A e dinte Perëndia se Adami dhe Eva do të mëkatonin?
MJAFT njerëz e bëjnë këtë pyetje me sinqeritet. Kur bëhet fjalë për çështjen pse e lejon Perëndia ligësinë, menjëherë vëmendja përqendrohet te mëkati i çiftit të parë njerëzor në kopshtin e Edenit. Mendimi se «Perëndia di gjithçka» mund t’i çojë shumë veta në përfundimin se Ai duhet ta ketë ditur që më përpara se Adami dhe Eva nuk do t’i bindeshin.
Po ta dinte vërtet që më përpara Perëndia se ai çift i përsosur do të mëkatonte, çfarë do të nënkuptonte kjo? Ky koncept do t’i vishte Perëndisë shumë cilësi negative. Do të dukej pa dashuri, i padrejtë dhe i pasinqertë. Disa mund ta quajnë mizori t’i vije njerëzit e parë përballë një fundi që dihej që më përpara se do të ishte i keq. Perëndia mund të dukej përgjegjës—ose të paktën bashkëpunëtor—për tërë të këqijat dhe vuajtjet që rrodhën gjatë gjithë historisë. Madje disave Krijuesi ynë do t’u dukej i pamend.
A përputhet ky përshkrim negativ me përshkrimin që i bëjnë Shkrimet Perëndisë Jehova? Që t’i përgjigjemi kësaj pyetjeje, le të shqyrtojmë çfarë thotë Bibla për veprat e krijimit dhe për personalitetin e Jehovait.
«Ishte shumë mirë»
Për krijimin e Perëndisë, përfshirë njerëzit e parë në tokë, tregimi i Zanafillës thotë: «Perëndia pa çdo gjë që kishte bërë dhe ja, ishte shumë mirë.» (Zanafilla 1:31) Adami dhe Eva ishin të përsosur, të pajisur më së miri për ambientin e tyre tokësor. Nuk kishin asnjë të metë. Meqë u krijuan «shumë mirë», me siguri kishin aftësi të silleshin mirë, siç kërkohej prej tyre. U krijuan «sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë». (Zanafilla 1:27) Pra, ata kishin aftësinë të shfaqnin deri në njëfarë mase cilësitë hyjnore të mençurisë, dashurisë besnike, drejtësisë dhe të mirësisë. Pasqyrimi i cilësive të tilla do t’i ndihmonte të merrnin vendime që do t’u sillnin dobi atyre vetë dhe do të kënaqnin Atin e tyre qiellor.
Jehovai u dha vullnet të lirë këtyre krijesave të përsosura e inteligjente. Që të kënaqnin Perëndinë, nuk ishin aspak të programuar si robotë. Mendo për këtë. Çfarë do të ishte më e rëndësishme për ty, një dhuratë e bërë mekanikisht apo një që vjen nga zemra? Përgjigja kuptohet. Po njësoj, nëse Adami dhe Eva do të kishin zgjedhur vetë t’i bindeshin Perëndisë, bindja e tyre do të kishte edhe më shumë rëndësi për Të. Aftësia për të zgjedhur i jepte mundësi çiftit të parë njerëzor t’i bindej Jehovait nga dashuria.—Ligji i përtërirë 30:19, 20.
I drejtë dhe i mirë
Bibla na tregon edhe për cilësitë e Jehovait. Këto cilësi bëjnë që ai të mos ketë asnjë lidhje me mëkatin. Jehovai «e do të drejtën dhe drejtësinë», siç thuhet te Psalmi 33:5. Prandaj, te Jakovi 1:13 lexojmë: «Perëndia nuk mund të sprovohet me gjëra të liga, dhe as ai vetë nuk sprovon njeri.» Ngaqë është i drejtë dhe kujdesej për Adamin, Perëndia e paralajmëroi: «Mund të hash sa të ngopesh nga çdo pemë e kopshtit. Por mos ha nga pema e njohjes të së mirës dhe të së keqes, sepse ditën që do të hash prej saj, ke për të vdekur.» (Zanafilla 2:16, 17) Çiftit të parë iu vu përpara zgjedhja midis jetës pa fund dhe vdekjes. A nuk do të ishte hipokrite nga ana e Perëndisë t’i paralajmëronte për një mëkat specifik, ndërkohë që e dinte se gjërat do të shkonin keq? Ngaqë «e do të drejtën dhe drejtësinë», Jehovai nuk do t’u kishte ofruar një zgjedhje që në të vërtetë nuk ekzistonte.
