet të vijnë; dhe unë do ta mbush këtë shtëpi me lavdi’,—ka thënë Jehovai i ushtrive.» (BR) Lakmia, korrupsioni dhe urrejtja po vrapojnë me ritme galopante anembanë botës në këtë shekull të 20-të. Ajo është në të vërtetë në ditët e saj të fundit dhe tashmë Jehovai ka filluar ‘ta tronditë’ me anë të Dëshmitarëve të tij, të cilët po ‘shpallin ditën e hakmarrjes së tij’. (Isaia 61:2) Kjo «tronditje» paraprake do të arrijë kulmin me shkatërrimin e kësaj bote në Harmagedon, por përpara asaj kohe, Jehovai po mbledh në shërbim të tij «gjërat e dëshirueshme të të gjitha kombeve», njerëz të butë e ngjashëm deleve. (Gjoni 6:44) Tani, kjo «shumicë e madhe» po ‘bën shërbim të shenjtë’ në oborrin tokësor të shtëpisë së tij të adhurimit.—Zbulesa 7:9, 15, BR.
20. Ku gjendet thesari më i çmuar?
20 Shërbimi në tempullin frymor të Jehovait sjell fitime më të çmuara, se çdo thesar material. (Proverbat 2:1-6; 3:13, 14; Mateu 6:19-21) Për më tepër, Hageu 2:9 pohon: «‘Lavdia e kësaj shtëpie të fundit do të jetë më e madhe se ajo e së mëparshmes’,—ka thënë Jehovai i ushtrive.—‘E në këtë vend unë do të jap paqe’,—është fjala e Jehovait të ushtrive.» Ç’domethënie kanë për ne sot këto fjalë? Këtë do të na e thotë artikulli ynë vijues.
[Shënimet]
a Shprehja «Jah Jehovai» është përdorur për të dhënë një emfazë të veçantë. Shiko Insight on the Scriptures, volumi 1, faqe 1248, angl.
b Jeshua në Ezdrën dhe në libra të tjerë të Biblës.
Pyetje për rishikim
◻ Cilin shembull të profetëve duhet të ndjekim, në lidhje me emrin e Jehovait?
◻ Çfarë inkurajimi marrim nga mesazhi i fuqishëm i Jehovait për të rivendosur Izraelin?
◻ Cili tempull i lavdishëm frymor vepron sot?
◻ Cilat mbledhje kanë ndodhur me radhë gjatë shekujve të 19-të dhe 20-të dhe me cilën perspektivë të madhe?
[Figurat në faqen 7]
Ushtritë qiellore të Jehovait drejtojnë dhe mbështetin Dëshmitarët e tij mbi tokë