Rregulla e Artë—Një mësim universal
«Gjithçka, pra, që dëshironi t’ju bëjnë njerëzit juve, po ashtu duhet t’u bëni edhe ju atyre.»—Mateu 7:12.
KËTO fjalë i tha Jezu Krishti pothuajse dy mijë vjet më parë, në Predikimin e tij të famshëm në Mal. Në shekujt që kanë kaluar prej asaj kohe, është thënë e është shkruar shumë për këtë shprehje të thjeshtë. Ndër të tjera, e kanë lartësuar atë si «vetë thelbi i Shkrimit», «përmbledhja e detyrimit të të krishterit ndaj të afërmit të tij» dhe «një parim themelor moral». Kjo shprehje është bërë kaq e njohur, saqë shpesh quhet Rregulla e Artë.
Gjithsesi, ideja e Rregullës së Artë nuk është aspak e kufizuar vetëm në të ashtuquajturën botë të krishterë. Judaizmi, budizmi dhe filozofia greke e kanë shtjelluar që të gjitha këtë parim moral në një formë ose në një tjetër. Shumë i njohur, sidomos për njerëzit në Lindjen e Largët, është një pohim i bërë nga Konfuci, i cili përnderohet në Lindje si mësuesi dhe filozofi më i madh. Në librin Dialogë, i treti nga Katër Librat e Konfucit, këtë mendim e gjejmë të shprehur tri herë. Dy herë, duke iu përgjigjur pyetjeve të studentëve, Konfuci tha: «Atë që nuk doni t’jua bëjnë juve, mos ua bëni të tjerëve.» Në një rast tjetër, kur nxënësi i tij Zigongu u mburr «Atë që nuk dua të ma bëjnë të tjerët, nuk ua bëj atyre», mësuesi ia ktheu me këtë përgjigje kthjelluese: «Po, por këtë nuk je ende në gjendje ta bësh.»
Duke lexuar këto fjalë, mund ta kuptojmë se pohimi i Konfucit është një version negativ i asaj që tha më vonë Jezui. Dallimi i qartë është se Rregulla e Artë që tha Jezui kërkon veprime pozitive për t’u bërë mirë të tjerëve. Përfytyroni sikur njerëzit të vepronin në harmoni me pohimin pozitiv të Jezuit, duke u kujdesur për të tjerët e duke bërë veprime për t’i ndihmuar ata, duke jetuar me anë të këtij kodi çdo ditë. A mendoni se kjo do ta bënte botën e sotme një vend më të mirë? Pa dyshim!
Sido që të shprehet kjo rregull, në formë pozitive, negative ose në çfarëdo forme tjetër, e rëndësishme është që njerëz në epoka dhe në vende të ndryshme, si edhe me prejardhje të ndryshme, kanë vënë shumë besim në idenë që përcjell Rregulla e Artë. Kjo vetëm sa tregon se ajo që tha Jezui në Predikimin në Mal është një mësim universal që prek jetën e njerëzve kudo dhe në çdo epokë.
Pyetni veten: A do të doja të më trajtonin me respekt, me paanshmëri dhe me ndershmëri? A do të doja të jetoja në një botë pa paragjykime raciale, pa krime dhe pa luftë? A do të doja të isha në një familje ku të gjithë tregojnë interes për ndjenjat dhe për mirëqenien e të tjerëve? Në të vërtetë, kush do t’u thoshte jo këtyre mundësive? Realiteti i hidhur është se shumë pak veta i kanë këto kushte. Shumica e njerëzve e quan pothuajse një gjë të tepërt të shpresojë për gjëra të tilla.
Rregullës së Artë i bie vlera
Gjatë gjithë historisë, ka pasur raste krimesh kundër njerëzimit në të cilat janë shkelur me këmbë në mënyrë flagrante të drejtat e njerëzve. Këtu përfshihen tregtia e skllevërve nga Afrika, kampet naziste të vdekjes, puna e detyruar e fëmijëve, si edhe gjenocidet mizore nga njëri vend në tjetrin. Lista tronditëse mund të vazhdonte shumë më gjatë.
Sot, bota jonë me teknologji të lartë është e përqendruar te vetja. Pak njerëz mendojnë për të tjerët, kur u cenohet rehatia ose të drejtat e tyre të supozuara. (2 Timoteut 3:1-5) Përse kaq shumë njerëz janë bërë egoistë, mizorë, të pandjeshëm e të përqendruar te vetja? A nuk është sepse njerëzit, ndonëse e njohin ende gjerësisht Rregullën e Artë, po e shpërfillin duke e quajtur jorealiste dhe një relikt të vjetër moral? Mjerisht, ndodh kështu edhe me shumë njerëz që pohojnë se besojnë te Perëndia. E, duke gjykuar nga mënyra se si po shkojnë gjërat, pritet vetëm që njerëzit të bëhen edhe më shumë të përqendruar te vetja.
Prandaj, pyetjet jetësore që duhen shqyrtuar janë: Çfarë përfshin të jetosh sipas Rregullës së Artë? A jeton ende ndonjë njeri sipas kësaj rregulle? Gjithashtu, a do të ketë ndonjëherë një kohë kur i gjithë njerëzimi të jetojë në harmoni me Rregullën e Artë? Për të gjetur përgjigjet e vërteta të këtyre pyetjeve, ju lutemi, lexoni artikullin vijues.
[Figura në faqen 3]
Konfuci dhe të tjerët mësuan variante të Rregullës së Artë