Gjithashtu Jehovai është plot mirësi. (Psalmi 31:19) Kur foli për mirësinë e Perëndisë, Jezui tha: «Në të vërtetë, kush nga ju, kur i biri t’i kërkojë bukë, do t’i japë një gur? Apo nëse i kërkon një peshk, mos do t’i japë një gjarpër? Prandaj, nëse ju, edhe pse të ligj, dini t’u jepni fëmijëve tuaj dhurata të mira, aq më shumë Ati juaj që është në qiej, do t’u japë gjëra të mira atyre që ia kërkojnë!» (Mateu 7:9-11) Perëndia u jep «gjëra të mira» krijesave të tij. Mënyra si u krijuan njerëzit dhe shtëpia parajsore e përgatitur për ta, dëshmojnë për mirësinë e Perëndisë. A nuk do të ishte shumë mizor ky Sovran i mirë sa të përgatiste një shtëpi të bukur duke e ditur se do t’u hiqej? Jo. Krijuesi ynë i drejtë dhe i mirë nuk duhet fajësuar për rebelimin e njeriut.
‘I vetmi i mençur’
Shkrimet tregojnë edhe se Jehovai është ‘i vetmi i mençur’. (Romakëve 16:27) Engjëjt qiellorë të Perëndisë ishin dëshmitarë të mjaft rasteve kur u shfaq kjo mençuri e pakufishme. Ata filluan të «brohoritnin tërë ngazëllim» kur Jehovai përfundoi veprat e krijimit në tokë. (Jobi 38:4-7) Pa dyshim që këto krijesa frymore inteligjente i ndoqën me interes të madh ngjarjet në kopshtin e Edenit. Atëherë, a do të kishte kuptim që një Perëndi i mençur, pasi krijoi një univers madhështor dhe një sërë veprash të mrekullueshme në tokë, të sillte në jetë para syve të bijve të vet engjëllorë dy krijesa unike, të cilat e dinte se do të dështonin? Qartë, planifikimi i një fatkeqësie të tillë do të ishte pa logjikë.
Por dikush mund të kundërshtojë: «Si ka mundësi të mos e ketë ditur Perëndia i cili është më i mençuri?» Është e vërtetë se një aspekt i mençurisë së paanë të Jehovait është aftësia e tij për të ditur «përfundimin qysh në fillim». (Isaia 46:9, 10) Sidoqoftë, ai nuk ka pse ta përdorë këtë aftësi, ashtu si nuk ka pse ta përdorë gjithmonë të gjithë fuqinë e tij tejet të madhe. Me mençuri, Jehovai zgjedh kur ta përdorë aftësinë për të ditur që më përpara. Ai e përdor kur është e arsyeshme dhe kur e kërkojnë rrethanat.
Perëndia përmbahet dhe nuk e përdor këtë aftësi gjithmonë. Kjo mund të ilustrohet me një pajisje të teknologjisë moderne. Dikush që sheh një ndeshje sporti të regjistruar, po të dojë mund të zgjedhë të shohë që në fillim minutat e fundit për të marrë vesh rezultatin. Por ai nuk ka pse të fillojë në këtë mënyrë. Kush do ta kritikonte nëse zgjedh ta shohë gjithë ndeshjen nga fillimi? Po ashtu, duket se Krijuesi zgjodhi të mos shihte si do të përfundonin gjërat. Përkundrazi, zgjodhi të priste dhe, teksa ngjarjet të rridhnin, të shihte si do të silleshin fëmijët e tij tokësorë.
Siç u përmend më lart, Jehovai me mençurinë e tij nuk i krijoi njerëzit e parë si robotë të programuar për një drejtim të caktuar. Në vend të kësaj, me dashuri u dha vullnet të lirë. Duke zgjedhur drejtimin e duhur, do të tregonin dashurinë, mirënjohjen dhe bindjen e tyre. Kështu do të ishin edhe më të lumtur e do të bënin të lumtur Jehovain, Atin e tyre qiellor.—Proverbat 27:11; Isaia 48:18.
