2 Merrni njohuri të saktë për Perëndinë
«Që të marrin jetën e përhershme, duhet të vazhdojnë të marrin njohuri për ty, të vetmin Perëndi të vërtetë.»—Gjoni 17:3.
CILA ËSHTË SFIDA? Disa thonë se Perëndia nuk ekziston. Të tjerë mendojnë se Perëndia është thjesht një forcë e jashtëzakonshme, e jo një person. Ata që besojnë se ai është një person real, u mësojnë të tjerëve doktrina kontradiktore në lidhje me identitetin dhe cilësitë e tij.
SI MUND TA KAPËRCENI KËTË SFIDË? Një mënyrë për të marrë njohuri për Perëndinë, është duke parë gjërat që ka krijuar. Apostulli Pavël tha për Perëndinë: «Cilësitë e tij të padukshme, madje edhe fuqia e tij e përjetshme dhe Hyjnia e tij, shihen qartë që nga krijimi i botës, pasi dallohen nga gjërat e bëra.» (Romakëve 1:20) Duke vëzhguar me kujdes natyrën, mund të mësoni shumë për mençurinë dhe fuqinë e Krijuesit.—Psalmi 104:24; Isaia 40:26.
Por, që të marrë njohuri të saktë për personalitetin e Perëndisë, çdo individ duhet të hapë Fjalën e Tij, Biblën, dhe ta shqyrtojë vetë. Mos i lejoni të tjerët të vendosin se çfarë duhet të mendoni. Përkundrazi, ndiqni këshillën biblike: «Mjaft u brumosët sipas kësaj bote, por shndërrohuni, duke përtërirë mendjen tuaj, që të vërtetoni se cili është vullneti i mirë, i pranueshëm e i përsosur i Perëndisë.» (Romakëve 12:2) Për shembull, shqyrtoni faktet vijuese që zbulon Bibla për Perëndinë.
Perëndia ka një emër. Në fillim, emri i Perëndisë dilte mijëra herë në të gjithë Biblën. Në shumë përkthime, ky emër ndodhet te Psalmi 83:18, ku sipas versionit Kristoforidhi, thuhet: «Edhe letë njohënë, se vetëmë ti, që ke emërinë Jehovah, je i lartë mbë gjithë dhenë.»—Shoqëria Biblike për n’Ingli dhe jashtë.
Perëndia Jehova ka ndjenja dhe veprimet e njerëzve ndikojnë tek ato. Pasi Jehovai e çliroi popullin e Izraelit nga skllavëria në Egjipt, disa herë ata i shpërfillën këshillat e tij të mençura. Me udhën e tyre rebele «e lënduan» Atë. Veprimet e tyre «i shkaktuan dhembje të Shenjtit të Izraelit».—Psalmi 78:40, 41.
Jehovai interesohet për ne individualisht. Duke folur me dishepujt, Jezui tha: «A nuk shiten dy harabela për një qindarkë? E megjithatë, asnjë prej tyre nuk bie përtokë pa dijeninë e Atit tuaj. Megjithatë edhe fijet e flokëve tuaj janë të gjitha të numëruara. Prandaj, mos kini frikë: ju vleni më tepër se shumë harabela.»—Mateu 10:29-31.
Perëndia nuk favorizon një racë ose kulturë më shumë se një tjetër. Apostulli Pavël u tha grekëve në Athinë se «nga një njeri i vetëm [Perëndia] bëri të gjitha kombet, që të banojnë mbi tërë faqen e dheut». Gjithashtu, shtoi se Ai «nuk është larg nga secili prej nesh». (Veprat 17:26, 27) Apostulli Pjetër tha: «Perëndia nuk është i anshëm, por në çdo komb njeriu që i frikësohet atij dhe praktikon drejtësinë, është i pranuar nga ai.»—Veprat 10:34, 35.
CILI ËSHTË SHPËRBLIMI? Disa kanë «zell për Perëndinë, por jo sipas njohurisë së saktë». (Romakëve 10:2) Nëse e dini se çfarë mëson vërtet Bibla për Perëndinë, nuk do të mashtroheni dhe do të jeni në gjendje ‘t’i afroheni Perëndisë’.—Jakovi 4:8.
Për më shumë informacion, shih kapitullin 1, «Cila është e vërteta rreth Perëndisë?», që gjendet te libri Çfarë mëson vërtet Bibla?a
[Shënimi]
a Botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.
[Figura në faqen 6]
Një mënyrë për të marrë njohuri për Perëndinë është duke parë gjërat që ka krijuar