2 Perëndia nuk interesohet—A është e vërtetë?
Çfarë mund të kesh dëgjuar? «Nëse Perëndia do të interesohej vërtet për njerëzimin, atëherë do t’i hiqte ligësitë dhe vuajtjet nga bota. Edhe nëse merakoset për njerëzit në përgjithësi, nuk interesohet për mua si individ.»
Çfarë mëson Bibla? Perëndia Jehova nuk i shkakton ligësitë. (Jakovi 1:13) Ndonëse është në gjendje t’i heqë kurdoherë ligësitë, për momentin ai e lë shoqërinë e korruptuar të ekzistojë, që t’u japë përgjigje pyetjeve të ngritura në fillim të historisë njerëzore. Në fund, do të veprojë në dobi të njerëzimit dhe do t’i heqë tërë hallet që kanë shkaktuar ata që hedhin poshtë sundimin e tij.—Zanafilla 3:1-6; Isaia 65:17.a
Përveç merakut për familjen njerëzore në tërësi, Perëndia shfaq interes të madh për ne si individë. Mateu 10:29-31 tregon se ai vëren disa hollësi tonat që as ne nuk i dimë: «A nuk shiten dy harabela për një qindarkë? E megjithatë, asnjë prej tyre nuk bie përtokë pa dijeninë e Atit tuaj. Megjithatë edhe fijet e flokëve tuaj janë të gjitha të numëruara. Prandaj, mos kini frikë: ju vleni më tepër se shumë harabela.»
Si të ndihmon njohja e së vërtetës? Zakonisht ne i shmangim njerëzit e vrazhdë ose ata që s’duan t’ia dinë për ne. Nuk habitemi pse gënjeshtra se Perëndia nuk interesohet, bën që shumë veta të mos e njohin ose t’i afrohen vetëm kur mendojnë se s’kanë nga t’ia mbajnë. Kur e di se Perëndia Jehova interesohet vërtet, kjo mund të të ngjallë dëshirën që të mësosh më tepër për të dhe të bëhesh mik i tij.
Për shembull, mund t’i jesh lutur Perëndisë, por dyshoje nëse po të dëgjonte a do të të përgjigjej. Bibla na siguron se ‘Dëgjuesi i lutjes’ e mban të hapur këtë linjë komunikimi në çdo moment, për tërë ata që i afrohen sinqerisht.—Psalmi 65:2.
Perëndia të fton ‘ta hedhësh gjithë ankthin tënd mbi të, sepse ai interesohet për ty’. (1 Pjetrit 5:7) Mund të kemi besim te meraku i tij edhe kur kalojmë vështirësi të mëdha, pasi Fjala e tij thotë: «Jehovai u rri pranë zemërthyerve, dhe shpëton ata që e kanë frymën të dërrmuar.»—Psalmi 34:18.
[Shënimi]
a Për më shumë informacion pse i lejon Perëndia vuajtjet, shih kapitullin 11 të librit Çfarë mëson vërtet Bibla?
[Diçitura në faqen 5]
Nëse Perëndia nuk interesohet, pse na fton t’i lutemi?