Shkrimet tregojnë se në shumë raste Perëndia ka zgjedhur të mos e përdorë aftësinë për t’i ditur gjërat që më përpara. Për shembull, kur Abrahami besnik shkoi deri aty sa ishte gati të flijonte të birin, Jehovai i tha: «Tani e di vërtet që ti ke frikë nga Perëndia, pasi nuk ma kurseve birin tënd, të vetmin që ke.» (Zanafilla 22:12) Nga ana tjetër, ka edhe raste kur sjellja e keqe e disa individëve bëri që Perëndia ‘të lëndohej’. A do të ishte lënduar Jehovai po ta dinte që më përpara çfarë do të bënin ata?—Psalmi 78:40, 41; 1 Mbretërve 11:9, 10.
Prandaj, është më se e arsyeshme të arrijmë në përfundimin se Perëndia i gjithë mençurisë nuk e përdori aftësinë për t’i ditur gjërat që më përpara, pra, që të dinte qysh në fillim se prindërit tanë të parë do të mëkatonin. Ai nuk ishte kaq i pamend sa t’i krijonte njerëzit vetëm për të jetuar një radhë ngjarjesh të çuditshme që e dinte se do të ndodhnin, ngaqë i kishte parashikuar vetë.
«Perëndia është dashuri»
Kundërshtari i Perëndisë, Satanai, ishte nismëtari i rebelimit në Eden, që solli pasoja negative, përfshirë mëkatin dhe vdekjen. Ai ishte «vrasës». Gjithashtu tregoi se ishte «gënjeshtar dhe ati i gënjeshtrës». (Gjoni 8:44) I nxitur nga motivet e veta të këqija, ai përpiqet t’ia atribuojë këto motive Krijuesit tonë të dashur. Atij do t’i pëlqente që t’ia hidhte fajin Jehovait për mëkatin e njeriut.
Cilësia e dashurisë është arsyeja më e fortë pse Jehovai zgjodhi të mos dinte që më përpara se Adami dhe Eva do të mëkatonin. Dashuria është cilësia kryesore e Perëndisë. Te 1 Gjonit 4:8 thuhet: «Perëndia është dashuri.» Dashuria është pozitive, jo negative. Ajo kërkon të mirën te të tjerët. Po, i nxitur nga dashuria, Perëndia Jehova donte më të mirën për çiftin e parë njerëzor.
Megjithëse fëmijët tokësorë të Perëndisë kishin mundësinë e një zgjedhjeje jo të mençur, Perëndia ynë i dashur nuk i shihte me pesimizëm ose me dyshim krijesat e tij të përsosura. U dha çdo gjë që u nevojitej në jetë dhe i informoi për çdo gjë që duhej të dinin. Ishte më se e përshtatshme që Perëndia të priste në këmbim bindjen nga dashuria, jo rebelimin. Ai e dinte se Adami dhe Eva kishin aftësinë që të vepronin me besnikëri, siç u provua më vonë edhe nga njerëz të papërsosur si: Abrahami, Jobi, Danieli e shumë të tjerë.
Jezui tha: «Për Perëndinë gjithçka është e mundur.» (Mateu 19:26) Ky mendim na jep zemër. Dashuria e Jehovait dhe cilësitë e tjera mbizotëruese, si drejtësia, mençuria dhe fuqia, na garantojnë se, në kohën e duhur, ai mund dhe do të zhdukë të gjitha pasojat e mëkatit dhe të vdekjes.—Zbulesa 21:3-5.
Qartë, Jehovai nuk e dinte që në fillim se çifti i parë do të mëkatonte. Megjithëse u lëndua nga mosbindja e njeriut dhe nga vuajtjet që erdhën si pasojë, Perëndia e dinte se kjo situatë e përkohshme nuk do ta pengonte përmbushjen e qëllimit të tij të përjetshëm për tokën dhe njerëzit në të. Pse të mos mësosh më tepër për këtë qëllim dhe si mund të nxjerrësh dobi nga përmbushja e tij e lavdishme?a
[Shënimi]
a Për më shumë informacion rreth qëllimit të Perëndisë për tokën, shih kapitullin 3 të librit Çfarë mëson vërtet Bibla?, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.
[Diçitura në faqen 14]
Jehovai nuk i krijoi njerëzit e parë si robotë të programuar për një drejtim të caktuar
[Diçitura në faqen 15]
Perëndia e dinte se Adami dhe Eva kishin aftësinë që të vepronin me besnikëri